Dhimitër Gjoka: Në 1970 në Kuç na pritën si të ishim të Byrosë Politike dhe na gostitën sikur të ishim mbretër

30
Sigal

-Rruga e Lumit të Vlorës në vitin 1970 dhe rruga e Lumit të Vlorës 2025

-Si na u prish makina “Zis” në Kallarat kur po shkonim në Kuç të shfaqnim teatër

-Në pritje të rregullimit të makinës dhamë shfaqje për banorët e Kallaratit, të cilët u mrekulluan

– Atë kohë të shkoje me “Zis” nga Vlora në Kuç duheshin 5 orë.

-Mua më caktuan të flija në shtëpinë e një mësuesi i cili më priti sikur të isha një personalitet me ushqime të rralla për kohën

– Në ato rrugë mu kujtua im at kur  shkoi në inagurimin e Br. V S, e cila do të bëhej në Bramyshje më datën 20 janar pjesë e së cilës do inkuadrohej edhe Çeta e Bregut.

 

Dhimitër Gjoka, “Mjeshtër i Madh”

 

Kisha marrë rrugën për në Himarë. Kur mbërita në Vlorë nga Tirana vendosa të zgjedh rrugën alternative të shkuarjes atje, atë të Labërisë, e cila quhet ndryshe edhe rruga e Lumit të Vlorës. E zgjodha, sepse kisha shumë vite pa kaluar andej. Ajo s’ishte më rruga e dikurshme që për të shkuar në fshatin Kuç të shkonte buza mbrapa dhe duheshin afërsisht 5-6 orë për të mbëritur. Rruga ishte kaq e besdishme saqë edhe bukuritë, që kishte gjithë ajo luginë nuk të bëhej t’i shijoje. Bërdungllat e rrugës ku makina nuk ecte as 10 metra shtruar, ulej dhe ngrihej sikur të ishte mbi dallgët e detit.

Lajmi që ishte prishur makina ku me të udhëtonin aktorë të teatrit të Vlorës u përhap me shpejtësi dhe veç kur na rrethuan një duzinë njerëzish. Kurioziteti me pyetjet që bënin ishte i madh. Ora kalonte. Ishim në mes të ditës. Sesi u vendos që, ngaqë do prisnim shumë u tha që të jepnim shfaqjen por jo të plotë, vetëm disa fragmente për të kënaqur ata njerëz të mirë që lanë punën dhe na u gjendën pranë

Episodi i parë.

