DOSSIER / VLORA DHE NGJARJET E SHKURT-MARSIT 1997

2915
Nga Ergys Alushi
Dosier / Revoltat popullore, greva e studentëve, vrasja e Rustemit, djegia e SHIK-ut ku mbetën 9 të vrarë dhe hapja e depove më 1 Mars
Mbrëmjen e 28 shkurtit 1997, një lajm i përhapur me shpejtësi në Vlorë se SHIK-u kishte tentuar të prishte grevën e urisë të studentëve vlonjatë, do të sillte pasoja të rënda për Vlorën dhe mbarë vendin. Mijëra vlonjatë, burra e gra të të gjitha moshave u mblodhën përreth universitetit. Situata ishte e tensionuar. (Pushteti dhe rendi në Vlorë nuk ekzistonin. Që nga data 10 shkurt kur ndodhi një përplasje masive fizike midis policisë dhe popullatës, ku kulmi ndodhi pranë xhamisë, policia ishte tërhequr nga Vlora. Varrimi i Artur Rustemit, i vrarë në përleshjet e 10 shkurtit ishte kthyer në një demonstrim force kundër Qeverisë në Tiranë. Pas kësaj ngjarje Vlora nuk ishte më e qetë, me protesta të vazhdueshme dhe refuzim të bisedimeve me qeverinë. Në Vlorë vinin vetëm përfaqësues të opozitës). Shumë prej tyre u drejtuan më pas në drejtim te godinës së SHIK-t, nga ku prej andej shumë shpejt u dëgjuan krisma armësh që vazhduan gjatë. Godina u dogj, nga luftimet mbetën të vrarë 9 persona, 6 oficerë të SHIK-ut dhe 3 civilë nga njerëzit që u grumbulluan para godinës.

Në 1 mars e në ditët në vazhdim, u hapen depot ushtarake dhe u mor i gjithë armatimi. Popullata ishte e armatosur dhe fuqinë e morën grupet e armatosura që kontrollonin zona të tëra në Jug të vendit.
1 Mars 1997 :
Socialistët shpallin si “të padëshirueshëm” lidershipin e Partisë Demokratike në Shqipërinë e Jugut. Përpilohen listat e zeza. Gazeta “Koha Jonë” shkruan se “Vlora po përjeton lirinë për të cilën e kishte marrë malli”. Ndërpriten transmetimet e BBC dhe VOA në Shqipëri. Vlora është nën pushtetin e bandave dhe trafikantëve. Fillon emigrimi masiv. Në Lushnjë disa policë rrihen barbarisht. Shpallet gjendja e jashtëzakonshme. Rebelët marrin bazën e Pashalimanit, simbol i rezistencës së shtetit. Fillon shpërthimi masiv i depove të armëve. Në Himarë digjet bashkia. Persona me maska nga Vlora marrin në dorë një anije luftarake dhe sulmojnë Sarandën, ku djegin godinat e policisë dhe SHIK-ut. Shpërthejnë burgun duke lënë të lirë qindra kriminelë. Rrëmbejnë 400 armë dhe i vënë flakën librarisë së qytetit. Shkatërrojnë INSIG-un. Sulmojnë marinën. Digjet ndërtesa e policisë në Gjirokastër. Qindra të burgosur janë të lirë.
2 Mars 1997:
Dorëhiqet qeveria e Aleksandër Meksit.
Në Vlorë me mijëra armë godasin qiellin në shenjë fitoreje. Parlamenti miraton shef të operacionit për rivendosjen e rendit, shefin e SHIK-ut, Bashkim Gazideden. Menjëherë Gazidede urdhëron mbylljen e shkollave në mbarë vendin në një afat të pacaktuar. Vendosen gjithashtu kufizime ndaj shtypit dhe ndaj furnizimit me mallra konsumi të popullatës. Në Kavajë, bastion i PD, mbi 5000 veta vullnetarisht armatosen për të mbrojtur qytetin nga një sulm i mundshëm nga bandat e armatosura. Digjet në Tiranë nga persona të panjohur redaksia e gazetës “Koha Jonë”. Bilanci i ditës është 4 të vrarë. Studentët e Vlorës lëshojnë ultimatumin : “Nëse deri në orën 17:00 nuk plotësohen kërkesat tona, forca të armatosura nga Vlora, do të sulmojnë Tiranën”. Agjencia italiane e lajmeve ANSA komentonte : “I gjithë skenari po shfaqet si një strategji politiko-ushtarake dhe jo si një manifestim spontan popullor. Për të mbledhur njerëzit tek Sheshi i Flamurit janë vënë në dispozicion për ditë të tëra makina të posaçme”.
3 Mars 1997 :
Sali Berisha rizgjidhet President i Republikës me votat e deputetëve të PD-së. Një zemërim i papërmbajtur shpërthen në Vlorë dhe Tepelenë, qendrat kryesore të rebelimit. Komitetet dhe bandat shpërthejnë pjesën e mbetur të depove dhe një valë e re shkatërrimesh dhe vrasjesh nis në mbarë Shqipërinë e Jugut. Digjet Qendra e Formimit Profesional në Vlorë, që kishte kushtuar 7 milionë $ amerikanë. Studentët grevistë të Vlorës i japin fund grevës duke festuar me shampanjë në diskotekë. Pamjet transmetohen nga EuroNews. Mijëra studentë ndihen të zhgënjyer prej tyre.
Plaçkitet nga një grup prej afro 100 vetësh kompleksi “Adipetrol” në Gjirokastër. Në Kuçovë lëshohet alarmi i mungesës së bukës. Rimerret kontrolli i Fierit. Fillon çarmatimi i popullsisë së qytetit.
