Diversantët dhe Sigurimi i Shtetit

2590
Nga Ergys ALUSHI
Tërheqja e gjermanëve dhe çlirimi i vendit nga ushtritë partizane. Sulmi në mbrëmjen e 22-23 janarit 1945 në Koplik, Brigada e 5 Sulmuese dhe roli i Mehmet Shehut, grupet antikomuniste, reagimi i Enver Hoxhës, spastrimet dhe radioloja “Buza e Bredhit”, pseudonimet, kapja e parashutistëve dhe radiogramet
Malet e Veriut të Shqipërisë ishin kthyer në zona të luftimeve të ashpra, ku të vrarët ishin të shumtë nga të dyja palët, të cilat kërkonin me çdo kusht marrjen e kontrollit të territorit ku vepronin. 

Por edhe në Jug të vendit ku komunistët ishin më të fortë e të pushtetshëm, me mbështetje më të madhe popullore, situate nuk ishte e qetë

Në mbrëmjen e 22-23 janarit 1945, grupet antikomuniste me Llesh Marashin në krye sulmojnë Koplikun, Hasan Isufi, Bërdicën, Ded Shabani Lezhën dhe në Shkodër po ngrinin krye organizatat klerikale Demokristiane e Franceskane

Komunistët hedhin në fushën e betejës, njeriun që e konsideronin si më të fortin e më të patolerueshmin në drejtimin e Brigadës së 5 Sulmuese, Mehmet Shehun.

Në Shkodër do të kapej e do të akuzohej nga komunistët si bashkëpunëtorë në “përmbysjen e pushtetit popullor” edhe i dërguari i Vatikanit Dom Alfons Tracky.

“Tomori”, “Ylli”, “Fajkoi’ ishin disa nga pseudonimet e anëtarëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët ishin “të arratisur që endeshin maleve për të organizuar forcat kundër regjimit komunist”.

Radioloja “Buza e Bredhit” ishte e para e këtij lloji e zhvilluar nga Sigurimi i shtetit, e cila filloi më datën 15 korrik dhe zgjati më shumë se 4 muaj

Tërheqja e gjermanëve nga Shqipëria nëpërmjet qytetit të Shkodrës, shënoi edhe fundin e luftës për çlirimin e vendit nga ushtritë partizane të udhëhequra nga partia komuniste. Por, ndërsa në pjesën më të madhe të qytete të vendit ku ishte përhapur lajmi i çlirimit, kishte filluar festa, aq sa mund të festohej nga një popullatë e dëmtuar nga lufta, një pjesë e shqiptarëve që nuk pajtoheshin me komunistët, filluan qëndresën e armatosur.

Në disa krahina të vendit, grupime shqiptarësh, kryesisht përfaqësues shtresash të pasura, kundërshtarë të partisë komuniste dhe ardhjes së tyre në pushtetin e pas Luftës, u organizuan në grupime të armatosura, të cilat regjimi komunist gjatë gjithë pushtetit të tij i konsideroi “banda të armatosura” u hodhën në kundërveprim. Vetëm tek Ura e Geghysenit të Tropojës dhe Kolosian të Binajt, pas një lufte të përgjakshme, me dëme në njerëz nga të dyja palët u asgjësua grupi i armatosur i Halil Alisë, që vepronte në këto zona, në vitin 1946. Në të njëjtën kohë, grupe të armatosura në drejtimin e Pren Calit do të sulmonin forcat komuniste në zonën e Koplikut, të mbështetura dhe nga njerëz të armatosur të drejtuar nga Llesh Marashi. Ndërkohë të tjera grupime në drejtimin e Hasan Isufit dhe Ded Shabanit, ishin hedhur në veprim për të sulmuar e rimarrë Lezhën, me qëllim pushtimin e Shkodrës. Malet e Veriut të Shqipërisë ishin kthyer në zona të luftimeve të ashpra, ku të vrarët ishin të shumtë nga të dyja palët, që kërkonin me çdo kusht marrjen e kontrollit të territorit ku vepronin. 

“Tash është situatë më e volitshme për t’ju përgjigjur qëllimit” – I shkruante Muharrem Bajraktari gjeneralit Hogdson, shefit të misionit anglez atë kohë në Tiranë. Misionet e huaja në Tiranë, kryesisht angleze e amerikane, ishin të interesuara për mosvendosjen e pushtetit komunist në Shqipëri, por edhe nuk mund të dilnin hapur në mbrojtje të grupimeve të armatosura që luftonin me armë në dorë kundër këtij pushteti. Por edhe në Jug ë vendit ku komunistët ishin më të fortë e të pushtetshëm, me mbështetje më të madhe popullore, situata nuk ishte e qetë. Edhe në këtë territore të vendit kishin filluar të vepronin grupe të armatosura që kundërshtonin me armë ne dorë pushtetin e ri. Në Elbasan, sipas dokumenteve të kohës, vepronte grupi i kryesuar nga Azis Biçakut dhe Alush Leshanakut, Në Peqin e Lushnjë grupi i drejtuar nga Isa Manasterliu dhe Hamit Matjani, në Vorë e Shijak grupet e Musa Picarit e Xhemal Gjergjit, në Vlorë grupi i Lahe Nurse, në Fier grupi i Xhavit Qerimit e të tjerë.

