Kujtimet e Osman Muratit/ Vdekja e Hysniut dhe vetëvrasja e Mehmetit ia prenë krahët Enverit. Përplasja e Petrit Rdovickës me Mehmetin dhe pse anëtarët e Byrosë kishin një farë smire ndaj tij

1530
Sigal

Kujtimet e Osman Muratit, ish-Kryetarit të Inspektimit të Shtetit:

Anëtarët e Byrosë Politike të PPSH-së, nga që s’qenë në nivelin e tij kishin një farë smire ndaj Mehmet Shehut

– Si u përplas burrërisht Petrit Radiovicka me Mehmet Shehun

– Llazar Papajorgji, ishte i tronditur dhe priste nga momenti në moment policët për t’i vendosur hekurat në duar

– Ndëshkimi më i rëndë që iu bë Mehmet Shehut ishte fjalimi i Enver Hoxhës që e quajti poliagjent, tradhtar, i shitur ndaj spiu nazhit të huaj

Nga vdekja e Hysni Kapos dhe vetëvrasja e Mehmet Shehut iu prenë krahët Enver Hoxhës

Në shtetin e sistemit të kaluar kush fuste gurë nën rrota, për mbarëvajtjen e punës duke sabotuar, spiunuar kundër interesave të vendit i jepej me gjyq edhe masa ndëshkuese sipas shkallës së fajit ose krimit politik apo ekonomik. Për veprime te tilla nuk bëheshin dallime, sepse para ligjit ishim të gjithë të barabartë. Ndërsa vetëflijimi ose vetëvrasja në kohën e socializmit, konsiderohej tradhti ndaj atdheut për kuadrot kryesorë të partisë dhe të shtetit.

I tillë, ndër të tjera, ishte edhe rasti i vetëvrasjes së kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetor të vitit 1981. Për sa e njoha në detyrën e Inspektimit të Shtetit, Mehmet Shehu ishte një personalitet i nivelit të lartë, erudit, tip impulsiv dhe herë-herë i vrazhdë, por që për mendimin tim e justifikonte plotësisht funksionin që i kishte ngarkuar partia. Kam të drejtën time të them, se askush nuk mund të zbehë veprimtarinë e shumanshme të tij përreth 27 vjet si Kryetar i Këshillit të Ministrave, i cili ka mbajtur dhe peshën kryesore në zhvillimin e ekonomisë të asaj kohe dhe mbrojtjen e vendit. Mendimi im, tani mbas afro 36 vitesh, me saktësi mund të pohoj se Mehmet Shehu, ne kohën e tij, si personalitet i niveleve të larta, ka qenë, dora e fortë në udhëheqjen e PPSH-së, që i përshtatej një kryeministri për Shqipërinë dhe ishte një disfatë e pariparueshme vetëvrasja e tij, që e dëmtoi rëndë partinë, shtetin dhe socializmin në Shqipëri. Ky akt i pa dëshiruar i vetëvrasjes së Mehmet Shehut, mua më gjeti në detyrën e Kryetarit të Inspektimit të Shtetit, duke qenë rang ministri dhe më vonë si anëtar qeverie me detyrën e Ministrit të Tregtisë së Brendshme për një kohë më të gjatë. Për rreth katër vjet punë dhe lidhje me ish-kryeministrin, që u klasifikua si armik i partisë, me vetëvrasjen e tij, (kur isha Kryetar i Inspektimit të Shtetit), kisha krijuar edhe një opinion personal për një distancë që mbante Mehmet Shehut me anëtarët e tjerë të Byrosë Politike të KQPPSH-së. Ky ishte një hendek që vinte duke u hapur, sepse dëgjonim dhe shihnim se ish-kryeministri komunikonte në të shumtën e herës për probleme madhore direkt me Enver Hoxhën, dhe sikur anëtarët e tjerë të Byrosë Politike i konsideronte “si nëpunës”. Mehmet Shehu zotëronte një psikologji që e njihte kuadrin e aftë, i dëgjonte, i respektonte mendimet e tyre dhe debatonte ndoshta edhe ashpër ndonjëherë, por nuk pyeste shumë për hierarki. Ndodhte që në mbledhje të Kryesisë dhe të Qeverisë që pyeste dhe dëgjonte ekspertët që ishin thirrur për problemin përkatës, dëgjonte ndonjë anëtar të qeverisë dhe juristin për nga anët ligjore të problemit dhe së fundmi i thoshte zëvendësit te tij, A. Çarçanit, nëse kishte ndonjë mendim dhe përfundimisht bënte konkluzionet e mbledhjes, për problemin përkatës me qartësi, nivel, pa shkelur ndonjë rregull dhe nëse qe problem parimor vije të Partisë, jepte porosi që t’i dërgohej materiali Komitetit Qendror të PPSH-së, ose të informohej shoku Enver. Mendimi im është se Anëtarët e Byrosë Politike të PPSH-së, nga që s’qenë në nivelin e tij kishin një farë smire ndaj Mehmet Shehut, dhe “ruanin momentin”, që duke kritikuar organet ekzekutive, në raste të veçanta të bënin edhe kritika vend e pa vend Qeverisë, për mendime të “nxituara” ekstremiste”, po emri i M. Shehut rrallë se dëgjohej. Sigurisht koha do t’i vijë dhe historianët me sociologët do të nxjerrin konkluzionet mbi bazën e dokumenteve arkivore. Veç dua të theksoj edhe një fakt tjetër të M. Shehut. Me gjithë vrazhdësinë e tij, që shprehte në punë kur analizohej probleme të mprehta të shtetit dhe ekonomisë në Qeveri ai dëgjonte me shumë vëmendje ekspertë dhe specialistë kompetentë dhe merrte vendime me një logjikë të shëndoshë për masat që duhen marrë për përmirësimin e situatës ndaj problemit që diskutohej. Ai nuk i linte punët zvarrë, që t’i përfshinte rutina, ishte tepër vigjilent, nuk i mungonin çdo javë takimet me jetën e përditshme të popullit dhe çdo të hënë në fillim të javës, unë merrja prej tij një vandak me porosi të tijat, për t’i ndjekur dhe sipas rastit për t’u dhënë zgjidhje.

