Dossier/ Çfarë ndodhi gjatë natës së vdekjes të Mehmet Shehut

1558
Sigal

Mehmeti, si u nxori “kartonin e verdhë” armiqve politikë

ARKIVA / Një vendim që shpallte luftën e klasave. Shteti mbyll dyert për kundërshtarët

Në vendimin me numër protokolli 219, të datës 31 mars 1951, thuhet: “Këshilli i Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë, për të vendosur një kontroll rigoroz në lidhje me mospranimin në punë, si nëpunës e specialistë, të atyre elementëve që pushohen nga puna për qëndrim armiqësor karshi pushtetit popullor, VENDOSI:…”

“Armiqtë” me kartonët e verdhë

Pikë së pari, të gjithë ata që e kishin marrë damkën “armik”, duhet të kishin edhe një shenjë dalluese. Një karton të verdhë. Kështu në pikën e parë të vendimit të Këshillit të Ministrave thuhet: “Urdhërohen gjithë ministrat, drejtorët (ose përgjegjësit) e ndërmarrjeve dhe institucioneve të ndryshme shtetërore dhe kooperativiste si dhe kryetarët e Komitetit Ekzekutiv të KP që nëpunësit apo specialistët që i pushojnë nga puna për qëndrim armiqësor karshi pushtetit, t’i pajisin me nga një kartelë (bojë e verdhë) në formatin dhe përmbajtjen, siç i bashkëngjitet këtij vendimi. Dublikata e së njëjtës kartelë t’i përcillet menjëherë Kryeministrisë (Degës së Fuqisë Punëtore)”.

Seksioni që seleksiononte kundërshtarët

Ndërkohë ajo që i kërkohej Seksionit të Evidencave ishte hapja e një kartoteke ku të seleksionoheshin ata që kishin kartelat e verdha. Në pikën e dytë të vendimit të Këshillit të Ministrave thuhet: “Urdhërohet Dega e Fuqisë Punëtore e Kryeministrisë (Seksioni i evidencës) të krijojë menjëherë kartotekën dhe evidencën e elementit të pushuar për qëndrim armiqësor karshi pushtetit, konform udhëzimeve më të hollësishme që do t i jepen në këtë drejtim”.

Asnjë punë pa librezën e punës

Në filtrin për t’u marrë në punë si punonjës i thjeshtë e për më tepër si specialist, duhet patjetër të kalonin të gjithë punëmarrësit. Dhe nëse punësoheshe pa pasur librezën e punës, përgjegjësia për lëshimin do të ishte e madhe. Në këtë mënyrë, vendimi i Këshillit të Ministrave kishte parashikuar një pikë të tretë ku thuhet: “Asnjë nëpunës apo specialist, nuk duhet të merret në punë, pa paraqitur librezën e punës. Konform urdhëresës së Këshillit të Ministrave mbi librezën e punës, në rast se veprohet në kundërshtim me dispozitën e mësipërme, përgjegjës direkt para Këshillit Ministror janë ministrat dhe kryetarët e Komiteteve Ekzekutive”.

Çfarë ishte “Dega e Fuqisë Punëtore”

Në të gjitha rastet për një punonjës që kërkonte të punësohej në një institucion a ndërmarrje prodhuese, përgjigjej një institucion i veçantë, i ngritur pranë Kryeministrisë dhe i emërtuar si “Dega e Fuqisë Punëtore”. Sipas pikës së katërt të vendimit të Këshillit të Ministrave, ky institucion duhej të deklaronte dhe punëkërkuesi i plotësonte kërkesat apo ai ishte i kategorisë “kartela e verdhë”. Kështu pika katër e vendimit të Këshillit të Ministrave thotë: “Kur një Ministrie, Komiteti Ekzekutiv, Ndërmarrjeje apo Instituti i paraqiten për të kërkuar punë, nëpunës apo specialistë, të cilët nuk kanë librezën e punës, mbahen në evidencë kërkesat e tyre dhe pyetet menjëherë Dega e Fuqisë Punëtore pranë Kryeministrisë, nëse ekziston apo jo emri i tij në evidencën e elementit të pushuar për qëndrim të keq. Në rast se emri i tij ekziston, elementi që është paraqitur për punë nuk merret në shërbim. Pavarësisht dhe nga lajmërimi dhe përgjigjja që pritet nga Dega e Fuqisë Punëtore për të tilla raste, Komiteti Ekzekutiv duhet të bashkëpunojë me Degët e Brendshme dhe të marrin dhe mendimin e tyre”.

