Historia e lavdishme e 4 nëntorëve të Shqipërisë

3274
Albert Z. ZHOLI

Për shqiptarët, muaji nëntor, gjithmonë është karakterizuar me ngjarjet më të mëdha në historinë e këtij populli. Që nga 28 Nëntori i vitit 1443, kur Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ngriti flamurin në Krujë, e deri në ditët e sotme, nëntorët kanë sjellë për shqiptarët ngjarje të mëdha dhe kthesa të rëndësishme historike që lidhen me flamurin, me kombin. Flamuri, një simbol qëndrese dhe krenarie, që në vetvete ngërthen tërë qenien e kombit. Aty sintetizohen për bukuri: bujaria, besnikëria, trimëria, burrëria e, mbi të gjitha, sakrificat tona shekullore për liri e pavarësi. Dhe, përherë i pandryshuar, kuqezi. Ngjyra që flasin shumë. Toka mëmë e larë me gjak. Në mes shqipja dykrenare plot kujdes e krenari. Atdhetarët tanë nuk pushonin së vepruari. Me penë e me pushkë, brenda e jashtë. Çetat çlirimtare kishin mbushur malet. Qielli i Shqipërisë përflakej nga betejat e pareshtura. Vlorës, këtij djepi të shqiptarizmës i takoi fati ta përgatiste edhe terrenin e shpalljes së Pavarësisë. Në gjakun e derdhur brenda viteve 1910-1912 zuri embrion shteti i vockël shqiptar…Plaku i urtë vlonjat, Isamail Qemali, me atdhetarë të tjerë, duke ndjerë rrezikun, nxitonin pa u ndalur. -O sot, o kurrë!- thanë ata, dhe vraponin nëpër Evropë. Atdheu ishte në zgrip të zhbërjes, andaj lypsej trimëri e mençuri…

28 Nëntor i vitit 1443
28 Nëntor i vitit 1443. Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u kthye në qytetin e tij të lindjes në Krujë. I shoqëruar nga bashkëluftëtarët e vet e ngriti mbi kështjellën legjendare të Krujës Flamurin me shqiponjën dykrenore. Kjo ngjarje shënon një moment të veçantë historik për mbarë popullin shqiptar. E Skënderbeu iu drejtua popullit me fjalët: 

“Shqiptarë, lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta këtu! Në zemra rronte liria e Atdheut. Vënie, pra, lart, o vëllezër, flamurin e Shqipnisë sonë. Tregojeni, pra, trimërinë tuaj, ashtu si burrat dikur moti…!”. Pothuajse, dy dekada pas ngritjes së Flamurit nga Skënderbeu, nëntori i lavdisë dhe krenarisë shqiptare, shndërrohet në një datë tjetër, në atë të dokumentit të parë të gjuhës shqipe “Formula e Pagëzimit”. Më 8 nëntor të vitit 1462, në një kishë të Matit, është lëshuar një dokument në gjuhën shqipe, i cili shkruante:

“Un të pagëzoj pr’rement (t’) atit e t’Birit e t’Shpirtit Shenjt”.
Këtë qarkore në gjuhën shqipe, aso kohe e kishte shkruar Kryeipeshkvi i Durrësit, Pal Engjëlli. Pal Engjëlli ishte një figurë historike, atdhetare e humaniste. Po ashtu, ai ishte bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit si dhe mik e moshatar i tij. Gjatë një vizite që ia kishte bërë dioqezës së tij, Pal Engjëlli e pa të arsyeshme që ta lëshoi këtë dokument, që u jepte leje prindërve t`i pagëzonin fëmijët e tyre me këtë formulë nga pamundësia që të shkonin në kishë, për shkak të kushteve dhe rrethanave të kohës.