E kisha bërë atë rrugë për herë të parë në vitin 1970 . Isha në vitin e parë të gjimnazit dhe aktivizohesha si amator në teatrin profesionist të Vlorës, sidomos gjatë verës kur ajo trup shëtiste nëpër fshatrat dhe jepte shfaqje. Ishim nisur nga Vlora në mëngjes me destinacion Kuçin ku në mbrëmje do të jepnim shfaqjen e parë. Trupa përbëhej nga 8 aktorë dhe një puntor skene . Unë isha i vetmi amator që regjisori kishte menduar të më jepte një rol të dytë. Kisha dëgjuar që rruga për atje ishte e keqe saqë edhe vetë fshatarët e atyre zonave ankoheshin shpesh. Ishte e njëjtë me rrugën e Bregut matanë malit të Çikës, por,mbase edhe më e keqe sado që pjesa më e madhe ishte fushë. Mund të kishim bërë rreth katër orë rrugë, por humori që sillnin aktorët në fjalosjen e tyre me ndodhi nga më të çuditshmet në skenë, apo mbrapa perdeve nëpër vite, na bënin të gajaseshim me të qeshura sa unë në eksperiencën time të parë, në kësi rastesh qeshja më shumë nga të gjithë. Papritmas ndiem një erë të keqe si e djegur dhe nga motori doli një tym i bardh. Makina ishte marrë nga drejtoria e teatrit dhe ishte në dispozicionin tonë, ku ngarkuar ishte edhe një dekor simbolik i shfaqjes. Të gjithë të alarmuar zbresim me çudinë se çfarë i kishte ndodhur motorit. Shoferi më i shqetësuari hap shpejt kofonon dhe konstaton një difekt të rëndë. Ishim afër fshatit Kallarat. Edhe pse ishte korrik qielli ngadalë po mbushej me re. Dielli herë shfaqej dhe herë humbiste gjatë nëpër to. Disa fshatarë që punonin aty rrotull, lanë punën dhe erdhën me vrap pranë nesh dhe kur panë që ishim të teatrit u çeli fytyra dhe filluan pyetjet nga më të ndryshmet. Njëri prej tyre shkoi me vrap në fshat të njoftonte për difektin e makinës. Aty nuk kishte ndonjë servis për makinat. Papritur filluan të vinin grupe grupe nga dy e nga tre e me shumë fshatarë, të cilët ishin shpërndarë për punët e kooperativës. Lajmi që ishte prishur makina ku me të udhëtonin aktorë të teatrit të Vlorës u përhap me shpejtësi dhe veç kur na rrethuan një duzinë njerëzish. Kurioziteti me pyetjet që bënin ishte i madh. Ora kalonte. Ishim në mes të ditës. Sesi u vendos që, ngaqë do prisnim shumë u tha që të jepnim shfaqjen por jo të plotë, vetëm disa fragmente për të kënaqur ata njerëz të mirë që lanë punën dhe na u gjendën pranë. Shpejt e shpejt u vendos dekori aty anës së rrugës në një vend të sheshtë dhe shfaqja kaloi shumë mirë me interpretimin e shkëlqyer të aktorëve. Zgjati pak më shumë se gjysëm ore e ku në fund u merituan duartrokitjet e të pranishmëve. Pastaj edhe me ndihmën e atyre fshatarëve të mirë u ngarkua dekori serish. Pas rreth dy- tre orësh erdhi një makinë e kooperativës nga Kuçi siç u tha, hipëm në karoceri dhe u nisëm për në destinacion. Kur mbëritëm në sheshin e fshatit pamë se kishin dalë shumë banorë të na prisnin. U vendos se ku do jepej shfaqja dhe ne u futëm në kafenenë e fshatit. Unë mbaj mend se isha me një bluzë me mëngë të shkurtra dhe ngaqë edhe koha ishte e vrejtur dhe e freskët fshati ishte në një lartësi mali, fillova të dridhesha dhe veçse kur ndjeva pas meje një nga fshatarët që më hodhi krahëve një xhaket, ndoshta e xhveshi nga vetja për mua. Të gjithë fshatarët aty ishin veshur trash për kohën që ishte.

-Shumë faleminderit! – i thashë për atë mirësi që bëri. Ai më pa, buzëqeshi dhe më rrahu shpatullën. Pa porositur na erdhi secilit në tavolinë kafja dhe një gotë raki.Unë sprita shumë dhe fillova ta rrufisë kafen si i etur pasi prej mëngjesit e deri në atë orë të vonë të mbasdites nuk kisha pirë dhe as ngrënë asgjë. Doja ta shoqëroja kafen edhe me raki, por edhe pse i ulur mes burrave dhe dy aktoreve tona u mata që ta pi apo mos ta pi pasi nuk isha mësuar ulur kafeneve dhe të pija kafe me raki bashkë. Unë isha gati pesëmbëdhjet vjeç. Kisha marrë një edukatë familjare që as kafja dhe as rakia sido që në shtëpinë time ishin të pranishme pasi edhe babai edhe nëna ime konsumonin edhe duhan, të mos isha dashamirës për to. Por ja si të vjen jeta. Aty në atë fshat malor sikur ma donte mideja ku në një çast m’u duk vetja si i burrëruar, sikur edhe unë kisha moshën e atyre që ndodheshin aty. Vendosa që ta rrëkëllenja edhe atë got raki. E ndjeva që ishte me grad të lartë, ose siç themi rëndom raki e fortë, pasi për një çast sikur më dogji në buzë fillimisht, pastaj në grykë edhe gjoks së bashku.

