Kujtimet e ish-komisarit Abedin Qendraj: Situata në ushtri kur vdiq Stalini, si u dënua Teme Sejko, kontrollet e Mehmet Shehut dhe Petrit Dumes

919
Sigal

INTERVISTA/ Kujtimet e ish-komisarit Abedin Qendraj

-Kur vdiq Stalini bëmë pushim, u gëzova për pushimin por na thoshin shëëëëtt

-Kur u dënua Teme Sejko, kaluam situatën më të vështirë në shkollë

-Petrit Dume, oficeri që na ngrinte në gatishmëri çdo darkë

-Marshimi i parë në Qafë Priskë,  ku Petriti na falënderoi

– Qazim Kapisyzi, gjeneral major që më urdhëroi të thosha përmendësh emrat e komandantëve

-Në Shkollën e Partisë,  Fiqirete Shehu ishte shumë e rreptë

– Fiqirete Shehu për Liri Belishovën: “Ngordhi një dhi në Veladisht dhe ngeli Berati pa dhallë”

– Stërvitja “Peza” më e vështira, ku u rrëzua dhe një avion ushtarak.

_ Në Brigadën e Kavajës me Sami Meçollarin ish Shef i Shtabit të Përgjithshëm

-Mehmet Shehu në stërvitjen e studentëve, na erdhi në befasi

– Frika që kishim të paraqiteshim tek Mehmet Shehu, ai të largonte për asgjë

– Në kontroll Mehmeti bëri dy punë, edhe për studentët, edhe për bujqësinë

-Mehmeti, Iljaz Rekës: Po shkelni bukën e popullit, gruri po sabotohet

Albert Z. ZHOLI

Plot 32- vjet në ushtri, ai ka kaluar ngjarje nga më të ndryshmet. E filloi karrierën si komandant kompanie dhe e përfundoi si Komisar Brigade. Për vetë natyrën e tij të qetë dhe përkushtimin në punë, e kaluan në detyrat e agjitacionit dhe të propagandës.  Në jetën e tij ai ka takuar thuajse të gjithë udhëheqësit e lartë të partisë shtet dhe për secilin ka konsiderata të ndryshme. Por takimet me Mehmet Shehun, mbeten për të më të shumëdiskutuarat. Sipas Abedinit, Mehmeti ishte shumë i sertë sa nuk merrje dot mundimin ta takoje. Shikonte me vëmendje çdo gjë dhe kurrë nuk kënaqej. Bënte kontrolle të befasishme me qëllim që të të kapte në gabim. Por nga ana tjetër e njihte mirë gjendjen ekonomike dhe ushtarake të vendit. Ai lëvizte gjithmonë dhe asnjëherë nuk rrinte më shumë se disa orë në një vend. E njëjta ishte dhe Fiqirete Shehu, e cila si Drejtore e Shkollës së Lartë të Partisë, asnjëherë nuk e tepronte në biseda, rrinte autoritare dhe shumë kërkuese. Për Liri Belishovën ajo nuk shprehte konsideratë. Kur flet për Kadri Hazbiun, Abedini ka të tjera emocione. E njihte mirë gjendjen, të pyeste me vëmendje por nuk ishte hakmarrës. Ishte korrekt me detyrën por dhe shumë kërkues. Sipas Abedinit vetëvrasja e Mehmet Shehut dhe vdekja e Enver Hoxhës, mbeten dy nga ditët më të vështira në ushtri, E para se nuk dinin si ta komentonin, e dyta pasi Enveri kishte autoritet absolut dhe hidhërimi ishte i madh. Në regjimin komunist thekson ai, ushtria ishte e fortë, ushtri moderne, e armatosur deri në dhëmbë.

Çfarë kujtoni nga jeta shkollore dhe ku keni qenë kur ka vdekur Stalini?