Evidencat për punëtorët e thjeshtë

Pika e pestë dhe e fundit e vendimit të Këshillit më Ministrave, kërkon evidentimin e të gjithë punëtorëve të thjeshtë. Në këtë pikë thuhet: “Për të gjithë punëtorët e thjeshtë, që paraqiten për punë pranë qendrave të punës, kantiereve dhe institucioneve të ndryshme, duhet të kryhen nga ana e drejtorive përkatëse, evidenca numerike ekzakte e tyre, duke shënuar emrin, mbiemrin, vendbanimin e tij definitiv, si dhe profesionin që kanë ushtruar deri në atë kohë”.

Firma e Kryeministrit

Edhe pse ende jo Kryeministër i Shqipërisë, por Ministër i Brendshëm, në shkresën me numër protokolli 219, Mehmet Shehu ka firmosur në emër të kryeministrit nën siglën “Kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë”.

 

DUKUMENTET

Dekreti i veçantë që i hoqi ish-kryeministrit Mehmet Shehu, 13 titujt, medaljet dhe shenjat e trimërisë…

Deri tani asnjeri nuk ka qenë në gjendje të thotë me sigurinë absolute 100 për qind, se Mehmet Shehu, natën e ftohtë të 17 dhjetorit të vitit 198, duke gdhirë 18 dhjetori, pasi la dhe një letër lamtumire, qëlloi veten drejt e në zemër me një amë zjarri, pistoletë. Por as siguri 100 për qind se atë e kanë asgjësuar, me helm apo plumb, nuk mund të ketë. Autorët e vërtetë, të shkrehjes së këmbëzës, ai apo ndonjë tjetër pas tij, nuk mund të flasin më. Ndërsa dokumentet, që mund të zbulojnë gjithçka duket se janë konsideruar “Top sekret” për t’u futur në skutat më të errëta të arkivave.  Askush nuk e di me saktësi nëse ish-kryeministri shqiptar u vra apo u vetëvra natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitin 1981. Nata ishte e errët pis, si nëpër filma, bënte ftohtë, binte shi dhe krismën e mbytur të revolverit nuk e dëgjoi askush. Pak orë më parë Mehmet Shehu kishte dalë i tronditur nga një mbledhje e Byrosë Politike, e cila kishte përcjellë jo pak tension tek ai. Fejesa e djalit Bashkim me volejbollisten Silva ishte zhbërë. Por kupola e Komitetit Qendror nuk ishte mjaftuar me kaq. Rastësi, debolesë për fëmijët, apo prapavija e një pune armiqësore? Djali i kryeministrit komunist me vajzën e Turdive të deklasuar? Pikëpyetjet vinin njëra pas tjetrës. Shefi i ashpër i qeverisë, i pacenuar deri në atë kohë, kishte zbritur shkallët e Komitetit Qendror i tendosur e plotë nerv, ndërsa në mendje bluante gjatë gjithë kohës të njëjtën gjë, fundin. Pasi eci pak metra në krah të Enver Hoxhës dhe mori këshillat e rastit, ishte ndarë si hije në terrin që thyhej vetëm nga ca drita neoni të zbehta ndanë rrugës. Hyri i pavëmendshëm në vilën “30”, të blinduar nga rojat e armatosura e civilët që nuk i ndaheshin çdo hap, dhe u ngujua në dhomën e tij të gjumit të ngrohur nga kaldaja. Por i ftohti nuk i kishte dalë. Në veshë i ushtonin zërat kërcënues të atyre që deri në atë çast ai i kishte konsideruar si shokë armësh dhe ideali. Por zhgënjimi nga ajo mbledhje e gjatë ishte edhe më i madh, kur drejt tij hidheshin akuza, të cilat nuk i ishin bërë të ditura asnjëherë gjatë udhëheqjes së tij 27-vjeçare në krye të kabinetit. Akumulimi i gjatë kishte shpërthyer. Orteku i kritikave në Byronë Politike qe i ashpër edhe pse propozimi në fund nuk ishte dhe aq për t’u marrë parasysh. “Vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit”, nuk ishte fundi i botës, por fati i Mehmet Shehut ishte vendosur që pikërisht këtu, pa e marrë këtë vërejtjen e propozuar, bilanci i tij me jetën të ndërpritej.

