Cano Nora: Historia e punonjësit të policisë së Gjirokastrës, që e liruan nga detyra ditën që u arratis kushëriri i tij

MUFIT ÇELI, POETI, PUBLICISTI, DHE ISH PUNONJËSI I POLICISË KUJTON ME DHIMBJE DITËN KUR E LARGUAN SI TË KISHTE BËRË NDONJË KRIM.

RAPSODI, AUTOR I KATËRQIND KËNGËVE, SI I RRITI TË DY FËMIJTË NË NJË DHOMË TRE ME TRE NË TEQENË E KODRËS SË SHTUFIT

TAKIMI ME ADIL ÇARÇANIN, ASO KOHE KRYEMINISTËR DHE KALVARI I VUAJTJEVE PA FUND DERI DITËN E DEMOKRACISË

Sigal

Cano Nora

Mufit Çeli , mbas mbarimit të shkollës mekanike në Shkodër, punoi në Degën e Punëve të Brëndshme në Gjirokastër për disa vite dhe një ditë u ndëshkua me heqjen nga puna, me arratisjen e kushëririt të tij, djalit të hallës. Ai rrëfen për gazetën “Telegraf” historinë me ulje – ngritjet e jetës së tij, për kohët që bëri karrierë si dhe atëherë që u ndëshkua rëndë nga titullarët e lartë të tij. Mufit Çeli, djali nga Medari i Kurveleshit, me burrërinë dhe karakterin e një labi të vërtet,s’e humbi toruan, por u përball me ata që donin “ti hanin” kokën dhe qëndroi gjithnjë krenar duke mos i humbur shpresat për jetën asnjëherë.

CILI ËSHTË ARSIMIMI JUAJ NDËR VITE DHE Ç’KUJTON NGA SHKOLLA E MESME NË SHKODËR?

Shkollën fillore e kreva në vëndlindjen time në Medar dhe atë tetëvjeçare në Picar. Në Shkodër vazhdova studimet në shkollën e mesme mekanike. Për kohën më pëlqente ajo degë se kishte shumë mundësi për t’u punësuar. Edhe pse isha mirë me mësime studimet e larta s’i vazhdova dot atëherë. Unë e dashuroja profesionin .Qyteti i Shkodrës më pëlqente shumë. Edhe si qytet, por edhe si njerëz. Kur kryeja studimet aty u njoha edhe me shkrimtarë e poet të njohur, të cilët do të ishin mbështetësit më të mirë për të vazhduar të shkruaja dhe të botoja. Kështu duke vazhduar krijimtarinë do kisha më shumë mundësi të bëja karrierë dhe emri im të mos mbetej vetëm në brëndësi të disa shënimeve nëpër fletore.

SI U NDIET KUR FILLOVE PUNË PËR HERË TË PARË?

Punë për herë të parë fillova në S.M.T- në e Gjirokastrës. Isha brënda profesionit tim dhe kjo më gëzoi pa masë. Aty kisha më tepër mundësi për të zbuluar sa më shumë të fshehtat e profesionit. Aty gjeta njerëz të mirë, por dhe zotët e punës. S’më erdhi keq për ardhjen e thirrjes për ushtar, por më erdhi keq se po ndahesha nga ai kolektiv i mrekullueshëm. Ushtrinë e bëra në Rinas, në Aviacion. Kur isha ende i vogël, bëhesha kurreshtar, por gjatë tre viteve aty mësova shumë të fshehta që mbante në vetvete ai shërbim. Aty u njoha nga afër dhe me ushtarakun dhe poetin fushëbardhas, Zeqo Camën. Isha me fat që eprorin tim për tre vite rresht do ta kisha edhe një udhërrëfyes në krijimtarinë time, që sapo kisha nisur të botoja. Zequa më dha një dorë të mirë, më mbajti afër dhe më ndihmoi për të ecur dhe unë i sigurt në atë udhë që kisha nisur. Fillimisht botova në gazetën “Luftëtari” për aviatorët shqiptarë, të cilët stërviteshin dhe s’fidonin çdo vështirësi të kohës, ata që bënin sakrifica gjer në vetmohim.

