– Mehmet Shehu, në vitin 1980 u caktua të mbulonte edhe problemet e partisë në ushtri.
– Si u pushkatuan Kadri Hazbiu, Feçorr Shehu, Mihallaq Ziçishti dhe u liruan Maliq Sadushi, Veli Llakëa, Nazar Berberi, Mendu Backa, Alfred Mojsiu, Hajrulla Muhameti?
– Organet politike dhe ato të sigurimit në ushtri, në shumë raste dilnin jashtë kontrollit pa i dhënë kujt llogari.
Mehmet Shehu është formuluesi i koncepteve, parimeve dhe kërkesave të Artit tonë Ushtarak të Luftës Popullore dhe hartues i Planit Operativo-Strategjik të mbrojtjes së vendit për kohë lufte. Për tri dekada, ai drejtoi shtetin dhe Ushtrinë Shqiptare, deri në dhjetor të vitit 1981, kur u eleminua dhe sot tretet në dhe, në tokën që deshi aq shumë. Nën drejtimin e tij, Shqipëria asnjëherë më parë, nuk ka pasur një numër aq të madhe forcash dhe jetësh nën armë për mbrojtjen e saj.

Ne ushtarakët e asaj kohe, kemi emocione të veçanta kur kujtojmë atë masë rezervistësh, studentësh dhe forcash vullnetare që vinin në reparte me disiplinë dhe predispozicion për përgatitjen ushtarake si të ishin ushtarë të shërbimit të detyrueshëm. Ky ishte një hop sasior dhe cilësor në përbërjen e ushtrisë sonë. Në këtë çështje ecej gradualisht që nga viti 1963 e në vazhdim, deri në vitin 1990. Mbi bazën e përfshirjes të të gjitha strukturave të mbrojtjes dhe të përhapjes së saj sa më afër detyrave luftarake, u hartua Plani Operativo – Strategjik i mbrojtjes dhe pas tij iu përvesh punës për përgatitjen fortifikuese të teatrit të luftës, për ta përsosur më tej terrenin tonë me cilësitë e rralla që ai ofron për luftimin mbrojtës dhe mësymës. Në këtë drejtim një kujdes i veçantë u tregua në ndërtimin, brenda rendimit luftarak i vendkomandave (VK) dhe vend drejtimeve (VD) të njësive dhe reparteve, me qëllim që të krijoheshin kushtet e duhura për drejtimin dhe komandimin e trupave. Ajo punë vazhdoi pa ndërprerje deri në vitin 1989, kur për shkak të situatave të brendshme dhe të jashtme, që u krijuan, ushtria kaloi në tjetër shkallë gatishmërie për t’i bërë ballë çdo sulmi nga jashtë. Arritjet më të mëdha në organizimin, përgatitjen dhe në gatishmërinë luftarake, Ushtria Popullore Shqiptare i pati kur kishte strukturën e Korpuseve dhe Grupimeve Operative. Atëherë kur për herë të parë kishte të shkruar tekstin e Artit Ushtarak Shqiptar dhe Planin Operativo-Strategjik të Mbrojtjes, me detyra të sakta të hartuara nga strategët ushtarak shqiptarë. Gjendja ushtarake rreth vendit tonë në atë kohë, e krijuar nga armiqtë tanë fqinjë e më gjerë, kërkonte gatishmëri të lartë e të vazhdueshme për të gjitha kontigjentët dhe strukturat e mbrojtjes. Ajo kërkonte njohje të plotë dhe zbatimin e detyrave në rast agresioni, po ashtu, dhe një harxhim të madh të vlerave materiale e monetare. Mbi kuadrot e asaj periudhe ra një ngarkesë e jashtëzakonshme, sepse jo vetëm që duhej të përgatisnim efektivat e reparteve dhe njësive, por të kujdeseshim për jetën e tyre duke qëndruar në repartet dhe njësitë për një kohë të gjatë, pa shkuar në familje. Me kalimin e viteve struktura organizative u perfeksionua më tej kur në vitet 1980-1983 me krijimin e Divizioneve Ushtarake, të cilat u përqëndruan, në të njëzetë e gjashtë rrethet e vendit ato u përgjigjeshin edhe më mirë detyrave. Udhëheqja e lartë politike, ushtrinë e ka mbajtur vazhdimisht nën kontroll veprimtarinë e saj, duke patur për qëllim që të rriste ndikimin politik dhe ideologjik mbi të. Për këtë forconte herë pas here aparatet e saj, siç ishte rasti kur ndryshoi funksionin e drejtimit unik të komandantit të njësisë dhe repartet, duke shtuar funksionin e komisarit politik, për ta bërë drejtimin kolegjial, më pas shtoi edhe funksionin e sekretarit të byrosë dhe të komitetit të partisë, që u krijuan në Brigada dhe Divizione.