Fillimi i sulmeve

Lajmi që Kryeministri Shqiptar, Mehmet Shehu pas një krize nervore vrau veten ishte i shpejtë, Lajmi që Mehmet Shehu ishte një armik i partisë dhe i pushtetit popullor ishte po aq i menjëhershëm. Ndërsa pesë ditë pas vetëvrasjes zyrtare, mbi emrin e tij dhe mbi bashkëshorten, e cila ishte ende gjallë filloi sulmi i çmitizimit. Pas emërtimit “armik” u shpejtua për kryqëzimin moral të njeriut që qëndroi në krye të qeverisë për 27 vite me radhë. Breshëritë e sulmeve u takonte atyre me të cilët kishte ndarë të njëjtën llogore dhe që quheshin “shokë lufte”. Kështu, sulmi i parë që ra mbi ish-kryeministrin dhe bashkëshorten e tij, Fiqretin, ishte një projekt-dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor për heqjen e të gjitha titujve dhe dekoratat që u ishin dhënë gjatë 35 viteve.

Dekreti i veçantë:

Gazeta “Telegraf” boton në këtë edicion të rubrikës “Dossier” projekt-dekretin dhe dekretin për heqjen e titujve të çiftit Shehu. Të etiketuar si armiq të popullit dhe të partisë, më datë 23 dhjetor 1981, Presidiumi i Kuvendit Popullor fillon ndoshta të parin sulm zyrtar mbi çiftin Shehu. Me anë të një projekt-dekreti Presidiumi i Kuvendit Popullor, anëtarë i të cilit ishte dhe Enver Hoxha, kërkoi heqjen e titujve dhe dekoratave që Mehmet Shehut i ishin dhënë që nga çlirimi i vendit, si dhe të titujve e dekoratave të bashkëshortes së tij, Fiqretit. Brenda 24 orësh, me firmë të Haxhi Lleshit, ish-kryeministrit më jetëgjatë të vendit iu hoqën të gjitha meritat që i ishin dhënë për veprimtarinë e tij në dobi të vendit.

Titujt e dekoratat

Mehmet Shehu mbante mbi supe plot 13 tituj dhe dekorata duke bërë që të ishte një nga personalitet shqiptare që kishte më shumë të tilla. Dekoratën e tij të parë ai e kishte marrë, më 9 korrik të vitit 1945 dhe të fundit, më 8 janar 1963, ku i jepet titulli “Hero i Punës Socialiste”. Shumica e dekoratave dhe titujve ish-kryeministrit i ishin dhënë për meritat që ai kishte treguar gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe të tjerat për përkushtimin që ai kishte dhënë për rindërtimin e vendit.

Dekreti për heqjen e titujve të Mehmet Shehut

 

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË

PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR

 

DEKRET

PËR HEQJE TË TITUJVE TË NDERIT DHE TË DEKORATAVE

 

Duke u nisur nga veprimtaria si armik i betuar i Partisë dhe i popullit Mehmet Shehut:

 

PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË VENDOSI:

T’i hiqen të gjitha titujt e nderit dhe dekoratat Mehmet Shehut

  1. Titulli “Hero i Popullit”, dhënë me dekret Nr.727, datë 28.11.1948.
  2. Titulli “Hero i Punës Socialiste”, dhënë me dekret nr.3617, datë 8.1.1963.
  3. Urdhri i Lirisë i Klasit I, dhënë me dekret Nr.2586, datë 8.1.1958.
  4. Urdhri i Flamurit, dhënë me vendim Nr.101, datë 9.8.1945
  5. Medalja e Kujtimit, dhënë me vendim Nr.81, datë 9.7. 1945.
  6. Urdhri “Ylli Partizan” i Klasit I, dhënë me vendim Nr. 81, datë 9.7.1945.
  7. Urdhri i Skënderbeut i Klasit I, dhënë me dekret Nr.359, datë 7.7.1947.
  8. Urdhri i Lirisë i Klasit II, dhënë me dekret Nr.61, datë 21.5.1946.
  9. Urdhri i Skënderbeut i Klasit II, dhënë me dekret Nr.55, datë 8.5.1946.
  10. Urdhri i Trimërisë, dhënë me dekret Nr.231, datë 27.11.1946
  11. Urdhri “Ylli i Kuq”, dhënë me dekret Nr.1688, datë 25.6.1953.
  12. Medalja e Trimërisë, dhënë me vendim Nr.168, datë 26.11.1945.
  13. Medalja e Çlirimit, dhënë me vendim Nr.169, datë 26.11.1945.

