Dr. Luan NIKOLLARI/ Një shkrim i Ali Këlcyrës për poetin kombëtar At Gjergj Fishta

1216
Sigal

Shkrimi i Ali Këlcyrës, i panjohur nga publiku i gjerë, shkruar më 1961 në Revistën Kombëtare në Mërgim “Shejzat”, që udhëhiqej nga Ernest Koliqi

Në vitin 1961 revista e njohur shqiptare në mërgim “Shejzat”, drejtuar nga profesori i mirënjohur Ernest Koliqi, i dedikoi një numër të veçantë përkujtimit të 90-vjetorit të lindjes së poetit tonë të madh kombëtar At Gjergj Fishtës (1871-1940). Për kremtimin e 90-vjetorit u ngrit një komitet organizues dhe një komitet nderi, ku morën pjesë personalitete të njohura shqiptare të kohës si edhe miq e dashamirës të Shqipërisë.

Teksa shfleton këtë numër të veçantë të “Shejzave” (Nr.11-12, Roma 1961), kopertina e së cilës paraqitet me një portret të Fishtës (vepër e piktorit të mirënjohur shqiptar Lin Delija), ndeshesh edhe në shkrimin e Ali Këlcyrës, eshtrat e të cilit muajin e kaluar u sollën në atdhe nga e bija, Hana Klissura (Këlcyra), për të gjetur prehje në varrezat e Këlcyrës, nën hijen e atyre pak mureve që kanë mbetur akoma në këmbë nga Sarajet e familjes së tij, djegur nga grekët më 1914, sekuestruar gjatë diktaturës e më pas të lëna në mëshirën e fatit deri në ditët tona. Një artikull prej katër faqesh, një analizë e përkryer, shkruar në frëngjisht, jo aq nga fakti se frëngjishtja ishte gjuha e huaj që Ali Këlcyra zotëronte aq mirë, por për arsyen e thjeshtë që poeti ynë i madh kombëtar të njihej sa më gjerë përtej kufijve të një gjuhe. Në fakt në atë numër të “Shejzavet”, përveç shkrimeve në shqip të Eqrem bej Vlorës, Karl Gurakuqit, Martin Camajt, Rozolin Petrottës, etj., gjejmë edhe artikuj në italisht e gjermanisht. Po ashtu, duke e bërë më të pasur këtë numër të veçantë, gjejmë ilustrime të Lin Delisë, Ibrahim Kodrës, Dragutescu-t dhe një portret nga Umberto Giunti. Shkrimi i Ali Këlcyrës, i panjohur nga publiku i gjerë, që po e paraqesim të shqipëruar nga Thomas Frashëri (te cilin e falënderojmë) përveç vlerës që mbart në vetvete, dëshmon edhe rëndësinë e madhe që kanë revistat dhe periodikët e ndryshëm të publikuar në diasporë, gjatë viteve kur Shqipëria ishte nën diktaturë. Konsultimi dhe studimi i materialeve të paraqitura në to padyshim që mbush një boshllëk të madh kohor duke e pasuruar kujtesën tonë kombëtare. Shënime te Hëna Këlcyrës, maj 2014

 * * *

PATËR FISHTA, POET I MADH KOMBËTAR SHQIPTAR

Nga Ali Këlcyra

Poezia nuk është vetëm arti i harmonisë dhe i ritmit dhe qëllimi i saj nuk është vetëm të falë kënaqësi shpirtërore ikanake. I takon poetëve të vërtetë të udhëhiqen nga mëtime më të larta. Nëpërmjet veprave të tyre, ata pasurojnë shpirtin dhe lartësojnë qenien njerëzore. Te njeriu ata zgjojnë ndjenjat më të fisme nëpërmjet imazheve goditëse dhe bukurive të natyrës, duke i dhënë kështu jetë ngjarjeve më madhështore dhe bëmave më të paharrueshme.

Nga kjo pikëpamje, Fishta është pa dyshim një poet i madh. I lindur në zonën e Shkodrës, gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, rregulltar i urdhrit françeskan, Fishta mbetet jo vetëm poeti ynë më i madh kombëtar, por gjithashtu, e mbi të gjitha, një pedagog i mirëfilltë i ndjenjës patriotike të popullit tonë. Ai meriton të admirohet për talentin e tij letrar, po aq sa meriton të vlerësohet për rolin e rëndësishëm që ka luajtur në formimin dhe konsolidimin e vetëdijes shqiptare. Ai ka zhvilluar aktivitetin e tij intelektual në një periudhë kritike në rrugëtimin e popullit tonë, në një kohë kur rilindja kombëtare përballej jo vetëm me probleme të mëdha politike, brenda dhe jashtë vendit, por edhe me ngërçin e dasisë fetare, i cili ndikonte fort mbi masat dhe bëhej jo rrallë terren për intrigat e fuqive të ndryshme dhe mëtimeve të tyre mbi Shqipërinë.