Reagimi Enver Hoxhës
Në urdhrin e datës 19 janar 1945 drejtuar shtabeve të korpusit të 3 e divizionit 3 e 4 të UNÇSH, shkruhet ndër të tjera ; “Mbeturinat e reaksionit në Shqipëri e kanë mbledhur veten dhe po zhvillojnë një aktivitet të shumanshëm. Nëse nuk do të marrim masa, këto forca reaksionare e çerdhe të reaksionit mund të bëhen valë e lëvizjeve reaksionare e të kërcënohet pushteti’

Sulmohet Kopliku e Lezha
Në mbrëmjen e 22-23 janarit 1945, grupet antikomuniste me Llesh Marashin në krye sulmojnë Koplikun, Hasan Isufi Bërdicën, Ded Shabani Lezhën dhe në Shkodër po ngrinin krye organizatat klerikale Demokristiane e Franceskane nën drejtimin e misionit anglez që kishte shkuar ato ditë në Shkodër. Gjendja ishte tepër serioze dhe e tensionuar. Ishte gati shpërthimi i një lufte të re, por që në këtë rast do të ishte një përplasje midis shqiptarësh, të ndarë pro dhe kundër pushtetit komunist që kishte filluar të vendosej në vend. Komunistët hedhin në fushën e betejës, njeriun që e konsideronin si më të fortin e më të patolerueshmin në drejtimin e Brigadës së 5 Sulmuese, Mehmet Shehun.

Spastrimi
Drejtuesit më të lartë komunistë në vend dhe ata që i mbështesnin e kishin të qartë që, nëse nuk realizohej spastrimi total e final i këtyre grupimeve të armatosura, nuk mund të kryhej konsolidimi i pushtetit komunist dhe të krijohej siguria në vend. Veprimi për një kohë të gjatë i këtyre grupimeve në terren, do të krijonte shtrirjen më të madhe të tyre dhe shtimin e njerëzve që mund t’i mbështesnin. Ndaj u vendos spastrimi në shkallë të gjerë e për ta kryer këtë u organizuan operacione në shkallë të gjerë, gati në të gjithë vendin, kryesisht dhe më ashpër në Veri të vendit. 

Luftime më të ashpra se në Kelmend u zhvilluan në malet e Rajës, dhe në Lumë të Kukësit. Në malet e Rajës dhe tek Ura e Geg Hysenit, forcat e armatosura të kryesuara nga Halil Alia dhe Mark Gjonmarkaj që në përplasjet e para me komunistët lanë 54 të vdekur dhe të mbytur në lumin e Drinit, 18 të plagosur dhe 15 robër. Si pasojë e rrethimit nga shumë drejtime dhe thirrjet e herë pas hershme për t’u dorëzuar “600… banditë u dorëzuan në komandën e vendit Berishë…”

Dy javë pas ngjarjeve në malet e Rajës dhe dorëzimit të 600 vetave në komandën e vendit, Halil Alia në krye të asaj çfarë kishte mbetur nga grupi i tij i armatosur, u rrethua në Kolosian nga forcat e ndjekjes së UNÇSH. Në këtë rrethim mbeti i vrarë edhe kreu u grupit Halil Alia. 

Operacionet ndëshkimore të spastrimit pasuan me kapjen në kishën e Bzhetës, Shkodër, të Idriz Jazos, që ishte cilësuar nga komunistët si kriminel lufte, u kapën edhe Pashko Vata e Pjetër Prenga.

Më 31 janar 1945 gjykata ushtarake në Shkodër dënoi me vdekje 11 vetë që pushteti komunist i akuzoi si krerë të grupeve të armatosura nga 120 që u zbuluan dhe u kapën si Dom Lazër Shantoja, Sulçe Beg Bushati, Kol Sheldia e të tjerë. Në Shkodër do të kapej e do të akuzohej nga komunistët si bashkëpunëtorë në “përmbysjen e pushtetit popullor” edhe i dërguari i Vatikanit Dom Alfons Tracky. Bashkë me priftin e Vatikanit, me origjinë austriake vepronte edhe zbuluesi i njohur gjerman oficeri Viktor Pamny, i cili u kap në Dukagjin më 12 shkurt 1945.

