Analizë nga Safet Ramolli: Të rënët për atdhe janë kudo të respektuar. Për çlirimin e vendit dhanë jetën 28 mijë dëshmorë dhe 12.600 mbetën invalidë. Nga populli, 44 mijë u internuan e burgosën

1260
Sigal

Në luftën për çlirimin e vendit dhanë jetën 28 000 Dëshmorë,  14 000 ishin partizanë, 12 600 partizanë invalidë dhe 44.500 nga popullsia të burgosur dhe internuar

 

TË RËNËT PËR ATDHE E POPULL JANË KUDO TË RESPEKTUAR

 

Safet N. RAMOLLI

 

I rënë për atdhe e popull konsiderohet ai që fal jetën për liri e për drejtësi shoqërore, për të mirën e popullit e të atdheut. Togfjalëshi “I rënë për atdhe e popull”, ka kuptimin të flijohesh me ndërgjegje, për interesa të larta shoqërore e publike që mund të jenë: ruajtja dhe garantimi i lirisë dhe tërësisë territoriale, i qetësisë dhe rendit publik. Për këtë arsye kush jep jetën në rrethanat e mësipërme, bëhet pjesë e grupimit që fiton normalisht admirimin dhe respektin e komunitetit në tërësi. Rrethanat më të mundshme, që një shtetas të bjerë apo të falë jetën për atdhe e popull, janë ato kur lind sidomos domosdoshmëria për të ruajtur lirinë dhe tërësinë territoriale apo për t’i rifituar ato, kur janë gllabëruar nga të tjerët pas një sulmi të armatosur, apo pas vendimeve të padrejta të më të fuqishmëve. Po ashtu situata të mundshme janë edhe ato kur krijohen rrethana, në të cilat rrezikohet qetësia apo rendi publik i qytetarëve, kur rrezikohet jeta e tyre ose kur cënohet prona private ose ajo publike, qoftë edhe nga agjentët atmosferikë.

Situata të tilla krijohen për çdo popull, e për secilin vend. Kështu, nëse sulmohet ushtarakisht vendi, për t’i grabitur lirinë dhe pushtuar territorin, doemos shtetasit e armatosur fillimisht, dhe të tjerët më vonë, organizohen në veprime të armatosura kundër dhunuesit të lirisë dhe tërësisë territoriale. Edhe në rrethana dhe kushte specifike, sidomos kur ndërrohen sistemet shoqërore; në rast keqqeverisjeje, sjelljeje apo shpërdorimi të pushtetit me popullin, por edhe të shpërdorimit të vlerave materiale e monetare të vendit, krijohen situata të rënda për rendin dhe sigurinë publike. Por dihet që në veprimet e armatosura, domosdoshmërisht do të ketë jo vetëm përgjakje, por edhe humbje jetësh njerëzore. Situata dhe rrethana të tilla, popullit tonë i janë krijuar hera-herës. Ai me mençuri, me guxim dhe me sakrifica të shumta i ka përballuar ato, duke u bërë kështu edhe pikë referimi për vendet dhe popujt e tjerë. Ai është treguar i pakursyer në sakrifica, bile deri në derdhjen e gjakut, duke vënë në themelet e lirisë, tërësisë territoriale dhe të rendit e sigurisë publike, jetën e mjaft shtetasve. Dëshmorët e rënë për sa më lart janë të shumtë dhe kanë bashkëshoqëruar rrugëtimin e popullit në historinë e tij. Prandaj, në shenjë nderimi dhe respekti populli ynë, në një datë të caktuar të vitit, i përkujton ata ashtu sikurse e meritojnë.

Si e tillë është përzgjedhur 5 maji, duke marrë shkas nga vrasja e Qemal Stafës më 1942, një prej komunistëve më të hershëm shqiptarë, i angazhuar në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Por natyrisht, historia e popullit shqiptar nuk nis më 1942, kur u flijua Qemal Stafa, as më 1990 kur u kalua në sistemin politik pluralist, as edhe në ditët e sotme kur lutemi para portave të Evropës, që të na pranojë në Bashkësinë e saj. Si popull jemi të lashtë në këto troje, ashtu si kemi një rrugë të gjatë të përshkuar. Në vitet 1998-1999, kur zhvilloheshin ngjarjet tragjike në Kosovë, një gjerman mendjehapur, u drejtohej evropianëve skeptikë, lidhur me historinë dhe zhvillimin e shqiptarëve në Kosovë, pak a shumë kështu:- “Kur shumë popuj në Evropë kacavirreshin akoma majë pemëve, shqiptarët kishin historinë e tyre të një bashkëjetese dhe shtetformuese të stabilizuar.” Personalisht një pohim të tillë kategorik e të drejtpërdrejtë e dëgjoja për herë të parë.