PO NË DEGËN E PUNËVE TË BRËNDËSHME KUR ERDHE?

Pasi mbarova shërbimin ushtarak , për të cilin fola më lartë, fillova punë në Degën e Brëndshme në Gjirokastër. Pa provuar emocionet e para të punës , më dërguan për t’u specializuar për teknikën e aparaturave të kufirit. Aty nuk qëndrova gjatë se djali i hallës time u arratis dhe për fatin tim të keq më hoqën nga puna. Edhe pse pak bëra me kolegët e tjerë të policisë, me ta krijova marrdhënie të mira me eprorët e mi, por edhe me të gjithë ata që më lidhte puna dhe detyra. Befas një urdhër i titullarëve lartë u desh që të më largonin nga detyra dhe çdo gjë të bënte pas për mua. S’më erdhi vetëm mua çudi për këtë, por të gjithë atyre kolegëve të mi të policisë, të cilët e shprehnin në heshtje se s’ja mbante asnjerit të dilte e të kundërshtonte ballë për ballë. Arratisja e kushëririt tim s’mund të harrohej pa u bërë dhe ndëshkimi im i radhës. Pastaj pasojat diheshin, për mua dhe për gjithë pjestarët e tjerë të familjes. S’kisha ku të ankohesha fare, se murit nuk i bihej me kokë. Ai sistem ishte, ato “çudira” arrinte që të bënte për të bërë njerëzit të pakënaqur dhe t’u vinin dhimbjet gjer në kockë. Se ai stan atë bulmet kishte.

QË NGA AI MOMENT NUK PATE MË LIDHJE ME POLICINË?

Që ditën e parë që më larguan nga puna, e përjetova keq. Nga unë të tjerët nisën të distancoheshin. Shkëmbehesha me ta në rrugë dhe silleshim si të mos kishim njohje me njeri – tjetrin. Disa mendonin se përgjoheshin dhe nuk shkëmbenim më as edhe një përshëndetje, ndërsa për të pirë ndonjë kafe së bashku as që bëhej fjalë. Pra shokët e mi bënë një kthesë 180 gradë. Edhe atyre s’j’u vija faj,se ashtu i kishin porositur të tjerët, përndryshe do t’ju tërhiqnin veshin. E çuditshme! Ishim shokë të një detyre dhe atëhere që sapo kisha marrë detyrën në policinë e shtetit, atëherë që duheshin të më mbanin afër, filluan që të më largoheshin kolegët një e nga një dhe më lanë vetëm. Që nga ai moment vetëm me policinë nuk do të kisha më asnjë lidhje, për shkak të arratisjes së kushëririt tim, të cilit i kishte shkrepur në kokë të arratisej dhe një ditë ta shihte veten në anën tjetër të kufirit.

TROKITE DIKU PËR TË KËRKUAR TË DREJTËN, PËR PËRJASHTIMIN NGA RRADHËT E POLICISË?

Pse një herë? Mbeta dyerve të policisë, duke pritur për të marrë një përgjigje me shkrim, që të kishte një firmë dhe një vulë, të ishte zyrtare. Ngushëlloja veten se ata, eprorët e mi që më njihnin me dhëmbë e dhëmballë do të vinin dorën në zemër dhe të më kthenin ditën tjetër në punë. Por në çdo derë të policisë që trokisja, për mua mbylleshin të gjitha. Ma prisnin shkurt: “Është me urdhër nga lartë”.U enda rrugëve për të gjetur ndonjë punë tjetër , por si tek policia, kudo që shkoja s’u ndjeva kurrë. Biografisë time tashmë i ishte shtuar njolla dhe jeta për mua kishte marrë rrokullimën. Arratisja e djalit të hallës, mjaftonte që unë të ropatesha kot poshtë e lartë.

