Hazis Gjergji: A e rrezikonte Qemal Stafa shokun Enver Hoxha në postin e kryetarit të PKSH? Me rastin e 80-vjetorit të rënies dëshmor

913
Sigal

Vrasja e heroit Qemal Stafa sipas dokumenteve

Me shpresën se Akademia e Shkencave e Shqipërisë i kishte hedhur në internet mbi 7250 zëra, ndër të cilët mbi 2360 zëra persona, të botuar në vitet 2008-2009, në  tre vëllime në përbërje të “Fjalorit Enciklopedik Shqiptar”(FESH), u mundova të gjej zërin e martirit të rezistencës antifashiste të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, Qemal Stafa. Por në vend të zërave të hartuar nga dy breza historianësh e punonjës  të tjerë shkencorë, hartuesi anonym i zërit “Qemal Stafa” në https://sq.wikipedia.org/wiki/Qemal_Stafa, shkruan:  “Kandidati për Sekretar të Përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtëpi, sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë e marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës.”(?!)  Por edhe vetë Enver Hoxha në kujtimet e tij “Kur Lindi Partia” (1981), në përpjekje për t’i dalë në “mbrojtje” Qemalit, sajon një skenë të rreme, ku në vend që të vërë vetulla, ka nxjerrë sytë: Enver Hoxha: (www.enver-hoxha.net/…/librat-kur_lindi_partia-6.htm) “Dita e fundit e pjekjes time me Qemalin ishte më 4 maj. U poqëm në bazën Nr. 66, në Rrugën e Shëngjergjit, në shtëpinë e Hysen Dashit… Me Qemalin ndenjëm tërë ditën brenda në dhomë dhe punuam. Unë po përgatitja një leksion për Ushtrinë e Kuqe, Qemali përgatitej se te nesërmen, në mëngjes, duke gdhirë 5 maj, do të nisej për në Vlorë. Ramë e fjetëm afër njëri-tjetrit, në një minder të mbuluar me batanije. Në mëngjes u përqafuam dhe u ndamë. Ai u nis për në Vlorë, unë për një mbledhje me shokë…”  Së pari, sipas dokumenteve, militanti i shquar komunist, ish-pjestari i Çetës Antifashiste të Pezës, Qemal Stafa, nuk rezulton gjëkundi si “kandidat për Sekretar të Përgjithshëm të PKSH”. Ai ishte anëtar i Komitetit Qendror Provizor të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Sekretar Politik i Organizatës Antifashiste të Rinisë. Së dyti, dëshminë më bindëse se ku ka qenë Qemal Stafa një ditë përpara se të vritej e ka dhënë militantja antifashiste

 