Një defekt i rëndë në sistemin e energjetikës

Aty nga mezi i vitit 1980, ndodhi një defekt i rëndë në sistemin e energjetikës. Si rrjedhojë ra i gjithë sistemi elektrik njëherazi në të gjithë Shqipërinë, u ndërpre energjia elektrike.

Drejtoria e Përgjithshme (Dispeçeria e saj) me një punë tepër të tendosur, të qetë e të shpejtë e rivendosi të gjithë sistemin e energjisë elektrike në punë për një kohë shumë të shkurtër… Kjo ishte një situatë mjaft e rëndë për Drejtorinë e Sistemit të Energjetikës që e drejtonte një shok imi i ngushtë, Llazar Papajorgji. Mbas kësaj ngjarjeje të menjëhershme unë pritja nga momenti në moment që të binte telefoni, që të bëja inspektimin përkatës në këtë akt, dhe t’i paraqisja raportin Qeverisë, se si ndodhi kjo situ- atë e papritur dhe e menjëhershme për të përcaktuar shkaqet dhe për të nxjerrë konkluzionet përkatëse. Por ja që ndodhi ndryshe. Menjëherë morëm njoftimin zyrtare se një ditë më vonë, për këtë defekt në sistemin e energjetikës do të bëhej një mbledhje e Krye- sisë së Këshillit të Ministrave për të bërë analizën përkatëse të kë- tij problemi. Të nesërmen në orën dhjetë të paradites, në këtë mbledhje të Kryesisë ishte thirrur Drejtori i Energjetikës, Ministri përkatës dhe prof. Petrit Radiovicka ish-Kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës.

