Gjeneral Perlat Binaj: Piloti Idriz Hoxha, ra në detyrë si hero gjatë një misioni stërvitor fluturimi, më 20 gusht 1993

1892
Sigal

INTERVISTA/ Flet ish -komandanti i Forcave Ajrore shqiptare në vitet 1993-1996, Gjeneral Perlat Binaj, në 20- vjetorin e rënies së “Dëshmorit të Atdheut”, kolonel Idriz Hoxha,

“Kolonel Idriz Hoxha ishte një ndër pilotët më të mirë shqiptarë. Ishte nga më profesionistët, që kishte Ushtria. Ai ra në krye të detyrës, teksa kryente një mision stërvitor fluturimi më 20 gusht të vitit 1993. Ra, si hero i vendit të tij”. Ish -komandanti i Forcave Ajrore shqiptare gjatë viteve 1993-1996, Gjeneral Perlat Binaj, (i cili, shumë vite më parë, për një periudhë kohe ka qenë edhe zëvendëskomandant i Bazës Ajrore të Rinasit, kur Idrizi ishte eprori i tij i drejtpërdrejtë), rrëfen karakterin dhe cilësitë e larta morale të pilotit të rënë në detyrë, plot dy dekada më parë. Ja si e kujton ai, për gazetën “Telegraf”, ditën e rënies në detyrë të kolonel Idriz Hoxhës:

Si i mbani mend ato momente të rënies në detyrë të pilotit Idriz Hoxha?

-Ishte 20 gushti i vitit 1993dhe në Shkodër bëhej një stërvitje treguese me rastin e inaugurimit të divizionit të ri atje, ku merrnin pjesë edhe personalitete shtetërore. Stërvitja kodohej “Rozafa ‘93”. Nga Baza Ajrore e Gjadrit kishte fluturime me “Mig 21”. Kryhej bashkëpunim mes forcave ajrore e tokësore. Kur, në bisedë e sipër, marr vesh nga vendkomanda qendrore se fluturimet bëheshin rregullisht edhe në Rinas. Për një moment… nuk pata informacion dhe unë pyeta në radio edhe një herë oficerin e drejtimit në vendkomandën qendrore. “Fluturimet e Rinasit sapo janë anuluar”, më thotë ai, “dhe një çift avionësh i nisur për fluturim, nuk ka ardhur i plotë. Ka ardhur vetëm një pilot”.

Si reaguat në ato çaste, gjeneral?      

-Menjëherë brenda meje nisi “alarmi”. Por, kur je në detyrë, shumë gjëra duhet t’i mbash brenda vetes, deri sa të sqarohen gjërat. “Piloti tjetër nuk ka ardhur akoma”, më përsëriti oficeri i drejtimit i Rinasit. “Sa minuta ka që është ngritur?”, pyeta përsëri. Vazhdova bisedën me oficerin e drejtimit të Rinasit: “Deri tani, nuk keni asnjë të dhënë? As nga Flota Detare? As nga ndonjë pikë vrojtimi?”. Pastaj u interesova se nga kalonte marshuta e fluturimit, në mënyrë që të interesohesha tek kapiteneria e mjeteve të peshkimit Durrës. Oficeri vazhdonte të më informonte, duke më thënë se ka kaluar një orë e gjysmë. Në moment mendova për një gjë të pakëndshme që mund të kishte ndodhur.

Ndërkohë, stërvitja vazhdonte në Shkodër?