Naxhije Dumi:
“Qemali ishte urdhëruar të shkonte në Vlorë. Deri atëhere ai banonte në shtëpinë time, në rrugën e “Shëngjergjit”, Nr. 44. Para se të nisej, e fejuara e tij, Drita Kosturi, i propozoi të shkonin në një bazë të re për t’u strehuar. Qemali m’u drejtua mua dhe më tha që të shkoja bashkë me Dritën shtëpinë fatale, ku një ditë më pas do të vritej. Shtëpinë unë e pashë me kujdes. Ajo ishte e porsapërfunduar dhe atje nuk banonte njeri. Shtëpia nuk kishte brenda asnjë lloj orendie dhe për shumë arsye nuk më pëlqeu që Qemali të qëndronte në atë bazë. Ndaj, kur e takova, i thashë me insistim se ajo shtëpi ishte e papërshtatshme për të qenë bazë e tij, pasi ishte e pasigurt, e veçuar nga banesat e tjera të lagjes dhe ndodhej e zbuluar në mes të fushës.”(Naxhije Dumi, gazeta “Tirana Observer”, Nr. 387, 14 prill 2010, f. 14) Shtëpia ishte marrë me qira nga miku i tyre i përbashkët, militanti antifashist Beqir Minxhozi, punonjës i Bankës Kombëtare të Punës (Banca Nacionale del Lavoro). Por në kundërshtim flagrant me dinamikën e ngjarjeve dhe pa asnjë konsultim me dokumentet  e kohës, gjejmë intervistën e rreme dhe keqdashëse të Beqir Xhepës, botuar më 10 mars 2003, në “Gazetën Shqiptare” dhe cituar nga një varg botimesh dhe gazetash të tjera.
Beqir Xhepa:
“Nga shtëpia jonë, Qemal Stafa u largua vetëm 10 ditë para se të vritej, pasi prefekti i Tiranës, Qazim Mulleti, i cili ishte shok i babës sonë, Xanit, i dërgoi fjalë atij me anë të shefit të Policisë së Tiranës, Man Kukalesh duke i thënë që ta largonte Qemalin dhe ta niste për në Pezë, pasi shokët e tij kishin spiunuar atë në kuesturë dhe ai kërkohej me qiri. Pas kësaj babai mezi ia mbushi mëndjen Qemalit që të largohej nga shtëpia dhe ai iku e u vendos në një bazë tjetër, te shtëpa e L.D., ku edhe u rrethua dhe u vra më 5 maj 1942. Sapo mësoi për vrasjen e Qemalit, baba ynë, Xani shkoi te dyqani Flora” dhe i tha Enver Hoxhës: “Gjakun e Qemalit e kërkoj vetëm tek ty!?” Po ashtu, Vançi Bajraktari i paska thënë, Xanit se “Tani sapo u ktheva nga dyqani “Flora” ku bëra shumë debat me Enverin.”( gazetashqiptare.al/2017/11/26/historia-e-panjohur…; Roland Qafoku “100 vrasjet më të bujshme në historinë e shtetit shqiptar (1912-2017), Tiranë: West Print, 2017; gazetat “Panorama” online, dt.26.11.2017; Fjala” online, 05.05.2020 etj.). Sipas dokumenteve, në kohën kur Qemal Stafa u rrethua dhe u vra, Enver Hoxha kishte plot 6 muaj që nuk punonte në dyqanin “Flora”. Ai kishte rënë në sy të fashistëve në demonstratën e rinisë shkollore të 28 Tetorit 1941 në Tiranë dhe, dy ditë më pas, kur agjentët e policisë së Prefekturës së Tiranës kishin shkuar me urdhër për ta arrestuar në dyqanin “Flora”, ai kishte mundur t’i mashtronte dhe të largohej për të mos u dukur më aty. (AQSH, F. 153, V.1941, D. 103, f. 114) Për vendin se ku ndodhej Enver Hoxha atë ditë kur u vra Qemal Stafa, militanti komunist Koço Tashko kujton: “Në këtë çast kur luftonte Qemali andej nga Medreseja, në qendër të qytetit, fare afër Ministrive, ishin mbledhur tre veta në një dhomë në shtëpinë e vëllait tim, Alekos. Këta të tre ishin Enveri [Hoxha], Miladini [Popoviç] edhe unë. Gruaja ime bënte shërbimet e shtëpisë. Enveri dhe Miladini kishin mjaft ditë, që ishin fshehur këtu si ilegalë. Shtëpia e vëllait ishte bërë qendra e Shtabit të Përgjithshëm të Partisë sonë. Për të qenë më të lirë, Alekon e kishin dërguar të banonte te vëllai tjetër imi, te Gaqoja, i cili kishte shkuar familjarisht në Elbasan për pushime… Dikush troket shumë fort te dera e oborrit. Unë vajta në katin lart të shihja nga ballkoni, nëse kish shumë njerëz në rrugë. Pasi sigurohem, i them Pavlinës të hapë derën. Hyn Kristo Themelkoja me nxitim.

 


“Koçoja është brenda?” – pyet ai.
“Po,” përgjigjet Pavlina.
“Tjetër kush është?” – pyet Kristoja.
“Po hyrë, janë ata [Miladini dhe Enveri],” – i thotë Pavlina.
Kristoja hyn duke ngulçuar.  “Ç’ka ngjarë?” – pyet Miladini [Popoviç].
“Vij nga një përpjekje me armë me milicinë fashiste, për çudi shpëtova, po kam frikë se mos është vrarë ose kapur Qemali!” – thotë ai.
Mbasi u qetësua pak, Kristoja na e tregoi me hollësi të gjithë ngjarjen. Shokët më thanë të dal jashtë e të mësoj për fatin e Qemalit… Pyeta njërin, pyeta tjetrin e më në fund u sigurova: Qemali ishte vrarë.” (gazeta “Shqiptarja.com,” 21-22.11.2014) Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Enver Hoxhës, në vitin 1994, gazetari Apostol Duka mori dëshmitë e dy miqve më të ngushtë të Qemal Stafës, Gjystina Satës dhe Ymer Dishnicës. Pyetja e tij: “Enver Hoxha është akuzuar hapur për vrasjen e Qemal Stafës. Edhe Drita Kosturi hedh dyshime për këtë.” Gjystina Sata: “:Enveri ka vrarë boll, po Qemali jo… Dhe unë nuk e kuptoj se përse sot, Drita Kosturi thotë të kundërtën e asaj që ka parë me sytë e saj dhe që ka përjetuar nga fillimi deri në fund. Ndoshta flet kështu nga urrejtja ose dëshira për hakmarrje, por them se ka gjetur rrugën e gabuar. Në fund të fundit edhe ajo ka ndikuar pakëz që Qemali të nisej për në Vlorë jo më 4 maj, por më 5… Punë e madhe se nuk do të rrinin bashkë një natë!”
Apostol Duka: “A e rrezikonte Qemali postin e Enver Hoxhës, a ishte ai një nga rivalët e tij?”
Ymer Dishnica: “Aspak. Shokë të tjerë, më me përvojë dhe me veprimtari më të hershme revolucionare mund të ishin të tillë, ndërsa Qemali shquhej për një sinqeritet dhe thjeshtësi të jashtëzakonshme dhe nuk ishte karrierist.”