Gjaku i derdhur për të mbrojtur lirinë dhe tërësinë territoriale, gjatë Luftës së II Botërore, daton në agun e 7 prillit 1939, kur Durrësi, Vlora, Shëngjini dhe Saranda u sulmuan prej 40-50 mijë forcash ushtarake italiane, dhe kur shënjohen dëshmorët e parë: Mujo Ulqinaku, Hamit Vishko, Mitro Dhimërtika, Hamit Dollani dhe të tjerë bij të Shqipërisë, në Shëngjin, Milot, Bahçallëk e Shkodër, kudo ku shkeli këmba e pushtuesit. Mandej, qëndresa e armatosur mori përmasa më të mëdha, dhe në këtë përballje të armatosur pati edhe mjaft të rënë në fushat e betejës. Ata janë shumë!!! Janë shumë për një vend të vogël dhe një popull të pakët në numër. “Një pëllëmbë vend dhe një grusht popull”, pohon filozofia e urtësisë popullore, por cënimi i pëllëmbës, sado i vogël qoftë, nuk formon pëllëmbën e tërë dhe as grushtin e plotë!!! 28. 000 është vlerësuar numri i të rënëve për liri, numër ky i derdhur në mermerët e bardhë të përjetësisë, por edhe i ngulitur në ndërgjegjen e kombit tonë. Ministria e Punëve të Jashtme në vitin 1946 shprehet se janë vrarë 28 800, nga të cilët 14 000 janë partizanë; 12 600 partizanë invalidë; 44 500 nga popullsia të burgosur dhe internuar etj. (Çuditërisht edhe me gjakun dhe jetën e tyre të dhënë për liri dhe të mirën e vendit, segmente të politikës së çoroditur shqiptare, merren me keqdashësi me numrin, motivimin e tyre etj, por edhe datën e çlirimit, S.R). Por, gjithsesi, ata mbeten idhuj, të cilëve duhet falur me nderim e respekt çdo shqiptar, sepse ata me idealin për të çliruar atdheun dhe popullin e tyre, bënë sakrificën sublime që jo gjithkush mund ta bëjë!!!

Të rënët për liri zënë një vënd nderi ku secili duhet të krenohet me ta

Populli luftarak dhe mik turk, ka një thënie proverbiale lidhur me marrëdhënien midis atdheut dhe popullit: nuk mund të ketë atdhe pa të rënë për ‘të, pra atdheu, përvec të tjerash, është i gatuar me gjakun e të rënëve në roje të lirisë së popullit dhe tërësisë territoriale, prandaj edhe ka qenë e mbetet i shenjtë për çdo shtetas të tij. Të rënët për atdhe e popull mund t’i përkasin fushave të ndryshme si p.sh. për ruajtjen e lirisë dhe tërësisë territoriale; për ruajtjen dhe sigurimin e rendit dhe të qetësisë publike; për mbrojtjen e gjuhës dhe forcimin e identitetit kombëtar etj. Prandaj çdo i rënë sa më sipër, zë vend nderi në komunitet, me secilin ai mund të krenohet.