-Hë më të lumtë, ja kështu të do xhaxhai ty- dëgjova zërin e një plaku që ishte ulur përballë meje në atë tavolinë. Dhe u kthye nga banaku ku porositi edhe një gotë tjetër për mua.

– Jo- i thashë me gjysëm zëri pasi kolla nuk më la të vazhdoja më tutje –falëminderit- mezi më doli fjala duke vazhduar së kollituri. E ndjeva që më ra rëndë në stomak . Isha i pangrënë dhe pas pak ndjeva mornica në trup dhe sikur për një çastë m’u morën mend.

-Eh –thashë me vete- ç’mu desh që e piva-megjithatë mblodha veten dhe u përqëndrova tek muhabetet që bëheshin në tavolinë. Lokali ishte mbushur plot e përplot me Kuçiot. Hynin e dilnin pasi na rrethonin në tavolina ku dëgjonin me vëmendje të madhe çfarë bisedohej e çfarë tregohej me humor nga aktorët dhe të pranishmit. Koha kaloi shpejt dhe skena ishte bërë gati për të filluar.U trembëm në fillim pasi ca pika shiu ranë e sikur na zbehën ,por fati ishte se ato nuk zgjatën shumë.

Çfaqja mbaroi me shumë sukses . Duartrokitjet nuk kishin të sosur. Pothuaj i gjithë fshati i Kuçit kishte dalë në shesh. Ishte si një ditë feste shkuarja atje e trupës së teatrit të Vlorës. Natën do e kalonim në shtëpitë e fshatarëve. Ishin marrë masat që secili nga ne të flinte në nëntë shtëpitë që ishin planifikuar. Mua më ra shorti të isha në shtëpinë e një mësuesi kuçiot, e cila ndodhej mbi fshat. E zonja e shtëpisë kishte shtruar një tavolinë për merak me gjithë të mirat e një mikpritjeje.Unë isha i uritur dhe i kapitur për gjumë. Isha i ri dhe i parrahur me raste të tilla ndryshe nga aktorët e tjerë të trupës që kishin vite në eksperienca të tilla.  Mbaj mend që me mësuesin të zotin e shtëpisë u fjalosëm edhe për lëndët që bëja në shkollë.U thashë që jam me origjinë nga Himara dhe ata u gëzuan shumë se jo vetëm që kishin krushqi në Himarë, por kishin edhe shumë miq të njohur atje.

Pasi hëngra ,u kënaqa shumë të them të drejtën.Ajo tavolinë ishte për zili. Raki që më servirën nuk vura në gojë. Më cuan pastaj në papafingo ku më priste një krevat i shtruar bukur me carcaf akull të bardhë dhe me dy velenxa ,(për herë të parë në jetën time pashtë të tilla.)më zuri një gjumë që edhe sot e kujtoj me nostalgji.Kjo ishte eksperienca ime e parë me teatrin profesionist të Vlorës në turne të tilla të cilat më vlejtën shumë .

Episodi i dytë.

Ecja në rrugën e bukur të Lumit të Vlorës ndërtuar këto vitet e fundit dhe mahnitesha nga bukuritë që më shpaloseshin përpara. Vëreja në fshatra shtëpi të reja ,të bukura,tek tuk ara të punuara ,ullinj të mbjell me rreshta, shikoja fshatarë që kishin dalë anës së rrugës për të shitur prodhimet e tyre, ndërsa dielli më shkëlqente përballë. Ishte ditë e bukur dhe rrugën e përshkoja me marshin e tretë të makinës. Ndalesha që së bashku me familjen të shijonim më mirë atë vend të mrekullueshëm ato panorama që befas na dilnin përpara.Gruaja, Migena shkrepte herë pas here me celularin e saj çka ajo e shikonte që ishte e bukur me syrin e piktores. Diku ndaluam për një kafe. Ishte një pik karburanti ku shërbente edhe si kafe edhe si restorant-Gacaj quhej. Pronari kur e mori vesh se kush isha m’u afrua dhe u përshëndetëm përzemërsisht. Ishte fisi i këngëtares së shquar Aurela Gaçes. Më erdhi mirë që ambienti i lokalit ishte i mbushur plot me udhëtar ku dikush pinte kafe e dikush tjetër shijonte gatimet e atij restoranti. Duhej ai pushim nga rrugëtimi që kishim bërë nga Tirana aty.

