Dosier nga Dalip Greca/ Emigrimi nga Himara në Amerikë i Bahri Omarit.

990
Sigal

Bahri Omari: Edhe në varr do t’i shërbej atdheut

 

Kur u organizua nga “VATRA” Fushata e 3 Qershorit 1917: “Për Shpëtimin e Shqipërisë” dhe u siguruan $150 mijë dollarë, Editor i Diellit ishte Bahri Omari, Kryetar i Vatrës, Kolë Tromara. Për ironi të fatit, që të dy iu nënshtruan Gjyqit Special dhe po të dy u ekzekutuan tek Kodra e Priftit, më 14 Prill 1945….si tradhtarë

 

Nga Dalip Greca, Kryeredaktor i Gazetës “Dielli”

 

Më 10 Shkurt 1889 lindi në Gjirokastër Bahri Omari, një ndër intelektualët idealistë, që për fat, rrethanat jetësore do ta sillnin në moshën 27 vjeçare në SHBA, për të marrë drejtimin e gazetës “Dielli” në kohë kritike, kur fatet e Shqipërisë ishin në duart e Shqiptarëve të Amerikës, Kur “Vatra” vepronte në vend të shtetit të vdekur shqiptar. Në kohën e Bahri Omarit si editor i “Diellit” dhe Kol Tromarës si Kryetar i “Vatrës”, Perëndia kishte zgjedhur Shqiptarët e Amerikës që të shpëtonin Shqipërinë. Kështu shkruante “Dielli” i 3 Qershorit 1917, Ku dy “kokat” e “Vatrë-s”, udhëhiqnin fushatën “Për Shpëtimin e Shqipërisë”, që i priu dhe siguroi mbrojtjen e Pavarësisë së humbur në Konferencën e Paqes në Paris. Por, ndërsa Kol Tromarën e Bahri Omarin, Perëndia i vuri në krye të shqiptarëve të Amerikës për të shpëtuar Shqipërinë, Qeveria komuniste e Enver Hoxhës ua shpërbleu tragjikisht, duke u dhënë plumbin për të vetmin faj, se e deshën Atdheun!

U kthyen, pa e ditur se po firmosnin aktin e fundit të tragjedisë së tyre. Dhe të dy, ashtu si dhe bashkëluftëtari i tyre, Vatran Aqif Përmeti, u përballën me gjyqin absurd special, ku atdhetarët akuzoheshin për tradhtarë. I dënuan me pushkatim. Bahri Omari në fjalën e fundit para Trupit Gjykues tha: ”Unë nuk kërkoj mëshirë, kërkoj drejtësi (Sipas Testamentit të ish-Kryeprokurorit Bedri Spahiu). Edhe në qeli, në pritje të pushkatimit, Bahri Omari do të tregonte shpirtin fisnik. Kur i biri e vizitoi në qeli, i tregoi se po bënin përpjekje për t’ia shpëtuar jetën, ai edhe pse nuk besonte tek falja e komunistëve, e porositi të birin: Kini parasysh edhe Kolën (Tromarën) se ai nuk ka kënd…Natyrisht që vendimi nuk ndryshoi. Të 17-t e dënuar nga gjyqi special u pushkatuan, më 14 prill 1945. Sipas dëshmisë të Astrit Bishqemit, të birit të Tahsim Bishqemit (i pushkatuar), i cili ndoqi i fshehur skenën e pushkatimit tek Kodra e Priftit dhe kishte dëgjuar zërin e fortë të Bahri Omarit, drejtuar Kryeprokurorit Bedri Spahiu, kur iu kërkuan të kthenin shpinën nga skuadra e pushkatimit: “Dëgjo Bedri Spahiu, unë nuk jam tradhtar dhe nuk e kthej kurrizin. Ta dish se dhe nga varri, Bahri Omari, do të punojë për Shqipërinë!” (referuar librit “Bahri Omari-Jeta dhe veprimtaria”, e autores Donika Omari.… Por le të kthehemi pas në kohë.

