Besimi, vetëm besimi na mbante e na jepte fuqi për të fituar. I pari është vullneti e i dyti është besimi, filozofon veterani Naxhi Zhupa për atë luftë, e cila i bëri 80 vjet nga koha kur ndodhi. Kishim dëgjuar, thotë ai, se ne ishim pjesë e një koalicioni të madh, pjesë e shteteve më të fuqishëm të botës. Merrnim e na jepnin informacion të përditshëm për çka ndodhte në frontin e kësaj Lufte të Madhe nëpër botë. Por më duhet të jem i vërtetë, unë nuk pashë e nuk dëgjova të na ndihmonte kush me armatime, apo trupa luftëtarësh. Dhe kjo është e vërteta. Duhet ta dini ju të rinjtë dhe të gjithë brezat që do të vinë se Shqipëria është i vetmi vend që u çlirua me forcat e veta nga bisha nazifashiste.

Kur shfletojmë e lexojmë libra nga historia e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të cilët pasqyrojnë hap pas hapi, vit pas viti e deri në çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesit nazifashistë atë epope nga më të lavdishmet e popullit tonë, të befasojnë si pjesmarrës të drejtëpërdrejtë në atë luftë të pazakontë, partizane e partizanë të moshave të reja, djem e vajza që dikush sot nuk do ta besonte kurrë se ata personazhe janë të vërtetë. Por faktet janë fakte e nuk mund t’i zhbësh dot. Fjala vjen Heroina e Popullit Nimete Progonati u vra më 26 korrik të vitit 1944 në Sinjë të Dibrës si efektive e Brigadës së V Sulmuese në një betejë të pazakontë me pushtuesin gjerman, luftimet e të cilës i drejtonte komandanti legjendar Shefqet Peçi. E dini se në ç’moshë u vra Nimete Progonati? Në ditën që do festonte 15 vjetorin e lindjes! Edhe Heroi i Popullit Met Hasa po kështu. Ai ra në përpjekje me pushtuesin gjerman 18 ditë përpara se të çlirohej vëndi, pra më 4 nëntor të vitit 1944 dhe ishte vetëm 14 vjeç. Edhe të tjerë, me mijëra ishin ata djem e vajza, të cilët bënin shumicën e armatës të 70 mijë partizanëve, e që pjesa dërrmuese ishin 15, 16 e 17 vjeçarë. Disa mijra nga ata e dhanë jetën në luftë dhe sot mbajnë titullin e lartë Dëshmorë të Atdheut.
Por në këto radhë, nisur edhe nga dëshira e misioni për të kujtuar e nderuar të gjitha ata që vunë jetën në rrezik, e shumë të tjerë e dhanë atë “si me le”, do të shpalosim diçka nga jeta dhe lufta e një tjetri “Velo partizani”, atë të ish partizanit 14 vjeçar, të veteranit invalid të Luftës ANÇ, i cili është ende mes nesh, Naxhi Zhupa. Ai nuk është gjë tjetër veç një “dëshmor” i gjallë, një veteran 95 vjeçar, për të cilin jemi me fat që ta shikojmë e ta dëgjojmë, ta kemi ballë për ballë, ta pyesim e ai të na përgjigjet sesi një 14 vjeçar të bëhej pjesë e formacioneve partizane, e madje të ndiqte armikun e armatosur “deri në dhëmbë”, deri sa ai të merrte rrugën e kthimit nga kishte ardhur. Për të qënë të besueshëm për lexuesin jo pa qëllim po botojmë fotografinë e tij të veshur me uniformën e partizanit dhe me armën ngjeshur krahut. Në këtë foto ka qenë vetëm 15 vjeç. Kur dëgjon veteranin invalid Naxhi Zhupa, nëse nuk do ta shoqëronte të treguarat e tij me data, me ngjarje, me emra njerëzish apo të tjera gjëra që dëshmojnë fakte e të vërteta historikë, do të të dukej si ai po të tregonte përralla të imagjinuara. Isha i vogël, thotë ai, e ndoshta nuk kisha moshë për të dhënë fjalën e besës përpara burrave