Sipas tim eti ishte data 18 janar i 1944-s. Do të shkonin në përurimin e Brigatës së Pestë Sulmuese të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, e cila do të bëhej pikërisht këtu në Bramyshje më datën 20 janar pjesë e së cilës do inkuadrohej edhe Çeta e Bregut. Më kishte treguar peripecitë e rrugës nga Vunoi deri këtu, ku me vete kishte edhe një pushkë,(Patickë quhej) e gjetur nga gjyshi nga lufta që bënë italianët me grekët ku u bë beteja e ashpër në malin Skutari i ndodhur mbi kalanë e Himarës ku kishin mbetur shumë armë dhe më vonë banorët kishin marrë çtë mundnin

Do të ecnim pastaj shumë pak kilometra dhe do ndalonim serish në një vend që më lidhte me historinë e babait tim Koço Gjoka në kohë të largëta, që datonin vitin 1944.Vendi ku ndaluam në anë të rrugës quhet Bramyshje, teritor i fshatit Tërbaç. Ishte një fushë e bukur e madhe që ndahej në dy pjesë nga rruga e re e ndërtuar. Ndala makinën në kthesën ku rruga merr për në fshat pasi prej rrugës kryesore duhej edhe gati 2 a më shumë a më pak kilometra për atje, sepse nuk e njihja atë teritor. Eca në këmbë asaj fushe dhe më dukej sikur ecja në gjurmët e tim eti ardhur aty si partizan nga Himara, si themelues bashkë me të tjerë i Çetës së Bregut më 1 gusht të vitit 1943. Ishte vetëm pesëmbëdhjet vjeç kaq sa unë kur shkela për herë të parë kësaj rruge për në fshatin Kuç çka e përshkruajta në episodin e parë. Nuk e di nëse ishte rastësi puna e moshës, apo rrethanat e kishin prurë një gjë të tillë?