Operacionet e komunistëve u zhvilluan sipas shkallës së veprimtarisë së kundërshtarëve të tyre. Kështu, ndërsa në Veri, ata vepronin me ushtri të mëdha të organizuara, i njëjtë ishte dhe operacioni I komunistëve, ndërsa në Jug, ku antikomunistët vepronin me grupe të vogla, komunistët u kundërpërgjigjën me reparte të vogla ushtarake të sapodala nga lufta. 

Në luftimet e Malësisë së Madhe nga luftimet midis forcave kundërshtare mbetën 44 të vrarë e 21 të plagosur nga forcat antikomuniste, ndërkohë që 3 të vrarë e 10 të plagosur nga forcat komuniste. 

Përgatitja e kundërsulmit
Me gjithë operacionin e madh të spastrimit që u shoqërua me arrestime, vrasje e dënime me vdekje e shkallë të ndryshme, përsëri grupet antikomuniste në vend, nuk e ulën ritmin e veprimeve kundër forcave komuniste. Pas dëmit që pësuan në periudhën janar-shkurt 1945, këto grupe filluan të riorganizoheshin dhe po përgatiteshin për të kundërsulmuar. Sipas dokumenteve të kohës, 3538 ishin njerëzit e përfshirë në grupe të armatosura. Veç këtyre, forcat antikomuniste numëronin edhe 95 grupe e organizata klandestine me 1223 veta, që të gjithë së bashku po përgatiteshin për kundërsulmin ndaj forcave komuniste. Momenti më i volitshëm për këto forca ishte zgjedhur 2 dhjetori i vitit 1945, kur do të zhvilloheshin zgjedhjet për pushtetin e ardhshëm. Por, që në përballjen e parë me forcat komuniste, humbjet do të ishin të mëdha për forcat antikomuniste, të cilat deri në 11 janar të vitit 1945 u asgjësuan 4505 pjesëtarë të këtyre forcave.

Viti 1949.
Organet e Sigurimit të Shtetit u informuan se një grup agjentësh të një zbulimi të huaj, kishin hyrë në Shqipëri me ndihmën e një nëndetëseje dhe ishin strehuar në thellësi të maleve. Për të kapur grupin dhe asgjësuar atë, u ngarkua një grup i mirë stërvitur i Sigurimit, i drejtuar nga njeriu me pseudonimin “Tomori”. Misioni do të ishte i vështirë pasi grupi do të endej nëpër male për të krijuar alibinë, se ishin të arratisur nëpër male dhe se luftonin kundër pushtetit komunist. “Tomori”, “Ylli”, “Fajkoi’ ishin disa nga pseudonimet e anëtarëve të Sigurimit të Shtetit, të cilët ishin “të arratisur që endeshin maleve për të organizuar forcat kundër regjimit komunist”. Grupi i agjentëve të ardhur në Shqipëri ishte i përzgjedhur, ishin bashkuar në ishullin e Maltës dhe më pas me anë të një nëndetëseje i kishin sjellë në Shqipëri. Por, edhe pse të përgatitur me të gjitha mënyrat, ata ranë në kurthin e Sigurimit të Shtetit, i cili nëpërmjet një grupi të krijuar në Tiranë që gjoja mblidhte rreth vetës të gjithë “patriotët që donin të luftonin kundër komunizmit’. Dhe në këto kushte agjentët pranonin të takoheshin me “përfaqësuesit” e kësaj organizate që vepronte në male, por që në vërtet ishin oficerë të Sigurimit. Takimi u organizua në një shesh në mes maleve dhe pas disa minutash të gjithë agjentët u arrestuan, dy mbetën të vrarë nga tentative për të ikur. Emri i vërtetë i kryetarit të grupit që ishte i pajisur me letërnjoftim fals “Besnik Skënderi” ishte në të vërtet Besnik Bylykbashi. (Sipas letërnjoftimit që gjendet në arkivin e Ministrisë së Brendshme)

Radioloja “Buza e Bredhit”
Është radioloja e parë në historinë e Sigurimit të Shtetit që u zhvillua me një zbulim të huaj, zbulimin italian. Emrin radioloja e mori nga vendi ku u zhvillua, një zonë në rrethin e Tepelenës, e quajtur “Buza e Bredhit”. Radio loja u zhvillua në verë të vitit 1949, kur Shqipëria po pësonte ndryshime politike dhe ashpërsimit të përplasjes midis komunistëve në pushtet dhe forcave që nuk donin ardhjen në pushtet të komunistëve. Ashpërsimi arriti kulmin dhe me provokacionin e armatosur të gushtit në kufi me Greqinë. Të nxitur e të mbështetur nga forca jashtë Shqipërisë, brenda në vend u shtuan veprimet për organizimin e një kundërrevolucioni që synonte rrëzimin e komunistëve. Qindra njerëz kishin hyrë në Shqipëri nga jashtë vendit dhe në bashkëpunim edhe me shumë të tjerë në krahina të ndryshme të vendit, kishin krijuar grupe të armatosura, të gatshme për të vepruar në çdo rast.

