Kryengritja e Lushnjës e vitit 1909 kundër osmanëve

1179
Sigal

Përballë shtypjes së pushtuesve osmanë, lushnjarët, të mbështetur dhe nga klerikët, demonstruan në qytet dhe hapën depot e drithit

Plot 105 vjet më parë, në qytetin e Lushnjës u bë një tjetër demonstratë e fuqishme anti-osmane. Themi një tjetër, sepse më 1906 ishte zhvilluar një protestë e gjerë, që gjeti pasqyrim edhe në shtypin europian për përmasat që mori dhe qëllimet që arriti. Një revoltë, e cila nuk u harrua kurrë nga lushnjarët.

Por përse lushnjarët u ngritën përsëri kundër administratës osmane? Çfarë përmbante në thelb kjo demonstratë? Dhe pse pikërisht me 17 janar?

Kjo datë nuk ishte e rastësishme. Ajo përkonte me vdekjen e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti. Pikërisht për këtë ngjarje, sipas Sheh Ibrahim Karbunarës, u zgjodh si dita kur duhej të protestohej në qytet. Ndoshta ai mendonte “që duhej t’i kujtohej osmanëve se edhe pse Gjergj Kastrioti kishte 441 vjet që kishte vdekur, stërnipërit e tij ishin akoma aty, të gatshëm të hidheshin menjëherë në sulm sa herë që vendi të kërcënohej prej tyre”. Ndërkohë që vetë, demonstrata përmbante në thelb një mesazh të qartë kundër vendimeve të padrejta të administratës osmane, që bëheshin në kurriz të popullit myzeqar.

Nga burimet historike mësojmë se, në vitin 1908 një thatësirë e madhe goditi Myzeqenë, thatësirë që solli vështirësim të mëtejshëm të jetës deri në kufijtë e një krize ushqimi. Sepse, stina e nxehtë si rrallë ndonjëherë ndikoi direkt tek prodhimet bujqësore me të cilat ushqehej mbarë Myzeqeja. Ndërgjegjësimin politiko – shoqëror e ngriti deri në një demonstratë të fuqishme, edhe veprimi i gabuar i administratës osmane, e cila u sekuestroi të gjithë drithin fshatarëve dhe e mblodhi atë në depot e qytetit. Ky ishte një ndër shkaqet, i cili çoi në një përleshje të vërtet trup me trup me okupatorin. Fatmirësisht, në dokumentet e kohës mësojmë edhe se kush ishin organizatorët e kësaj proteste. Për organizimin e saj, patriotët myzeqarë mblodhën një komitet në Teqen e Karbunarës. Pasi biseduan me hollësi mbi mënyrën se si do veprohej, në fund u la detyrë parësore që të thirreshin sa më shumë bujq, të cilët duhet të mblidheshin përpara administratës së qytetit. Dhe thirrja e komitetit organizator u dëgjua gjerësisht. Në mëngjesin e 17 janarit rrugët e Lushnjës ishin të mbushura plot e përplot me protestues. Me guxim dhe te vendosur, pjesëmarrësit demonstruan me parullën “Duam bukë”, “Duam bukë”. Gjithashtu, bujqit e indinjuar kërkonin drithin që ua kishin sekuestruar me forcë dhe pa të drejte. Zemërimi i tyre arriti kulmin kur mësuan se nëpunësit ishin urdhëruar që të mos hapeshin depot e drithit. Kërcënimi i krizës së bukës kishte veshur rrobën e vdekjes, e cila bënte kërdinë në fëmijë dhe të moshuar. Ndaj në përmbajtje të revoltës popullore kishte shumë elementë të ekzistencializmit. Në një demonstrim kaq masiv të zemëratës popullore, të gjithë janë në ballë. Megjithatë, ndër udhëheqësit kryesore të kësaj lëvizjeje antiqeveritare veçojmë Ikonom Kozma Dhimën, Ikonom Zegalin, Sheh Ibrahim Karbunarën, Llazar Bozon Ali dhe Emin Vokopola, Nebi Sefa, Besim Nuri, Vasil Prifti,Vasil Gjeçi, Bajram Haxhiun, Hamit Xheka, Ferit Vokopola, Qerim Arapi, Azis Sula, Koçodin Gogu, Çaush Kërçuku, Gaqi Naço, Hajdar Ngurrëza, Hajro Çela, Jashar Blezencka, Pal dhe Todi Kadillarin, Hali Daka, Ngjel Çukon, Kic Gjermenin, e shumë të tjerë.

Veç takimit organizator dhe pjesëmarrjes, kishte edhe elementë të tjerë që flasin për seriozitet dhe vendosmëri. Për shembull, drejtuesit i njihnin pasojat, ndaj ditën kur u mbajt protesta, çeta e Karbunarës me në krye Taullah Sinanin bëri gjithçka për të penguar ardhjen e forcave osmane të nisura nga Berati në drejtim të Lushnjës. Pra, u gërshetuan elementë të protestës popullore me ato të qëndresës dhe kundërshtimit të armatosur si kurrë më parë.

E gjithë demonstrata ishte një veprimtari e suksesshme. Mbi çdo gjë, atë ditë bujqit myzeqarë triumfuan mbi administratën osmane, fituan duke marrë të gjithë drithin nga depot dhe një pjesë ua shpërndanë edhe të tjerëve. Lufta për mbijetese i bashkoi lushnjarët me fort me njeri – tjetrin, gjë që e dëshmuan në çdo kohe dhe sidomos ne ditët e Kongresit Kombëtar të Lushnjës.  Natyrisht qe pritej edhe kundërveprimi i pushtuesit osman. Një ditë më pas nisën arrestimet e mëdha për të frikësuar popullin e Lushnjës. Xhandarët osman arrestuan Nebi Sefën, Vasil Priftin, Ymer Korreshin, Vasil Gjeçin, Hamit Xhekën, Ikonom Zegalin (këtij të fundit i vranë të vëllanë për ta frikësuar), Ikonomin Zegalin e çuan në Mazhaj prift të thjeshte. Sheh Ibrahim Karbunarën e internuan në Peqin. Internimi i këtij fetari me influencë të madhe revoltoi mjaft popullin e Karbunarës.

Por këto masa antipopullore nuk u dolën për mirë osmaneve. Protesta e lushnjarëve vazhdoi, madje më e ashpër edhe për disa ditë të tjera. Ajo u përhap me shpejtësi në mbarë Myzeqenë. Protestuesit kërkonin lirimin e menjëhershëm e të gjithë të burgosurve, përndryshe do të kalohej në beteja të armatosura. Dhe fituan përsëri. Nga presioni i madh e këmbëngulës, administrata osmane u detyrua ti lironte të arrestuarit.

Niko FERRO dhe Andrea LIKO