Azis Gjergji: Ja pse Avni Rustemi vrau Esat Pashë Toptanin në Paris

1640
Sigal

Pavarësisht nga veprimtaria e shquar organizative e shoqërive patriotike dhe demokratike, ëndrra e Avni Rustemit ishte përkushtimi ndaj arsimit, realizimin e të cilës e kishte filluar si me hapjen e një kursi veror të gjuhës shqipe në Libohovë (1910); e kishte vazhduar me mësimdhënien në shkollën kolektive të Tragjasit të Vlorës (1913); shkollën kolektive të Tepelenës (1917) dhe shkollën kolektive të vajzave në Vlorë (1918). Në shtator 1923 rifilloi studimet në degën e Pedagogjisë të Universitetit të Romës, që të bëhej “një ditë profesor në Shqipëri”, sipas shprehjes së tij, por i ndërpreu studimet e mëtejshme, pasi u zgjodh deputet i Prefekturës së Kosovës [krahinat Has e Lumë] në Asamblenë Kushtetuese të Dhjetorit 1923.47)

Avni Rustemi ishte shquar qysh në bankat e Medresesë së Janinës si një nxënës patriot shqiptar që edukimin e marrë në familje ta kthente në vepra. Kështu, një ditë pranvere të vitit 1908 (13 vjeç) ishte nisur nga Medreseja e Janinës për t’u bashkuar me çetën e Çerçiz Topullit, që po luftonte kundër ushtrisë osmane në malet e Shqipërisë së Jugut. Çerçizi e kishte përgëzuar, por e kishte këshilluar të kthej në shkollë dhe, në vend të tij, kishte pranuar në çetë të vëllanë e madh, Fejzo Rustemin. Në pranverën e vitit 1910, kur ekspedita osmane e Shefqet Turgut Pashës kishte shtypur mizorisht kryengritjen e shqiptarëve në Kosovë dhe Shqipërinë e Veriut, Avni Rustemi ishte nisur nga shkolla Normale e Elbasanit për t’i bërë atentat Shefqet Turgut Pashës në Shkodër. Në pranverë të vitit 1914, ai kishte lënë detyrën e mësuesit në Tragjas të Vlorës për të luftuar me armë në dorë kundër ushtrisë pushtuese greke në Shtëpëz të Gjirokastrës, ndërsa në pranverën e vitit 1920 mori guxim dhe i bëri atentat tradhtarit të atdheut dhe popullit shqiptar, Esat Pashë Toptanit.48)

I pyetur nga gjyqtarit hetues francez, nëse e njihte personalisht Esat Pashë Toptanin, Avni Rustemi iu përgjigj:

“Duhet të them para së gjithash, se personalisht nuk kam vuajtur kurrë nga veprimet e Esat Pashës. Ai s’ka burgosur ose kërcënuar ndonjë nga pjesëtarët e familjes sime dhe nuk na ka konfiskuar tërësisht ose pjesërisht pasurinë tonë. Por, si patriot shqiptar kam kundrejt tij shkaqe urrejtjeje të thellë. Që prej vitit 1912-1913, atëherë kur mbas shekujsh robërie, Shqipëria shpallej më në fund e pavarur, Esat Pasha, në vend që të forconte ndjenjën kombëtare shqiptare, e shembi atë, dhe shpalli një tjetër qeveri shqiptare në Shqipërinë e Mesme, që solli si rezultat shkatërrimin e Qeverisë së Pavarur të Vlorës.

Në pranverën e vitit 1914, shqiptarët patriotë  deshën të çlironin Epirin prej pushtimit grek dhe formuan trupa vullnetare për të filluar luftën dhe u inkuadrova edhe unë në mes të atyre trupave. Nuk vonuam të kuptonim se Esat Pasha, atëherë ministër i Luftës i Princ Vidit, në vend që të na përkrahte, organizoi banda të çrregullta malësorësh që ndërmorën luftën kundër nesh, saqë të mbetur midis dy zjarresh, vullnetarët patriotë nuk mundën të vazhdonin luftën…Ka katër-pesë muaj që Esat Pasha provoi, por pa ia arritur qëllimit, të rrëzonte Qeverinë e Pavarur të Tiranës. Për të gjitha këto arsye e kam konsideruar Esat Pashën si autorin kryesor të mjerimeve të vendit tim dhe kam ushqyer kundër tij një urrejtje të thellë.

Mustafa Merlika Kruja, i ndodhur më 13 qershor 1920, në rrethimin e Qeverisë së Tiranës, përkrah çetave rebele esadiste dhe në shërbim të planeve aneksioniste të Mbretërisë së Italisë, në kujtimet e tij shkruan:

“Avni Rustemi, që unë e kam njohur shumë mirë, nuk ka qenë frymëzue prej kurrkujt tjetër, as shqiptar as të huej, posë zemrës së tij fisnike e patriotike. Avniu donte me shkue në Paris, e kishte damë vetë me vedi. Por ishte i papasun e s’ kishte pare as për shpenzime rruge as për banim atje, që t’i vinte ora e gjestit që kishte damë me krye…”

Sejfi Vllamasi kujton:

“Avni Rustemi vazhdonte mësimet në Romë. Një ditë shkon në shtëpinë e Tefik Mborjes, inspektor i studentëve shqiptarë në Itali, dhe i thotë këtij se kishte vendosur të vriste Esat Pashën për të shpëtuar Shqipërinë, por i duheshin të holla për shpenzimet e nevojshme. Në atë kohë kish ardhur nga Tirana në Romë një delegacion miks qeveritar-esadist, i cili ishte në udhëtim për në Paris, për t’u takuar me Esatin. Tefik Mborja takon Bajram Fevzinë, anëtar i atij delegacioni, i kallxon vendimin e Avniut për Esatin dhe Bajram Fevziu i jep fjalën se do t’i shkruante Xhavit Leskovikut në Tiranë, duke përkrahur tezën e Avniut, ashtu edhe për ndihmë të hollash që do të kishte nevojë. Avniu zbret në Durrës, më 5 maj 1920, me letrat e Bajram Fevziut për Xhavit Leskovikun dhe me letrën e Tefik Mborjes për Qazim Kokoshin.”   