leshrabardhë e me mustaqe deri te veshi, por mbaj mend që, edhe pse andej nga fundi në raport me të tjerët, u bashkova edhe unë me bashkëfshatarët e mi, e kur më pas, ditë pas dite, do ta shikoja veten mes partizanëve të zonës time e të një krahine të tërë. Nuk më kishte shkuar mendja kurrë, thotë ish partizani i Brigadës së VIII Sulmuese, sot 95 vjeç, që në atë moshë, buzët ende me qumësht e i padalë, të bashkohesha me partizanët. As emrin partizan nuk e kisha dëgjuar e nuk ia dija kuptimim çdo të thoshte të isha partizan. Dija vetëm kaq: do të luftojmë kundër gjermanit, sepse ishte armiku ynë, na paskësh pushtuar vendin e duhej me armë për t’a përzënë andej nga kishte ardhur. Kur u ngrit Brigada në Sheper të Zagorisë ishte prill, data 25 e atij muaji. Ja si tani. Aty m’u mbush mendja se diçka ishim, se përbënim një ushtri të organizuar mirë e që na jepnin drejtim njerëz të zotë dhe të orjentuar bukur për të mundur armikun. Veterani invalid Naxhi Zhupa kur tregon bëmat e tij dhe të shokëve partizanë flet aq rrjedhshëm sa të mahnit jo vetëm për kthjelltësinë e mendimit, por edhe për qartësine e rrjedhshmërinë e të treguarit. Në një farë mënyre ai nuk tregonte, por lexonte “librin” e shkruar, i cili faqe pas faqeje kishte të rregjistruara atë çmund të përmbajë jetë ditari i një lufte partizane. Ndoshta në fillim e konsideruam luftën si të ishte lojë, thotë me sinqeritetin e plakut të moçëm Naxhi Zhupa. Vonë, madje duhet të kalonin ditë që të shikonim prej vërteti skena të përgjakura në përleshje me armikun e ku me syrtë tanë të shikonim kur na vriteshin shokët. Më duhet të them se kur na krijoheshin rrethana të tilla “na ndizej gjaku” dhe, edhe pse të vegjël e të papjekur, na krijoheshin brenda ndërgjegjes tonë bindje të pakundërshtueshme se armiku pushtues mund të shporrej vetëm nën zjarrin e armëve e me sakrifica, me sakrifica të mëdha që të kërkonin të jepje edhe jetën.
Besimi, vetëm besimi na mbante e na jepte fuqi për të fituar. I pari është vullneti e i dyti është besimi, filozofon veterani Naxhi Zhupa për atë luftë, e cila i bëri 80 vjet nga koha kur ndodhi. Kishim dëgjuar, thotë ai, se ne ishim pjesë e një koalicioni të madh, pjesë e shteteve më të fuqishëm të botës. Merrnim e na jepnin informacion të përditshëm për çka ndodhte në frontin e kësaj Lufte të Madhe nëpër botë. Por më duhet të jem i vërtetë, unë nuk pashë e nuk dëgjova të na ndihmonte kush me armatime apo trupa luftëtarësh. Dhe kjo është e vërteta. Duhet ta dini ju të rinjtë dhe të gjithë brezat që do të vinë se Shqipëria është i vetmi vend që u çliriua me forcat e veta nga bisha nazifashiste. Por edhe për kohërat që do të vijnë duhet ta kemi të ngulitur në kokë se ndihma jote ështe vetja jote. Veterani e nget bisedën për t’i dhënë një drejtim tjetër, atë që historia e Luftës ANÇ duhet të shkruhet dhe të tregohet siç është e vërteta, ashu si ka ngjarë. Nga mënyra se si ai shprehet, dhe sidomos nga pamja që i merr fytyra, e cila here-herë shfaq pesimizëm, madje edhe zëmëratë. Ai shfaq inat e kërkon me ngulm atë se dikush po i tjetërson qëllimisht e padrejtësisht diçka që është e tija, që është shkruar me gjak e jetë njerëzish. Tashmë jam i moshuar, thotë veterani invalid. Kur kthej kokën mbrapa, kur mblidhemi