Mbledhja e Mehmet Shehut dhe reagimi i Petrit Radovicka

 

Ish kryeministri Mehmet Shehu hapi mbledhjen e kryesisë dhe iu drejtua paraprakisht për konsultim të drejtpërdrejtë prof. Radovickës që ishte ekspert i kësaj fushe. Me një kurajë burrërore dhe argumente profesionale prof. Radovicka, pa iu trembur syri, për këtë defekt që ndodhi në sistemin e energjetikës, i cili s’kish ndodhur ndonjëherë, pak a shumë theksoi kështu: Shoku Mehmet, ky defekt i rëndë në sistemin tonë elektrik ishte i rastësishëm dhe ndodh rrallë herë një fenomen i tillë. Ndoshta ne nuk e kemi provuar. Ky fenomen ka ndodhur në mjaft raste në vende të tjera të botës dhe ka shkaktuar edhe pasoja të pa- dëshiruara. Por para se të shpjegojmë arsyet e këtij defekti, mendoj se të gjithë punonjësit e sistemit elektrik që nga njësia bazë e deri te dispeçeria qendrore e tij, me një shkallë të lartë profesionalizmi e vunë sistemin elektrik në punë me efikasitet të plotë pa asnjë dëm ekonomik në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë që profesor Radovicka theksoi këtë konkluzion paraprak, drejtori, Llazar Papajorgji, ishte i tronditur me një gjendje te- jet emocionale dhe priste nga momenti në moment policët për t’i vendosur duart në hekura dhe të fillonte hetimi përkatës për sabotim në ekonomi. Por fatmirësisht kjo s’ndodhi, u dëgjua me shumë respekt argumenti i bërë nga prof Radovicka dhe me kaq mbledhja e Kryesisë u mbyll pa asnjë masë ndëshkimore dhe penale.

Padyshim u dhanë porositë e nevojshme që fenomenet të tilla, sa të jetë e mundur të mënjanoheshin nën kujdesin dhe vëmendjen e përhershme të punonjësve të energjetikës dhe drejtuesve të saj. Në pushim, ne të ftuarit në këtë mbledhje të kryesisë së Këshillit të Ministrave, përgëzuam drejtorin me Ministrin e Energjetikës dhe u larguam të qetë nga salla e mbledhjes.

Ndëshkimi më i rëndë që iu bë Mehmet Shehut

 

Mirëpo, ndëshkimi më i rëndë që iu bë Mehmet Shehut ishte fjalimi i Enver Hoxhës mbajtur për aktin “vetëvrasës” të tij, ku në tablonë sinoptike e quajti atë poliangjent, tradhtar, i shitur ndaj spiunazhit të huaj dhe kishte marrë detyra për vrasjen e Enver Hoxhës nga CIA, KGB-ja, UDB-ja dhe sikur synonte për përmbysjen e pushtetit të asaj kohe.

Këtë tablo sinoptike, Enver Hoxha, siç dhe u informuam në parti, e mbështeste në të dhëna informative në disa drejtime të sigurimit të shtetit të asaj kohe, që tregon se ai paska qenë i vëzhguar nga instancat e larta sofistikuese të PPSH-së, që ndodh rrallë për një kryeministër në botë. Mirëpo aktit dhe veprës së këtij heroi kombëtar dhe kryeministri, që shkëlqeu në tërë jetën e tij, i bënë jehonë mediet në tërë bot- ën për të dy anët e tablosë, si për mirë dhe për keq.

Spiunazhet e huaja dyshohet se kanë tentuar ta korruptojnë atë që në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, nisur nga qëllimi për të përçarë unitetin në udhëheqjen e PPSH-së. Prandaj unë, si ish anëtar i PPSH- së e kritikoj sedrën e tepruar dhe “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut. Por, me plot kuptimin e fjalës, ky akt i Mehmet Shehut nuk është i rastësishëm. Sipas mendimit tim, “shokët” e tij në mbledhjen e Byrosë politike të KQPPSH-së, lidhur me fejesën e djalit me vajzën e Qazim Turdiut, gjetën rastin dhe shfrynë egoizmin e tyre, ndaj kë saj figure madhore të shtetit shqiptar, e vunë atë me “shpatulla për muri”, me kritika vend e pa vend jashtë temës së ditës. Enver Hoxha, në atë mbledhje, megjithëse mbajti një qëndrim neutral, në fund të mbledhjes thënia e tij ishte me nëntekst të fortë. Ai iu drejtua M. Shehut duke i thënë se alibia jote në diskutimin autokritik që kish bërë në atë mbledhje nuk qëndronte. Sipas kësaj thënieje me theks të veçantë që i vuri në dukje E. Hoxha në fundin e ditës së parë te kësaj mbledhjeje të këtij forumi të lartë partie, M. Shehun e futën në rrugën e ngushtë e të vetme që të dilte dhe të thoshte se e “bëri këtë fejesë të djalit, me qëllim të caktuar, për të matur pulsin e reagimit në parti dhe popull, si “ish-tradhtar” i vijës së partisë dhe i shokut Enver”. Këtu qëndron enigma, këtu qëndron absurditeti i këtij akti makabër që me kundërvënie “të stisura” e të organizuara posaçërisht nga çdo anë e asaj vije të kristalizuar partie u eliminuan një e nga një shokët e Luftës e të punës, personalitete të kohës.