-Natyrisht, por unë isha komandant i F. Ajrore dhe i pari isha unë ai që duhej të sqarohesha sa më parë. Vrojtuesit e radarëve të vendkomandës qendrore më njoftuan se “njolla në ekran nis të zvogëlohet, pak a shumë në pjesën midis Karpenit të Kavajës dhe derdhjes së lumit Shkumbin”. “Zvogëlim” do të thotë se radari “sheh” vetëm një avion, nga dy që kishin qenë më parë. Pra, në këtë sektor, mund të kish ndodhur tragjedia. Por, gjithsesi, çdo detaj ishte ende i pasqaruar. E pashë me vend t’i raportoja fillimisht zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm në atë kohë gjeneral Baki Shehut, e po aty edhe ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes z. Safet Zhulali. “Zoti ministër, -i thashë, -më duket se kemi një lajm jo të mirë nga stërvitja e Rinasit…”. “Çfarë lajmi?”, shprehu shqetësimin e tij ministri, z. Zhulali. “Nuk na është kthyer një pilot”, i thashë. “Në ç’kuptim e thua “nuk na është kthyer një pilot?”,- vijoi ai. Ngurova një çast, pasi kurrë nuk duhet thënë fjala e fundit, pa u verifikuar mirë. “Jemi duke u informuar në vijimësi, z. ministër, i thashë, gjithsesi, helikopteri është në dispozicion për ju…”. Nejse.. Nisem urgjent për në Rinas. Takoj atje, Petrit Liçin, që ishte udhëheqës fluturimi për atë ditë. Piloti që ishte në çift fluturimi me Idrizin dhe të cilit nuk kam dëshirë t’ja them emrin, nuk më dha koordinata të sakta. Ndoshta nga që ishte shumë i emocionuar, ai nuk jepte detaje se kur e kishte parë për herë të fundit kolegun e tij, në fluturim, Idrizin. Një nga shturmanët në VKQ, Drini Malile, më sqaroi dhe një herë se njolla është “zvogëluar” pak pa vajtur në Karpen të Kavajës. “Domethënë diku nga Spilleja?”, shtoj unë.  “Afërsisht, po”,- tha ai. Gjëja e parë që bëra pas këtij momenti: Mora me vete pilotin që kish qenë në fluturim me Idrizin dhe shkova drejt e tek plazhi i Spillesë.

Mos ishte një orientim i përafërt? Nuk menduat se  mund të lodheshit kot së kërkuari?

-Ashtu na u duk. Po nuk bëhet fjalë për lodhjen. Ne do lodheshim pafundësisht deri sa ta gjenim kolegun tonë të shtrenjtë. Dhe na ndihu fati. Sapo vajtëm në Spille, takuam dy vëllezër që pushonin në rërën e plazhit, fare pak të populluar në atë kohë. Ata më dhanë informacionin më të saktë, edhe se çdo specialist. Treguan se kur e kishin diktuar dyshen e avionëve dhe se ku e kishin parë rënien e njërit prej tyre në det. U saktësuam se në gjirin e Spillesë kish rënë avioni ynë “Mig”.

Me cilat struktura të shtetit bashkëpunuat për operacionin e kërkimit në det?

-Fillimisht me peshkarexhat e Durrësit dhe pastaj me F. Detare shqiptare, të drejtuara në atë kohë nga ish komandanti, admiral Edmond Zhupani. Ai vinte me ne çdo ditë në Spille, nga ora 05:00 e mëngjesit e deri vonë në mbrëmje. Idrizi ishte koleg e mik i gjithë ushtarakëve…

A mund të kryhej vetëm nga shteti ynë, ky operacion i vështirë kërkimi?

-Pikërisht kjo më mundonte. Ne nuk kishim as mjete dhe as përvojën e duhur për kërkime në det në raste katastrofash ajrore. Kisha dëgjuar shpesh nga “CNN”-i, se amerikanët kishin mjete speciale kërkimi. Kërkova tek ministri i Mbrojtjes që t’i drejtohej ambasadës së ShBA-së në Tiranë për të na ndihmuar. Fati e solli që një anije e tillë amerikane, shumë moderne, ndodhej në Detin e Kuq dhe me ndërhyrjen e ambasadës do vinte në Spille. Ndërkohë fola edhe me zëvendës atasheun ushtarak amerikan në Tiranë, z.Dale Forsnight, meqë ishte edhe përfaqësues i F. Ajrore Amerikane në vendin tonë. Një njeri shumë bashkëpunues e dashamirës. Mirëpo, na tha se “ajo anije është civile, dhe nuk varet nga ne, por nga një tjetër departament i ShBA”. Atëherë i sugjerova që të bisedonte me atasheun amerikan, z. Steven Buch, që ky i fundit të fliste pastaj me ambasadorin për këtë gjë. Pas tri bisedash me ta, kontaktova me ministrin tonë të Mbrojtjes dhe i thashë se duhej t’ja bënte prezent kërkesën tonë, Ambasadorit Amerikan. Ashtu u bë. Ky lloj operacioni ishte i pari në llojin e vet tek ne, pasi nuk kishim patur ndonjëherë katastrofë ajrore në det. Por ne do bënim gjithçka për kolegun tonë të armës. Aq më shumë, që ne kështu lehtësonim sadopak edhe familjarët….