Këto pengesa kishin pasoja serioze në arritjen e një bashkimi të vërtetë kombëtar. Talenti poetik dhe retorik i Fishtës i dha një vrull të madh këtij bashkimi. Pa asnjë ndrojtje mund të thuhet që Patër Fishta dhe Naim Frashëri janë, ndër bashkëkombësit tanë, ata të cilët, nëpërmjet forcës së ideve dhe patriotizmit të tyre, kanë kontribuar më shumë për zgjimin e ndjenjës kombëtare shqiptare të përgjumur prej shekujsh nën sundimin e perandorisë osmane. Bash për të gjitha këto arsye, çdo shqiptar me bon sens dhe i pandjeshëm ndaj absurditeteve të propagandës anti-kombëtare, duhet të jetë përjetësisht mirënjohës ndaj këtyre poetëve të mëdhenj për shërbimet që ata kanë kryer ndaj kulturës shqiptare dhe atdheut.

Tash për tash gjuha shqipe ka dy dialekte kryesore: gegnishten e folur në veri të vendit dhe toskërishten, të folur në jug. Fishta, me prejardhje shkodrane, e ka shkruar të tërë veprën e vet letrare në gegnisht. Kjo është arsyeja përse gjuha e tij nuk kuptohet lehtësisht nga masat e Shqipërisë së jugut. Më shumë ajo lexohet dhe çmohet nga njerëz intelektualisht të përgatitur. Gjithsesi, në Shqipërinë e veriut, Fishta mbetet një poet popullor. Poemat e tij recitohen dhe këndohen edhe nga malësorët më të thjeshtë.

Sidoqoftë, Fishta është mjeshtri i padiskutueshëm i letrave shqipe duke mos reshtur së frymëzuari të gjithë rininë e dhënë pas lëvrimit të letërsisë. Vepra e tij kryesore, “Lahuta e Malci”’, është një përmbledhje poemash, disa prej të cilave mund të konsiderohen si kryevepra jo vetëm të letërsisë shqiptare, por edhe të asaj ndërkombëtare. Pjesë e kësaj përmbledhjeje është edhe kënga e Oso Kukës në të cilën poeti përshkruan, me fjalë të zgjedhura, bëmat heroike të këtij bashkombasi i cili, duke i vënë flakën barutit, hodhi në erë fortesën e Vraninës me gjithë garnizonin e saj, vetëm e vetëm që të mos t’i dorëzohej trupave sllave që e kishin rrethuar. Piskama e furishme dhe e frikshme e Oso Kukës ndaj pashait turk që guxoi të shprehte dyshime mbi shpirtin e sakrificës të shqiptarëve mbart aq shumë shprehi naltësimi, fisnikërie dhe force, sa në përkthimin në gjermanisht të baroneshës Ameli fon Godin, kjo poemë është gjykuar si e pajisur me vlerat më të larta letrare, në rrethet e specialistëve gjermanë. Pa dashur të biem në qerthullin e mendjemadhësisë kombëtare duke e krahasuar poetin shqiptar me gjeniun letrar përbotësisht të admiruar ndër shekuj, mund të themi që Fishta ka të drejtë të konsiderohet si Homer i Shqipërisë. Gjithçka raca shqiptare ka të vyer dhe bujarisht të naltësuar në përjetimet dhe ndjenjat e saj, u nxorën në pah dhe u kënduan në mënyrë të përkorë në rreshtat e shkruar prej tij. Për të gjitha këto arsye, Fishta kontribuoi nëpërmjet veprave të tij në përforcimin e karakterit shqiptar dhe pasurimin e trashëgimisë morale të popullit tonë.

Megjithëkëtë, ky burrë i shquar, që nderon kombin shqiptar në sytë e të huajve dhe që meriton, në çdo pikëpamje, mirënjohjen tonë, nëpërkëmbet dhe përçmohet nga regjimi i sotshëm në Shqipëri. Kujtimi i lavdishëm i këtij qytetari të shquar është fashitur qëllimisht në vendin tonë nga pushtetmbajtësit. Deri edhe emri i është fshirë nga lista e personaliteteve të letrave shqipe, në të cilën radhiten sot autorë dhe apologjistë të regjimit, mediokriteti i të cilëve i bën të padenjë për tu konsideruar qoftë edhe si nxënës në krahasim me mjeshtrin. Ostracizmi dhe harresa i janë imponuar sot veprës së pavdekshme të Fishtës, ndërkohë që ajo gjallon më shumë se kurrë në shpirtin e patriotëve dhe mbetet kurdoherë e shenjtë në zemrat e tyre. Fishta, fanari i madh i kulturës dhe intelektualëve shqiptarë, i cili prej rreth një shekulli rrezatonte mbi rininë shqiptare, është shuar qysh prej ditës që sundon regjimi i sotshëm. Nuk ka goditje më të rëndë për kulturën e bashkëkombësve tanë dhe fyerje më të madhe ndaj dinjitetit kombëtar.