Si filloi radioloja?
Rreth orës 22.30 të datës 8 korrik, një aeroplan i zbulimit Italian pasi kreu disa fluturime në tokën e Shqipërisë hodhi në vendin e quajtur “Arat e verdha” midis fshatrave të Progonatit dhe Golemit katër parashutistë dhe disa parashuta me municion, pajisje e mallra për ta. Ky ishte zbarkimi i dytë i grupeve të armatosura që kryhej nga Italia. Zbarkimi i parë ishte kryer në shkurt të vitit 1949 në malet e Mirditës. Ardhja e këtij grupi, do të shënonte dhe fillimin e radiolojës, e cila do të vazhdonte për më shumë se 4 muaj, duke u shoqëruar edhe me vrasjen e 6 anëtarëve të grupit të armatosur që hyri në Shqipëri në mbështetje të 4 parashutistëve të parë dhe arrestimin e disa të tjerëve. Radioloja “Buza e Bardhë” ishte prova e parë e Sigurimit të shtetit në përplasjet me zbulimet e huaja, duke shënuar fillimin e një sërë radiolojërash të tjera në vitet në vazhdim. Radioloja e radhës do të ishte ajo e njohur me emrin “Liqeni i Vajkalit” bëri të mundur sjelljen nga jashtë dhe kapjen nga sigurimi të disa eksponentëve shqiptarë të zbulimit të huaj si Zenel Shehu, Hamit Matjani etj. 

Kapja e parashutistëve
Pasi ranë në tokë, grupi prej katër vetash filloi lëvizjen për të shkuar sa më pranë bazave e për të rënë në kontakt me njerëzit që i kishin porositur. Ecnin sa më larg qendrave të banuara për të mos takuar asnjë banorë të zonës, me qëllim që të mos krijonin dyshime. Por, etja e bëri punën e saj. Në kërkim për burime të zonës ata takuan një fshatar që kishte ngarkuar ujë për në stanin e tij dhe i kërkuan të pinin ujë e të mbushnin paguret, duke u prezantuar si pjesëtarë të forcave të ndjekjes popullore. Fshatari shkoi t’u mbushte paguret, por u kthye në stan dhe lajmëroi babanë e vet, i cili ndërsa u çoi paguret me ujë 4 njerëzve, njohu midis tyre kryetarin e grupit, Ethem Çakon. Pas kësaj lajmëroi menjëherë në postën e policisë. Në datën 10 korrik, u gjetën plaçkat dhe parashutat e fshehura. Në datën 10 korrik grupi i hedhur me parashutë ranë pritë të forcave të sigurimit, por arriti të largohet, duke patur dhe shkëmbime zjarri. Në datën 11 korrik, rrethohet dhe kapet një prej anëtarëve të grupit, Kasëm Zhupa nga Saranda. Në datën 12 korrik rrethohet dhe kapet pa iu dhënë mundësia për të përdorur armët kreu i grupit Ethem Çako dhe Llukman Lutfiu. Po në këtë ditë, 12 korrik, rrethohet e vritet në përpjekje me forcat e sigurimit anëtari i katërt i grupit Terik Lika nga Vlora. 

Teksti i dy radiogrameve të para
Transmetimi i parë u krye më 15 korrik 1949 në ora 6.30 ( 7 ditë pas mbërritjes së 4 parashutistëve dhe 5 ditë pas kapjes së tyre). Radistët e qendrës së spiunazhit në Romë ishin shumë të shqetësuar dhe kërkonin ndërlidhje me njerëzit e tyre. 

T. Barra 1 pikë 12 pika.
Fiore plagosur rëndë në kokë dhe në shpinë. Pikë. moska në kokë dhe në dorën e djathtë – jashtë rrezikut pikë me “Bombën” nuk jemi takuar akoma pikë

Fuskos
T. Barra 2 pikë vazhdon T. Barra 2 pikë
Dëngu dy, tre dhe katër humbur pikë gjithë materiali ishte gjetur nga barinjtë pikë. Kjo fatkeqësi nga gabimi I pilotëve nuk na lëshuan në pikën e caktuar pikë. Na lëshoi UO-005- DT-05 pikë

Fuskos
Radiogrami i parë i nisur nga Roma

T.Barra 1 pikë 15 pikë
Njofton vend-ndodhjen ekzakte dhe rrethanat e plagosjes së Fiores për këshilla mjekësore pikë…


Sigal