Po, si ndodhi vrasja e Qemal Stafës?

Duke mos u konsultuar me dokumentet arkivore, në revistën “Klan” (maj 1998) thuhet se Drita Kosturi kishte arritur në bazën ku do të vritej Qemal Stafa, “një javë më parë, e arratisur nga një burg në Itali”. Në të vërtetë, Drita Kosturi dhe Qemal Stafa kishin dy vjet që kërkoheshin nga policia fashiste për “aktivitet antishtetëror në Itali”, por pas shqyrtimit të akuzave nga Gjykata Ushtarake e Romës, më 22 janar 1942, të dy ishin shpallur të pafajshëm “për mungesë provash”. Sekretari i Përgjithshëm i Mëkëmbësisë së Përgjithshme, Salvadore Meloni, më 16 mars 1943, e kishte njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, se Drita Kosturi ishte kthyer në Tiranë dhe e kishte porositur ta mbante “nën survejim”. (AQSH, F. 153, V. 1942, D. 255, fl. 1) Gjykata Fashiste e Romës kishte mundësi që Drita Kosturin, në mos ta dënonte me burg, pa asnjë dyshim mund ta internonin në terrritorin e Italisë, por duket se atyre u interesonte të kthehej në Shqipëri dhe të survejohej për të kapur bashkëpunëtorët e saj antifashistë, ndër ta më të rrezikshin Qemal Stafa. Përveç barrës që kishte në kurriz, më 4 maj 1942, Drita Kosturi i shtoi vetes dhe Qemal Stafës edhe  rrezikun e madh të çuarjes në bazën e fshehtë të Gjystina Satës, shtëpia-bazë e të cilës ishte zbuluar dhe bastisur nga fashistët. Se çfarë kishte  ndodhur atë ditë në shtëpinë e Gjystina Satës dhe bashkëshortit të saj, Zef Ndoja, flet proçesverbali i mbajtur në kuesturën e prefekturës së Tiranës:   “Ne të nënshkruarit zyrtarë dhe agjentë të Policisë Gjyqësore, sot, ditë e hënë, 4 maj, në orën 10:30, në bazë të urdhrit të shefave, shkuam në Rrugën “Gjon Buzuku” dhe bëmë një kontroll të imët në shtëpinë Nr.23. Nëpërmjet një kapaku praktik të vendosur në hyrjen e banesës hymë në një vend të ngushtë, ku vumë re prezencën e armëve, municioneve dhe materialeve të tjera të ndryshme.  Ndërsa po bënim zbulimin e rËndësishëm, Zef Ndoja u përpoq të arratisej nëpërmjet një shtegu të rrugës “Gjon Buzuku”. Në ndjekje të tij u bashkuam edhe me agjentin e Policisë, Astengo Lorenzi dhe gjuajtëm kundër të arratisurit disa të shtëna pistolete. Një plumb pistolete e kapi të arratisurin në ije dhe e shtriu përtokë. Prej aty, i plagosuri u dërgua me një makinë të policisë në Urgjencën e Spitalit Civil, jashtë rrezikut për jetën…”   Kuestori Pandeli Papalilo i shkroi po atë ditë Prokurorisë së Përgjithshme Ushtarake dhe vuri në dijeni Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranë: “Rreth orës 11:00 të ditës së sotme u krye një operacion rrufe në banesën e Zef Ndojës, funksionar i MPB. U gjendën armë lufte, një mitraloz, pistoleta, municione, bomba dore, një makinë shkrimi, shumë trakte të propagandës komuniste, çelësa, vula të falsifikuara të zyrave publike, pasaporta e dokumenta të falsifikuara dhe shumë letra të tjera e plane të qenësishme për sulmet terroriste kundër objekteve ushtarake. Agjentët u detyruan të hapnin zjarr kundër funksionarit Zef Ndoja, i cili tentoi të arratisej dhe i shkaktuan një plagë e gjykuar e shërueshme brenda 40 ditëve.”

