Gëzim Ibrahim Prengzi/ 70 vjet më parë përurohet Brigada e XXV-Sulmuese e Tropojës

1984
Sigal

Pas çlirimit të Tropojës më 16 tetor 1944, u krijua mundësia që të formohej një njësi e re e UNCSH, sipas urdhrit të Komandës së Përgjithshme të UNÇSH-së, të lëshuar më 25 tetor ‘44. Kështu, më 6 nëntor 1944 në Aste-Tropojë u përurua Brigada e XXV-S e Tropojës. Në përbërje të saj bënin pjesë partizanë të batalioneve B.CURRI, RINIA, TERRITORIAL dhe batalioni i Hasit, të cilët bashkërisht arritën numrin 900 partizanë, nga të cilët 700 tropojanë dhe 200 hasjanë. Komandant i Brigadës u zgjodh Veli Niman Doci, komisar Nuri Arapi, zv.komandant Çelo Arreza, zv.komisar Spiro Pano, përgjegjës rinie Jovan Antoni, intendent Maxhun Nimani. Brigada përbëhej nga katër batalione. Batalioni i parë me komandant Idriz Mulosmani, batalioni i dytë me komandant Ali Brahimi, batalioni i tretë me komandant Mehmet Mulosmani dhe batalioni i katërt i Hasit me komandant Ismail Poga. Menjëherë pas përurimit, Brigada mori urdhër që një pjesë e mirë e saj të marshonte drejt Plavës e Gucisë për çlirimin e tyre nga gjermanët e pastaj të shkonin në Pejë që bashkë me Brigadën e Tretë Sulmuese të çlironin atë dhe rrethinat e saj. Këta ndoqën itinerarin Tropojë-Dragobi-Qafë Bori-Guci-Plavë-Qafë Dielli-Bjellopolje, ku arritën të çlironin këto zona. Natën e 23 nëntorit forcat partizane sulmuan në mënyrë të rrufeshme dhe shpartalluan forcat mercenare në Theth të Dukagjinit, kodër-Shëngjergj e Letaj. Në këto luftime ra dëshmori i parë i Brigadës, Ahmet Elez Ulaj.

 TROPOJË, FESTOHET ME MADHËSHTI 70-VJETORI I BRIGADËS 25 SULMUESE

 Me rastin e 70 vjetorit të Brigadës 25 sulmuese në rrethin e Tropojës më 6 nëntor 2014, u festua me madhështi ky eveniment. Aktiviteti filloi nga qyteti i Bajram Currit, ku u bashkuan veteranë të luftës dhe shumë pasardhës veteranësh, të afërm dhe nga qytete të tjerë. Morën pjesë edhe veteranë dhe pasardhës të tyre të ardhur nga Tirana, Gjakova, Kukësi, etj.. Kishin ardhur edhe përfaqësues të pushtetit qendror e lokal. Gjithashtu merrnin pjesë edhe përfaqësues të shoqatave dhe organizatave të ndryshme. Në mënyrë të organizuar kishin ardhur edhe nga Kryesia e Organizatës së Veteranëve, si dhe e asaj të Veteranëve nga Tirana. Pasi u nisën në mënyrë të organizuar, shkuan në Tropojë (fshat), ku pjesëmarrësit u pritën me shumë respekt e dashamirësi nga banorët e kësaj komune, ku ishin përgatitur që më parë për këtë ngjarje. Fjalën e hapjes së këtij evenimenti e mori sekretari i Organizatës së Veteranëve Tropojë, z. Zeqir Hasanpapaj. Pastaj folën edhe përfaqësues të pushtetit lokal. Fjalën e rastit e mbajti zoti Vladimir Katana, ish ushtarak në lirim. Përshëndeti në këtë takim edhe Prefekti i Qarkut Kukës, Safet Gjici dhe pjesëtarë të tjerë nga institucione shtetërore. Më pas u shpërndanë disa fletë “Mirënjohjeje” për aktivistë e anëtarë të organizatës së dëshmorëve dhe të veteranëve. Po në mënyrë të organizuar pjesëmarrësit u nisën në drejtim të Bajram Currit, ku gjatë rrugës ndaluan dhe bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve.