Flet Sefer Pasha: Të pathënat për filmin e Çerçiz Topullit

1083
Sigal

Dossier/ Si u realiziua filmi “Liri a vdekje” në Gjirokastër dhe angazhimi i ushtrisë me forca ushtarake. Përplasje e oficerit të kufirit me Timo Fllokon për flokët e gjata dhe tentativa për ta qethur. Si na u helmuan 300 ushtarë në Jergucat, përgojimi i Agollit dhe Kadaresë dhe enigmat e Vilës 31

 

Kujtimet e ish-oficerit të kufirit dhe publicistit Sefer Pasha:

-Si e zgjodhi regjisori  një oficer kufiri për të luajtur si figurant tek filmi “Ja vdekje, ja liri

-Oficeri i  tha Timo Fllokos: Çerçiz Topulli nuk ka qenë qafë lesh, kur fliste thyheshin malet

-Rrapo Dervishi i thotë oficerit se Enveri nuk e pëlqeu Timon tek filmi

-Oficeri ja kthen: Shoku Rrapo, ma bini këtu Timo Fllokon se do ta qeth me gërshërët e qenit të kufirit

– Si përgojova se Dritëro Agolli rrinte i dehur,  Kadareja ishte agjent i francezëve, Kadri Hazbiu kishte të dashura bukuroshe

-Në tavolinën ku brackullisja ishte shkrimtari Naum Prifti, sa smë ra të fikët

– Si u helmuan në mbrëmje tek hanin fasulet 300 kufitarët e rinj në Jergucat

 Gazeta Telegraf

Në socializëm lavdia e forcave të kufirit zmadhohej. Krijoheshin sfinksa dhe tribunë të rremë. Dhe për dreq edhe kufitari më i thjeshtë shpesh bëhej fodull dhe eklipsonte dhe kryetarin e kooperativës. Kjo për arsye se kufitari në piramidë kryente detyrën e prokurorit, të gjykatësit dhe të gardianit. Edhe të vriste. Askush nuk i shpëtoi dot sëmundjes së lavdisë së pamerituar.  Mendjemadhësia fryhej se forcat e kufirit kishin në dorë pronat, pyjet, kullotat në anën tjetër të klonit, gjahun e të tjera.

-Raste të tilla që oficeri kufirit hyjnizohej a i ke parë nga afër, apo ishe dhe ti një ndër ta?

(Qesh). Nuk e besoj se isha dhe unë i tillë. Po raste të tilla kam plot. Feta Xhambazi qe oficer kufiri. Askush nuk kishte guxuar që ta kritikonte. Regjizori i filmit “Ja vdekje, ja liri” e zgjodhi për të luajtur si figurant në film një rol episodik. Xhambazi ishte i gjatë dhe peshonte 140 kilogram. Ngjante me turqit. Ai në një frekuencë të filmit luan rolin e topçiut turk që thërret: – “Zjarr!” . Me këtë rol u fiksua në film se ka ndërruar jetë. Por kur Feta Xhambazi u ndodh në Muzinë, ku aktorët po realizonin një skenë të filmit ai mbeti i pakënaqur. Dhe i tha Timo Fllokos: – “ Çerçiz Topulli nuk ka qenë qafë lesh. Kur fliste Çerçizi shkëmbinjtë e Muzinës shkëputeshin nga mali dhe përplaseshin në Libohovë. Timo Fllokua nuk ja kishte varur teneqenë. Por, një ditë kur filmi kishte përfunduar Sekretari i Parë Rrapo Dervishi, e thërret përpara turizmit Feta Xhambazin, dhe i thotë se Enver Hoxha ka bërë vrejtje për filmin dhe personazhin e Çerçizit. Fetau që priste lëvdata se ashtu e kishin mësuar bërtet: – Shoku Rrapo! – Ma bini këtu Timo Fllokon se do ta qeth me gërshërët e qenit të kufirit.  E paralajmërova që në Qafën e Muzinës!.

Kujtimet e kufirit edhe pse e kanë hijen e misterit ato në thelb janë histori kulture e me bukuri sipërane.

-Më lidhje me këtë thënie ke ndonjë histori interesante?