I arrestuari Zef Ndoja, i biri i Ndocit dhe Ages, lindur në Shkodër më 13 mars 1913, banues në Tiranë, rruga “Gjon Buzuku”, Nr.23, nëpunës, i arrestuar më 4.5.1942,  i pyetur nga Policia Gjyqësore, më 26 maj 1942, në kazermën e agjentëve të Drejtorisë Qendrore të Policisë Fashiste të Tiranës, deklaroi: “Jam komunist qysh se kam qenë i ri dhe ndiqja vitin e tretë të gjimnazit. U njoha me idetë komuniste nga një profesori im, Skënder Luarasi, mësues i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë… dhe që atëhere kam ushqyer të njëjtat ide, duke fituar besimin e Grupit Komunist të Shkodrës, pjesë e të cilit kam qenë gjithmonë. Duke pasur parasysh organizimin sekret të Partisë [Komuniste] nuk njoh persona të tjerë, përveç anëtarëve të celulës: Vasil Shanton dhe Kristo Tavangjelin [Themelko], të cilët kishin hyrje të lirë në shtëpinë time dhe së bashku me ta, në nëntor 1941, ndërtova depon e gjetur nga policia… Armët e gjetura në depo, municionet, makinat e shkrimit dhe sa është gjetur në depo janë sjellë nga Tevangjeli [Kristo Themelko], që ishte shef i celulës. Nuk njoh asnjë nga individët që janë në fotot e gjetura në të njejtën depo, me përjashtim të një fotoje të riprodhuar në grup, të përbërë nga unë, Kristo Tavangjeli [Themeli], Vasil Shantoja dhe Qemal Stafa… Përgjigje pyetjeve të agjentëve të policisë: “Nuk e di se çfarë detyre dhe funksioni kishte Stafa në Partinë Komuniste, di që kishte ide komunisteDuke qenë se Partia Komuniste imponon diciplinë maksimale organizatorëve të saj dhe ka një organizim të tipit të celulës treshe, ishte e pamundur për mua të njihja persona të tjerë, përveç shokëve të  mi të celulës dhe të dija të gjithë aktivitetin e jashtëm të Partisë Komuniste në ShqipëriPër të njejtën jetë që bëja, për përgjegjësinë time të saktë prej nëpunësi në Ministrinë e Brendshme dhe me cilësinë e arkivuesit të dokumenteve të Partisë Komuniste, unë isha shumë nervoz, sidomos në shtëpi, që të mos identifikohesha as nga gruaja ime. Gruaja ime nuk di asgjë për aktivitetin tim komunist. Disa herë, kur duhej të kryeja ndonjë punë, e dërgoja jashtë shtëpisë për të qenë i lirë. E lexova, e konfirmova, e nënshkrova.” (AQSH, F.153, V.1942, D. 399, f. 136-138) Se si kishte shpëtuar pa u arrestuar atë ditë, Gjystina Sata dëshmon:   “…Maria nisi të bënte një byrek, ndërsa unë dola për të psonisur. Kur po kthehesha nga pazari, në udhëkryqin te Selvia, më del përpara Maria e lemerisur, e veshur vetëm me një rrobëdëshambër. E tronditur nga pamja e saj, e tërhoqa në një rrugicë dhe e pyeta: “Marie, ç’ka ngjarë, pse ke dalë kështu?! “ Më shpjegoi se te shtëpia ishte bërë nami… Zefin e kishin sjellë duarlidhur nga zyra. Sapo kishin hyrë në shtëpi ishin turrur te depua e armëve… Në kontroll e sipër, Zofi kishte tentuar të ikte, po ata e kishin qëlluar me breshëri… Ndërsa po vrisja mëndjen për të gjetur një rrugëdalje, na doli përpara Drita Kosturi, e veshur me çarçaf. I tregova se çfarë kishte ndodhur dhe iu luta të na ndihmonte… “Ecni me mua, “ na tha, “se kemi zënë një një shtepi me qira. Është e pa kompromentuar, afër Medresesë. Atje është edhe Qemali…(!?)”  Shkuam me Dritën drejt e në shtëpi, pa u kthyer, as majtas e as djathtas… Ndejtëm atë natë aty, hëngrëm çfarë kisha blerë unë dhe u rregulluam si mundëm për të fjetur… Në mëngjes, Qemali u bë gati për të ikur dhe kërkoi të hante diçka. Ishte ora 9:00. Drita kërkoi nëpër dollapë, por nga darka nuk kishte mbetur asgjë. Kështu Beqiri u detyrua të dilte për të blerë ushqime. Aty nga ora dhjetë në shtëpi erdhën Kristo Themelko dhe Nako Spiru, i cili i dha disa materiale Qemalit. Nako u largua shpejt, ndërsa Shulja qëndroi… Duhet të ketë qenë ora një e një çerek e drekës, dikush nga ne hapi instiktivisht perden dhe dha alarmin. U ngritëm të gjithë dhe pamë në krye të rrugës Beqirin duarlidhur, me një tabor karabinierësh nga pas. Iu printe një i famshëm, Gëzim, spiun, që rrinte gjithmonë i veshur civil, por që ne e dinim mirë se ishte i SIM-it…”

Vijon