PO FAMILJARËT E TJERË, U PERSEKUTUAN?

Të gjithë u persekutuan në një farë mënyre. Familjarët e mi atje në Medar, nuk i linin që të punonin, por donin që t’u hiqnin dhe kazmën e lopatën nga dora. Edhe sigurimsat i mbanin në kontroll, por njëkohësisht përjetonin dhe përbuzjen nga fshatarët e tjerë. Presion nga të gjitha anët. Në një farë mënyre, ngjarjen e ikjes së kushëririt jashtë shtetit, e ndjemë dhe e vuajtëm të gjithë si familje. U vramë moralisht dhe ekonomikisht. U fundosëm nga regjimi. Dënoheshin e persekutoheshin njerëzit edhe të pa faj.

A KE PATUR NDONJËHERË PËRPLASJE ME DREJTUESIT NË RRETH?

Ishte një përplasje që më kushtoi shumë në ato vite. S’më hiqet nga mëndja dhe sot e kësaj dite. Kisha bërë një tekst kënge për Gjirokastrën. Sekretari i parë, Manxhar Binaj donte që ajo të këndohej nga grupi i Lazaratit, marrës i të cilit ishte Xhelil Shkurti, ndërsa në anën tjetër, Flamur Çani, kryetar i komitetit ekzekutiv përpiqej që të bindte të tjerët se atë këngë duhej që ta këndonte grupi i Mashkullorës, nga ku e kish vëndlindjen ai. Meqënëse në Gjirokastër do vinte dhe udhëheqja e Tiranës , Adil Çarçani me shokë, Flamuri donte që të krenohej me Mashkullorën. Këtu nisi edhe “sherri” mes Manxhar Bines dhe Flamur Çanit. Në fund u vendos për ta “marrë”në dorë situatën Lazarati. Unë si autor i tekstit e kisha marrë dhe një goditje atë të pushimit nga puna dhe kjo goditje më duhej. U përhapën fjalë se përse s’u bënë dy tekste nga Mufiti se ashtu mbyllej çdo mëri mes grupeve. Shpëtova paq, se s’kishte më kohë për tekst tjetër. Kënga u vlerësua dhe i kishte mbetur në mëndje dhe kryeministrit Adil Çarçani. Mbas disa kohësh, Ai më kërkonte në takim kur erdhi për të vizituar Gjirokastrën, Dropullin e Sipërm dhe Mashkullorën.

Ç’FARË KUJTONI NGA BISEDA ME TË?

Më ftoi në shtëpinë e pritjes, e cila ishte afër poliklinikës së qytetit. Ishte ditë e diel. Me Adilin ishte dhe Shefqet Peçi. Isha i drojtur kur vajta për t’i takuar. Të dy rrinin në ballkon dhe vështronin nga rruga. I takova dhe Adili m’u drejtua: “Sa mirë që erdhe, more djalë! Tani do pimë dhe kafen bashkë. Në tavolinë kishin shtrirë një paqetë me cigare dhe më thanë që ta ndizja një cigare. Më pyeti se mos kisha ndonjë hall. Në atë kohë isha i mbytur në halle, por se si më erdhi në mëndje që mos t’i shqetësoja me hallet e mia. Pasi më përmëndi dy vargjet e këngës time për Gjirokastrën, vazhdoi:”Bravo, more djalë! Vazhdo që të shkruash, se do kesh edhe ndihmën time e të Shefqetit”.

PO SHTËPI TË DHANË NË ATO VITE?

Puna e shtëpisë ishte një histori më vete. E kisha të vështirë që të vija në punë nga Medari im gjer në qytet, në Gjirokastër çdo ditë. Mjete transporti s’kishte. Kërkova shtëpi disa herë, por s’më jepnin. Banoja në një ambjent në Teqenë e Kodrës së Shtufit, në një dhomë 3 me 3 ,të lagësht e pa dritë. Isha si i burgosur. Fëmijtë 4 dhe 6 vjeçarë më sëmureshin gjithnjë. Pas disa muajve , këshilli i qytetit ndau disa hyrje për qytetarët. Edhe pse isha i pari në listë, përsëri s’më dhanë shtëpi ku të futja kokën me gjithë familjen. Ia qava dhe njëherë hallin kryetarit Flamur Çanit, por ai m’u përgjigj:”Tani do të fut tavën në furrë dhe do pjek një hyrje për ty” Unë u preka shumë nga ironia e tij, por nuk ia zgjata më. Me vete kisha dhe vajzën e vogël përdore.