Unë jam nga Luzati dhe shkollën 7-vjeçare e kam bërë në Tepelenë. Ishin kohë të vështira dhe ne shkonim me këmbë herë në të ftohtë herë në të nxehtë duke pasur parasysh se ishim larg mbi 7 klm. S’kishim fare kushte por kishim dëshirë ët mësonim. Për çudi dhe prindërit atë na thonin mësoni. Ditën kur vdiq Stalini unë isha nisur nga fshati për në Tepelenë për të shkuar në shkollë. Kur doja dhe një km për të shkuar më del para një shoqe klase, e cila shkonte para nesh. Ajo po kthehej nga shkolla. –“Pse u ktheve i them?” –“S’kemi sot shkollë më thotë. Ka vdekur Stalini dhe e kemi ditë zie.” Ngrita supet, por edhe u gëzova që nuk kishim shkollë, pasi atë ditë nuk isha përgatitur mirë. Në fshat dhe në shtëpi, atë ditë dhe disa të tjera, për Stalinin diskutohej. Flitej se po ndodhte një gjëmë e zezë. Unë se kisha idenë akoma, isha i vogël, por dija që Stalini kudo në Shqipëri diskutohej si Hero i madh.  Kisha dëgjuar në shkollë pasi fotografia e tij ishte në shumë vende bashkë me fotografinë e Enver Hoxhës. Por si çdo fëmijë, në raste të veçanta më shumë anonte gëzimi i pushimit, se sa hidhërimi që u nda nga jeta. Madje në shtëpi dhe në shkollë ato ditë nuk na linin as të qeshnim.

Kur fillove shkollën e Bashkuar për oficer dhe si ishte shkolla ?

E kam filluar në gusht të vitit 1960. Nga Luzati më thanë se do shkosh ushtar, por duke pasur parasysh se unë isha mirë me mësime. Më thanë se do shkosh për oficer. U gëzova se më mirë oficer,  se sa ushtar. Shkollën e bëra 3 vjet për këmbësor. Atë kohë shkolla kishte shumë disiplinë, shumë kërkesa, dhe pedagogë shumë të përgatitur. Kur i dëgjoja në fillim pedagogët nuk ngopesha. Veshja e tyre, mënyra e komunikimit, stërvitja, më bënin për vete. Shkolla kishte godina të bukura, kishte kushte shumë të mira, madje më  të mirat nga të gjitha shkollat në Tiranë. Ushqimi ishte i mirë që unë nuk e kisha provuar kurrë në shtëpi. Edhe uniforma jonë ishte speciale, stof sovjetik që kur dilnim në Tiranë, të gjithë na shihnin me vëmendje. Pastërtia në shkollë ishte shembullore. Çdo gjë kryhej me orar, me bori. Asnjëherë nuk kishte rrëmujë.

Kush ka ardhur në atë kohë në Shkollën e Bashkuar nga udhëheqësit e asaj kohe?

Në atë kohë kishte dalë grupi i Teme Sejkos. Madje thoshin se ai ishte agjent se i kujt hajde mere vesh. Ishte periudha kur po prisheshim me BS-në. Një periudhë e vështirë. Situatë e tensionuar. Kudo kishte vetëm gadishmëri luftarake. Ishte një popull i armatosur. Në atë kohë në Shkollën e Bashkuar vinte gjithmonë Petrit Dume, ish-Shef I Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ai e kishte në patronazh Shkollën tonë. Kur ishte fundi i vitit të parë  na dha një urdhër marshimi nga  Qafë Priska,-  Shkallë  e  Tujanit, e kthim. Ky marshim zgjati tre ditë. U rraskapitëm, pasi s’e kishin idenë e marshimeve të gjata. Ato kohë diskutonim vazhdimisht për situatën dhe për prishjen me BS-në. Ishte hera e parë që shikoja se si ishte në të vërtetë ushtria. Marshim në kushte lufte. Lëvizje dhe ushqim në kushte lufte. Po mësohesha me këtë lloj jete. Por Petrit Dumja në atë kohë, diskutohej çdo ditë në Shkollën tonë. Aty ai sikur gjente qetësinë por dhe besimin. Kishte shumë besim tek kuadrot por dhe tek vetë studentët e Shkollës.

Gjatë shkollës a keni pasur gatishmëri të ndryshme?