Sa ditë vazhduan kërkimet?

-Ardhja e anije hidrografike amerikane ishte e rëndësishme sa s’ka më për ne. Dëshmitarët okularë orientuan se ku kish rënë avioni. Ata nuk kishin parë hedhje me parashutë. Që do të thoshte se piloti nuk e kishte përdorur atë. Dhe kështu nisi kërkimi me anijen amerikane hidrografike. Kërkimi vazhdoi dy ditë. Më në fund kapiteni i anijes më tregoi vendndodhjen e avionit bashkë me pilotin në rreth 20-25 metra thellësi. Nuk mund ta harroj atë shpirt sakrifice të polumbarëve në kërkim në thellësi të detit. Kosta Kristofori, ishte një ndër polumbarët që treguan shkallë të lartë guximi e sakrifice për gjetjen e kolegut tonë, por edhe i tyri; se Idrizi ka qenë dhe do jetë gjithmonë shok e mik i gjithë ushtarakëve shqiptarë…

A mund t’i risillni ato çaste të dhimbshme?

-Eh, ku tregohet… Idrizi ra në detyrë, ra në llogoren e Atdheut. Ky ishte momenti më i rëndë i jetës time. Idrizin, njeriun tonë të shtrenjtë e gjetëm aty afër mbrëmjes. Afër meje ishte vëllai i Idrizit. Ai s’na u nda kurrë gjatë gjithë kohës së kërkimit. Vetë, po gëlltisja lotët, kur i thashë atij: “Yt vëlla, ra si Hero në detyrë. Ai e deshi aq shumë avionin, sa… u sakrifikua bashkë me të”. E përqafova fort dhe i thashë të ishte krenar për të vëllanë dëshmor….

Pastaj si vepruat?

-Dhashë urdhër që këtij piloti, këtij ushtaraku të lartë, këtij babai e kryefamiljari, këtij burri të aviacionit shqiptar, t’i bëheshin të gjitha nderet. Që ai të përcillej, ashtu siç u ka hije heronjve. Në Durrës, trupi i pajetë i Idrizit Hoxhës, mbuluar me Flamurin Kombëtar, u shoqërua me truprojë nderi. Idrizi ishte një hero. Si gjithë kolegët e tij aviatorë të aviacionit shqiptar në vite, të rënë në krye të detyrës.

Si ishte për ju ajo ditë e parë pa Idriz Hoxhën?

-E tmerrshme. Atë ditë, pas gjetjes së Idrizit, kam shkuar vonë në shtëpi. Isha i dërmuar. Më doli para nëna ime e më pyeti: “Çfarë ke kështu?”. Ja tregova. I thashë: “Na iku një shok…”. Ajo nuk po gjente dot fjalët për të më qetësuar disi. Edhe ajo heshtte ato çaste me një vuajtje të brendshme.  Heshta dhe unë thellë. Kur… më afrohet bashkëshortja… Për herë të parë jam ndjerë i dobët… “Çfarë, mos po qaj?”, iu drejtova asaj gati instinktivisht. “Jo, më tha ajo, vetëm se… të janë lagur pak sytë…”.   Ajo natë nuk do të më harrohet kurrë, kurrë.

