(Me rastin e 81 vjetorit të rënies së Heroit të Popullit Fahri Ramadani dhe dëshmorit Jaho Mulosmani,14 shkurt 1944)
* Operacioni gjerman “PIK” i shkurtit 1944 në Malësinë e Gjakovës.
Telegraf.al / Komanda e Korpusit XXI kishte ngarkuar komandën e Divizionit 297 nazist me detyrë që të përgatiste një operacion kundër forcave partizane në Malësinë e Gjakovës. Plani ishte përgatitur me 5 shkurt dhe mbahej tepër sekret. Mësymja ishte parashikuar të bëhej në formë koncentrike për të siguruar rrethimin e plotë të forcave partizane duke mbyllur çdo shteg dalje dhe mundësi kalimi. Mësymja u planizua në tre grupe luftimi,”a”,”b”,”c”. Në këto forca përfshiheshin plotësisht regjimenti 524 dhe disa reparte speciale të pajisura me artileri malore, mortaja dhe mjete xheniere. Mësymja filloi në një kohë me të tre grupet. Kolona e grupit “a”: Gjakovë-Qafë Morinë-Tropojë-Sopot, këtu u nda në dy grupe, njëri grup Sopot-Kolgecaj-Bujan-Gri ku ndodhej Shtabi Kryesor i Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit, të cilët mbroheshin nga një çetë partizane e batalionit “Bajram Curri”, ndërsa pjesa kryesore e kolonës vazhdoi marshimin në rrugën Sopot-Luzhë-Qafë Gashi-Degë, ku ndodheshin forcat partizane të Aradhës “Curri-Rexhepi” bashkë me Shtabin dhe oficerët britanikë të ndërlidhjes. Kolona e grupit “b” u nis nga Gjakova-Qafë Prushi-Zogaj-Kepenek-Kam-Berishë, për t’u dalë në shpinë nga ana juglindore forcave të Aradhës në Degë. Grupi i tretë luftarak “c” kishte në përbërje një batalion fushor rezervë, një bateri artilerie fushore, një togë xheniere.
Zbatimi i operacionit filloi në mënyrë të rrufeshme me 13 shkurt 1944. Me 14 shkurt u zhvilluan luftimet e para me forcat gjermane në fshatin Gri. Forcat gjermane u goditën nga një njësit i batalionit “Rinia” në të cilin ishte edhe komandanti Jaho Sali Mulosmani, i cili ra dëshmor në këto luftime.
Pjesa tjetër e grupit “a” që marshonte në drejtim të Degës, në Qafën e Gashit në mbrëmjen e 14 shkurtit ndeshet me një pjesë të batalionit “Perlat Rexhepi” që komandoheshin nga Rexhep Haka e Sadik Bekteshi e intendenti Fahri Ramadani, ku u zhvillua beteja më e madhe e këtij Operacioni, në të cilën ranë heroikisht Heroi i Popullit Fahri Seit Ramadani nga Shkodra dhe partizanët, Ruzhdi Tyli, Nexhip Luli, Esat Gramshi, partizani malazez Zako Nikolla, partizani italian Galdo Galderizi, ndërsa u plagosën partizanët Pjetër Kosta nga Shkodra e Ramadan Vullkani nga Prizreni. Kësaj beteje të përgjakshme në Qafë të Gashit e në Gri iu këndua:
“Seç është mbushur kjo Malësi,
Borë të bardhë e tym të zi!
Tym e flakë në male e kodra,
Ç’po luftojnë këta djem shkolla:
Jaho Salihi e Fahri Shkodra”.
* FAHRI SEIT RAMADANI -Hero i Popullit. (1920-1944)

Fahri Ramadani lindi me 20 Mars 1920 në lagjen “Rus i Vogël” në qytetin e Shkodrës. Pasi kreu arsimin fillor në shkollën “Rus Haslikej” në 1934, familja e çoi në konviktin “Malet tona” për të kryer gjimnazin, aty ku ai shfaqi vetitë e tij të një revolucionari të ardhshëm. Me 6 prill 1939 Fahriu ishte përkrah me Tomën, Esatin, Bardhokun, etj.,në krye të demonstratës së punëtorëve, nxënësve, patriotëve e zanatçinjve, e cila shpërtheu në shenjë proteste kundër rrezikut të okupacionit fashist italian. Në 1940 ai ishte kryepunëtor në Durrës ndërsa me 1941 largohet nga aty dhe e gjejmë kryepunëtor në Koplik. Me formimin e PKSH-së, Fahri Ramadani u pranua në radhët e saj dhe filloi luftën e organizuar kundër okupatorit. Pas pjesëmarrjes në demonstratën e 22 shkurtit 1942 në të cilën u vra Vaso Kadija, Fahriu kaloi në ilegalitet.Vështirësive të jetës ilegale ju shtohej edhe problemet familjare-pas internimit të vëllait të madh, i internuan edhe nënën e motrën, dhe i burgosën edhe vëllanë e vogël, por Fahriu nuk u ligështua, as nuk hoqi dorë nga lufta për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Me vendimin e Komitetit Qarkor ai doli partizan. Me 10 qershor 1942 u formua Çeta Partizane në të cilën ai bën pjesë. Njësitet saj morën pjesë në shumë aksione, me 24 korrik 1942 morën pjesë në prerjen e linjave telefonike, sulmuan postat e karabinierisë në Mes,Vrakë, Kamicë, e aksione të tjera. Me zgjerimin e LANÇ-it në qarkun e Shkodrës, me 30 korrik 1943 u formua batalioni “Perlat Rexhepi”, në çetën e tretë të të cilit bënte pjesë Fahriu. Në ditët e para të gushtit 1943 Komiteti Qarkor i Shkodrës e dërgoi Fahriun në Tropojë për të ndihmuar në organizimin e luftës. Ditët e rënies së Italisë Fashiste e gjetën Fahriun në krye të çetës “Bajram Curri” dhe mijëra malësorëve që luftonin për çlirimin e Gjakovës. Ai merr pjesë edhe në betejat në Plavë e Guci me batalionet “Bajram Curri” e “Perlat Rexhepi”. Në Aradhën “Curri-Rexhepi” ai u caktua intendent i saj. Në luftimet në Qafë të Gashit në 14 shkurt 1944 në kushtet e një dimri të ashpër me borë e temperatura minus 25 gradë në luftime e sipër kundër 2 mijë forcave gjermane e 5 mijë mercenarë ,Fahriu që ishte në pararojë u plagos rëndë. Në çastet e fundit të jetës ai iu drejtua shokëve:”Mos e lëshoni pozicionin shokë, luftoni ! Lamtumirë ! Heroi i Popullit Fahri Ramadani mbeti i pavdekshëm në mendjen e zemrën e Tropojës e Shkodrës, një lapidar i luftës për çlirimin e vendit.