Për herë të parë 5 maji, me atributet e “Ditës së Dëshmorëve” është kremtuar më 1945. Në çdo 5 maj, populli me detyrimin dhe obligimin moral, qytetar e atdhetar, përkulej me respekt në Lapidarët e Bardhë, në Lapidarët e Nderit të Kombit… Ledhatonte me nderim, obligim, mallëngjim dhe dhembje mermerin e bardhë; vendoste mbi pllakën e mermertë tufa me lule… Në familjet e Dëshmorëve nga bashkëluftëtarët dhe drejtuesit e shtetit përkujtohej me respekt jeta e tyre e re, ashtu sikurse çmohej dhe vlerësohej sakrifica e tyre sublime. 5 Maji ka rezultuar një ditë e veçantë në jetën e çdo vatre shqiptare, në kujtesën e të gjithëve dhe në historinë e popullit. Me 5 Majin mund të krenohen, jo vetëm ata që i falën Atdheut dhe Lirisë pjesë nga thelbi i zemrës së tyre, por edhe çdo shqiptar i ndershëm. Gjaku i 28 mijë të rënëve në emër të Lirisë është i shenjtë dhe i shtrenjtë. Ai u derdh në Durrës e Vlorë, në Pezë e Mallakastër, në Çamëri e Grykën e Mezhgoranit, në Tendën e Qypit e në Borovë, në Reç e Lumë, në Kukës e Vishegrad… Kurdoherë u derdh nën thirrjen-apel: “Përpara, shokë partizanë”!, por edhe “Rroftë Liria”!, “Rroftë Atdheu”!, “Rroftë Shqipëria”!…. Ishin ëndrrat, dëshirat dhe amanetet e qëllimit fisnik, për të cilin kishin hedhur krahut një armë! Ishin amanete për ata që do të jetonin pas tyre…Çdo i rënë për Atdheun dhe Lirinë e meriton një lapidar! Secili prej tyre meriton vargje në këngë dhe rreshta në histori; meriton të kujtohet me respekt e me dhembje: respekt për veprën e rrallë heroike që treguan; dhembje për jetën e tyre fare të re, dhe për ata që lanë pas! Duke nderuar luftëtarët për liri kombëtare, jo vetëm që shlyejmë një obligim moral ndaj tyre, por edhe vendosim një shkallinë në piedestalin e nderuar të dinjitetit të familjes së kombeve. Nderimi për të rënët, për atdhe e popull, është nderim për vetë kombin. Mendësi dhe veprim praktik të tillë e gjejmë edhe te fqinjët më të afërt. Në Strugë, në burimin e Drinit të Zi, në bregun e majtë të tij, qytetarët atdhetarë kanë patur edhe mençurinë të vendosin buste të njerëzve të veçuar të rënë në krye të detyrës: oficerë, nënoficerë, ushtarë, minatorë, qytetarë të zakonshëm, me emra sllavë por edhe shqiptarë. Për më tej, në Ohër gjendet një monument me dedikim të theksuar. Nuk është maqedonas, por një i huaj, poet që i ishte dedikuar me ndjenjë popullit maqedonas. A nuk duhet të kishim edhe ne një monument për Edith Durhamin, për Bajronin, apo edhe për të tjerë, që kanë bërë aq shumë për Shqipërinë?!

Në Shqipëri ka mjaftë varre të të pushtuesëve të huaj, por dhe sot e kësaj dite ato ruhen dhe respektohen dhe asnjëherë nuk janë keqtrajtuar

Shqiptarët nga natyra dhe formimi shpirtëror janë mendjehapur, fisnikë dhe humanë. Në trullin shqiptar ka mjaft varre të pushtuesve të huaj, të cilët asnjëherë nuk janë keqtrajtuar, në të kundërtën janë respektuar, sikur të ishin varre shqiptarësh. Populli ynë udhëhiqet nga parimi, se ushtarakët janë në shërbim të shtetit dhe të popullit të tyre, dhe se janë të detyruar ligjërisht të kryejnë detyra të urdhëruar prej tyre, prandaj përgjegjësitë për veprimet që kryejnë duhet t’i mbajnë qeveritë që i hedhin në luftë. Luftëtarët mbajnë përgjegjësi juridike dhe morale nëse tejkalojnë caqet e veprimeve të urdhëruara. Prej mëse një shekulli në qytetin e Korçës është një varrezë publike. Ajo vërtet quhet dhe thirret “Varret e francezëve”, por ai territor respektohet si i shenjtë edhe në ditët më të errta të historisë së vendit tonë, nuk është parë me urrejtje, nuk është dhunuar, të rënët janë respektuar si krenari e shtetit dhe popullit francez, ata konsiderohen si njerëz me vlera për vendin dhe popullin e tyre. Në kreshtën e lartësisë mbi fshatrat Vërdovë-Rrëmenj të rrethit Pogradec, ku fillon malësia e Mokrrës, është një vend që quhet “Varret e Grekut”. Janë shtetas grekë të rënë në luftimet me ushtrinë italiane, kur Italia ndërmori sulm ushtarak ndaj Greqisë, përmes territorit shqiptar të pushtuar. Edhe pse ishin dhe janë të huaj në këtë truall, ata “banorë” në ato varre respektohen, nuk janë dhunuar asnjëherë nga vendasit, bile ruhen me kujdes. Në mistikën dhe mentalitetin e shqiptarëve, të “ikurit” nga kjo botë respektohen në mënyrë të veçantë, si mund të shprehemi, kanë fituar të drejtën e qytetarisë së përjetshme. Mbi ata nuk shkelet me këmbë, nuk ndizen zjarre, nuk bëhen ndërtime, etj. etj. Edhe në varrezat e shtetasve të tjerë të huaj është mbajtur i njëjti qëndrim, sepse populli shqiptar ka patur mençurinë të bëjë dallimin midis qeverive, të cilat kanë programet dhe politikat e tyre, dhe popujve, të cilët në histori janë përpjekur të bashkëjetojnë në fqinjësi të mirë dhe pa krijuar eksese artificiale.

