Dita e parë e pushtimit të Sarandës nga Italia Fashiste

1445
Sigal

(Rrëfen për “Telegraf”, dëshmitari okular , 87-vjeçari, Piro Mosi)

 Është 87 vjeç dhe jeton prej vitesh në SHBA. Pavarësisht nga mosha dhe udhëtimet e gjata Amerikë-Shqipëri që i bën të përvitshme, ka një memorie për t’u pasur zili. Ai do të jetë dëshmitari okular dhe rrëfyesi për gazetën “Telegraf” , i pushtimit të Sarandës nga Italia Fashiste. Një rrëfim ndryshe nga ç’na është servirur deri më sot.  87- vjeçari, Mosi thotë se, ka qenë 11 vjeç më 7 prill 1939, ditë kur Italia fashiste zbarkoi, si në gjithë Shqipërinë, edhe në bregdetin e qytetit jugor, Sarandë. Mosi tregon se përgjatë gjithë javës së parë të Prillit 1939,  në radio kishte një atmosferë patriotike, e cila përcillej mes këngëve patriotike të transmetuara, pothuajse, gjatë gjithë ditës. Kjo atmosferë u ndez më shumë në datën 5, kur lindi Princi Leka i Parë. Në atë kohë ishte në  modë që thureshin kurora me dafina  të stolisura me flamuj. “Në atë kohë,- tregon Mosi,- babai im qe drejtor poste (PTT), mblodhi gjithë stafin dhe qytetarët dhe recitoi para postës së asaj kohe vjershën “O moj Shqypni”, të Pashko Vasës. Këtu, fjalën e mbajti kreu i Bashkisë së Sarandës, Xhevat Kallajxhiu nga Gjirokastra. Takime u zhvilluan edhe në shkollë, ku na foli drejtori i shkollës, Sadi Pejani nga Kosova, intelektual i formuar me arsim dhe kulturë gjermane, të cilën e tregoi edhe tek vendosja e disiplinës në shkollë. Në fjalën e tij, kishte patriotizëm, por jo antizogizëm. Revokoi historinë, pra, në një farë mënyre na përgatiti shpirtërisht për atë që do të ndodhte…  Kështu u gdhi mëngjesi i 7 Prillit 1939. Më kujtohet si sot, ishte ora 05:00 e mëngjesit, kur u dukën anijet e para në gjirin e Limjonit. Këtë e mbaj mend, pasi shtëpia qe përballë detit dhe shikonim nga dritarja. I numëruam, qenë plotë 37 anije. Por dua të shtoj se, në datën 6 Prill, në shtëpi na erdhën miq për drekë si N/togeri i kufirit Ndrec Luci, i cili solli familjen tek ne. Nusja e tij qe kalabreze, e bija e një oficeri italian, i cili ndihmoi luftëtarët shqiptarë në luftën e 1920-s me armatim, por italianët e zunë dhe e pushkatuan. Para se trupat të zbrisnin në tokë, u paraqitën tek autoritetet kufitare shqiptare në molo. Kapiteni i Portit të Sarandës, një oficer që kishte mbaruar shkollën ushtarake në Pire të Greqisë dhe Akademinë Ushtarake në Itali, djalë i një hamalli nga Shkodra, Gjon Nikë Vuksani, u kërkoi procedurat. Italianët nuk pranuan të paraqesin dokumentet dhe thanë se do zbarkojnë. Kapiteni shqiptar tha se, ka urdhër të hap zjarr në raste të tilla. Përballë molit qe dhe PTT-ja, ku babai qe drejtor. Në krah të kapitenit Vuksani, qe edhe vëllai i tij, ish- futbollist i “Vllaznisë”. Pas kësaj mosdakortësie, të dy vëllezërit Vuksani hapën zjarr. Qenë të parët që qëlluan dhe filluan rezistencën anti-pushtimit italian, ndërkohë që, më datë 6 Prill 1939 qenë thirrur dhe armatosur rezervistët dhe qe e çuditshme se, atë ditë, më 6 prill, jo vetëm u armatosën rezervistët, por këndohej e hidhej valle, ishte thirrur edhe gjithë xhandarmëria. Ditën e 7 Prillit, kur u hap zjarri dhe nisi rezistenca, një xhandar iku, tradhtoi dhe para shtëpisë qëlloi me revole. Tek banka italiane luftonte një xhandar me mitraloz të lehtë. Bëri kërdinë në të vrarë ushtarë italianë. Kishte një të veçantë ky xhandar se të gjitha dhëmbët i kishte flori dhe më ka mbetur peng që nuk ja mbaj dot emrin. Mbi shtëpinë tonë qenë ca kasolle të punëtorëve. Aty qe vendosur togeri i xhandarmërisë Nazif  Babani, babi i gazetarit të njohur Eden Babani. Toger Babani qe së bashku me Ndrec Lufin. Nazifi shikon që një italian e kishte marrë shënim Ndrecën dhe i ul kokën, por plumbi e merr në shpatull të majtë vetë Nazifin. Nga pala shqiptare, i pari u vra një ushtar i quajtur Gani nga Elbasani dhe u plagos Mitro Dhimërtika në bark, i cili megjithëse u operua nga një kirurg italian nuk shpëtoi. Më pas u shpall dëshmor. Pas kësaj rezistence filloi zbarkimi i trupave në tokë dhe tankeve, të cilat një pjesë u nisën drejt Delvinës. Mblodhën hamejtë e portit dhe i vunë të lanin me kova gjakun në port dhe rrugëve të Sarandës. Kjo qe dita e parë e pushtimit të Sarandës nga Italia fashiste, ditë pushtimi, që nuk shkel pa gjak…”.  “Dua të shtoj,- thotë z.Mosi, -se ata që bënë rezistencën shqiptare në Sarandë nuk përfunduan mirë. Gjon Nika vdiq në burgjet komuniste dhe e shoqja e njohu në morg, vetëm nga një nishan në qafë. Ndrec Lufi u vra me armë në dorë në “Komitetin e Maleve” në Mirditë. Nazif  Babani u pushkatua në Devoll”. Piro Mosi, dëshmitari okular i pushtimit të Sarandës nga Italia fashiste, është me origjinë shkodrane, por  lindur e rritur në Sarandë. Ai ka qenë një familje mike e fotografit të shquar Marubi, të cilin e sollën edhe në Sarandë, ku dhe prej vitesh ushtroi profesionin e fotografit. Sot regjistron me miliona shkrepje fotografike sepse norma ishte mbi 8000 shkrepje në muaj që të merrje rrogën.

 Agron MEMA