-Në vitet 1960 u goditën politikisht dhe ushtarakisht ato kuadro që ishin martuar dhe kishin krijuar familje me vajza sovjetike.
– Në vitet 1960-1963, pamë me sytë tanë kur disa nga pedagogët që na jepnin mësim dhe që kishin mbaruar në Bashkimin Sovjetik, u liruan dhe të tjerë u transferuan në reparte të largëta.
– Kontrolli i organeve të partisë në njësitë e ushtrisë mbi punën ushtarako profesionale ka dëmtuar në disa raste.
Në disa raste sekretarët e këtyre komiteteve u sollën nga jeta civile, pa arsim ushtarak.
Këto funksione politike sollën në hallkat komanduese probleme në marrëdhëniet e drejtimit, duke e koklavitur shumë çështjen e marrjes së vendimeve të shpejta e të sakta, si në kohë paqeje dhe në kohë lufte. Jo vetëm nga problemet që dëgjonim, por edhe nga përvoja ime vetjake, si komandant Brigade, mund të them se megjithë formalizimin dhe koklavitjet që sillnin organizmat politike, që i shtoheshin veprimtarisë së përditshme, mund të pohoj, se kohën dhe punën më të madhe në zbatimin e detyrave e zinte puna ushtarako-profesionale, organizative dhe praktike, siç ishin: stërvitja dhe gatishmëria luftarake. Në fakt shpesh hallkat politike në njësi dilnin zbuluar, se nuk kishin me se të merreshin, kjo sillte në mjaft raste të hapeshin probleme të paqëna, që kërkonin kohë për t’u marrë me to. Madje, ato kuadro që merreshin me punën e organeve të partisë dhe që vinin nga jeta civile, duke qenë se nuk kishin njohuritë e nevojshme ushtarake, në analizat që bëheshin, dilnin “si kashta mbi ujë”, duke humbur autoritetin në funksionin e lartë që mbanin. Strukturat e tepërta që ishin në punën e partisë në njësitë dhe repartet e ushtrisë, të angazhonin në punë të rëndomta analizash e mbledhjesh formale, gati për çdo ditë, javë e muaj që rendnin punën e mirëfilltë profesionale ushtarake, për të ndjekur veprimtarinë praktike në stërvitjet taktike, qitjet luftarake, punimet fortifikuese dhe në furnizimet e trupës me nevojat e përditshme për ushqime, veshmbathje dhe kujdes shëndetësor, për plotësimin në kohë të tyre nga kuadrot komandat dhe shtabet. Për këto çështje, Mehmet Shehu, në vitin 1980 kur ishte caktuar të mbulonte edhe problemet e partisë në ushtri, në Komitetin Qëndror të Partisë, thirri në një takim komisarët dhe sekretarët e komiteteve të partisë të Divizioneve, sepse midis tyre kishte mosmarrëveshje në ndarjen e detyrave. Që në fillim të takimit, i pyeti me radhë për detyrat e tyre në linjën e vet. Pasi i dëgjoi, pa u ndërhyrë, u tha: – Kështu, siç i kuptoni dhe i thoni ju detyrat, ashtu i ngatërroni edhe atje poshtë, në njësitë tuaja, duke penguar konkretisht punën e komandave dhe shtabeve. Ju nuk keni pse të hyni në problemet teknike të kuadrove që janë specialistë në fushat përkatëse, por të merrni prej tyre shqetësimet dhe gjërat që preokupojnë moskuptimin dhe moszbatimin nga efektivat dhe të ndërtoni punën për mobilizimin e tyre, nëpërmjet punës edukative e moralo psikologjike. Edhe si drejtues të komitetit të partisë nuk është e nevojshme të futeni në