Si përfundim “një analizë e tillë”, mendoj se është bërë me paramendim të caktuar, ku iu gjend një verigë për t’u kapur dhe “për ta hequr qafe Mehmet Shehun nga udhëheqja e partisë të asaj kohe, pasi aludohej në opinionin shoqëror si figurë e parë që do zëvendësonte Enver Hoxhën. Menjëherë mbas fjalës së Enver Hoxhës, në të gjithë partinë dhe në masat e gjëra popullore, filluan kritikat, si nga hera “për armiqtë e partisë” dhe e baltosën në atë farë feje M. Shehun, sikur të qe ndonjë bandit ose kriminel aktiv kundër popullit të tij. Menjëherë iu hoqën fotografitë, iu asgjësuan botimet e tij, iu fshi emri në të gjithë dokumentet e Luftës Nacionalçlirimtare si komandant i Brigadës dhe i Divizionit të Parë Sulmues në Luftë, si anëtar i Byrosë Politike dhe kryeministër i vendit. Nëse mund të bëjmë ndonjë krahasim ne kohë të ndryshme, mund të themi se ashtu siç u denigrua dhe u baltos figura e Enver Hoxhës në vitet 1990, i tillë uragan baltosjeje vërshoi edhe për Mehmet Shehun nga fundi i viteve 1981 deri në vitin 1990. Kjo ishte një fatkeqësi kombëtare. Nga vdekja e Hysni Kapos dhe vetëvrasja e Mehmet Shehut iu prenë krahët Enver Hoxhës. Në këtë pikë takimi shumë të rrezikshme për fatet e drejtimit të partisë e të pushtetit, mendoj se ndër të vetmit që do ta mbronte deri në fund kauzën e PPSH-së, dhe të Enver Hoxhës për Shqipërinë do të ishte kryeministri i vetëvrarë. Ai do të hapte rrugët e shpëtimit të Shqipërisë dhe nuk do të bë- hej lesh e li, siç e bëri Ramiz Alia, me një suitë intelektualësh, sa të inkriminuar, po aq edhe tradhtare dhe të përulur ndaj armiqve të të gjitha ngjyrave. Është e kuptueshme se në aparatin e Këshillit të Ministrave, në Inspektimin e Shtetit dhe në disa organe të tjera shtetërore dhe ekonomike, nga ky akt i papritur i Mehmet Shehut, mund dhe duhej të ndodhte ndonjë “gjëmë” e kohës. Fjala vjen mund të bëheshin shkarkime nga detyra, lëvizje kuadri, përjashtime nga Partia, ndoshta deri burgosje dhe internime. Në logjikën e zakonshme të asaj kohe dhe në ndodhitë e mëparshme të ngjashme me këtë “veprimtari armiqësore”, kanë ndodhur dukuri të tilla, prandaj dhe ne ishim të stresuar për atë çfarë mund të ndodhte, mbas këtij “akti armiqësor”. Në fakt në aparatin e Këshillit të Ministrave nuk ndodhi gjë, veç “ndodhive” makabre të familjes së tij dhe ndonjë shoqëruesi që tashmë dihen. Tjetër problem që s’mund ta gjykoj unë, ”tradhtitë” e Kadri Hazbut, apo të Feqor Shehut, me Llambi Ziçishtin etj.

(vijon)