e tregojmë për çka bëmë bashkë me shokët për atë luftë epokale, themi se diçka me vlerë kemi bërë për vëndin, për fëmijët, për pasardhësit tanë, por edhe për shtetasit dhe vendin tonë e për Shqipërinë. Kam një shok të ngushtë, bashkëluftëtar në Brigadën e VIII Sulmuese, Zenel Koshaj quhet, thotë ai. Edhe ai është moshatar me mua, jemi vërsnike. Të gjitha muhabetet rreth filxhanit të kafesë kësaj teme i vijmë rrotull. Na ha meraku jo për gjë, por të mos na e tjetërsojnë, të mos na e baltosin Luftën ANÇ. Të vret zoti të mohosh apo të bësh helaq heronjtë, dëshmorët, ata mijra djem e vajza partizanë që sakrifikuan për atë luftë. Ne e bëmë detyrën tonë, tani e kini rradhën ju. Nëse ne e treguam trimërinë në luftë, ju kini për detyrë, madje një detyrë të shënjtë, që të tregoheni trima në mbrojtje të asaj që bëmë ne, baballarët tuaj, gjyshrit tuaj. Kam shkruar jo një po disa libra që përjetësojnë atë epope nga më të lavdishmet e popullit tonë. Madje vazhdoj të shkruaj. Në këtë çka them më duhet të jem dhe të mbetem njeri modest, si në atë foton që mbaj uniformën e partizanit me pushkë në krah. Në këta 95 vjet të jetës time nuk kërkova kurrë grada e ofiqe, apo privilegje e dekorata. As lapidarë e monumente nuk kemi kërkuar për vete, por pak më shumë vëmendje kërkojmë nga shteti dhe institucionet përkatëse, nga Organizata jonë e VP të LANÇ, të cilat e kanë detyrim ligjor dhe moral të çimentojnë e të betonojnë vlerat dhe simbolet e Luftës ANÇ. Me keqardhje ne përjetojmë sjellje, veprime e qëndrime që synojnë të baltosin sakrificat e bëra dhe privacionet e përjetuara nga ata që luftuan ballazi me pushtuesin. E dini ju që po rehabilitohen dhe dekorohen pafundësisht ata që nuk hodhën asnjë pushkë kundër pushtuesve? Si mundet që ata, të cilët u bënë bashkëpunëtorë të pushtuesit hapur fare, sot krekosen, mbajnë fjalime, botojnë libra a kudi çfarë dhe ne jo rrallë na është kyçur goja? Mua si veteran dhe si pjesë e asaj lufte nuk më mban vendi kur dëgjoj e përballem me ca gjëra që, edhe pse jam plak, nuk më mban vendi. Arkivat e shteteve të botës kanë dhe i ruajnë dokumentat që pasqyronë Luftën e Dytë Botërore. Janë volume të tëra, mijra e mijra faqë me dokumenta, shumicën do t’i gjeni edhe në akivat e atyre që erdhën të na pushtonin, fjala vjen të Gjermanisë. Ne që luftuam ndjehemi keq, shumë keq, na dhemb shpirti kur dëgjojmë e marim vesh se pinjollë të kolaboracionistëve dëmshpërblehen dhe u vihen në dispozicion fonde financiare nga taksapaguesit dhe me ato lek baltosin pareshtur Luftën Çlirimtare dhe drejtuesit kryesorë të saj, të cilët ne i kemi pasur bashkëluftëtarë në të njëjtën llogore, por edhe drejtues e komandues të formacioneve partizane. Por ka edhe mjaft qëndrime e veprime të tjera, të cilat duket se na shprishin gjakun e shokëve e shoqeve tona, të cilët mbetën llogoreve në përballje me armikun pushtues në të katër anët e vendit.
Është një kohë jo e mirë, në mos shumë e keqe, kërkon të përmbyllë bisedën veterani Naxhi Zhupa. U duhet të mbani sytë hapur. Kurrë mbyllur. Ne, mirë apo keq, i përmbushëm detyrat tona. Mos harroni se jeta jonë, gati shekullore, në një farë mënyre është një leksion. Do të jetë mëkat i madh që këto leksione t’i kujtoni kur nuk do t’u nevoiten më.