Po! Kishim një seminar në Ersekë. Unë isha së bashku me kolegun tim Zigur Malaj. Na zuri nata në një fshat në të hyrë të qytetit të Ersekës. Ndaluam makinën dhe u futëm në klubin e fshatit. Meqënëse tavolinat ishin të zëna u ulëm, pasi i morëm lejë, një njeriu që ishte i vetmuar. Pa humbur kohë porositëm meze dhe raki mani Boboshtice. Udha e Gërmenjit na kishte sfilitur dhe dopjot e rakisë i rrufisëm si ujë. Na zuri shpejt rakia. Unë fillova të broçkullisë kot më kot. Kë nuk mora nëpër gojë. Dritëro Agollit nuk ia hapte derën e shtëpisë e shoqja se ai vinte i dehur. Për Kadarenë thashë ato që kisha dëgjuar udhë e nën udhë se ai ishte agjent i francezëve. Kadri Hazbiu kishte të dashura bukuroshe në rrethin miqësor e budallallëqe të tjera, të cilat i dëgjoja nga vetë sigurimsat nëpër dreka e darka. Nuk doja t’ia dija për njeriun që ishte në tavolinë dhe që bënte sikur nuk dëgjonte. Kur paguam unë e pyeta njeriun e heshtur se kush ishte. U bën dy orë dhe ai nuk tha një fjalë. I panjohuri m’u përgjigj se quhej Naum Prifti. Ishte shkrimtar dhe banonte në Tiranë. Më doli rakia. Si nuk më ra pika. Ikëm. Udhës i thashë Zigurit se njeriu që kishim në tavolinë ishte me siguri bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit. Në hotel në Ersekë nuk më zuri gjumi. Në mëngjes piva kafe me kryetarin e degës me të cilin kisha njohje. I thashë se ç’më kishte gjetur. Ai më qetësoi. Naum Prifti më tha ai megjithëse e ka një vëlla në Amerikë nuk është bashkëpunëtor i sigurimit. Është njeri i shkëlqyer dhe hajvanllëqet e rakisë tënde i ka hedhur pas kurrizit.

-Shumë histori të asaj kohe, po pas vitit 1990 si rrodhi jeta juaj?

 

Prej stivës me trarë të sharruar nga legjendat përpiqem të zgjedh  hollë – hollë dallueshmërisht burimet me emotive të përzjera. Pas viteve 90 – të për disa kohë mbeta i papunë. Isha tek kunati në Shkodër. Përpara varreve të katolikëve më foli nga krahu i trotuarit një grua e thinjur si mali i Taraboshit me borë. E njoha. Ishte E…. Gruaja e një ish-ushtaraku në Çatistë, i cili merrej me mjetet tekniko – xhenjere. U hodha në krahun tjetër të tortuarit dhe E…. i dhashë dorën. Sa grua e bukur kishte qenë dikur. Në krah të E…qe dhe një djalë i gjatë. Uh! Selimi thashë unë! Për cilin Selim e ke fjalën më tha Esmaja dhe e vuri buzën pak në gaz. Është Gjoni, djali im i madh. Më fal E…. ja ktheva. Kushedi se ku bredh mendja. Djalin tuaj e ngatërrova. E hëngra gjuhën me dhëmbë. Desh bëra skandal. Kur E….. banonte me të shoqin në Çatistë ajo u dashurua me një bari nga Kuçi i Vlorës ndaj erdhi mendimi…..

  • Si veprohej kur vinin ushtarët e rinj. Si përgatiteshin, si zgjidheshin?

 