Nëntori i shkronjave shqipe (4 deri më 22 nëntor të vitit 1908)
Për plot gjashtë shekuj, nëntorët e gjenin popullin shqiptar të pushtuar e në errësirë. Megjithatë, rrugëtimi drejtë çlirimit të tokave shqiptare dhe daljes nga errësira, nuk kishte të ndalur. Pas 600 vjet përpjekjeje e sakrifice, populli shqiptar arriti te një datë tjetër e muajit nëntor: Tek “Nëntori i shkronjave shqipe”. Më 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, në Manastir, u mbajt Kuvendi mbarëshqiptar, ku morën pjesë 50 delegatë nga gjitha viset shqiptare. Madje, edhe shqiptarët që jetonin në mërgatë, si Amerikë, Egjipt, Sofje, Rumani, Itali e vende të tjera. Në këtë Kuvend u shqyrtua dhe alfabeti i shkronjave shqipe. Qëllimi kryesor i këtij Kongresi ishte Alfabeti shqip i unisuar, ngase deri në këtë kohë përdoreshin edhe disa alfabete të tjera. Për të përfunduar këtë çështje zgjodhën një Komision të cilin e udhëhoqi At Gjergj Fishta. te “Lahuta e Malcis’”, Gjergj Fishta, me këtë alfabet, do t`iu këndonte dëshmorëve. Rrugëtimi i shqiptarëve drejtë çlirimit nga kthetrat pushtuese dhe hapjes së dritareve të dritës, duke i mbyllur dritaret e territ, nuk kishte të ndalur. Pas katër vjetësh të Kongresit të Manastirit, historia shqiptare shënon një datë edhe më të rëndësishme. 

Më 28 nëntor 1912, shpallja e Pavarësisë
Më 28 nëntor 1912 në Vlorë, u mbajt Kuvendi i Pavarësisë, në përbërje të 40 delegatëve shqiptarë. Në krye të Kuvendit u zgjodh Ismail Qemali, i cili shpalli Shqipërinë të lirë dhe të pa varur, pikërisht me këtë datë, pra 28 Nëntor 1912. Pas gjashtëqind vjetësh në qytetin e Vlorës ai ngriti flamurin kombëtar kuq e zi. Flamurin që e kishte përdorur edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, gjatë luftërave kundër ushtrisë osmane të asaj kohe. Dhe, më në fund, ditë e bardhë agoi. 28 Nëntor 1912. Vlora kishte festë, ajo do bëhej nuse dhe tundej e hidhej nga gëzimi. Po hynte në histori për të ngelur legjendë. Qe zgjuar me natë për të pritur mysafirët nga mbarë trojet shqiptare. Edhe dielli sikur po ngutej. Ia bëhu edhe pas dreka. Ora e madhe e historisë po trokiste hareshëm. Plaku shtatëdhjetëvjeçar po dridhej nga entuziazmi. Mezi e mbante në dorë Flamurin e Marigosë, që e kishte qëndisur brenda natës. Brohoritjet e fuqishme: Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria!- e ngazëllyen edhe më. Me mund nguli shtizën në ballkonin e shtëpisë së vjetër stërgjyshore dhe masës së pafund iu drejtua: 

