Çeta Plakë e Vlorës/ Enver Memishaj: Çfarë tregonte Neki Ymeri “Vangjua”, në autokritikën e tij që e bëri në Çorrush me kobure te koka dhe si shpëtoi gjallë nga kurthi i pabesisë. Fraksioni i Sadik Premtes dhe urdhri për pushkatim

790
Sigal

 

Në kuadër të 80 vjetorit të Çetës Plakë të Vlorës 4 dhjetor 1942 – 2022

 Çfarë tregonten NEKI YMERI “VANGJUA”, NË AUTOKRITIKËN E TIJ QË E BËRI NË ÇORRUSH  ME KOBURE TE KOKA   

Neki Ymeri shpëtoi gjallë, nga kurthi i pabesisë që i kishte përgatitur Mehmet Shehu e Hysni Kapo në Mallakstër në maj të vitit 1943, që të dëshmonte të vërtetën se ç`po përgatitej pas krahëve nga Partia Komuniste.

  • Autokritika e Vangjos  

MBI FRAKSIONIN E SADIK PREMTES NË VLORË

Fraksioni i Vlorës: Në pranverën e vitit 1943, Sadik Premtja, Pali Terova, Neki Ymeri, Qazim e Xhemil Çakërri, Hydajet Micolli, Qani Shenaj dhe pasonjësit e tyre, nuk menduan dhe nuk vepruan në fshehtësi. Ata haptazi biseduan dhe kërkuan mbajtjen e një konference për të analizuar aktivitetin e Partisë Komuniste të Vlorës. Duke qënë se ata përbënin shumicën, Liri Gega, Dushan Mugosha, Mehmet Shehu dhe Hysni Kapo u trembën se po humbisnin pozitat e tyre dhe vepruan me pabesi e dinakëri: vranë në prita, pushkatuan pa gjyq, arrestuan, …

Në historinë e Luftës Antifashiste kontraditat brenda Partisë Komuniste ndërmjet grupit të udhëhequr nga Anastas Lula dhe Sadik Premtja dhe Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste është quajtur Fraksioni i Vlorës, ose i Sadik Premtes.

Shumë djem të ndershëm dhe guximtarë, si Anastas Lula e Sadik Premtja, Qazim Çakërri e Pali Terova, Neki Ymeri e Qani Shenaj, që mendonin dhe kërkonin që mangësitë në Komitetin Qarkor të Vlorës të rregulloheshin me mjete demokratike, pa dhunë e terror.

Mbyllja sektare e luftës ishte një problem tjetër i rëndësishëm, që kërkonin ta shmangnin anëtarët e organizatës së partisë së Vlorës që iu kundërvunë Liri Gegës. Por, ajo që e mbushi kupën ishte ardhja bashkë me shqiptaren e egër, ngatërrestare, Liri Gegën, dhe e jugosllavit Dushan Mugosha, si këshilltarë për Komitetin Qarkor të Vlorës, të cilët diktonin gjithçka dhe caktonin e hiqnin në detyra me fuqi të plota. Këto bënë që shumë djem të ndershëm dhe guximtarë të mendonin dhe të kërkonin që këto mangësi të rregulloheshin me mjete demokratike, pa dhunë e terror. E theksoj togfjalëshin “shumë djem të ndershëm” për të shprehur një të vërtetë, të cilën historiografia jonë e politizuar, për gati gjysmë shekulli e ka minimizuar duke e quajtur “një grusht fraksionistësh”.

Si mund të quheshin të tillë ata djem e vajza, kur në anën e tyre u hodh e gjithë çeta “Plakë”, kur pas arrestimit, me urdhër nga lart, të Pal Terovës, u ngrit i gjithë fshati Tragjas e Dukat në mbrojtje të tij, dhe kërkoi që ai të lirohej, gjë që edhe u arrit.

Që ata guximtarë, të kulturuar e me prirje demokratike përbënin një forcë të madhe, e cila po të ishte kuptuar drejt e të ishte ushqyer e ndihmuar, mund të kishte ndryshuar fatet e Shqipërisë, e tregon edhe alarmi që shkaktoi tek Enver Hoxha kreu i PKSH-së.

