Dilaver GOXHAI/Nga luftimet në rethinat e Butakovës

770
Sigal

REPORTAZH/ Asnjë ushtri kryengritëse nuk ka gjeneruar imazh kaq romantik sa UÇK-ja

MIRËNJOHJEJE për “Vullnetarët e Lirisë”! Le të jetë ky libër një lloj shpërblimi, deri sot  i munguar për ta, të cilët, edhe pse  nuk u mungonte liria, e lanë atë dhe ofruan sakrificën e tyre më fisnike për lumturinë ushtarake të Kosovës të fituar me luftë; lanë familjet dhe gjithçka tjetër, sikur të kishin lindur me dy kokë, dhe shkuan në atë luftë, e cila ndiqej me ankth nga i gjithë kombi ynë, duke u shndërruar kështu në simbol të bashkimit kombëtar dhe që nuk mund të harrohen kurrë për gjakun e derdhur dhe sakrificat e tyre.

(Reportazh direkt nga fronti i luftës, 06 prill 1999)

 E diel, 4 prill 1999. Forcat serbe, të dislokuara në afërsi të fshatit Butakovë, deri në orët e mesditës nuk patën aktivitete si në ditët e mëparshme. Çuditërisht, deri në këto orë nuk kryen goditje me batare baterish dhe me grupe të tëra artilerie kundër pozicioneve të forcave të UÇK-së dhe fshatrave, që mbrohen nga këto forca. Kjo “heshtje” serbe e rriti më tej vigjilencën e forcave të Br.123 dhe 125 të UÇK-së.

Papritmas, në orën 13.00 del në radio komandanti i batalionit të dytë të Br.125, Lulzim Kabashi, i cili njofton: “Serbët janë afruar në fshehtësi me ushtarë të shumtë, pa u shoqëruar nga mjetet e motorizuara, dhe po u vënë zjarrin fshatrave të mbirrugës Suharekë-Prizren: Mushtishtit, Dubravës, Sallograxhës, Sopi, Shirokë, Grekoc e Gjinofc dhe po tentojnë të hyjnë në fshatin Popovlan”.

Këtu hasën në rezistencën e njësitit të përparuar të UÇK-së. Ata ishin tre luftëtarë, me në krye Besnik Sejdi Muçën. Kjo rezistencë i dha alarmin kompanisë së parë të batalionit dhe i siguroi kohën e nevojshme që ajo të kapte pozicione të reja, në këtë drejtim. Gjatë kësaj qëndrese, prej gati një orë, ra në fushën e nderit luftëtari Besnik Muça. Tre djem shqiptarë po përballonin sulmin e dyzetë policëve specialë serb, të cilëve u erdhi në ndihmë një autoblindë me armë kundërajrore, (topa kundërajrorë 30 mm, të quajtura “Praga”) dhe dy pizgauerë (xhipa të blinduar) plot me policë, duke u shoqëruar nga një makinë me municion.

Mbërritja e përforcimeve serbe përkoi me hapjen në vijat mbrojtëse të kompanisë së parë të batalionit të dyte (b2Br125). Më vonë, para pozicioneve të kompanisë u përqendruan shumë forca dhe mjete të tjera serbe, të cilat filluan të mbështeteshin me zjarrin e  disa grupeve të artilerisë: një i vendosur në Biraç, një tjetër në Qafën e Duhlës, një grup tjetër mortajash (minahedhës) i bazuar në fabrikën e gomave “Damper”, (në Suharekë), si dhe prej një baterie mortajash e vendosur në qendër të fshatit Mavlan, i banuar tërësisht me serbë.

 Kompania e jonë

Në këto kushte, kompania e jonë, e cila komandohet nga komandanti i batalionit, Lulzim Kabashi, nuk mundet ta përballonte atë sulm për një kohë të gjatë, prandaj kërkoi përforcime. Menjëherë u urdhërua nga Komandanti i Zonës që batalioni i dytë  i Br.123, i cili porsa kish mbërritur në fshatin Papaz, të shkonte me urgjencë në ndihmë të kompanisë së batalionit të dytë të Br.125, ku ndodhej edhe Shefi i Shtabit i Zonës së Dytë të Pashtrikut, Nexhmedin Kastrati. Batalionit i duhej të kryente marshim të sforcuar, rreth 7 km, nëpër një terren të thyer.

Mirëpo, komanda e batalionit si dhe oficerët e shtabit të Brigadës dhe ata të Shtabit të Zonës, që ndodheshin me ta, vendosën që të nisnin për në Papaz vetëm një kompani, e cila ishte më e freskët, ndërsa forcat e tjera vendosën t’i mbanin në gatishmëri (rezervë) për ndonjë të papritur të mundshme. Pas 1orë e 20’, kompania mbërriti në rajonin e Popovlanit dhe, së bashku me kompaninë e  batalionit të dytë të Br.123 nuk e lejuan depërtimin e mëtejshëm të forcave serbe.