-Vëllezër shqiptarë!…Ja, pra, ky është Flamuri ynë…Sot dhe këtë minutë, Kongresi shpall MËVETËSINË E SHQIPËRISË… 
Me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Ismail Qemali, njoftoi të gjitha fuqitë e mëdha për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë,si dhe vendet përreth saj që të heqin dorë nga okupimet e tokave shqiptare. Por cila ishte mbështetja e fuqive të mëdha për pavarësinë e proklamuar më 28 Nëntor 1912, gjegjësisht kush ishte aleati kryesor në mbështetje të saj. Padyshim, është vetëm një emër, Woodrow Wilson, presidenti i atëhershëm amerikan. Ai, jo vetëm që ishte përkrahësi më i madh i pavarësisë, por ishte edhe armiku kryesor i atyre shteteve që dëshironin ndarjen e tokave shqiptare. Woodrow Wilson fitoi zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara tre javë para se Shqipëria të shpallte pavarësinë në nëntor të vitit 1912. Por, duhet të kalonin disa vjet para se refuzimi prej tij i planeve për ndarjen e Shqipërisë, t’i siguronte ish-Presidentit amerikan një vend nderi në historinë shqiptare. Vizioni i Presidentit Wilson për botën, roli i shqiptaro-amerikanëve dhe rrethanat historike kontribuuan në vendimin që do të rikonfirmonte pavarësinë e Shqipërisë. Kur i hedh një vështrim botës së pas Luftës së Parë Botërore në vitet 1919-1920 dhe vendimit të Woodrow Wilsonit për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë, nuk mund t’i shpëtosh mendimit, se sikur rrjedha e ngjarjeve të kishte shkuar vetëm pak më ndryshe, harta e Shqipërisë nuk do të ishte kjo që njohim sot. Fuqitë evropiane donin të vazhdonin diplomacinë tradicionale. Presidenti Wilson e hodhi poshtë idenë e aleancave sekrete në diskutimet e tij në Paris. 

29 Nëntori 1944
29 Nëntori është një datë e lavdishme e historisë së popullit shqiptar si Dita e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e egër nazifashiste. Ai qëndron në këtë histori si një lapidar i lartë, në krah të asaj të 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë Kombëtare, të cilën partizanet e kanë festuar si dite feste kombëtare edhe me grykën e pushkës duke luftuar kundër nazifashiste pushtues. Tërheqja e forcave të fundit naziste nga Shkodra, në orët e para të mëngjesit të datës 29 nëntor 1944 dhe çlirimi i saj me grykën e pushkës së gjashtë Brigadave partizane të Divizionit II Sulmues është një fakt i pakontestueshëm historik, i shkruar me gjak.Veteranët, që i kanë jetuar si luftëtare të çlirimit edhe ditët e 28 – 29 Nëntorit pavarësisht nga mosha, nuk i kanë harruar ato luftime çlirimtare e atdhetare që janë fiksuar e mbahen mend. Nexhmi Menzelxhiu një nga kuadrot e Brigadës XXII-S: Mbaj mend se, sapo isha emëruar Përgjegjës i rinisë së Batalionit të parë të Brigadës XXII “S”, por nuk isha shkëputur akoma nga kompania e parë, ku kisha bërë pjesë. Kishim kaluar në luftimet e pritave kundër kolonave të nazistëve, në rrugën Kukës -Shkodër, e kishim kaluar, të ndihmuar nga vendasit për të kaluar Lumin te Vau i Dejës, sepse gjermanet e kishin hedhur në erë urën. Më datën 28 Nëntor, me brigadën qemë përfshirë në Operacionin e gjerë të Divizionit të II të UNÇSH, për Çlirimin e Shkodrës, bashkë me brigadën VII, atë XXIII e VI “Sulmuese”. Shkodra mbrohej me këmbëngulje nga nazistët, sepse siguronte tërheqjen e forcave të Gruparmatës “E”, duke pasur një praparojë të fuqishme, që sipas shokëve guerilas të Shkodrës, mund të ishte prej 4000 njerëzish. Ata kishin me vete edhe shumë mercenare ballistë, apo xhandarë. Disa prej tyre, që e ndienin se kishin bërë krime, qenë larguar, me kohë prapa tankeve naziste. Disa të tjerë u liruan se nuk kishin bërë dëme dhe disa të tjerë erdhën si vullnetare në brigadat tona. Gruparmata “E”, kish organizuar një tërheqje strategjike, me masa të forta në praparojë, drejt Austrisë e më tej, sepse ofensiva e Ushtrisë sovjetike nga fronti i Ukrainës, po shkonte drejt Beogradit dhe mund të mbyllte në darë forcat naziste, që po tërhiqeshin nga Ballkani.
Sigal