Sadik Premtja dhe pasuesit e tij kur vunë re se gabimet në punën për organizimin e luftës me një bazë shoqërore më të gjerë, jo vetëm nuk po ndreqeshin, por po thelloheshin nga ana e Komitetit Qarkor të PKSH-së së Vlorës, siç ishte shmangia e vendimeve kolegjiale dhe caktimi i njerëzve në detyra të rëndësishme, me urdhër nga lart, e jo me zgjedhje nga masa, pra pa e pyetur bazën.

Kjo vërtetohet edhe nga një letër më dt 1. 6.1943, që Pal Terova, ish-Sekretar i Organizatës së PKSH-së për krahinën e Dukatit, Vlorë, i dërgonte Ndreçi Plasarit, bashkëfshatarit të tij në Korçë dhe person me përgjegjësi në çetat partizane, ku i shkruante “…Në Komitetin Qarkor të Vlorës është dhe një shoqe L. G… Kjo si e plotfuqishme zgjodhi një Komitet Qarkor me elementë të pazot, siç u provua dhe pa asnjë cilësi, për të qenë të përshtatshëm të jenë në timonin e organizatës komuniste… Bile një element që e bëri anëtar të Komitetit Qarkor e solli pako postale nga Tirana… ”

  1. ENVER HOXHA: SADIK PREMTE DHE PAL TERROVA TË PUSHKATOHEN PA ASNJË GJYQ SI TRADHTARË

Enver Hoxha, i shqetësuar në kulm nga përmasat e asaj lëvizjeje që po ndodhte në Vlorë, e cila po lëkundte pozitat e tij, që nga strofkat ku fshihej në Tiranë, më 3 maj të vitit 1943, dërgoi një letër, që ishte në fakt një urdhër, që ia drejtonte Qarkorit të Vlorës dhe për njoftim gjithë Komiteteve Qarkore të Shqipërisë. Në atë letër ai urdhëronte:

“Xhepi dhe Pali duhet të pushkatohen përnjëherësh pa asnjë gjyq si tradhtarë… armiq të betuar të partisë dhe të popullit”.  Dhe më poshtë: “Të arrestohet Vangjoja e Difi dhe të gjithë ata elementë që kanë marrë pjesë në këtë punë dhe, pa humbur kohë, të bëhet gjyqi i tyre… Në rast se ata janë kurdoherë solidarë me Xhepin edhe ata të pushkatohen… Të forcohet disiplina. Të shkojnë dy vetë të flasin me H.L. dhe t’i japin arsyet, e ta bindin për masat që janë marrë kundër këtyre tradhëtarëve”. 1)

Vetëm nga leximi i këtij citati të shkurtër të asaj letre, që është shumë e gjatë, të lindin vetvetiu disa pyetje dhe shqetësime:

Në radhë të parë, ku e gjeti ai njeri legjitimitetin që të arrijë të japë vendime për arrestime dhe për pushkatime?

Kush ia dha atij të drejtën për t’i quajtur ata që nuk mendonin si ai, “armiq të popullit”,  mbi ç’bazë ligjore e morale jepte urdhëra të pushkatoheshin njerëz?

Dhe po të mbahet parasysh se kjo ndodhte vetëm një vit e gjysmë nga dita që ai kishte marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm (ashtu si e kishte marrë) të PKSH-së, mund të arrihet në përfundimin se çfarë ka bërë ai më vonë, kur pushteti i tij u forcua dhe pozitat e tij në krye të partisë e të shtetit u konsoliduan me tej.

Pa folur pastaj që ky vjen si një urdhër i dhënë “zyrtarisht”.

Po ato urdhra që ka dhënë në rrugë të fshehta?

Të habit fakti që historianët, të cilët kanë trajtuar problemet e historisë së PKSH-së, nuk e kane vrarë mendjen t’i shtrojnë këto pyetje logjike dhe t’u japin përgjigjen që duhet.

Në letrën famëkeqe të cituar më lart, bie në sy edhe një fakt tjetër, jo më pak i përbindshëm, por që për çudi, sërish “u ka shpëtuar” historianëve tanë në të kaluarën.