Gjatë asaj kohe deri ën vitin 1963 kur mbarova thuajse gatishmëria ishte e përhershme me marshime dhe detyra kursore të ndryshme. Petrit Dumja vinte mbrëmjeve dhe na jepte gatishmëri provonte se mos kishim mungesa. Kur vinte ai, shkolla dridhej. Ishte bërë si pjesë e familjes shkollore. Edhe kur ai ikte linte detyra me shkrim. Gadishmëria ishte për ne si një vakt buke. S’na bënte përshtypje kur na kalonin në gatishmëri, por më shumë habiteshim kur na linin të qetë.

Ku ju caktuan kur mbaruat shkollën?

Kur isha në mbarim  të shkollës ne bënim kërkesa se ku duam të shkojmë. Unë bëra kërkesë se dua të shkoj në Durrës. Nuk kisha njeri që të më afronte, apo të më ndihmonte. Vija nga një fshat i largët e s’kisha  njeri në Tiranë. Ndaj mua më caktuan në Durrës në Brigadën e katërt të Mbrojtjes Bregdetare me komandant Abaz Fejzo nga Tragjasi. U caktova komandant kompanie. Zakonisht oficerët e rinj dilnin nëntogerë. Unë pata fat u caktova komandant kompanie në batalionin rezervist në Shijak. Konkretisht  në Gjepale të Shijakut, komandant kompanie i batalionit rezervist.

Kush ka ardhur gjatë kësaj kohe nga Ministria e Mbrojtjes për kontroll apo në stërvitje?

Ah, gjatë kësaj kohe më kanë bërë një inspektim dhe në krye ishte  Qazim Kapisyzi, gjeneral major. Unë për fat e njihja, se dikur e kisha komandant të Shkollës së Bashkuar. Ky ishte Kryetar i Kontrollit të Inspektimit në këtë rast, direkt i ardhur nga Ministria e Brendshme. Unë isha komandat Kompanie në batalionin e 5. Grupi i kontrollit pyeti komandantit të batalionit, ne duam të kontrollojmë vetëm një kompani. Pastaj do flasim prapë. Komandanti batalionit tha që do të kontrollojmë nëntoger Qendrajn. Më dhanë urdhër të rreshtoj kompaninë. Unë e rreshtova menjëherë kompaninë. Gjeneral Qazim Kapisyzi më tha kthehu me kurriz nga kompania dhe thirr me radhë emrat e komandantëve të togave dhe të skuadrave. Unë i thashë me radhë të gjithë emrat duke bërë një gabim tek një komandant skuadre që e rregulluan vetë rezervistët pa rënë në sy. Pastaj më thanë të jap komandën për veshjen e kundragazit. Rezervistët sa dëgjuan komandën time vepruan me shumë shpejtësi. Dolëm shkëlqyer. Ky kontroll më hapi shumë hapësira.  Pas kësaj mua më caktuan Sekretar i punës politike dhe më vonë më caktuan si Zëvendës komisar politik, apo për edukimin politik në batalion, pasi ende nuk kishin dalë përcaktimet si komisar. Prej këndej më caktuan në Çerrun të Kavajës.

Po në Kavajë me çfarë detyre shkove?

Me këtë detyrë zëvendës sekretar politik në batalion. Komandant batalioni ishte M. Kokalari nga Gjirokastra. Në këtë kohë ushtria ishte modernizuar, ishte bërë shumë e organizuar dhe kontrollet ishin të vazhdueshme. Këtu më propozuan të shkoja komandant baterie në Kepin e Rodonit, por kërkova të mos shkoja se kisha nënën sëmurë. Këtë ma shënuan  në karakteristikë. Pas këtij propozimi më çuan komisar batalioni në Lushnje, konkretisht në Grapsh dhe pastaj  në vitin 1968 më çuan në Shkollën e Lartë të Partisë në Tiranë, ku ishte Drejtore e Përgjithshme Fiqirete Shehu dhe Sotir Manushi, nëndrejtor.

Çfarë kujton nga Shkolla e Lartë e Partisë?