JAHO SALI MULOSMANI-Dëshmor i Atdheut (1922-1944)

Jaho Sali Mulosmani lindi në Bujan të Malësisë së Gjakovës me 22 prill 1922 në familjen emërmadhe Mulosmanaj, në luftërat për çlirim kombëtar. I ati i tij Sali Man Mulosmani ishte bashkëluftëtar besnik i Heroit të Popullit Bajram Curri, prandaj dhe regjimi zogist e detyroi familjen e tij të dalë në arrati. Vuajtjet dhe përndjekjet i përjetoi edhe Jaho atëherë 3 vjeçar. Pas 5 muajsh arrati gjetën strehë në Gjakovë. Pas 5 vitesh qëndrimi këtu, qeveria shpalli amnisti për familjen Mulosmani e cila në korrik 1931 kthehet në vendlindje në Bujan të Malësisë së Gjakovës. Jaho Salihi u shkollua fillimisht në Internatin e Krumës të cilin e kishte ngritur Bajram Curri për fëmijët e Malësive të Veriut dhe të ardhurit nga Kosova. Në shtator 1935 regjistrohet në konviktin “Malet Tona” në gjimnazin e Shkodrës ku mbaron 3 vitet e para. Aty njihet e miqësohet me aktivistë revolucionarë si Hajdar Dishi, Xheladin Hana, Vranko Kadia, Nazmi Rushiti, Tom Kola, Meriman Braha, Bardhok Biba, etj. Më 7 prill 1939 ditën e agresionit fashist ishte në Tiranë me studentë të tjerë demonstruan pranë autoriteteve qeveritare dhe kërkuan armë për të luftuar kundër pushtuesit. Meqënëse Jaho ishte evidentuar si kundërshtar i fashizmit, Ministria e Arsimit me qëllim që ta ndante nga shokët dhe veprimtaria e tij antifashiste, vendosi ta dërgonte në Liceun e Korçës. Por edhe aty sapo u dha urdhëri për t’u regjistruar në Partinë Fashiste ai u largua në mënyrë demonstrative nga shkolla dhe u kthye në vendlindje. Në fillim të dimrit 1940 Jaho shkon si emigrant politik në Kosovë ku njihet me shumë patriotë antifashistë. Pas një amnistie për të arratisurit politikë nga e cila përfitoi edhe Jaho, i cili me t’u kthye në vendlindje iu bashkua LANÇ-it në Malësinë e Gjakovës, por me qëllim që ta neutralizonin, e ngarkuan me detyrën e sekretarit të komunës në Vllashën të Prizrenit. Për ‘ti shpëtuar kurthit të fashistëve ai bashkë me Veli Nimanin e shokë të tjerë në ditët e para të shkurtit 1943 u kthyen në Malësinë e Gjakovës dhe u inkuadruan në formacionet partizane. Jaho Salihi ishte pjesëmarrës aktiv në Kuvendin e Besëlidhjes së Malësisë së Gjakovës me 28 gusht 1943 dhe luftoi trimërisht kundër garnizonit fashist me 6 shtator 1943 në Gjakovë ku dhe u plagos. Me 8 tetor 1943 u zgjodh anëtar dhe zv/kryetar i KNÇ të Krasniqes, ndërsa më 27 nëntor 1943 me krijimin e batalionit territorial “Rinia” u caktua komandant i këtij batalioni.Në Konferencën Themeluese të KANÇ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit me 31 dhjetor 1943-2 janar 1944 u zgjodh anëtar i këtij Këshilli. Me 25 Janar 1944 në krye të një njësiti ekzekutoi me atentat nënprefektin kuisling Selaudin Çabej. Në Operacionin gjerman të Dimrit në shkurt 1944, Jaho Sali Mulosmani në luftime e sipër ra në fshatin Gri me 14 shkurt 1944 duke mbetur dëshmor i Atdheut. Jaho Sali Mulosmani ishte shembulli i një të riu që frymonte çdo çast për çlirimin e vendit nga nazifashistët.




