Im atë së bashku me Çetën e Bregut ishin nisur nga fshati Vuno nëpërmjet Mjegulloshit, emërtim i malit mbi fshat. Kishin kapërcyer pastaj malin e lartë të Çikës mes dëborës dhe të ftohtit. Sipas tim eti ishte data 18 janar i 1944-s. Do të shkonin në përurimin e Brigatës së Pestë Sulmuese të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, e cila do të bëhej pikërisht këtu në Bramyshje më datën 20 janar pjesë e së cilës do inkuadrohej edhe Çeta e Bregut. Më kishte treguar peripecitë e rrugës nga Vunoi deri këtu, ku me vete kishte edhe një pushkë,(Patickë quhej) e gjetur nga gjyshi nga lufta që bënë italianët me grekët ku u bë beteja e ashpër në malin Skutari i ndodhur mbi kalanë e Himarës ku kishin mbetur shumë armë dhe më vonë banorët kishin marrë çtë mundnin. Paticka ishte më e gjatë se trupi i tim eti. Kishte pushkën, por nuk kishte fishek për të. Megjithatë ajo i jepte guxim, sikur e burrëronte dhe i jepte forcë që edhe vështirësinë e ecjes në dëborë dhe të ftohtin, që e shoqëronin të mos i ndiente. E jëma nona ime, Amalia i kishte dhënë për të veshur edhe dy fanella të leshta dhe i kishte qepur ashtu me dore , (ishte mjeshtre për robaqepsi), një tip pallto me një cop çadre edhe kjo gjetur në Skutari si mbetje e njërës prej ushtrive. Rrugës u kishin dalë ujqër, i kishin friksuar pak si të pambrojtur që ishin mes dimrit ,mes dëborës , mes erës së tërbuar; aty në maj të Cikës të zbuluar, pa pemë, pa ndonjë guvë ku të mund të futnin kokën. Tre, katër të tjerë pjestar të Çetës kishin edhe armë me vete, kishin fishek dhe granata dore. Në dy-tre raste kishin qëlluar mbi ujqërit, kishin vrarë prej tyre që ata të merreshin me kërmat dhe të mos i ndiqnin më nga mbrapa. Mbritën në Bramyshje sipas parashikmit në datën 19 janar. Këtu kishin gjetur shumë të ardhur nga fshatrat përreth, nga Vlora si dhe nga zonat e Tepelenës dhe Gjirokastrës. Ceremonia për themelimin e Brigatës së 5 Sulmuese do të bëhej në datën 20 një ditë më vonë. Po sipas tim eti aty mund të ishin më shumë se një mijë partizan. Ishte një organizim i përsosur. Gjithë fusha e Bramyshnjes ishte mbushur plot e përplot dhe gumëzhinte nga zërat dhe këngët ku aty këtu grupe partizanësh ja merrnin Labçe. Im at më pat thënë se kishte edhe një grup teatral të përbërë nga partizanët e ardhur nga qyteti i Vlorës ku dha shfaqje që u pëlqye shumë nga të pranishmit.

Ecja dhe shkelja mbi barin e fushës dhe mundohesha të imagjinoja lëvizjet e tim eti mes atyre partizanëve të tjerë. E imagjinoja se ku mund të ishte ulur, ku mund të kishte dremitur nga ajo lodhje e rrugës që kishte bërë së bashku me shokët e tjerë, ku mund të kishin ngrënë një cop bukë e të tjera mendime që më bënin të ndihesha krenar që kishte qënë në këtë fushë i ardhur për t’u inkuadruar për në luftën e madhe kundër okupatorit nazifashist gjerman. Më vinte mirë që edhe pse në një moshë jo të pjekur plotësisht të mendonte për të ardhmen e vet dhe të popullit për një Shqipëri pa të huaj ,pa zgjedh, për një Shqipëri të lirë të pavarur.

Më vinte mirë që edhe pse në një moshë jo të pjekur plotësisht të mendonte për të ardhmen e vet dhe të popullit për një Shqipëri pa të huaj ,pa zgjedh, për një Shqipëri të lirë të pavarur. Pas çlirimit, vite të mëvonshme Lumi i Vlorës do të bëhej pastaj si shtëpia e dytë e tim eti. Si Përgjegjës i Elektrikut për fshatrat, do të ndodhej shpesh mes asaj lugine për të rregulluar difektet e ndryshme, që ndodhnin në atë zonë.

Pas çlirimit, vite të mëvonshme Lumi i Vlorës do të bëhej pastaj si shtëpia e dytë e tim eti. Si Përgjegjës i Elektrikut për fshatrat, do të ndodhej shpesh mes asaj lugine për të rregulluar difektet e ndryshme, që ndodhnin në atë zonë. Bëri shumë miq dhe shokë këtu . Ishte mysafir i respektuar në shumë shtëpi të këtyre fshatrave të bukur me burra punëtor dhe gra nikoqire.

Kjo është Bramyshja që bëri histori , që i dha atdheut Brigatën e 5 Sulmuese me djem dhe vajza, që luftuan në gjithë teritorin shqiptar dhe jashtë tij deri në Bosnje me pasionin për idealin e një Shqipërie të begatë.

Eh… Bramyshje, të falem që më solle në mend tim atë.