 

Bahri Omari, nga Himara në Shba

 

Bahri Omari ishte i biri i Iliaz Omarit, vëlla i vetëm i dy motrave nga një familje atdhetare gjirokastrite. U arsimua në Gjirokastër dhe Janinë, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll, në Mekteb-i Mylkije. U diplomua në shkencat administrative, më 1910. Pati punuar nëpunës i administratës në Kurvelesh, ndërsa prag-shpallja e pavarësisë e gjeti si nënprefekt në Himarë. Këtë post e mbajti edhe pas shpalljes së qeverisë së Vlorës, ku u shqua në përballjen me armë në dorë kundër andartëve grekë ”vorio-epiriotë”.

Si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë të kohës së Luftës Ballkanike, Bahri Omari zgjodhi rrugën e emigrimit. Mbërriti në Amerikën e Veriut, fillimisht në Bufalo, dhe u vu në dispozicion të Federatës Pan- Shqiptare të Amerikës.

Bahri Omari erdhi në krye të “Diellit” në këto rrethana: Paqja mes Kostë Çekrezit, editorit që e bëri “Diellin” të përditshëm, që me 8 nëntor 1915, dhe Komisionit të “Vatrës”, nuk qe e qëndrueshme. Komisioni që u mblodh, më 19 dhjetor 1915, nuk e pranoi kandidaturën e Kostë Çekrezit me argumentin se ai kishte shkelur konditat me të cilat qe marrë vesh me Komisionin, të cilat ishin botuar edhe në numrin 528 të gazetës.

Detyra e Editorit të “Diellit” iu nga ngarkua përkohësisht kryetarit të asaj kohe, Fan S Nolit. Kështu vendosi Komisioni me shumicë votash dhe Noli nuk e refuzoi detyrën deri në Kuvendin e radhës. Për rreth 7 muaj gazeta “Dielli” u editua nga Imzot Fan S. Noli me ndihmës Editor, Andon Frashërin.

 

Bahri Omari dhe Rauf Fico, dy kandidatët për editor

Diskutimin për dy kandidatura për editor të “Diellit” gjenden në rekordin e “Vatrës”, mbajtur nga Komisioni që drejtonte “Vatrën”. Rekordi që ndodhet në arkivin e federatës mban datën 7 Maj 1916. U la që dy kandidatët e rinj të paraqiteshin para Komisionit për t’u intervistuar se çfarë platformash mendonin për ta bërë gazetën më të fuqishme. Një muaj më vonë, në një rekord tjetër të Federatës “Vatra”, që mban datën 8 qershor 1916, informohemi se ishin paraqitur dy kandidatura për t’u shqyrtuar; ajo e Bahri Omarit dhe e Rauf Ficos. Do të zgjidhej njëri prej tyre. U mor vendimi që Kuvendi vjetor të mblidhej sipas Kanunores, më 2 deri 4 korrik 1916 dhe aty të vendosej edhe për editorin e ri.

Në seancën e ditës së katërt të Kuvendit, që i kishte nisur punimet të dielën, më 2 korrik, u shtrua para delegatëve kandidatura e Bahri Omarit si editor i Diellit. Ai u pranua njëzëri. Kandidatura e dytë, ajo e Rauf Ficos, që më vonë do të bëhej një nga diplomatët më të zëshëm të Shqipërisë, nuk u hodh në votë për dy arsye; së pari Omari mori shumicën e votave, së dyti, sepse miqtë e kandidaturës së dytë argumentuan se z. Fico ndodhej në Elbasan dhe nuk mund të vinte në këtë kohë trazirash nga Shqipëria në Amerikë. U vendos që rroga e editorit të ishte 70 dollarë në muaj, ndërsa e menaxherit të “Diellit” 50 dollarë në muaj (Kuvendi zgjodhi Mahmud Përmetin menaxher) dhe ndihmës editor u rizgjodh Andon Frashëri, rroga e të cilit u caktua 40 dollarë në muaj. Edhe një vit më pas, në Kuvendin e 1-13 korrikut 1917, kur kandidatura e Bahri Omarit kishte përballë kandidatin Kostë Çekrezi, doli sërish fitues me 40 vota nga 32 që mori Çekrezi.