Në ora 16.00 një kolonë ushtarake serbe, e përbërë nga dhjetë transportues të blinduar, del nga Qyteti i Suharekës, duke lëvizur me një shpejtësi marramendëse dhe, pasi kalon fshatin Bukosh, po me atë shpejtësi, drejtohet për në fshatin Uraniç. Qëllimi i këtij manovrimi nga ana e armikut ishte që, t’u delte dy kompanive tona në krah, nga ana veriore e tyre.

 Zjarr të fuqishëm

Në këtë drejtim ato forca të armikut u ndeshën me një skuadër të batalionit të dytë i Br.123, e cila e ndali me zjarr të fuqishëm atë kolonë, duke bërë një rezistencë të jashtëzakonshme, me në krye vetë komandantin e kompanisë vëzhguese-diversioniste të kësaj brigade, i cili me shembullin e tij ndërmori kundërsulm vetë i tretë dhe, i mbështetur nga zjarri i pjesës tjetër të skuadrës, bëri të mundur që serbët jo vetëm të mos depërtonin në brendësi të fshatit, por u detyruan të tërhiqeshin deri në fshatin Mavlan. Gjatë kohës që kjo skuadër zhvillonte luftime i erdhën në përforcim disa vullnetarë nga fshati.

Gjatë natës, në fshatin Mavlan dhe  Kryshicë e Ulët, armiku grumbulloi 24 tanke e transportues të blinduar si dhe deri një batalion këmbësorie. Në orën 03.00 të ditës së nesërme, 05.04.1999, armiku, me këto forca filloi sulmin në drejtimin: Kryshicë e Ulët – Butakovë, me qëllim që të pushtonte lartësitë e Bukogllavës dhe me këtë rast t’i detyronte forcat e UÇK-së ose të tërhiqeshin në drejtim të veriut, ose të pranonin asgjësimin.

 Situatë kritike

Me këtë situatë kritike u njoh edhe një pjesë e Shtabit të Përgjithshëm, me në krye shefin e Shtabit, Byslim Zyrapin, që ndodheshin në afërsi të zonës ku kryheshin veprimet luftarake, në bjeshkën e malit të Jezercës. Pasi u analizua me kujdes situata, duke vlerësuar armikun dhe forcat që kishim në dispozicion, Shtabi i Përgjithshëm urdhëroi që të bëhej riorganizimi i të gjitha atyre forcave, të cilat urgjentisht të viheshin nën drejtimin e një komande të vetme dhe të ndalohej me çdo kusht përparimi i armikut. Si rrjedhojë, u krijua një shtab operativ.

Pasi u dha ky urdhër në radio, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, Bislim Zyrapi dhe Ekrem Rexha (komandant Drini), shkuan direkt e në rajonin ku zhvilloheshin luftimet, për të vëzhguar e për t’i ndihmuar nga afër.

Pas krijimit të shtabit operativ u vendos që forcat tona të kalonin menjëherë në mbrojtje, në dy vija transhesh (skalione), duke mbajtur në rezervë forcat e një kompanie.

Luftimet u zhvilluan të ashpra, duke u mbrojtur me zjarr e kundërsulme të shkurtra, me skuadra e toga. Ato luftime vazhduan deri në ora 20:00. Pas kësaj ore forcat serbe u tërhoqën në rajonet e bazës së nisjes, atje ku kishin zënë pozicionet para se të kalonin në sulm.

 Suksesi

Forcat tona ia arritën qëllimit. Armiku nuk mundi të futej në Butakovë, por u përqendrua në pozitat e zëna dhe nuk u tërhoq, sikundër vepronte zakonisht kur binte errësira, edhe pse pati rreth pesë të vrarë e shumë të plagosur.

Forcat tona, të imponuara nga goditjet e pareshtura të artilerisë armike, detyrohen të lënë dy transhetë e para dhe gjatë gjithë natës u bë përmirësimi dhe përforcimi i mbrojtjes, në transhenë e tretë, pasi u pa se armiku nuk do të hiqte dorë nga sulmi. Në këtë vijë mbrojtëse terreni nuk e lejon armikun të vijë me mjetet e blinduara.

Gjithashtu, shtabi operativ merr vendim që gjatë natës të ndërmerret një sulm i befasishëm, që armiku të detyrohet të heqë dorë nga vijimi i sulmeve të mëtejshme. Sulmi ndërmerret me një kompani luftëtarësh, në ora 03:00, të datës 06.04.1999, në krahun verior të forcave armike, dhe zgjati gati një orë; por nuk iu arrit qëllimit, pasi nuk mundëm ta zhvendosim armikun nga pozicionet e zëna.