4 Mars 1997 :
Në Vlorë vazhdon shpërthimi i depove. Nëpër pallate vendosen snajperë, kurse Ura e Mifolit bllokohet dhe minohet. Ngrihen kudo barrikada për të penguar hyrjen e ushtrisë dhe SHIK-ut. Dyqanet mbyllen.
Që nga 1 Marsi 19 persona kanë mbetur të vrarë. Në Shkodër ushtria kapitullon. Në Sarandë sulmohet marina dhe mijëra armë rrëmbehen. Bandat patrullojnë detin me anijet e marinës. Saranda shpall autonominë duke deklaruar se në këtë zonë banojnë 20.000 grekë. Në Qafë-Gjashtë një agjent i SHIK-ut digjet i gjallë, kurse njëri merret peng. Dy të tjerë arratisen. 50 ushtarë bashkohen me rebelët. 2 pilotë të Forcave Ajrore dezertojnë dhe shkojnë ne Itali. Formohet Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës. Ai fillon të veprojë si strukturë paralele duke kryer de-fakto një grusht shteti. Udhëheqësi i tij është Albert Shyti. Bashkëpunëtori kryesor i “Komitetit” është Myrteza Çaushi, i njohur si Zani “I forti i Vlorës”. Nën shembullin e Vlorës fillojnë dhe krijohen “Komitete të Shpëtimit” kudo nëpër Shqipëri.
5 Mars 1997 :
Shpërthejnë depot në Memaliaj dhe në Tepelenë. Digjen godinat e policisë në këto qytete. TV grek “Mega” në lajmet e orës 14:00 (13:00 me orën tonë) deklaron : “Sot grupe të armatosura në Jug të Shqipërisë ngritën për herë të parë flamurin e Vorio Epirit. Ata kërkojnë ndarjen e pjesës së jugut nga pjesa tjetër e vendit duke filluar nga Tepelena, duke shpallur kështu edhe autonominë e jugut të Shqipërisë. Problemi i hershëm i Shqipërisë ka qenë ai Veri-Jug. Shqipëria ndahet në mes nga lumi Shkumbin, i cili ka bërë ndarjen e vendit në bazë të përkatësisë fetare, dhe gjuhësore. Kështu kriza aktuale në Shqipëri është përqendruar në jug të vendit ku popullsia është greqishtfolëse”. Partia Socialiste i bën të ditur Presidentit Berisha platformën e saj për zgjidhjen e krizës që konsistonte në këto pika :
a) Një tryezë e rrumbullakët midis forcave kryesore politike,
b) Heqja e gjendjes së jashtëzakonshme, për të shmangur përballje të mëtejshme me forcat rebele, c) Formimi i një qeverie teknike për zgjidhjen e krizës.
6 Mars 1997 :
Presidenti Berisha dhe partitë politike mblidhen në një tryezë dhe nënshkruajnë një deklaratë ku dënojnë shpërthimet e depove dhe bëjnë thirrje për dorëzim të armëve. 6 orë më vonë, zyrtarisht liderët e PS dhe PAD mohojnë çdo lloj përgjegjësie dhe obligimi ndaj kësaj deklarate që ata e kishin konsideruar “sukses politik”. TV grek “Sky”, lajmet e orës 17:00 (16:00 me orën tonë) : “Para disa minutash kanë dalë nga mbledhja krerët e grupeve të armatosura të Sarandës, të cilët kanë vendosur të sulmojnë sonte në darkë Gjirokastrën. Ata nuk do t’i lëshojnë postoblloqet si dhe presin me padurim gjyqin e sotëm popullor që do t’u bëhet tre robërve të kapur në sheshin kryesor të Sarandës, të cilët thuhet se janë punonjës të SHIK-ut dhe me përkatësi veriore”. Rritet bilanci i viktimave në Vlorë dhe shkon në 25. Një 60-vjeçar vret pa dashje një të ri në Tepelenë, ndërkohë që po pozonte para kamerave të reporterëve të huaj me AK-47.
7 Mars 1997 :
Rebelët shpartallojnë ushtrinë në Gjirokastër. Mjetet ushtarake bien në duart e bandave dhe të komitetit ushtarak të qytetit. Me rënien e Gjirokastrës në duart e rebelëve, i gjithë Jugu i vendit është jashtë kontrollit. Armët vazhdojnë të përhapen në vend. Sulmohet Aeroporti Kombëtar i Rinasit nga fshatarë të zonave përreth. Plaçkitet në mënyrë barbare Universiteti Bujqësor i Tiranës. Në Vlorë rebelët nuk i lejojnë banorët të largohen nga qyteti.
8 Mars 1997 :
Presidenti Berisha organizon një mbledhje me të gjitha partitë lidhur me krijimin e qeverisë së re. Shpartallohet plotësisht divizioni i Gjirokastrës. Drejtuesit e divizionit ishin vetë dorëzuar dhe kishin marrë drejtimin e rebelimit në këtë qytet. Bandat kishin marrë peng një numër të madh ushtarakësh të forcave ndihmëse të Tiranës dhe kishin bllokuar disa tanke dhe një helikopter. Turmat sulmojnë shumicën e njësive private në qytet. Në mesnatë sulmohet dhe plaçkitet fabrika e përpunimit të qumështit në Libohovë.
9 Mars 1997 :
Formohet Qeveria e Pajtimit Kombëtar me në krye Bashkim Finon, kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës. Qeveria e re iu bën thirrje ish-efektivëve të ushtrisë të kontribuojnë për rivendosjen e rendit dhe qetësisë. Presidenti del në TVSH në një deklaratë drejtuar kombit ku ai bën thirrje për “Pajtim, besim, bashkim dhe gjakftohtësi”.
Situatë kaotike në Skrapar.
Sigal