 Gjeneral Binaj, për vitet e shkollës: “Idrizin e kam patur pedagog…”

“Kur isha student në Shkollën e Forcave Ajrore, tregon ish- komandanti i F. Ajrore, Gjeneral Binaj, Idrizin e kam patur instruktor. Ishte nga specialistët e rrallë, për nga cilësia profesionale, për avionët reaktivë. Më ka bërë përshtypje sjellja e tij. Ishte fjalëpakët, gjithmonë i papërtuar për të ndihmuar. Idrizi mund të them se ishte pjesë e stafit elitar të aviacionit reaktiv të kohës. Ne studentët e rinj, i shihnim me shumë admirim instruktorët e ardhur nga Baza Ajrore e Rinasit dhe ajo e Kuçovës. Të tillë si Përparim Lila, Idriz Hoxha,  Ylli Bullari, (që nuk jeton më) ishin profesionistë të vërtetë. Më bënte përshtypje stërvitja e tyre e jashtëzakonshme. Ata fluturonin me avionët e sofistikuar “Mig 19”, kurse ne ende si studentë, me “Mig 15”. Ata ishin tejet profesionistë. Idrizi ishte pilot kolaudator dhe në saj të tij edhe unë u bëra i tillë. Pilotë si ata, që i shihnin avionët me shumë skrupulozitet ishin edhe Sajmir Demiri, Fatmir Kareçi, Vasil Buda, Asim Bimo, etj., të cilët garantonin siguri tek pilotët e rinj, që ata të fluturonin pa shqetësime. Idrizi ishte njeri tepër i veçantë. Kur unë erdha në Rinas, Idrizi ishte shef i qitjes së taktikës e zbulimit. Pastaj Idrizi u bë komandanti i Bazës Ajrore të Rinasit, kurse unë isha zëvendësi i tij.  Kemi qenë shumë të lidhur bashkë”.

Jetëshkrimi

Kush ishte piloti, kolonel Idriz Hoxha

Ka lindur më 15 korrik të vitit 1945 në Dajç të Shkodrës. Kreu Akademinë e Forcave Ajrore për pilot reaktivi. Ka shërbyer në Regjimentin e Rinasit ku ka kryer detyra të ndryshme, deri Komandant Regjimenti. Më datë 20.08.1993, ra në krye të detyrës, ndërsa fluturonte me avion MIG-19 mbi Detin Adriatik, në rajonin e Divjakës. Me vendim të Bashkisë së Tiranës Nr. 8090/1 është shpallur “Dëshmor i Atdheut”. Prehet në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë.

 Aksidentet ajrore në Shqipëri, pas vitit 1990:

-20 gusht 1993: Bie në detyrë piloti kolonel Idriz Hoxha, gjatë një misioni stërvitor fluturimi, në detin Adritik

-16 shtator 2004: Bie në detyrë piloti Jani Tarifa, pasi avioni MIG-19 gjatë ngritjes në Rinas humbi komandimin dhe pësoi katastrofë.

-1 Prill 2005 : Rrëzohet në malet e Gramshit një avion amerikan transporti C-130, me nëntë ushtarakë amerikanë brenda. Të nëntë bien në krye të detyrës

Pilotët që ranë në krye të detyrës

Idriz Hoxha, Jani Tarifa, Vangjel Çondi (pilot i helikopterit BELL 222U, i rrëzuar në detin Adriatik, Demush Heba, pilot i helikopterit BELL 222U ,i rrëzuar në detin Adriatik), Qemal Koni, inxhinier i helikopterit BELL 222U), Vasil Nikollë Trasha, Hektor Eftim Lako, Sokrat Gori Basha, Niko Selman Hoxha, Stilian Vani Tanku, Jovan Kaçorri, Muharrem Murat Hida, Refit Asllan Jazo, Kaso Salo Petoshati, Shyqyri Aziz Balla, Hazbi Ramadan Serani, Islam Mani, Bego Isa Hoxha, Dhimitër Spiri Robo, Veiz Halil Kovaçi, Sefedin Hasan Tomçini, Vasil Thoma Noni, Shpëtim Selman Sula, Armando Liman Gjoka, Sabri Shefki Toçi, Luto Refat Sadikaj, Ndue Mëhill Logu, Haki Abaz Skuqi, Jorgji Fane, Agron Hasan Galanxhi, Enver Osman Haka, Pandeli Jorgo Zhupa, Tafil Njazi Agai, Vangjel Vangjel Postoli, Veledin Delo Resuli, Eduard Qiriako Kostëdhima, Fluturim Qani Molla, Ibush Vokshi, vrarë në Rusi, Qemal Mërtiri, vrarë në Rusi.