Armiku u mbrojt me tërbim dhe në ora 08:00 kaloi në sulm me forca të shumta, në tre drejtime të ndryshme. Goditjen kryesore e dha në drejtimin: Kryshicë e Ulët – Butakovë, ndërsa goditjet ndihmëse i dha në drejtimet: Mushtisht – Maçetevë dhe fshati Duhël – Grajçec. Qëllimi i armikut ishte që me forcat e dy drejtimeve të para të bënte krahëmarrjen e më vonë rrethimin e forcave të UÇK-së, që mbroheshin në rajonin: Budakovë – Dvoran – Bukogllavë dhe t’i kapnin rob ose t’i asgjësonin ato; ndërsa me forcat që sulmonin në drejtimin Duhël – Grajçec të delte në krah të forcave tona që mbroheshin në drejtimin e goditjes kryesore të armikut, me qëllim që forcat tona të detyroheshin të hiqnin një pjesë të forcave dhe kështu të dobësohej mbrojtja e forcave tona dhe t’u krijonte kushte forcave të veta për realizimin e detyrës së tyre, rrethimin dhe asgjësimin e forcave tona.

Sikundër shihet, ideja e armikut qëndronte në copëtimin në mënyrë të vazhdueshme të mbrojtjes sonë; në ndarjen e kompanive tona njëra nga tjetra, dhe në asgjësimin e tyre një nga një, atje ku t’i jepej mundësia. Këtë strategji armiku e mbështeti kryesisht në fuqinë e blindit, në përqendrimin e zjarrit e të forcave si dhe në befasinë e goditjes. Strategji e drejtë, por me një mangësi, të cilën serbët nuk mund ta eliminojnë: disproporcioni midis fuqisë së tyre ushtarake dhe mungesës së motivit tek ushtarët e tij për të luftuar. Në këtë boshllëk hyri pyka e çeliktë e luftëtarëve të UÇK-së: qëndrueshmëria  dhe trimëria e pavdekshme e tyre.

Formacionet e UÇK-së kanë ndërlidhje me radio mes njëri-tjetrit dhe me Shtabin e Përgjithshëm. Në drejtimin Duhël-Grajçec armiku u ndal nga forcat e kompanisë së tretë të batalionit autonom vëzhgues-diversionist i Shtabit të Përgjithshëm, nën drejtimin e komandant Gurit (Jetullah Qarri), të cilat kapën me shpejtësi lartësitë e Topillës dhe nuk e lejojnë armikun të depërtojë as edhe një hap në thellësi të mbrojtjes sonë. Forcat armike të këtij drejtimi, pasi dështuan disa herë me sulmet e tyre, u kthyen dhe filluan të djegin fshatrat Stravaçinë, Dragaçinë dhe Vërshec.

Përsa u përket forcave serbe që sulmojnë në drejtimin Mushtisht-Maçetevë, përballen me një kompani të batalionit të dytë të Br.123, e cila, duke shfrytëzuar me mjeshtëri terrenin, në kuotat që s’mund të arrinin mjetet e motorizuara të armikut, bën një organizim të tillë zjarri, që nuk e lejon armikun të përparojë as edhe një metër më tej.

Sulmet e herë-pas-hershme të armikut vazhduan deri në ora 10.00 dhe ai, pasi u bind se ishte e pamundur të thyente mbrojtjen tonë e të përparonte më tej, edhe pse u mbështet fuqishëm nga zjarri i artilerisë së lartpërmendur dhe zjarri i disa tankeve që i erdhën në përforcim në mëngjesin e datës 6 prill, u detyrua të tërhiqet, duke u rigrumbulluar në Suharekë e Prizren. Një pjesë tjetër të forcave, armiku e la në fshatin Kryshicë e Ulët, të përforcuara me tanke e transportues të blinduar.

Edhe gjatë kësaj dite armiku pati të vrarë e të plagosur, pasi ambulancat e tij erdhën e u larguan disa herë, si dhe iu dogjën nga zjarri ynë një transportues i blinduar, një kamion dhe një pizgauer.

Forcat tona janë duke përforcuar pozitat dhe po përgatiten për të përballuar veprime luftarake të mëtejshme.

Gjatë atyre luftimeve patëm tre të vrarë: Besnik Muçaj, Zaim Buçaj dhe një vullnetar i fshatit Uraniç, si dhe na u plagosën pesë luftëtarë të UÇK-së dhe tre luftëtarë vullnetarë të forcave të fshatit.

Në ato luftime nuk mund të dalloje se cili luftëtar ishte më trim se tjetri. Njëkohësisht forcat tona e rritën edhe më shumë besimin në forcat e veta dhe, ajo më kryesorja është se u fitua një përvojë e re, nevoja e krijimit të shtabit operativë për zhvillimin e luftimeve të shkallës operative si dhe mënyra e ndarjes dhe e kryerjes së detyrave nga anëtarët e atij shtabi.