Po përse vallë, kjo furi e klikës që sundon në Shqipëri, ndaj kujtimit të një poeti të shquar i cili nuk jeton më? Kjo padrejtësi e ulët ka një arsye të errët, të cilën tiranët e mbajnë të heshtur, të kamufluar nën pretekste groteske, me qëllim që masa e nënshtruar të mos ta njohë. Gjithë vepra letrare e Fishtës frymëzohet nga qëndresa e paepur e popullit shqiptar ndaj pushtimit sllavomadh. Fishta ekzaltonte ndjenjën kombëtare duke u kënduar bëmave të paraardhësve në luftën e tyre qindravjeçare, siç e tregon edhe shembulli i poemës së Oso Kukës. Përcjellja dhe përhapja e një letërsie të tillë nuk i shkonte aspak për shtat regjimit të ardhur në pushtet pas luftës botërore, dhe ca më pak krerëve të tij që nuk ishin tjetër veç krijesa të Titos. “Çkishërimi” zyrtar i Fishtës ndodhi pikërisht në kohën kur regjimi i tashëm ishte veç një satelit i Jugosllavisë. Kjo e bën edhe më të urryer këtë vendim politik. Një letërsi që i predikon rinisë shqiptare, si një dogmë kombëtare, qëndresën ndaj mëshimit sllavomadh –i cili ka përthithur treçerekun e racës sonë dhe duket se ka për qëllim të gëlltisë edhe atë çka mbetur, duke e gozhduar popullin tonë në brigjet e Adriatikut– nuk i përshtatej politikës së qeverisë edhe pas braktisjes së Titos dhe përqafimit të Stalinit. Kështu shpjegohet sjellja armiqësore e qeverisë së Tiranës ndaj Fishtës. Kjo sjellje mund të ndryshojë kur Shqipëria të jetë e çliruar nga influenca sllave. Atëherë Fishta, viktimë e veprës së tij letrare për shkak të oportunizmit politik të pushtetarëve aktualë, do të rehabilitohet në gjithë apoteozën e lavdisë së tij.

Për të mos rrëfyer këtë të vërtetë të trishtë hapur, komunistët shqiptarë përdorën një mjet banal: akuzuan Fishtën si bashkëpunëtor të pushtuesit fashist. Mbi këtë akuzë na duket me vend të japim këto sqarime: Si fillim, komunistët shqiptarë përziejnë politikanin dhe shkrimtarin, ndërkohë që dallimi në këtë pikë është me rëndësi. Fishta nuk ishte aspak politikan. Si të gjithë artistët e mëdhenj, interesohej shumë pak mbi politikën e përditshme. Gjatë gjithë jetës së tij, Fishta, rregulltar dhe shkrimtar, nuk ka qenë asnjëherë nëpunës; qe vetëm deputet në Parlamentin shqiptar gjatë viteve 1920-1924, kur shteti shqiptar u rigjallërua si për mrekulli. Ai nuk merrte pjesë në debatet parlamentare mbi çështjet administrative, juridike, ekonomike, politike. Veç, sa bëhej fjalë për çështje që e preknin personalisht, si aspiratat për bashkim etnik dhe mbrojtje të të drejtave të pakicave shqiptare nën sundim të huaj, zëri i tij gjëmonte kundër padrejtësive ndërkombëtare ndaj popullit shqiptar. Nën ndikimin e fuqishëm të zellit të tij patriotik dhe elokuent mbi çështje thjesht kombëtare, kuvendi ndihej i detyruar të merrte vendime që ndoshta nuk ishin gjithmonë të duhurit politikisht dhe që e vinin qeverinë në pozita të sikletshme në raport me Shtetet fqinj.