Më kishin zgjedhur për të përgatitur kufitarët e rinj nëqendrën e kufirit në Jergucat të Dropullit të Sipërm. Ndodhi ajo që unë nuk e kisha imagjinuar. 300 kufitarët e rinj u helmuan në mbrëmje tek hanin fasulet.  I mbyti diareja. Erdhën mjekët nga spitali i Gjirokastrës, por qe e pamundur. Vetë kufitarët e rinj ja dolën. Në zallin e lumit të Drinos ata ndezën zjarre dhe vunë kazanët me ujë lumi. Kazanët një kuintalësh i mbushën me mollë të egra, me rigon, dafinë dhe me lëkurë arre. Kufitarët u ndanë sipas rretheve. Zalli i lumit qe plot me trungje dhe zjarret i valuan shpejt kazanet me lloj – lloj çajërash. Por kufitarët nuk kishin gota. Ata mbushën gavetat dhe i pinin çajërat me rradhë. Gojë më gojë. Efektin e dhanë mollët e egra. Kopshtet e fshatarëve u bën copë –  copë. Filloi të ndalojë diareja. Kufitarët që ishin pa gjumë u mbuluan me kapotat ushtarake dhe u shtrinë nëpër zallin e lumit. I zuri gjumi. Për dreq një turist që kurohej për veshkat në spitalin e Glinës, që ishte aty afër, filloi t’i fotografojë kufitarët e shtrirë si kuaj mbi zallin e lumit. Hekuran Latifi që ishte komandant i repartit ia mori turistit nga duart aparatin fotografik dhe ia bëri copë e çika.

Shpesh me Sotirin na ndiqnin të paprituarat. Në Poliçan kishim një mbledhje për forcimin e regjimit të kufirit. Kur mbaruam morëm makinën e transportit të Çatistës. Kufitarin që e mbaja me vete si roje e hipa në karroceri. Ajo qe e mbushur me dërrasa. Unë e Sotiri hipëm përpara me shoferin. Kur mbrritëm në Çatistër përpara klubit mua gati sa nuk më pushoi zemra. Kufitari nuk ishte në karrocerin e makinës. U kthyem urgjent. Pa mbrritur në fshatin Mavrojer dritat e makinës u përplasën mbi kufitarin që po vinte në këmbë. Kufitari na sqaroi. Kur makina në të përpjetat e Hllomosë ishte përplasur në një gropë me llucë dërrasat qenë lëkundur aq fort sa njëra dërrasë, ku kishte vënë këmbët kufitari, e kishte fluturuar atë mbi xhaden e prishur. Për fat kufitari kishte qëndruar mbi një dushk mbi xhade dhe nuk kishte pësuar gjë.

 

-Flitej në atë kohë se në kufi vallëzonin fantazmat.  Si qëndron kjo ccështje?

Në Çatistë u njoha sa vajta me veprimet e një fantazme.  Tregohej se në një nga përrenjtë e malit të Buretos, bash në vijën e kufirit, njësiteve të shërbimit u delte përpara automatikëve një grua plakë. Siç thuhej, plaka që ishte nga Mirdita, kishte ardhur në Çatistë, ku i qe mbytur në borë djali i vetëm, që quhej Kolë. Përroit i kishte mbetur emri Përroi i Kolës. Trupi i Kolës nuk u gjet kurrë. Nëna e Kolës pa pyetur njeri vjen që nga Mirdita tek vendi ku i qe zhdukur në borë i biri. Njësitet e shërbimit që e panë nënën i kërkuan që ajo të shkonte me ta tek komandanti. Por plaka qe hedhur në humnerë. Përherë kufitarët qëllonin me armë. U bë problem. Me urdhër nga lart u hoqën njësitet nga Përroi i Kolës. Përroi u bllokua me tela me gjëmba. Vajta disa herë tek ai vend. Nuk e diskutoja që ishte një krim. Dramat e kufirit shfaqnin në skenat e piramidave bëma të pabesusheme. Kanë ndodhur edhe vrasje si ajo e komandantit të postës kufitare të Kakavijës Myfit Hasa nga Dorëza e Tepelenës. Njësiti që u ndodh në pritë e quajti “fantazëm” komandantin, që kishte shkuar për kontroll dhe e vrau.

-Po si krijues a keni patur ndonjë ngjarje?

 