Tek xhamia e qytetit, fare pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, ishte stenda e fletë rrufeve, fenomen për atë kohë, ku atje publikoheshin të metat nëpërmjet fletë rrufeve. Kisha bërë disa vargje kritike për Flamur Çanin direkt, por çndodhi! E vura fletë rrufenë në orën 5 të mëngjesit dhe në orën 6 e tridhjetë minuta e hoqën. Në fund kisha vendosur dhe emrin tim, se ndryshe do ta kisha patur punën pisk dhe këtë herë. Kritika i vuri titullarët në lëvizje, ata që kishin në dorë për të më strehuar mua me familjen time dhe më në fund e mbylla me një dry të madh dhomën tre me tre në Teqenë e Shtufit.

NRYSHIMIN E SISTEMIT SI E PËRJETOVE?

Në vitin 1990 , me ndryshimin e sistemit, diçka do të ndryshonte edhe për mua. Fillova dhe unë që të merrja frymë lirisht. Këto që them ishin një realitet i prekshëm dhe jo hamendësime. Më thirrën për të filluar punë në policinë e shtetit, aty ku ishte lënë në harresë për mua në shumë vite papunësie. Unë kisha një dosje të pastër dhe se isha larguar padrejtësisht nga ligjet e atij sistemi. M’u njohë e drejta e mohuar. Që nga ajo ditë dhe gjer sa dola në pension , nuk u shkëputa më kurrë nga policia e shtetit. Për 11 mijë ditët që shërbeva aty kisha kohë të mjaftueshme për të kryer kurse, specializime e trajnime, për të shërbyer denjësisht në polici dhe për të ngjitur shkallët e karrierës. Ndryshimi i sistemeve mua më shpuri në vënd dinjitetin e nëpërkëmbur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

DIÇKA PËR BOTIMET?

Të thashë edhe më lartë, kam shkruar fuqishëm kur vajta ushtar në aviacion, kam shkruar për shokët e mi ushtarë, për aviatorët, për jetën e tyre mes tokës dhe qiellit. Botoja dhe ndiesha i emocionuar me krijimet që bëja atëherë. Nuk bëja vetëm shkrime në gazeta, por bëja dhe poezi dhe tekste këngësh. S’kishte gjë më të bukur, se kur vija me leje nga reparti dhe filloja t’u tregoja në familje dhe në fshatin tim, në Medar të Kurveleshit, për aviacionin, për ato që fshiheshin pas atij emri të bukur e fisnik, për ata aviatorë që s’bëheshin asnjëherë pengesë për realizimin e detyrave , për ata që ishin dhe mbetën krenaria e këtij vëndi.

Botimi im i parë ishte vëllimi me poezi me titull:”Më mbuloni trupin me këngë” dhe pastaj vazhdova me librat Dafina me vargjet veshur, Dimër me dëborë të vjetër dhe gjer tek libri i tetë me titull “Në krahët e dhimbjes”

PO KËNGËT?