 

Në të vërtetë, Avniu nuk “zbriti në Durrës”, siç shkruan Sejfi Vllamasi në kujtimet e tij, por në Vlorë. Sipas vulave doganore të vëna në pasaportën e tij, Avniu ka marrë një leje-largimi nga territori i mbretërisë së Italisë nëpërmjet Brindizit, më 3 maj 1920. Më 4 maj 1920, pasaporta e tij mban vulën doganore të portit të Vlorës, ndërsa vula doganore e portit të Durrësit mban datën 5 maj 1920. Duke bërë lidhjen midis dëshmisë së Vllamasit dhe vulave doganore, rezulton se Avni Rustemi ka udhëtuar nga Brindizi në Vlorë, ku ka ndejtur vetëm një natë në shtëpinë e avokatit Qazim Kokoshi, ku i dorëzoi letrën shoqëruese që i kishte dhënë Tefik Mborja.

 

Qazim Kokoshi ishte një figurë e njohur në Vlorë, pasi kishte qenë delegat i saj në Kuvendin Kombëtar dhe kishte firmosur  Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Qazim Kokoshi kishte marrë pjesë gjithashtu në Kongresin Kombëtar të Lushnjës, më 21-31 janar 1920, si një nga shtyllat më të forta të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare”, që po përgatiste Luftën Çlirimtare të Vlorës. Miqësia e Tefik Mborjes me patriotin Qazim Kokoshi ishte lidhur një vit më parë, gjatë shoqërimit që Tefik Mborja i kishte bërë konsullit amerikan të Torinos, Xhozef (Joseph) Haven, në vizitën e tij zyrtare në Shqipërinë e Jugut. Në atë kohë, Mborja kryente detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë së Durrësit dhe  kishte qëndruar me konsullin Haven disa ditë si mysafir në shtëpinë e Qazim Kokoshit.     

 

Më 5 maj 1920, Avni Rustemi u nis drejt drejt Durrësit me vaporin e linjës, ndërsa më 6 maj udhëtoi drejt Tiranës, ku Tefik Mborja e kishte rekomanduar të takonte kapitenin Xhavit Leskoviku që shërbente në Komandën e Përgjithshme të Xhandarmërisë. Xhavit Leskoviku gëzonte miqësinë dhe mirëbesimin e anëtarëve të Këshillit të Naltë dhe Këshillit të Ministrave. Vetë Avni Rustemi e ka justifikuar qëndrimin e tij nga data 6 deri 20 maj në Tiranë, me argumentin se ishte përpjekur  për të  marrë një burse 6 ose 7 muaj në dorë, në mënyrë që të ndiqte leksionet pedagogjike në Paris. “Por këto përpjekje pranë qeverisë së Tiranës,” dëshmoi ai përpara gjyqtarit hetues në Paris, “si për mua, ashtu dhe për shokët e mi, mbetën pa fryt, dhe kështu u nisa për në Itali më 21 maj, pa mundur të shtija në dorë asnjë shumë të hollash.”

 

Kur gjyqtari hetues i kujtoi Avniut, se në momentin e kalimit të kufirit italo-francez në Gorë të Modanës, më 30 maj 1920, autoritetet kufitare kishin regjistruar në pronësi të tij 6.800 lireta dhe 300 franga. Avniu pohoi se ato para ia kishte dhënë i vëllai, “i sapo kthyer nga mërgimi ekonomik në SHBA”. Një përgjigje e shkathët, por aspak e besueshme, pasi Rustemët e Libohovës nuk kishin pasur kurrë hasmëri familjare me Toptanët e Tiranës. Padyshim, Avni Rustemi u stërvit dhe u pajis me mjetet e duhura financiare për kryerjen e aksionit në Paris nga fondet e Qeverisë së Tiranës, siç u ndihmuan edhe luftëtarët e Vlorës. Avniu e kreu misionin e tij me nder dhe trimëri, ashtu siç dëshmoi në hetuesi:

Avni Rustemi: E pranoj se kam shtirë mbi gjeneral Esat Toptanin në çastin kur dilte nga Hotel Continental kësaj mbasdrekeje [13 qershor 1920], nga ora 13:00, me një revolver që keni gjetur tek unë…

Gjyqtari hetues: Pse e kreve këtë akt?

Avni Rustemi: Pashë gjeneralin që po dilte me një qëndrim kaq kryelartë saqë u emocionova, duke m’u kujtuar mizoritë që kishte bërë ai në Shqipëri. Lexova mbi ballin e tij fatkeqësitë e Shqipërisë dhe u impresionova aq tepër sa nuk dija ç’të bëja. Shtiva kundër tij për të gjitha këto arsye. 55)

Avokati mbrojtës i Avniut gjatë procesit gjyqësor, Anatole de Monze, në librin e tij të vogël “Destins hors série” (“Fate jashtë serisë”), botuar më 1927, e quan Avniun “student i vogël idealist shqiptar” dhe aktin e tij të motivuar vetëm nga “interesat e Atdheut, të cilin Esat Pasha e pati nxjerrë vazhdimisht në ankand”.