Rrëketë e ngjarjeve të kufirit shpërndahen nga brezat e kufitarëve edhe kur ata thinjen e bëhen baballarë. Isha në Progër të Korçës për të bërë një videoklip me këngëtarin Petrit Lulo për nënë Pashakon dhe djemtë e saj. Pyeta në qendër të fshatit për një ish kufitar. Ai quhej Vladimir Agolli. Në kafene një burrë më tha se ju jeni Asdreni. Ngrita supet. Ç’punë kisha unë me Asdrenin! Hyra në bisedë me progronjasit, të cilët e morën në telefon Vladimir Agollin.  Ai ishte shofer i një mauneje. Çfarë kishte ndodhur? Kur Vladimir Agolli ishte në Çatistë, në një stërvitje, shefi, që po i merrte në provim për njohuritë e fituara e kishte marrë në pyetje Vladimir Agollin.  Ai ishte kufitar i ri. Pyetja ishte: Kush e ka krijuar tekstin e Hymnit të Flamurit? Dhe Vladimir Agolli, i cili e dinte që unë shkruaja i përgjigjet se: – “tekstin e Hymnit të Flamurit e ka krijuar komandant S. Pasha”. Kaq qe dashur. Kjo lajthitje pa të keq e Vladimir Agollit tregohet edhe sot në Progër të Korçës.

Në Gjirokastër më takojnë prindërit e një kufitari nga Semani i Fierit. Kërkonin lejë për djalin e tyre Stasi Kaurin se kishin dasëm. Unë kisha dal nga një drekë dhe isha cazë i dehur. U thashë prindërve të semanakut se kur djali juaj Stasi Kauri del në piramidë monarkofashistët grek ikin me vrap. Babai i Stasit më tha. Ça thua ti ore budalla? Stasi ynë që bridhte tërë ditën pas buallicave nëpër kënetë qenka bërë kaq trim! Hajde, ore budall hajde! Në çantë, o të keqen, o komandant, ke një gjel deti dhe dy shishe me raki.

 

  • A kishit historik në repart?

Po! Kur e lexova për herë të parë historikun e kufirit të postës më la mbresë dhe një tregim, i cili më ka mbetur në mendje. Komandanti i postës që e kishte detyrë shtetërore të plotësonte historikun dukej që nuk dinte të shkruante. Por një ngjarje e kishte kopsitur mirë. Ishte një shesh në luginën e Megallakut që quhej Lëmi i Ariut. Aty komandanti çdo ditë u shtronin për të ngrënë tufës me arinj. Një ditë komandanti kishte ikur se grekërit i kishin bërë njësitit të shërbimit një provokim. Kur komanandi arrin në piramidë u kujtua se të katër mushkat i kishte lënë të lidhura në stallë. Por derën nuk e kishte mbyllur. Del në shpatin e malit të Buretos dhe vështron me dylbi. Nuk u beson syve. Tufa e arinjve që ai i ushqente po qëllonte me gur e drunj një çift ujqërish që po tentonin të futeshin në stallë dhe të hanin mushkat. Komandanti kthehet. Arinjtë i kishin përzënë ujqërit. Ky ishte shpërblimi.

          -Përmbledhtazi pas kaq vitesh a e pyet veten se ç’ishte ajo kohë me ato motive të flashkëta? Po ju çfarë ishit?

Kapteri në orën e edukimit u shpjegon kufitarëve se Greqia është shtet i varfër. Një kufitar nga Tirana e kundërshton. Në Voshtinë i thotë ai kapterit ka vila, fabrika e diskoteka. Udha e asfaltuar vjen në majë të malit. Livadhet kositen me makineri dhe bari transportohet, jo si tek ne me mushka, por me makina. Tregonte se para tri ditësh një helikopter u ul afër piramidës 19 dhe mori nje qen gjahu, të cilin e kishte ngrënë gjarpëri. Kur e dëgjonin ushtarët tanë habiteshin. Ta largojmë nga kufiri këmbëngulte kapteri. Do të na arratiset. Para dy ditësh piu dy shishe fërnet pa i hequr buzët nga gryka e shishes. Shokët i vunë borë në organet gjenitale se desh vdiq. U njoftua kundërzbulimi. Dhe kufitarin e larguan nga frika se mos arratisej në Greqi.