çështje teknike dhe llogaritëse të vendimeve që marrin komandat dhe shtabet, sepse ato gjatë procesit të llogaritjeve dalin në përfundime të bazuara profesionalisht, juve prej atij proçesi duhet të nxirrni detyrat tuaja për mobilizimin e efektivave në zbatimin e detyrave që rrjedhin nga vendimet e marra. Në fund të takimit ai radhiti një varg detyrash të funksionit të tyre, që përbënin edhe rendin ekzakt të punës edukative. Puna edukative, moralopsikologjike ishte e nevojshme sepse ndihmonte në mobilizimin e efektivave në realizimin e detyrave, por problemi qëndronte, të mos pengonte punën praktike ushtarako-profesionale me propaganda boshe “moralizuese”, që humbiste shumë kohë. Kontrolli i organeve të partisë në njësitë e ushtrisë mbi punën ushtarako profesionale ishte në çdo hallkë dhe natyrisht ka patur vlerat e veta, por edhe ka dëmtuar në disa raste. Po përmend vetëm një fakt, shqyrtimi dhe miratimi që duhej t’i bëhej vendimit luftarak në komitetin e partisë të njësisë, si për probleme të situatave të kohës së paqes dhe në kohë lufte, kur dihej që ai vendim ishte sintezë e një analize të thellë profesionale në komandë dhe shtab, ku shefat e llojeve të armëve bënin llogaritjet dhe propozimet e tyre për armën përkatëse, ishte formale dhe e panevojshme të shpjegohej, apo të gjykohej në komitetin e partisë që kishte një grup të vogël kuadrosh me përbërje hetorogjene. Ato organe ashtu si dhe organet e sigurimit të ushtrisë në informacionet që dërgonin lartë në linjën e tyre nuk dihej gjë se çfarë shkruhej. Organet politike dhe ato të sigurimit në ushtri, vërtet bënin një punë të vlefshme në linjën e tyre, por dilnin jashtë kontrollit pa i dhënë kujt llogari. Ato siç tregoi koha, mbartnin edhe çështje të pasakta dhe subjektive, me tendencë për të goditur kuadro të caktuara, për t’i shkarkuar e dënuar nga organet përkatës. Kështu, për shembull, në vitet 1960 e më pas u goditën politikisht dhe ushtarakisht ato kuadro që ishin martuar dhe kishin krijuar familje me vajza sovjetike që gjatë studimeve në Bashkimin Sovjetik, dhe që jetonin në Shqipëri. Kuadrot e atillë u detyruan t’i ndanin gratë dhe t’i largonin në vendin e tyre, madje u liruan nga ushtria, dhe disa që mbetën trajtoheshin si kuadro të dyshimtë duke i survejuar e përndjekur derisa të kapeshin në gabime dhe të largoheshin nga ushtria. Veç kësaj, ne që ishim student në Shkollën e Lartë të Oficerëve në vitet 1960-1963, pamë me sytë tanë kur disa nga pedagogët që na jepnin mësim dhe që kishin mbaruar në Bashkimin Sovjetik, u liruan dhe të tjerë u transferuan në reparte të largëta të ushtrisë. Gjithashtu përjetuam edhe kthimin e dëshpëruar të studentëve ushtarak, nga Bashkimi Sovjetik, pa i përfunduar studimet, sepse u prishën marrëdhëniet midis dy shteteve.
– Si u hartua Plani Operativo – Strategjik i mbrojtjes dhe puna për përgatitjen fortifikuese të teatrit të luftës.
– Sekretarët e komiteteve të partisë në Divizione që u sollën nga jeta civile sollën në hallkat komanduese probleme në marrëdhëniet e drejtimit.