Fishta apolitik është gjendur i përzierë në mënyrë indirekte dhe kundër vullnetit të tij në divergjenca sociale gjatë viteve të fundit të jetës, në një kohë kur dy lëvizjet e mëdha botërore, fashizmi dhe komunizmi, patën pasoja të thella në Shqipëri dhe provokuan trazira. Është e vërtetë që Fishta, i moshuar dhe me forca të pakta, shëndetlig dhe në fund të jetës, nuk u përfshi në qëndresën ndaj pushtuesit dhe, madje, as bëri thirrje në favor të saj. Nuk mund të përjashtohet fakti që Fishta, që i pat kushtuar jetën predikimit dhe ekzaltimit të bashkimit etnik, nuk qe i pandjeshëm kur ky bashkim u arrit, megjithëse nën një regjim jo të pavarur, në rrethanat e luftës. Është shumë e mundur që brenda vetes ai të ketë ndjerë mirënjohje ndaj politikës së Boshtit që kishte realizuar këtë bashkim. Gjatë luftës së fundit shumë nga bashkëkombësit tanë, të detyruar nga rrethanat, zgjodhën me mirëdashësi e mirëbesim një Shqipëri etnikisht të bashkuar nën influencën e një Fuqie, dhe jo një Shqipëri të përgjysmuar por juridikisht të pavarur.

Megjithëse kam qenë personalisht kundër kësaj zgjedhjeje, nuk i kam akuzuar kurrë si tradhtarë ata që kishin një opinion të kundërt me timin. Pavarësia e plotë kombëtare dhe integriteti territorial me bashkimin etnik janë dy çështje me një rëndësi madhore të njënjëshme; është shumë e vështirë të zgjedhësh midis të dyjave, sidomos kur bëhet fjalë, si në rastin tonë, për braktisjen e gjysmës së popullit shqiptar nën një sundim absolutisht të huaj. Rrjedha e ngjarjeve pas luftës duket se i ka dhënë të drejtë atyre që ishin në kundërshtim me opinion tim, sepse me Shqipërinë e vogël e të kërcënuar, fatalisht të destinuar të jetë një satelit i një Fuqie apo i një tjetre, kemi humbur tash si integritetin territorial dhe bashkimin kombëtar, po ashtu edhe lirinë dhe pavarësinë.

Argumenti kryesor i akuzave komuniste kundër Fishtës qëndron në faktin që ai pati pranuar, ndërkohë që vendi ishte i pushtuar nga trupat fashiste, titullin e anëtarit të Akademisë së letrave në Romë, i cili ju akordua nga qeveria italiane e atëhershme. Titulli i akademikut nuk është një funksion politik apo administrativ dhe fakti i pranimit të tij nuk mund të konsiderohet si një bashkëpunim i mirëfilltë me pushtuesin. Por edhe nëse e pranojmë si të tillë, i njëjti argument duhet të vlente për të gjithë. Sot, në rangjet e komunistëve ka shumë individë që qenë nëpunës apo oficerë në shërbim të qeverisë shqiptare të udhëhequr nga fashistët. Dihet rasti i njohur i Dr.Omer Nishanit. Ky veteran i komunizmit shqiptar ishte drejtori i organit të partisë komuniste që shtypej në Gjenevë, në gjirin e emigracionit politik shqiptar, në periudhën 1924-1939. Pas kthimit në Shqipëri gjatë pushtimit fashist, Nishani u emërua anëtar i Këshillit të Shtetit. Kjo nuk e pengoi të zgjidhej kryetar i Presidiumit, domethënë president i Republikës demokratike popullore shqiptare, kur regjimi komunist mori pushtetin, në fund të luftës së përbotshme.

Kontradikta flagrante që shfaq sjellja e regjimit ndaj dy bashkëkombësve, njëri me tendencë nacionaliste, tjetri i ekstremit të majtë, dëshmon mjaftueshëm mbi motivin e vërtetë që nxit pushtetarët shqiptarë, nën argumente kallp, të denigrojnë poetin tonë të madh kombëtar. Për këtë arsye, akuzat idhnake të një regjimi shtypës, që tejçohen dinakërisht kundër Fishtës, nuk mund të pengojnë shqiptarët të admirojnë gjeniun e tij poetik dhe të nderojnë personin e tij, për shërbimet e mëdha që i ka kryer çështjes së atdheut.

1961- Revista Shqiptare në mërgim “Shejzat”

Zonja Hëna Këlcyra është e fundit trashëgimtare e familjes Këlcyra, vajza e vetme  atdhetarit dhe patriotit Ali Këlcyra, e cila banon në Vjenë, por është prezente dhe në Shqipëri me aktivitete apo dhe detyrime, siç qe sjellja së fundmi në atdhe e eshtrave të Eqerem Bej Vlorës nga Vjena në Kaninë dhe të babait të saj Ali Këlcyra nga Roma në Këlcyrë në mars të këtij viti.

Ali Këlcyra lindi 123 vjet më parë, më 28 maj 1891. Me këtë rast, vajza Hëna e ka përkujtuar me artikullin e shkruar nga Ali Këlcyra me 1961 në Revistën Kombëtare në Mërgim “Shejzat”, që udhëhiqej nga Ernest Koliqi.