Albert Z. Zholi: Rëndësia e Komitetit të Janinës dhe roli i Abdyl Frashërit

237
Sigal

 

Cari rus më 24 prill 1877, ftoi kombësitë e krishtera të Gadishullit Ballkanik të rrëmbenin armët kundër pushtuesit mysliman

 

Nismën për ta vënë në jetë idenë e kryengritjes çlirimtare kundërosmane e mori Komiteti Shqiptar, që u formua në Janinë në 2 maj të vitit 1877, në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare….

Abdyl Beu mësimet fillore i mori në Frashër. Ndërsa mësoi persisht në Teqen e Bektashinjve, që gjendej në fshatin e tij. Kur ishte në moshën 14 vjeçare, bashkë me babain e tij, mori pjesë bashkë me njësitë ushtarake ndihmëse të ushtrisë osmane në zonën Tesalya të Greqisë së sotme. Pas vdekjes së babait të tij në vitin 1859 mori përsipër punë të ndryshme shtetërore me qëllim përballimin e jetesës së familjes së tij. Pak kohë më pas shkoi në Janinë dhe u angazhua me tregti. Më pas vijoi punën e tij në detyra shtetërore dhe u emërua si punonjës në Drejtorinë Financiare të Vilajetit të Janinës. Në 1865 solli dhe familjen në Janinë. Mësoi frëngjisht dhe greqisht bashkë me vëllezërit e tij në Shkollën e Mesme Greke Zosimea. Zuri vend si deputet i Janinës në Parlamentin e parë Osman të hapur në vitin 1877. Ndërkohë, duke shkruar shkrime në gazetat osmane Basiret, Tercüman-ı Şark dhe në atë greke Neologos, shpalosi të dhëna në lidhje me situatën e fundme të Shqipërisë. Abdyl Beu, i cili u zgjodh si Kreu i Komitetit Shqiptar në Janinë në maj 1877, me këtë rast realizoi udhëtime në mjaft shtete.

Situata në Ballkan në vitin 1887

 

Lufta ruso-turke krijoi një gjendje të re për të gjitha kombet e shtypura nga Perandoria Osmane dhe për të gjitha monarkitë e Gadishullit Ballkanik. Kudo sundonte bindja se kjo luftë do të përfundonte me disfatën e Portës së Lartë. Të gjitha shtetet ballkanike u vunë në lëvizje për të plotësuar në përfundim të kësaj lufte bashkimin e tyre kombëtar dhe, ca më shumë, për të përmbushur aspiratat e tyre aneksioniste në dëm të kombeve të tjera të gadishullit.

 

Për çështjen shqiptare fillimi i luftës ruso-turke krijoi një gjendje më të ndërlikuar se ajo që ishte më parë. Qarqet politike shqiptare, edhe pse nuk e dinin marrëveshjen e fshehtë të Budapestit, nuk kishin asnjë dyshim për katastrofën që e priste Shqipërinë, në rast se luftën do ta fitonte Rusia dhe në rast se pas luftës do të triumfonte diktati i saj. Në këtë rast Shqipërinë e priste copëtimi i saj territorial dhe, për pasojë, vdekja e saj politike. Dëshmia e fundit për këtë ishte proklamata që lëshoi Cari rus më 24 prill 1877, me të cilën ai ftonte të gjitha kombësitë e krishtera të Gadishullit Ballkanik të rrëmbenin armët krahas ushtrive ruse, pasi për ta tashmë kishte ardhur dita e çlirimit nga shtypësi mysliman osman. Theksi i saj fetar tregonte se Rusia nuk kishte hequr dorë nga platforma e panortodoksisë dhe se në projektin e saj për rregullimin e ardhshëm të Ballkanit nuk kishte vend për shqiptarët myslimanë si subjekt i të drejtave kombëtare. Por qarqet atdhetare shqiptare e shihnin me shqetësim edhe fitoren e Perandorisë Osmane, sepse kjo do të sillte forcimin e zgjedhës shekullore të sulltanit mbi atdheun e tyre. Mendimi i përgjithshëm që pushtoi opinionin publik të vendit në atë kohë ishte që Shqipëria të ngrinte sa më parë zërin për të drejtat e saj, përndryshe, po të qëndronte pasive dhe, ca më keq, po të rreshtohej prapa Stambollit, do të identifikohej me Perandorinë Osmane dhe do të quhej si një zotërim turk, si një pre në duart e fitimtarit.

