Doc. Kadri Dingu/ Mbi tradhtinë e Ahmet Zogut më 7 prill 1939

914
Ish kryetari i Këshillit të Lartë të shtetit, Mirash Ivanaj në ditarin e tij dy ditor 6-7 Prill 1939, shkruan për vërtetësinë e tradhtisë së Zogut, të ministrave e të gjeneralëve të tyre, që sabotuan rezistencën e popullit shqiptar ndaj pushtimit të Shqipërisë nga forcat ushtarake të Italisë Fashiste. I zhgënjyer nga politika zogiste, ai në këtë ditar jep fakte për makinacionet e fshehta të bëra nga Zogu e qeveritarët e tij në bashkëpunim me diplomatët dhe ushtarakët italianë në Shqipëri për sabotimin e rezistencës popullore e të ushtrisë shqiptare, si dhe mashtrimin e popullit shqiptar në këto ditë të rënda për fatet e atdheut tonë.
Në hyrje të ditarit të tij shkruan: “Teksa shikoja avionët e parë italianë që fluturonin mbi qiellin e Tiranës, pasdites të 6 prillit 1939, nuk besoja se pushtimi italian do të ndodhte pas 24 orësh. Diçka më bënte që mos ua ndaja sytë këtyre avionëve që i numëron që ishin plot 32. E para dëshmi që më futi në ankth ishte se shteti shqiptar do të dorëzohej pa luftë, se të gjithë oficerët e lartë ishin përgatitur për t’u larguar me të gjitha familjet, ose pa ato jashtë shtetit. Ato ishin mbledhur në komandën e lartë për të gatuar planin e largimit, sapo të merrnin rrogat. Mund të thuhet se sot komanda tek ne nuk ka”. Një tjetër dëshmi qe se Ministri i Brendshëm, Musa Juka, kishte tre ditë që kishte nxjerrë familjen e tij jashtë kufirit në Greqi dhe për përgatitjen e rezistencën nuk shoh të bëhet gjë. Siç shihet, Zogu me ushtarakët e tij nuk organizojnë asnjë rezistencë të armatosur ndaj forcave pushtuese italiane, por ai e salutoi organizimin e qëndresës popullore. “Më 6 Prill 1939, në orën 10:00,- shkruan autori Ivanaj,- ndalem në trotuarin e rrugës së Kavajës, kundrejt portës të oborrit të gjimnazit (shkollë) kishte shumë nxënës. Pyeta një qytetar për qëllimin e kësaj mbledhje, ai m’u përgjigj se ata kërkojnë të regjistrohen vullnetarë. Koloneli i kishte thënë se do t’i jepnin armë. Por unë besoj se koloneli ka dashur t’i heqë qafe”. Ai shkruan se Mehmet Konica ka folur përpara popullit, ku ka thënë: “Ç’kërkon populli armë? Armët nuk janë për popullin, populli duhet të shpërndahet”. Ndërsa historiani Muharrem Dezhdiu ka shkruar se Zogu nuk i dha armët popullit për ta ruajtur atë që të mos vritej. Më poshtë shkruhet: “Me 7 Prill 1939 u bë e qartë se çfarë përfundimi do të kishin paralajmërimet e paraqitura nga Rama. Një ditë më parë dëgjova se mbreti Zog, kishte thënë: “Jam malësor me opinga në këmbë, do të qëndroj me shqiptarët e mi nëpër malet e Atdheut”. Por ky entuziazëm i imi do të binte menjëherë”. “Në takimin atë ditë me ministrin e Punëve të Brendshme, Musa Jukën, i thashë se populli kërkon armë për të luftuar. Ai më tha se janë marrë të gjitha masat dhe ushtria është në vendin e duhur. Për popullin nuk kemi armë e municione të mjaftueshme, por edhe sikur të kishim, popullit nuk do t’i jepnin”. Më poshtë Ivanaj tregon për veprimet e fshehta të Zogut me në krye diplomatin italian në Shqipëri, Jakomonin. Në orën 9, më 7 Prill 1939, para Legatës italiane ndalet një veturë, nga ajo doli Jakomoni dhe një tjetër. Arsyen e kësaj shëtitje të lirë të tyre nuk e kuptoja. Por më vonë mora vesh se Zogu kishte dërguar atë bashkë me një ministër të tij tek gjenerali italian Guzzoni që ishte në një anije luftarake në det, afër portit të Durrësit, për ta lutur që të urdhëronte në tokën shqiptare (gjeneral Guzzoni ishte komandanti i forcave pushtuese italiane). Më tej ai vazhdon: “Në këtë kohë nga Durrësi na vinin lajme se mungonte një rezistencë e organizuar. Këtë e tregonte fakti se në orën 15:00 të 7 Prillit, para komandës në Tiranë, nga një makinë zbriti Abaz Kupi. Unë nuk i besova syve të mi. Si është e mundur që një komandant të largohej nga sheshi i luftimeve. Ardhja e tij mos ishte paralajmërimi i mbërritjes të italianëve. Kur u përhap lajmi se Zogu dhe familja e tij të hipë në makina, kujtuan se ishte nisur drejt Burrelit. Por më vonë morëm vesh se karvani kishte marrë rrugën e Elbasanit, vetë Ivanaj ndjek rrugën e Elbasanit, takon karvanin e mbretit e pasi kalojnë Korçën, Zemlakun, Zogu kalon kufirin me Greqinë. Dhe vetëm këtu kryetari i Këshillit të Lartë të shtetit u bind se Shqipëria u pushtua, se mbreti Zog, ministrat e gjeneralët e tij e kishin tradhtuar atdheun. Të dhënat e këtij ditari kanë vlerë aktuale, se demaskon propagandën e Legalistëve që bëjnë sot për të mohuar tradhtinë e Mbretit të vetëquajtur të Zogut. E vërteta historike tregon se Abaz Kupi, më 7 Prill 1939, si komandant i xhandarmërisë dhe si anëtar i shtabit operativ ushtarak në Durrës, nuk ka zbrazur asnjë pushkë dhe nuk ka dhënë asnjë provë trimërie në luftimet që u zhvillua kundër forcave pushtuese italiane në Durrës, në operacionin e zbarkimit të tyre. Qëndresën e bënë patriotët shqiptarë që luftuan me armë e ranë në fushën e betejës, ndërsa Abaz Kupi i vazhdoi luftimet nga ura e Dajlanit, kodra e Rrashbullit dhe së fundi nga Shijaku.
Sigal