Goditja e madhe
Goditje e madhe politiko-ushtarake në ushtri konsiderohet ajo që u bë në vitin 1974-1976, kundër kuadrove me funksionet të larta të ushtrisë, që përfshiu: Ministrin e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Drejtorin e Drejtorisë Politike, Drejtorët e drejtorive të llojeve të armëve dhe shërbimeve në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Komandantë të Korpuseve dhe Grupimeve Operative deri edhe Komandant Brigadash, të cilët u shkarkuan, u ulën nga detyrat, u transferuan, u dënuan e u burgosën, madje, kryesorët u pushkatuan. Ajo fshesë e hekurt mori përpara mbi 400 kuadro të rangjeve të larta dhe shumë të tjerë që u shprehën kundër asaj goditje. Ato shkarkime, lirime dhe dënime që u bënë ndikuan psikologjikisht edhe te ne kuadrot e reja që kishim mbaruar shkollën e oficerave dhe ishim në njësitë dhe repartet e ushtrisë, sepse veç tyre kishim dëgjuar edhe për 9000-shin dhe 2000-shin e lirimeve, që ishin bërë në vitet pesëdhjetë, kur shumë kuadro të liruar u dërguan kryetarë kooperativash në fshatrat e tyre dhe të tjerë në ndërmarrje prodhimi nëpër qytete. Fshesa e hekurt që u përdor në vitet 1974-1975 dhe masat ekstreme që u zbatuan, i bënë një dëm të madh ushtrisë, që u deshën shumë vite, që të mbyllej ajo gropë e thellë e intelektualëve, me përvojë e merita të pazëvendësueshme, që nga pjesëmarrja e tyre në luftë, ngritjes e modernizimit të ushtrisë dhe forcimit të mbrojtjes së vendit. Fortunat e mëdha që kaloi ushtria popullore shqiptare, nuk iu ndanë asnjëherë. Ato nuk vinin nga brenda saj, por nga politika, ideologjia dhe nomeklatura e lartë, me në krye Enver Hoxhën dhe kastën e tij. Tani që kanë kaluar 30 e ca vite nga goditja ndaj kuadrove të larta, nuk dimë se cilët ishin “aktet puçiste” dhe tradhëtia me të cilat u akuzuan dhe u dënuan ata. Në vitin 1981, pas vetvrasjes së Mehmet Shehut prej kupolës së lartë politike, në krye të së cilës qëndronte Enver Hoxha, Ramiz Alia e Nexhmije Hoxha, rinisi goditja tjetër ndaj kuadrove drejtues të ministrisë dhe komandave të njësive ushtarake. Kupola, me akuza të shpikura dhe aspak të dokumentuara, dënoi e pushkatoi: Kadri Hazbiun; Feçorr Shehun; Mihallaq Ziçishtin etj. Liruan nga ushtria Maliq Sadushin; Veli Llakën; Nazar Berberin që ishin zëvendësministra të mbrojtjes. Mendu Backën; Alfred Mojsiun; Hajrulla Muhametin dhe disa komandantë divizionesh u flakën nga ushtria, me të vetmen arsye se “kishin zbatuar urdhërat e Mehmet Shehut”! Kur Mehmet Shehu ishte kryeministër i vendit dhe në ato vite kryente edhe detyrën e Ministrit të Mbrojtjes, nga viti 1974 deri në vitin 1980, kur ushtria pësoi një ngritje të dukshme në funksionet e saj. Sikur të mos mjaftonin këto goditje të kuadrove të larta të ushtrisë, pa eleminuar boshllëqet e krijuar, erdhën situatat e viteve ‘90, kur turmat e irrituara e të organizuara filluan të godisnin fort njësitë dhe repartet e ushtrisë për t’i shkatërruar dhe për tu armatosur. Turrja e turmave ndaj reparteve ushtarake mendoj se nuk ishte rastësore por e organizuar si nga forca të brendshme dhe të jashtëm. Qëllimi ishte që të shkatërrohej dhe likujdohej ai organizim ushtarak i plotë, duke sulmuar depot e armatimit për t’i vjedhur dhe shitur armët, madje vunë dorë edhe mbi depot e municioneve duke shkaktuar ngjarje tragjike të padëgjuara ndonjëherë më parë në ushtrinë tonë. Megjithatë Ushtria Popullore Shqiptare nuk iu kundërvu popullit, por me gjakftohtësi dhe pa gjakderdhje u mbrojt me sukses në objektet dhe vendqëndrimet e saj. Pas vendosjes së rendit të ri “demokratik” kapitalist, ushtria respektoi reformimin e saj sipas koncepteve të reja ushtarake, duke aspiruar antarësimin në NATO, që u realizua me sukses në vitin 2009. Ushtria Popullore, që kur u emërtua e tillë, për t’i dhënë përmbajtjen e plotë këtij nocioni, ka bërë një sërë reformash brenda saj, që nga viti 1944 deri në vitin 1990-1992.





