Një takim i veçantë i Fiqeretit në klasën tonë.  Ajo erdhi në klasë dhe filloi bisedën për problemet e ndryshme që kishim  dhe çfarë mendonim për mësimet, për literaturën. Në fund na tha se a ka kush pyetje. Një nga shokët tanë i tha se cili është mendimi juaj për Liri Belishovën, e cila ishte internuar në disa vende që nga Progonati e me radhë. “-Shokë,  ngordhi një dhi në Veladisht dhe ngeli Berati pa dhallë. Pra me një fjalë nuk na prish shumë punë dënimi i Liri Belishovës”. Ne ngritëm supet se me parë flitej shumë për të, madje flitej me shumë përzemërsi. Fiqireti ishte e rreptë, e sertë, rrallë qeshte. I kishte ngjarë Mehmetit. Ishin i njëjti tip. Nuk futej lehtë në biseda, të shikonte rreptë. Nuk e kishim parë të qeshte kurrë.

Ku ju caktuan pas mbarimit të Shkollës ë Lartë të Partisë dhe çfarë stërvitjesh keni bërë që ju kanë ngelur në mendje?

Më caktuan Komisar batalioni në Spille të Kavajës. Stërvitjet atë kohë ishin shumë të organizuara, me masa të rrepta. Mbaj mend që në atë kohë ne kemi zhvilluar një stërvitje të madhe të koduar “Peza”. Ne me batalionin u shpërngulëm nga Spilleja dhe shkuam në Elbasan, pikërisht në Belsh, ku atë kohë u rrëzua një avion. Ishte viti 1971. Kishim shumë nga Ministria e Mbrojtjes që na kontrolluan. Marshimi ishte i vështirë, por ushtarët kishin shumë guxim dhe nuk na lanë në baltë. Stërvitja u zhvillua si në kohë lufte ku për orë të tëra mbajtëm veshur dhe kundërgazet. Kaluam shumë vështirësi. Pas kësaj unë kalova komisar i Brigadës në Kavajë, në atë Brigadë që isha. Komandant ishte Sami Meçollari, që më parë ishte në Ministri. Samiu kishte emër të madh.  Ai kishte ardhur në Kavajë pas shkatërrimit të ashtuquajtur grupit puçist të Beqir Ballukut.

Çfarë detyre kishte më parë Sami Meçollari?

Ishte Shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë me propozim të Petrit Dumes u bë Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Por kur u dënua grupi i ashtuquajtur puçist, atë e shkarkuan dhe e sollën Komandant Brigade në Kavajë. Ishte shumë i përgatitur, shumë korrekt dhe trim. Me të kam kaluar shumë mirë pasi kishe çfarë të mësoje prej tij. Ai në Kavajë erdhi direkt me urdhër të Mehmet Shehut.

Ju diku keni thënë diçka për një oficer që lexonte Rexhep Qosen dhe i tërhoqën vërejtje?

Ah, ishte një oficer i ri, Shpend Topollaj, komandant kompanie. Ai kishte libra dhe lexonte shumë dhe Qosen. Sekretarit të partisë së Brigadës i kishin thënë për këtë problem dhe ai i dha vërejtje. Askush nuk e kuptoi pse ju dha ajo vërejtje, por edhe mua si komisar më thanë që të jem më vigjilent.

Kush ka ardhur për kontroll gjatë kësaj kohe për kontroll në Brigadën tuaj?