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Tiranë, më 23.12.1981

Nr. i dekretit: 6473

 

PËR PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË

SEKRETARI KRYETARI

Xhafer Spahiu Haxhi Lleshi

 

ARKIVA: Ja dekreti që zhvishte nga titujt e nderit bashkëshorten e ish-kryeministrit

 

Fiqrete Shehut i marrin nga gjoksi 10 dekorata e medalje

 

Nuk kishte hyrë ende në burg, madje akoma nuk ishte internuar kur doli vendimi që e zhvishte nga të gjitha urdhrat e medaljet që kishte marrë në vite, për aktivitetin e saj në luftë e më pas në ndërtimin socialist të vendit. Bashkëshortja e Mehmet Shehut, Fiqretja, është ndoshta nga të paktat gra me aq shumë medalje, të cilat i vendoste në kraharor në rastet e ceremonive festive. Ajo mbante rreth 10 të tilla, ku të parën e kishte marrë, më 9 gusht të vitit 1945, për veprimtarinë e saj gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe të fundit e kishte marrë, më 15 nëntor të vitit 1969. Më poshtë gazeta “Telegraf” boton dekretin e plotë të heqjes së titujve të saj

 

Dekreti për heqjen e titujve të Fiqrete Shehut

 

PROJEKT-DEKRET:

PËR HEQJE TË TITUJVE TË NDERIT DHE TË DEKORATAVE

Duke u nisur nga veprimtaria armiqësore kundër Partisë dhe popullit e Fiqiret Shehut (Sanxhaktari)

 

PRESIDIUMI I KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË VENDOSI:

T’i hiqen të gjitha dekoratat Fiqret Shehut (Sanxhaktari):

  1. Urdhri i Lirisë i Klasit I, dhënë me dekret Nr.4579, datë 15.11.1969.
  2. Urdhri i Lirisë i Klasit III, dhënë me dekret Nr.61, datë 23.5.1946.
  3. Urdhri i Flamurit, dhënë me vendim Nr. 101, datë 9.8.1945.
  4. Medalja e Kujtimit, dhënë me dekret Nr. 57, datë 8.5.1946
  5. Medalja e Çlirimit, dhënë me dekret Nr. 57, datë 8.5.1946
  6. Medalja e Trimërisë, dhënë me dekret Nr. 57, datë 8.5.1946
  7. Urdhri “Ylli Partizan” i Klasit II,dhënë me dekret Nr.968, datë 26.11.1949
  8. Urdhri i Trimërisë, dhënë me dekret Nr.968, datë 26.11.1949
  9. Urdhri i Lirisë i Klasit III, dhënë me dekret Nr.2987, datë 12.11.1959.
  10. Urdhri i Punës i Klasit II, dhënë me dekret Nr.1357, datë 7.11.1951.

 

PËR PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR TË REPUBLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË

 

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë

Tiranë, më 23.12.1981

 

SEKRETARI KRYETARI

Xhafer Spahiu Haxhi Lleshi

VENDIMI I

Vendimi i Këshillit të Ministrave thotë: “Urdhërohen gjithë ministrat, drejtorët e ndërmarrjeve dhe institucioneve të ndryshme shtetërore dhe kooperativiste si dhe kryetarët e Komitetit Ekzekutiv të KP që nëpunësit apo specialistët që i pushojnë nga puna për qëndrim armiqësor karshi pushtetit, t’i pajisin me nga një kartelë, bojë e verdhë.

 

VENDIMI II

Vendimi i Këshillit të Ministrave thotë: “Urdhërohet Dega e Fuqisë Punëtore e Kryeministrisë (Seksioni i evidencës) të krijojë menjëherë kartotekën dhe evidencën e elementit të pushuar për qëndrim armiqësor karshi pushtetit, konform udhëzimeve më të hollësishme që do t’i jepen në këtë drejtim”.

 

VENDIMI III

Vendimi i Këshillit të Ministrave thotë: “Asnjë nëpunës apo specialist, nuk duhet të merret në punë, pa paraqitur librezën, konform urdhëresës së Këshillit të Ministrave mbi librezën e punës. Në rast se veprohet në kundërshtim me dispozitën e mësipërme, përgjegjës direkt para KM janë ministrat dhe kryetarët e Komiteteve Ekzekutive”.