Të rënët për çlirim ishin zemrat e të gjitha moshave. Pati 13-15 vjeçarë, 18-25 vjeçarë, por pati edhe më të moshuar… Të gjithë ëndëronin Atdheun të lirë! Një Atdhe të vetëm ku i thuhet bukës-bukë; nënës-nënë; gjakut-gjak; lules-lule; jetës-jetë; Flamurit-Flamur…Ky motiv i nxiti! Ata patën mençurinë që të marrin një vendim të guximshëm: të lënë pas krahësh rehatinë personale, të ndahen ndoshta edhe pa kthim me familjet, dhe të rrezikojnë jetën e tyre kundër pushtuesve. Të gjithë shkuan në luftë për të rifituar lirinë, prandaj disa edhe u flijuan, nuk shkuan për t’u pasuruar, përkundrazi familjet e tyre sakrifikuan nga ajo pak pasuri që kishin. Për këtë motiv e qëllim ishin gati të jepnin jetën, ashtu sikurse disa edhe e dhanë!!! Me këtë motiv mbyllën sytë përjetësisht!!! Me këtë motiv belbëzuan fjalët e fundit: “Rroftë Shqipëria! Rroftë Liria! Rroftë Atdheu! Rroftë Populli”! Le të veçohet datërënia në luftë e më të riut prej tyre, që nuk e dinte aspak se ç’është komunizmi, dhe le të vendoset e respektohet si datë përkujtimore e të rënive për lirinë e popullit dhe të atdheut. Besoj askush nuk do të kishte të drejtën morale të shprehet kundër. Si datë mund të përzgjidhet një më e hershme, sepse atdheu nuk fillon në vitin 1942, as më 1990. Historia e atdheut është e hershme. Shumë e hershme. Sakrificat për atdhe kanë qenë e janë të shumta dhe shumëshekullore. Akademikët e fushës së historisë e kanë mundësinë dhe aftësinë, që me përgjegjshmëri dhe dashamirësi, të veçojnë një datë që bashkon e nuk ndan, një datë që unifikon dhe nuk shkërmoq, që mobilizon dhe nuk dekurajon etj,. Në të rënët e kombit për atdhe e liri, prosperitet e demokraci, detyrimisht të përfshihen edhe luftëtarët për demokraci, qetësi dhe rend publik, dëshmori Feti Vogli që dha jetën në vendosjen e qetësisë dhe rendit në Afganistan, dhjetra policë e ushtarakë që përballen me krimin për të krijuar ambient prosperiteti, progresiv dhe besim-mirëbesimi… Kohë më parë, ndoshta nga pakujdesia apo lajthitja e zakonshme e politikanëve tanë, apo edhe nga pangopësia harbute, u artikulua mendimi se mund të spostohen varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Personalisht gjykoj se Dëshmorët e Kombit, pra të rënët për liri e mirësi të atdheut, meritojnë të qëndrojnë përjetësisht në lartësi dominuese, ata kanë gjithë të drejtën të hedhin shikimin nga lart – poshtë, ndërsa populli, t’i shikojë me respekt e obligim ata si shpëtimtarë, si shenjtorë dhe gjithnjë nga poshtë – lart, sepse vepra e tyre është e matshme vetëm me vetveten. Asnjë politikan, në çdo kusht e rrethanë, nuk mund të matet me ata, të cilët pa asnjë shpërblim apo ofiq, e vunë jetën e tyre në shërbim të popullit dhe të atdheut. Ata lanë pas krahësh vatrat familjare, interesin dhe rehatinë personale, lanë familjet me një mijë halle, të ndërgjegjshëm se do të rrezikonin jetën e tyre në përballje me pushtuesit. Ata shkuan në luftë për lirinë kombëtare dhe shumë prej tyre u flijuan, jo për t’u pasuruar, as për spaleta e ofiqe në të ardhmen. Ata marrëdhëniet me shtetin i kanë të mbyllura: nuk kërkojnë punë, strehim, pensione, pjesëmarrje në tendera, nuk duan as prona nga pasuria publike etj. Por ata, nga poshtë rrasës së mermerit luten që të kenë të paprekshëm atë copë truall, që objektet përkujtimore të veprës së tyre të ruhen dhe mirëmbahen, që shteti të planifikojë diçka për përkujtimin e ngjarjeve që lidhen me luftën dhe qëndresën për liri e vatan. Lavdia e tyre është e përjetëshme, ata janë të pastër si kristali, prandaj e bashkëshoqërojnë historinë e vendit në çdo hap me krenari të ligjshme, ndërkohë që politikanët shkojnë e vijnë si pranvera që përsëritet çdo vit, disa me kurorë lavdie mbi krye, por disa prej tyre largohen me thesin e gjynaheve, ndaj popullit mbi kurriz, prandaj edhe me njollën e turpit që i ndjek pas gjithë jetën.