Nën drejtimin e Bahri Omarit “Dielli” vijoi të kryejë misionin e tij informues dhe të rrisë patriotizmin në radhët e shqiptarëve të Amerikës, të përcjellë frymën vatrane në çdo koloni ku jetonin shqiptarët. Rritjes së frymës Kombëtare gazeta i jepte përparësi duke i parapërgatitur shqiptarët e Amerikës për sakrifica në emër të Atdheut që vuante nën pushtim dhe egërsinë e fqinjëve që synonin për ta ndarë copash Shqipërinë. Evokimi i figurave kombëtare ishte një formë që “Dielli” e përdori për të rritur shpirtin patriotik. Përmes gazetës mësojmë se shqiptarët e Amerikës nën drejtimin e “Vatrës” po përgatiteshin për të kryer detyrën e mbrojtjes së Shqipërisë në mungesë të Shtetit. Për këtë qëllim Komisioni kishte shtruar detyrën që të dërgohej në Evropë Mehmet Konica me kredenciale për mbrojtjen e çështjes shqiptare. “Vatra” kishte kohë që vepronte në vend të shtetit të munguar. Nën drejtimin e Bahri Omari “Dielli”, përveçse vazhdoi të publikohej si gazetë e përditshme, u zmadhua edhe në format dhe doli me gjashtë shtylla (Kolona). Kjo ndodhi, më 30 dhjetor 1916. Bahri Omari përcolli ngjarje dhe zhvillime të vrullshme që po ndodhnin përgjatë luftës botërore. Hyrja e Amerikës në luftë, në prill të vitit 1917 e kishte bërë “Vatrën” të intensifikonte veprimtaritë për t’i paraprirë sigurimit të pavarësisë së humbur. “Dielli” dhe vatranët duartrokitën ngritjen e Flamurit shqiptar nga ushtria franceze në Korçë. Me këtë rast gazeta e “Vatrës” shkroi se Shoqëria korçare “Arsimi” organizoi një miting madhështor në Boston, duke pasur edhe mbështetjen e “Vatrës”, ku drejtues dhe folës kryesor ishte Kristo Kirka, ndërsa Thoma Natsi drejtoi muzikën.

 

Kur Bahri Omari ngjatjeton vatranët

Në numrin e parë të “Diellit” të drejtuar prej Bahri Omarit, 7 Korrik 1916, publikohet editoriali me titull ”Mirë se ju gjeta”!. Mënyra e komunikimit të editorit me vatranët në veçanti dhe lexuesit në përgjithësi është e hapur dhe e sinqertë: “ Dëshira e madhe që kam pasur kurdoherë se si t’i shërbej atdheut dhe Kombit m’u kurorëzua me redaksinë e “Diellit”, me shërbimin më të ëndërruar, e cila është arma më e madhe në botë. Shtypi është, siç duan ta thonë disa shkrimtarë të dëgjuar, e katërta fuqi përmbi të tri fuqitë që janë në qeveritë konstitucionale. Me rëndësinë e madhe që ka shtypi, është i zoti të sjellë fitim a dëme të mëdha si pas qëllimit që ka përpara…”

Editori zotohej para lexuesve që në editorialin e parë: :Do të derdhim të gjithë fuqinë për mbrojtjen e Atdheut dhe e vetmja politikë që do të ndjekë “Dielli” do të jetë përlindja shqiptare.

Editori Omari u jepte fjalën vatranëve se do të ndiqte vetëm rrugën kombëtare dhe se “Diellin” do të përpiqej ta zmadhonte e ta zbukuronte me qëllim që, të kishte një vend të ndritshëm midis gazetave më të mira të kohës. Ai ndjehej krenar për shqiptarët e Amerikës, të cilët meritojnë, siç shkruante ai, më të madhen lavdi për zhvillimet dhe përparimet që kanë rrëfyer e po rrëfejnë në fushën kombëtare; cilësitë patriotike të shqiptarëve të Amerikës janë shumë më të larta se mburrjet tona: Shpresa jonë është lidhur gjithë në mbrojtjen dhe përkujdesjen e asaj patriotizme.

Editori i paralajmëronte shqiptarët e Amerikës se beteja për ta bërë Shqipërinë do të ishte e gjatë dhe e vështirë sepse: “Shqipëria është vendi ku përplasen valët e intrigave dhe lakmive të fqinjëve dhe është bërë një “Top” në duart e diplomacisë evropiane, prandaj ne shqiptarët, sipas vendit gjeografik që kemi (të lakmuar nga të tjerët) duhet të punojmë më shumë se kombet e tjerë të Ballkanit… Për atdhetarët e vërtetë, dëshpërim nuk ka kurrë, mundimet tona do t’i përhapin ret’ e zeza që po mbulojnë horizontet e Atdheut”.