Më erdhi në mënyrë të befasishme një ekip kontrolli nga Ministria. Në ekip qe dhe një oficer i ri. Kisha dëgjuar për të dhe i shtrova një drekë në pyll me bërxolla derri të egër. Ai ma përshkroi episodin se si qe bërë oficer. Në postën e Qafës së Prushit komandanti merr kodin, të gjitha hartat sekrete dhe arratiset. Unë, më tregoi anëtari i ekipit, isha roje afër vijës së kufirit. Nuk e pashë kur e kaloi vijën e kufirit për në Jugosllavi komandanti im. Por më bëri përshtypje që në piramidë si asnjëherë tjetër dolën ushtarët serb duke u zgërdhitur. Me të shpejt vajta në zyrë. Shokët më thanë se u arratis komandanti. Në të qindën e sekondës vesha uniformën e komandantit. Për fat uniforma më bëri. Por komandanti e kishte marrë kapelen. Qe vjeshtë dhe rrasa në kokë kokoren dimërore. Mora automatikun dhe me vrap shkova në vijën e kufirit, ku po talleshin serbët. Ata u trembën. Njeri prej tyre thirri:-Lele Majko! (Nëna ime). Me veprimin që bëra u thashë ushtarëve serb se jemi gjallë. U ktheva në zyrë dhe i mora të gjitha masat e shërbimit. I nisa njësitet nëpër vendrojet. Pas dy orësh erdhi komanda eprore nga Tropoja, të cilën e pata informuar. Po ato ditë me urdhër të ministrit më dërguan në një kurs në shkollë në Tiranë dhe mora titullin e oficerit. Tjetër histori… Kufiri nuk kishte hyjni.Në kushtet e gjakimit me armiqtë nga kreu në bisht vlerësoheshe kur mbroje fijet e barit mbi piramidë.Por bëmat e virgjëra nuk mund të kuptoheshin pa u përplasur me tipa si Vangjeli, që ishte instruktori i qenit të kufirit. Vangjeli me origjinë ishte nga Vurgu i Sarandës. Qe qitës i shkëlqyer. Merrte pjesë dhe në garat kombëtare. Për ca kohë unë i ngarkova detyrën e magazinierit të ushqimit. Ekonomisti kishte marrë lejën e zakonshme. Vangjeli ishte koronac i madh dhe ua thau zorrët kufitarëve. Por kufitarët ia dinin pikën e dobët. Ai qe qitës i mirë, por natyrë frikacaku. Dy kufitar një natë marin demin dhe e fusin në tualetin e ngritur në anë të pyllit. Kur Vangjeli në errësirë shkon në të famshmin tualet demi u përplas me të. Dhe Vangjeli i tmerruar si qitës i mirë që ishte e qëllon demin me pistoletë dhe e vret. Për drekë Vangjeli i shtroi efektivit mish viçi.

Për ngjarjet që lidheshin me fshatin unë thërrisja këshilltarin tim perfekt Sotir Koroveshin. Ai më nxirte nga moçali. Familjet e oficerëve të kufirit i kishin shtëpitë shumë afër me godinën e postës kufitare. Një natë në dritaren e gruas së instruktorit të qenit të kufirit dikush trokiti. Gruaja që ishte fillikat bërtiti. Më merr në telefon dhe unë dhashë kushtrimin. Ishte edhe turp. Unë nuk e diskutova se gruaja e bukur kishte lënë ndonjë takim me ndonjë djal nga Çatista aty afër. Kurrë nuk e mora vesh se përse ajo ulëriti. Sotir Koroveshi erdhi qysh herët në mëngjes. E gjeta “armikun” më tha ai. Pas shtëpisë së oficerëve të kufirit është depua me tagji e kafshëve të postës. Ndonjë fshatar ka ardhur që të vjedh tërshërë. Gjeta kokërra tërshëre gjatë udhës për në fshat. Kështu e mbyllëm.

Nesër do lexoni:

-Si kam bërë  shërbim në Gardë në Vilën 31, e cila njihet si shtëpia e Enver Hoxhës

– Kisha qenë shumë i ri kur bëja roje tek vila e komandantit foto nuk bëra por dorën ma shtrëngoi

-Një shoku im zuri punë të mirë pasi tregoi foton me Enver Hoxhën

– Gazetarët kinezë u çuditën që shumë nga oficerët e kufirit shqiptar delnin në pension në male

-I kishte lënë pa mend oficeri Hekuran Latifi, që për 38 vjet kishte shërbyer në disa posta kufiri deri në pension

– Këtë fakt gazetarët kinez e botuan në gazetën e madhe të Pekinit “Zhenminzhibao”

– Si u kap një shkelës në piramidë që kishte kapërxyer dhe fillin 7- të mbi klon, që ishte me ngarkesë elektrike