Nuk i kam ndarë asnjëherë këngët nga poezitë. Ato janë dashuria ime e madhe. Nëpërmjet tyre kam njohur dhe kam bërë shumë shokë e miq në jetë. Përditë jetoj me to , përditë krijoj për njerëzit, për Medarin tim, për labërinë dhe për çdo gjë që më ngacmon në shpirt. Po nëpërmjet këngës jam njohur dhe me të madhin Lefter Çipa. Tekstet e këngëve të mia janë rreth 400 të tilla gjer më tani që flasim bashkë. Janë kënduar në disa festivale folklorike kombëtare . Në vitin 1983 dhe në 1988 , në të dy këto evente kombëtare në qytetin e gurtë, u kënduan edhe disa nga tekstet e mi. Që prej atëherë unë kam qenë dhe jam anëtar i komisionit të përzgjedhjes së teksteve për rrethin e Gjirokastrës. Por unë s’isha i vetmi poet që krijoja dhe krijoj tekste për këngët labe. I pari ishte Lefter Çipa dhe pas tij vinim ne të tjerët.

KOHËT E FUNDIT KENI BËRË TEKSTE TË PËLQYERA NGA DËGJUESIT E SHUMTË?

Kam 40 vite me penë në dorë. S’është nevoja që t’i kërkoj unë këngëtarët, por janë ata që më gjejnë mua. Kemi vite bashkëpunimi me dhjetra grupe të Labërisë, nga Vlora, nga Gjirokastra, nga Tepelena, Delvina e Saranda. Nga të 400 tekstet e deritanishme do të veçoja atë për Lefter Çipën që e këndoi Lushi Kërra nga Zhulati dhe Sefer Muho nga Fushëbardha me shokët e tjerë.

TANI QË JENI PENSIONIST, KU E GJENI KËTË FORCË PËR TË SHKRUAR?

Edhe në këtë moshë unë s’e shoh veten të lodhur. Gjithnjë shkruaj, me atë frymëzimin e parë, me pasionin dhe dashurinë e parë. S’më lodh krijimtaria, më lodhin bisedat boshe dhe të ndenjurit nëpër kafene. Çdo çast jetoj me njerëzit, jetoj me gëzimet dhe hallet e tyre dhe çdo çast jam duke hedhur në letër një poezi, një tekst kënge, një shkrim për në gazetë apo për një libër të ri. Krijimet ma bëjnë ditën më të bukur ! Kështu edhe lumturohem, por nga krijimet fut diçka edhe në xhepat e mi.

PËR TË ARDHMEN ÇFARË PROJEKTE KENI?

Nuk e veçoj të sotmen me të ardhmen. Unë vazhdoj të shkruaj. Bëj tekste këngësh për grupet e labërisë, që ato të mos këndohen vetëm në podiume festivalesh, por për ditë të jenë me këngë në gojë. Se ne kemi thënë me krenari “Këngët e Atdheut tim, janë ilaç, janë shërim”

Të gjitha këto e plotësojnë më mirë portretin tim si krijues.Tani që po jap këtë intervistë për gazetën tuaj , jam duke përgatitur dy vëllime me poezi dhe një monografi.

ÇFARË DO IU KËSHILLOJE KRIJUESVE TË RINJ?

Kujtoj këtu se si në çdo punë tjetër edhe në krijimtari, fillimi gjithnjë është i vështirë. Që të kesh një emër duhet punë, shumë punë e netë pa gjumë. Të gjithë kur janë fëmijë shkruajnë vargje, por disa e lënë në mes të udhës e disa vazhdojnë që të kenë një karrierë të tyren. Asnjëherë nuk bën të humbasësh shpresat. Të gjithë kështu e kanë nisur. Me fillimet tona në krijimtari herë kemi bërë gjëra të bukura për lexuesit, e herë kemi nxjerrë ndonjë produkt letrar që s’na ka pëlqyer as vet neve, dhe në këtë rast kemi marrë lapsin dhe një fletore dhe kemi vazhduar nga e para me pasion e përkushtim. E rëndësishme është që të mos bëjmë në vëndnumëro, por të ecim gjithnjë përpara.

Faleminderit Mufit Çeli për këtë intervistë interesante që më dhe për jetën dhe për krijimtarinë tuaj ndër vite!

Ndjesë për kohën që të mora dhe do të mbetemi miq të pandarë për bashkëpunimin tonë në të ardhmen në fushën e krijimtarisë dhe të botimit.