Ka ardhur Mehmet Shehu. Ai erdhi për një rrugë dhe dy punë. Së pari erdhi për stërvitjen që zhvillonte Brigada e studentëve pas kursit tre mujor,  e dislokuar në garnizonin e Kavajës ku kishim dhe ne Shtabin. Stërvitja kishte filluar dhe Mehmeti kishte ardhur nga Tirana që në mëngjes për të parë stërvitjen. Ai atë kohë ishte njëkohësisht dhe Ministër i Mbrojtjes, por shihte dhe problemet e bujqësisë. Kur shkova në mëngjes në punë,  oficeri i rojës më tha që ka ardhur Mehmet Shehu dhe është tek universitarët. Sami Meçollari që vinte para meje atë ditë vonoi. Kur erdhi i thashë kështu e kështu, si do bëjmë? Të shkojmë ta takojmë apo jo? Ishim në dilemë. Samiu më thotë ore Abedin, ai ka një zakon që nqs. shkon pa të ftuar ta thotë tullë, kush të thirri ty? Po mirë i thashë, këtu është në shtëpinë  tonë, më mirë të na flasë ashpër, se sa të mos shkojmë. Ai kishte shkuar tek kodrat e Kavajës në stërvitje, Morëm makinën dhe u nisëm.  Kur u afruam askujt s’ja mbante t’i thoshte që erdhëm, aq më tepër që morëm vesh se ishte tërë inat, pasi kishte parë rrugës dy makina shirëse gruri që rrotull saj kishte shumë grurë të shpërdoruar. Kishte mbledhur shumë kallëza dhe i kishte vënë në makinë. S’e merte askush guximin që t’i thoshte atëhere më shkoi mendja për një mikun tim, sekretar i Komitetit Partisë  në Durrës, Sami Vargu që kur shkonte në Durrës Mehmeti, me atë rrinte. Ai ishte oficer rezervist. Pasi mori miratimin,  Samiu na tha të vinim. Kur shkuam dhe u paraqitëm Mehmeti i foli Samiut, hë ç’kemi, si dukesh këtu? Mehmeti po bënte konkluzionet e stërvitjes së studentëve.  Aty kishin ardhur dhe Sekretari i parë i Durrësit, Qirjako Mihali. Kryetar i Komiteti Ekzekutiv ishte M . Karoli. Më parë aty kishte qenë Sekretar i Parë Iljaz Reka, të cilin e kishin çuar në Lushnje. Kur Mehmeti bënte konkluzionet ata erdhën. Mehmeti i prezantoi, para studentëve. Kur mbaroi konkluzionet  ai i tha shoqëruesit, Dilaver…Pa mbaruar fjalët  ai i solli disa tufa me kallëza gruri. Ata shtangën. Ti Qirjako sapo ke ardhur në Durrës, ndaj kam punë me Rekën dhe Karolin. Menjëherë Kryetari Komitetit Ekzekutiv tha –  “Është turp. Mehmeti ju sul: – “S’është turp, por është krim, sabotim, është maskarallëk. Do i raportoj Enverit. Kjo nuk falet. Do ta bëj problem në mbledhjen e qeverisë ditën e hënë (atë ditë ishte e premte). Të gjithëve na u pre gjaku. M. Karoli ishte zverdhur.

Po ju a ju kontrolloi?

Po. Pas përfundimit me ta, rrugës për të ikur, ai kontrolloi transhetë dhe qendrat e zjarrit që ishin aty.  Kryesisht kontrolloi transhetë dhe hendeklidhjet. Ato i kishte merak. Kudo që shkeli ishte punuar në mënyrë shembullore. Nuk gjeti asnjë gabim. Bënte çmos që të shihte diçka  se ai rrallë e thoshte fjalën e mirë. Por nuk gjeti. Ishte merita e Sami Meçollarit. Me thënë të drejtën, Samiu ishte një ushtarak  shumë i zoti. Mehmeti u detyrua të thoshte keni bërë punë të mirë, por pa ju drejtuar direkt, Samiut pasi ai i ndiqte të gjitha këto punime.

Nesër do të lexoni

– Gjatë kohës që isha në Akademi na kanë ardhur njëherë tre udhëheqës bashkë, Mehmet Shehu Kadri Hazbiu dhe Hysni Kapo

– Mehmet Shehu ndau 5 diploma të oficerëve të shkëlqyer
– Kur u vetëvra Mehmet Shehu isha komisar i Brigadës së Laçit.

-Kur unë shkova në repart mora vesh pasi kishte ardhur fonogrami që të nisemi gjithë drejtuesit për në Tiranë

– Kadri Hazbiu menjëherë pas marrjes së detyrës si Ministër i Mbrojtjes, erdhi për rikonicion në Brigadën tonë

-. Ishte viti 1966 kur takova  Enverin që  pushonte tek  kampi “Qemal Stafa”

-Enveri: Të ruani atdheun se na kanë halë në sy