Autori, pa pikë turpi e identifikon partinë me popullin, kur i quan ata që nuk janë në një mendje me të “armiq të partisë dhe të popullit”. Siç dihet, fjala parti vjen nga fjala latine pars (partis) që do të thotë pjesë. Pra, partia është vetëm një pjesë e popullit dhe, përderisa është e tillë, kurrë nuk mund të barazohet me të tërën. Pa folur pastaj që PKSH-ja, në kohën që është shkruar letra e cituar, nuk ishte as pjesë, por vetëm një pjesëz e vogël e popullit, sepse nuk besoj se kishte më shumë se disa qindra anëtarë.

Në dokumente të tjera, të shkruara prej tij në kohë të mëvonshme, Enver Hoxha do të shkojë edhe më tej në këtë rrugë mafioze, kur do t’i quante dëshmorët, që jepnin jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit fashistë “dëshmorë… për lartësimin e emrit të partisë sonë”… që  “derdhin gjakun pa u kursyer për partinë” 2)

Kur lexon këto radhë, e të tjera, të diktatorit, nuk është e vështirë të kuptohet se këto gjëra thuheshin me qëllim që shqiptarët të njihnin vetëm partinë e tij dhe, duke dhënë jetën për atë parti, njëkohësisht përjetësonin edhe udhëheqësin, më saktë Sulltanin,  e “padiskutueshëm” e “të pazëvendësueshëm” të saj.

Këto veprime ishin fara që do të pillte atë diktaturë, e cila rëndoi mbi shpinën e popullit shqiptar deri në vitin 1990. Ja se ku e çonte atë njeri, që në atë kohë, megalomania dhe egocentrizmi.

Veteranët e nderuar, ithtarë të Enverit, të cilëve u janë vrarë shokët që kishin në krah, e dinë më mirë se kushdo tjetër se për çfarë ideali e jepnin ata jetën në fushën e nderit, kështu që nuk e kanë të vështirë t’i përgënjeshtrojnë deklaratat e diktatorit.

Në zbatim të urdhërave që jepeshin në letrën e cituar, Hysni Kapo, natën e 7 majit 1943, me dredhi e pabesi, arrestoi në Tragjas Pal Terovën dhe e izoloi nga populli. Në të njëjtën mënyrë bëri planin për ar­restimin edhe të Sadik Premtes. I vuri koburen në kokë Pal Terovës dhe e detyroi t’i shkruante letër Sadik Premtes në Gjorm të vinte ta takonte në Tragjas. Më 9 maj 1943, Sadiku u nis dhe ndërsa ishte duke kaluar malin të binte në Tragjas i dolën përpara dy besnikët e tij Abas Fejzua dhe Tanush Shyti dhe i thanë: Ktheu se do të vrasin! Kështu Sadiku shpëtoi nga gracka që i kishte ngritur Hysni Kapo.

Po kështu ai dërgoi në Tërbaç njerëzit e tij për të arrestuar Vehbi Hoxhën (Zeqon) e disa të tjerë, por u gjendën vetë të arrestuar nga Vehbiu me shokë.

Ndërkohë, Mehmet Shehu, në zbatim të urdhrit të eprorit, që i jepej në letër, sipas kujtimeve të Sulltana Çakërrit – Begeja, të cilës ia kishte treguar me gojën e tij Vangjua, dëshmitari tragjik i vetë ngjarjes, e thirri Xhemil Çakërrin dhe Vangjon, komisarin dhe komandantin e çetës “Plakë”, që ndodheshin në fshatin Klos të Mallakastrës, gjoja për t’u këshilluar lidhur me një aksion që do të bëhej kundër forcave italiane. Atje, pasi ata u futën në dhomë dhe, sipas zakonit shqiptar, në mirëbesim, varën armët, ai i arrestoi pabesisht. Pas arrestimit e detyroi Vangjon t’i shkruante një letër çetës “Plakë”, ku t’i thoshte se “ai dhe Xhemili po largoheshin përkohësisht nga çeta me punë partie” dhe se çeta, aty e tutje, do të vihej nën komandën e Mehmet Shehut.

Pasi u sigurua për këtë, të dy të arrestuarit, të lidhur, ia dha njeriut të tij besnik Idris Seiti, i njohur me pseudonimin Sazani, pët t’i çuar në fshatin Çorrush, ku do t’u bëhej gjyqi (!). Rrugës Idris Seiti i strehoi të arrestuarit, të lidhur, në mullirin e Kutës. Sapo morën vesh arrestimin e tyre çeta “Plakë” e udhëhequr nga Hydajet Micolli sulmoi mullirin. Idris Seiti vrau Xhemilin, ndërsa Neki Ymeri mundi të shpëtojë i plagosur, nga filaqia e mullirit. Nga jashtë Idrizi vrau edhe Hydajet Micollin. Nekiu do të mbahej i burgosur në Çorrush dhe me kobure në kokë do të shkruante autokritikën e tij!