Në këto rrethana qarqet atdhetare përparimtare e radikale shqiptare vendosën ta kërkonin shpëtimin e tërësisë territoriale të atdheut jo te lufta kundër shovinistëve ballkanikë, as te qëndrimi pritës, por tek organizimi i kryengritjes së armatosur çlirimtare kundërosmane që do të çonte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë veprim edhe diplomacia evropiane do të vihej para një fakti të kryer.

Ideja e kryengritjes çlirimtare kishte, si edhe më parë, mbështetje në gatishmërinë e masave popullore. Ajo gjeti gjithashtu miratimin e forcave atdhetare të moderuara, të cilat tani u bindën se Perandoria Osmane nuk ishte më në gjendje t’i mbronte trojet shqiptare nga invazioni sllav. Por shpërthimi i kryengritjes çlirimtare dhe shpallja e pavarësisë sipas platformës së patriotëve më të përparuar ose e autonomisë, sipas asaj, të qarqeve të moderuara kërkonte paraprakisht zgjidhjen e disa problemeve themelore, siç ishin: formimi i një qendre të vetme drejtuese, përgatitja politiko-ushtarake dhe sigurimi i përkrahjes në arenën ndërkombëtare. Nismën për ta vënë në jetë idenë e kryengritjes çlirimtare kundërosmane e mori Komiteti Shqiptar, që u formua në Janinë në 2 maj të vitit 1877, në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë Komitet bënin pjesë personalitete, që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e vilajetit të Janinës, si Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurveleshi), Sabri Gjirokastra (Gjirokastra), Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Preveza) etj.

 

Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike, që vepronin në viset e tjera të atdheut, me të cilat shqyrtoi çështjen e përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Në të njëjtën kohë ai ra në kontakt me oficerët shqiptarë që shërbenin në garnizonet osmane të vendit dhe që treguan gatishmëri për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur. Pas kësaj, shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua në aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.

Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin se tani që Perandoria Osmane ishte në rrezik të shembej plotësisht nga armatat ruse, fuqitë perëndimore nuk do ta linin Perandorinë Ruse që ta ndryshonte hartën politike të Gadishullit Ballkanik sipas planeve të saj ekspansioniste. Duke u kapur pas zërave që qarkullonin në shtypin ndërkombëtar, se fuqitë perëndimore do ta zmadhonin territorin e Greqisë për ta përdorur si barrierë kundër ortekut rus, ata shpresonin se po ato fuqi, për interesat e politikës së ekuilibrit në Evropën Juglindore, do të merrnin në konsideratë edhe idenë e një shteti shqiptar të pavarur. Sikurse shkruante disa muaj më vonë Abdyl Frashëri, Evropa do të bindej se qytetërimin e saj në Gadishullin Ballkanik nuk mund ta mbronte nga rreziku rus vetëm diga greke, por, së bashku me të, edhe diga shqiptare. Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin se në këto rrethana Shqipëria duhej të lidhte me Greqinë një aleancë politike e ushtarake për të hyrë bashkërisht në luftë kundër Perandorisë Osmane përpara se armatat ruse të zbritnin në jug të Gadishullit Ballkanik. Por ata kërkonin si kusht që Athina ta mbështeste idenë e pavarësisë së Shqipërisë dhe ta miratonte tërësinë e saj tokësore. Në rast se Athina do ta nënshkruante mbi këtë parim aleancën dypalëshe, do të konsiderohej e kapërcyer për çështjen shqiptare pengesa kryesore në plan ndërkombëtar.