Një leksion edhe për politikanët e sotëm

 

Shumë nga editorialet e Bahri Omarit, edhe pse janë të shkruara një shekull më parë mbeten leksione për politikën dhe në ditët e sotme. Ndiqeni editorialin e 20 Korrikut 1916” Sëmundjet morale”. Nën këtë titull editori zbërthen atë që e quan sëmundje epidemike të shqiptarëve: Sëmundja e politikës. Ai konstatonte se çdo shqiptar sheh një farë autoriteti në veten e tij, duke e gjetur veten të aftë që të bisedojë nga çdo pikëpamje mbi politikën e përgjithshme, dhe më shumë për politikën e vendit të tij. Editori e zbërthen dukurinë në kompleksitetin e saj dhe mban qëndrim kritik: “Shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke e bazuar gjykimin tonë mbi ca fjalë të thata liksht dëgjuar andej- këtej, pa pasur as të paktën ndonjë njohuri për biografinë e atij njeriu që dënohet ose çnderohet. Tjetri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh broçkulla, dhe në daç t’i mbushësh mendjen, atë çast të merr nëpër këmbë dhe të shpall të paditur…”

Leksioni i editorit ka vlera edhe sot: “Më e madhja çudi është kur përdorin fjalët e reja, pa i kuptuar i pëlcasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vendeve tona, e cila bren gjendjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani` në kombet e qytetëruar. Më të shumtët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë tërhequr vëmendjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre që e kanë për detyrë. “

Editori B. Omari, gjykon se shqiptarët po trashëgonin një sëmundje greke, se më shumë ndër grekër ishte e përhapur kjo sëmundje. Ku është e keqja? Kjo sëmundje, shkruan Omari, ndalon njerinë të përparojë në punën e tij. Sëmundja politike të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin, të nervozohesh. “Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë!”, këshillonte editori Omari.

Editori përpiqet që përmes “Diellit” të edukojë shqiptarët. Për Bahri Omarin, padija ndahet në dy: “Një është ai që s’di dhe e tregon padijen. Tjetri është ai që s’di dhe s’ia ka për pesë.”

Editori e quan mjerim të madh për shqiptarët që shiten si të ditur, kur nuk dinë asgjë. Ai godet veset e shqiptarëve, krekosjen, egoizmin, sharlatanizmin, dhe u kërkon shqiptarëve të përkrahin idealizmin sepse kështu i shërbejnë atdheut dhe Kombit. Ai kërkon një qeverisje shqiptare me themele e moral të fortë, se morali i prishur kalbëzon rrënjët e qeverisë dhe e rrokullis në humnerë.

 

Pena e hidhur ndaj armiqve dhe tradhtarëve

Nën penën e Bahri Omari, “Dielli” solli në fokus shqetësimet e Shqipërisë për mbijetesë, i grisi maskën “qytetërimit” Evropian, efektet e të cilit i provuan në kurriz shqiptarët: “Kur u shkel Shqipëria prej fqinjëve të saj, sa i mori në sy Evropa të drejtat e Shqipërisë që i rripej lëkura prej qeverive barbare nën maskën e qytetërimit? Më në fund Evropa i gostiti dhe me nga një thelë nga trupi shqiptar. Pyesim: Ku është qytetërimi? Ku janë mbrojtësit e atyre principeve të nacionaliteteve, ku janë autorët italianë që i kanë kryer në shesh këto principe? Sa serbfolës ka në Kosovën Shqiptare? Nuk mjaftoi ç’iu dha këtij barbari sllav po dhe ta madhojmë më? Neve bërtasim se e dimë që shpata do kërcasë në kokën tonë. Se Serbi s’e ka synë veçse në Adriatik, dhe ëndërron Durrësin.” Përfundimi i analizës së Omarit është: “Qytetërimi përdoret në duart e të mëdhenjve si vegël për t’u edukuar të vegjëlve dëshirat e tyre me veshjen e drejtësisë Kurdoherë idealet dhe qëllimet janë bërë dëshmorë të padrejtësisë dhe t’interesit” (Dielli 25 Korrik 1916.)