*        *       *

Idris Seiti, me arsim fillore do të bënte një kurs në Bashkimin Sovjetik dhe do të gradohej oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, koburja mafioze e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Edhe ky përfundoi në burgun e Burrelit dhe vdiq pas vitit 1990.

Abas Fejzua (1925 – 1987), studjoi në Bashkimin Sovjetik u gradua gjeneral dhe vdiq në burgun e Burrelit.

Tanish Shyti (1915 – 2004) Studjoi në Bashkimin Sovjetik, u gradua gjeneral. Me përkrahjen e Hysni Kapos dhe krushkut të tij Mehmet Shehu, Tanushi i shpëtoi fatit të Abas Fejzos.

Burimet:

1) AQSH, F.18/AP, V. 1943, D. 1, f. 4; Enver  Hoxha, Vepra, Vëll. I, Tiranë 1982, Bot. II, f. 365 – 366, shkresa në formë urdhëri është falsifikuar, janë hequr fjalët: pa asnjë gjyq!!! Xhepi – Sadik Premtja, Pali – Pali Terova, Vangjua – Neki Ymeri, Difi – Qazim Çakërri,  H.L. – Hysni Lepenica

2) Enver Hoxha, Vepra, Vëll I, Bot. II, f. 381, 385.

  1. DY FJALË PËR LUFTËTARIN TRIM ANTIFASHIST DHE DËSHMORIN E ATDHEUT NEKI YMER HOXHA “VANGJO” (1918 – 1943)

Përmbi batalion i pari:

Komandant more Neki!

Sypatrembur luftëtari,

luftove për Shqipëri.

Pas vitit 1990 Neki Ymerit i janë akorduar këto dekorata:

–   “Për veprimtari patriotike”, me motivacionin: “Luftëtar trim që dha jetën për një Shqipëri të lirë”.

–   “Martir i Demokracisë” me motivacion: “Antifashist i orëve të para, organizator dhe luftëtar në luftë për çlirimin e vendit nga pushtuesit e huaj. Iu kundërvu që në fillim vijës antikombëtare të diktatorit Hoxha, duke sakrifikuar edhe jetën”.

Dekreti i Presidentit Sali Berisha: nr. 1268 datë 1.11.1995 dhe nr. 1494 datë 22.5.1996

–  Medalje e Artë të Shqiponjës” me këtë motivacion: “Vrarë në LANÇl, 1943, Komandant i çetës Plakë- Vlorë. Student, drejtues në Lëvizjen Kombëtare e Antifashiste. Franksionist në Partinë Komuniste Shqiptare”

*            *           *

Neki Ymer Hoxha lindi në Gjorm të Vlorës në vitin 1918, në një familje të mesme fshatare dhe e njohur në krahinë.

Pas shkollës fillore në Gjorm dhe disa vjet në Vlorë, ndoqi Shkollën Teknike Amerikane në Tiranë dhe Korçë dhe u diplomua teknik ndërtimi, gjeometër. Më 1940, ndërsa disa profesorë, me kërkesën e tyre, rreshtohen oficerë fashistë, Neki Ymeri, nxënës në Institutin e Korçës, përjashtohet nga shkolla si antifashist.

Në vitin 1940, gjeti punë në Sarandë dhe më pas në Vlorë. Nën ndikimin e ideve dhe propogandës së kohës dhe veçanërisht të Sadik Premtes, të cilin e kishte kunat, përqafoi idetë komuniste dhe u anëtarësua në Grupin Komunist të të Rinjve dhe më 8 nëntor 1941, anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare.

Në fillim të vitit 1942, Gjormi; ish qendër e organizatës së Partisë Komuniste për Mesaplikun, ku figurojnë 13 anëtarë midis të cilëve 5 vetë nga Gjormi, midis tyre është edhe Xhafer Dalani.

Sadik Premtja dhe Neki Ymeri e kthyen vendlindjen e tyre Gjormin, në bazën e parë të Lëvizjes Antifashiste. Duke qenë gjithë fshati i mobilizuar për luftë kundër fashizmit, bazat e para të luftës në këtë fshat ishin familjet e Muço dhe Esat Sherifit, Neki Ymerit, Qani Shenaj, Zagoll Shenaj, Xhafer

Dalanit, Lulo dhe Xhebro Lulaj, Sadik Premtja , Alliajt, Kapajt, etj. (217)

Në mars të vitit 1942 në Gjorm, nën udhëheqjen e Sadik Premtes dhe Neki Ymerit u ngrit njësiti partizan, ku Neki Ymeri caktohet përgjegjës ushtarak për Mesaplikun dhe njihet me pseudonimin “Vangjo” Në vitin 1942, Neki Imeri doli fshat më fshat të propagandonte luftën për liri dhe fshatarët e tij të gjithë e ndoqën pas.

Më 21 prill 1942, atij dhe Ymer Veshit u caktohet detyrë nga Partia Komuniste, për të nxjerrë nga burgu i Fierit, Sinan Gjonin, Sekretar Organizativ i Qarkorit të Vlorës dhe shokët e tij, por që aksioni përfundoi pa sukses.

Më 28 nëntor 1942, në kuadër të 30-vjetorit të Pavarësisë i gjithë fshati i Gjormit, në udhëheqje të krahinës i prirë nga Nekiu me çetën e tij sulmon postkomandën fashiste në Brataj, ndërsa motra e tij Vitore Hoxhaj, prin me flamurin në ballë, si anëtare e Rinisë Komuniste Shqiptare.

Po atë ditë në Vlorë, u bë demonstratë nga të burgosurit politikë dhe arrin të lirohen nga burgu Ymer Hoxha, babai i Nekiut, Hasan Premtja, kushëri i Sadikut etj.

Në këto rrethana Partia Komuniste vendosi formimin e njësitit të parë partizan në krahinën e Vlorës që u emërtua çeta Plakë dhe që u formua më 4 dhjetor1942 në vendin e quajtur Vris në Gjorm.

Falë cilësive të Neki Ymerit, oratorike, organizative, trimërisë dhe trashëgimisë familjare ai u zgjodh komandant i njësitit të parë partizan, çetës Plakë, të cilën e udhëhoqi sa qe gjallë në 24 aksione kundër fashizmit dhe të gjitha me fitore: në Tiranë, Vlorë, Përroi i Silorakut, Selenicë, në Qafë të Pullumbit,

në Mal të Bardhë, tek Ura e Gjormit, në Ujë të Ftohtë Vlorë, në Mavrovë, në Radhimë ku dogji të gjitha depot e armikut, në Luftën e Gjormit kundër forcave të shumta mercenare të Halil Alisë e Selim Kaloshit dhe forcave fashiste, etj. Kështu çeta Plakë nën komandën e Neki Ymerit u bë tmerr për armikun. Komisar i çetës u caktua një tjetër trim nga Tragjasi dhe që njihte artin ushtarak Qazim Çakërri.

Nga Gjormi në çetën Plakë kanë qenë rreshtuar 26 djem, nga 41 partizanë që kishte çeta ditën e formimit. Nga 26 djem të Gjormit, 20 djem u vranë, 6 të tjerë, në ditët e fundit të vitit 1944, u arratisën jashtë shtetit të ndjekur nga shokët e tyre komunistë për t`i vrarë!?

Ndër ta përmendim: Lulo Shaipi, Qani Shenaj, Arap Shenaj, Xhafer Dalani, Selam Emini, Bako Tafili, Nimet Mita – Fterra, Veip Kapaj, Hamdi Lazaj, Hasan Premtja, Feti Premtja, Gjysh Premtja, etj.

 Nesër do lexoni:

Si u arrtisën Neki Ymeri, Sadik Premtja, Qani Shenaj, Xhaferr Dalani, Muço Sherifi, Hasan Premtja, Hysni Lepenica, Safet Allushi, Hasan Brahimi.

– Më datën 6 mars 1943, Hysni Kapo, Liri Gega, Dushan Mugosha etj., u nisën për të vajtur në Konferencën e Parë të PKSH.

– Sipas dokumentave të policisë të datës 11 maj 1943 “Neki Ymeraj shpallet person shumë i kërkuar si kundërshtar”.