Av. Kujtim CAKRANI: Lufta e harruar e “Rruzhdues”

1864
Sot, u mbushën 72 vjet nga lufta e famshme e Rrushdies.
Fshati i Rruzhdies gjendet në veri të Mallakastrës dhe në juglindje të Fierit, në afërsi të rrugës nacionale Fier –Ballsh. Historia na thotë se fshati i Rruzhdies është nga më të vjetërit në krahinën e Mallakastrës, por në këtë shkrim nuk do të flasim për historinë e hershme të fshatit Rruzhdie por, për një ngjarje tjetër historike që ka ndodhur në Rruzhdie dhe që njihet gjerësisht në popull si “Lufta e Ruzhdies”. Pas pushtimit Italian në vitin 1939, ushtria Italiane, përveç se shtriu autoritetin e saj civil në të gjithë territorin e vendit, ajo instaloi në disa pika strategjike të Shqipërisë, baza të mëdha ushtarake. Një ndër këto baza ishte instaluar edhe në qytetin e Fierit. Itinerari i zakonshëm i trupave italiane ishte Fier-Tepelenë – Këlcyrë dhe destinacioni përfundimtar ishte Greqia, pasi bazat italiane në Shqipëri ishin një nga pikat e furnizimit të ushtrisë Italiane që kishte pushtuar Greqinë.
Siç është e ditur tashmë rezistenca e parë më 1939, me zbarkimin e trupave Italiane në Durrës, Vlorë, Sarandë etj, dështoi, pasi u thye lehtësisht nga ushtria shumë e madhe dhe shumë e modernizuar Italiane. Koha kishte kaluar me shpejtësi. Humbja e sovranitetit, prania e ushtrisë Italiane dhe qëllimi i tyre për kolonizimin e Shqipërisë, e kishte irrituar shumë popullin Shqiptar, natyrisht edhe popullin e Mallakastrës. Siç dihet edhe nga dokumentet arkivor, menjëherë pas pushtimit Italian nga muaji Maj 1939 u krijua në fshehtësi organizata e quajtur “Rezistenca Shqiptare”, nismëtar të kësaj organizate ishin Mit`hat Frashëri, Nuredin Bej Vlora, Lef Nosi, Bahri Omari, Safet Butka, Kadri Cakrani etj. Ndër të tjera detyrat kryesore të kësaj organizate ishin zgjimi dhe organizimi i popullit për të rifilluar rezistencën kundër ushtrisë Italiane. Dhe jemi aty nga vjeshta e vitit 1942, kur Mallakastra si gjithmonë pararoja e luftërave kundër çdo pushtuesi, po riorganizohej. Ja si thotë Bektash Cakrani për fillimet e rezistencës: (Dosja gjyqësorë e Bektash Cakrani, viti 1945 AMB)..”Përsëri edhe këtë herë i takoi familjes Cakrani, dhe mua si nacionalist i vjetër dhe i sprovuar në beteja, edhe pse në moshë të thyer,të marr përsipër barrën e rëndë për të riorganizuar popullin e krahinës së Mallakastrës, si më 1920, ku kishim përball të njëjtët pushtues, ata Italianë”. Dhe ashtu u vendos, në zonën e Mallakastrës filluan të ngriheshin çetat e para të cilat drejtoheshin nga Tefik Cfiri dhe nipi e tij Kadri Cakrani, orientimi i tyre ishte lufte kundër pushtuesit, pasi deri në atë periudhë luftëtarët ishin të një lloj të pastër atdhetarë duke mos u ndikuar nga bindjet apo idetë politike, dhe qëllimi ishte një, shporrja e pushtuesit nga vendi. Shërbimi sekret i ushtrisë Italiane i kohës (SISMI) ra në dijeninë e këtyre çetave të cilat i cilësonte si banda të armatosura dhe komandantet e tyre si kapobanda, ja si e përcjellin ata këtë situatë në një raport Komandës Qendrore. “(Dokumenti nr.36, datë 05.12.1942, nxjerrë së fundmi nga arkivat italiane), “Në zonën e Mallakastrës operojnë dy çeta të rezistencës ajo e komanduar nga Tefik Sfiri, dhe tjetra nga Kadri Cakrani, duke vazhduar, të dy këta personazhe janë figura shumë karizmatike dhe më shumë autoritet në popullatën e zonës”. Dhe pas kësaj, çetat nacionaliste ishin vënë në shënjestrën e Italianeve, të cilët vendosën menjëherë fillimin e operacioneve në Mallakastër, me qëllim të mos linin kohë për organizim të mëtejshëm. Fillimi i viti 1943, i gjeti Mallakastriotët shumë të organizuar, pasi ishin ngritur edhe shumë çeta të tjera duke rritur kështu numrin e ushtrisë së rezistencës, kjo falë edhe punës dhe këmbënguljes së patjetërsueshme të Komandantëve të këtyre çetave.
Në muajt e parë të vitit 1943, nis edhe beteja e parë kundër ushtrisë Italiane në “Qafën e Sykuqit”, për të mbërritur më pas në betejën e famshme të Rruzhdies.
Por në ç’ gjendje zhvillohen ngjarjet dhe lufta kundër pushtuesve në Mallakastër? 
Forcat luftuese çlirimtare deri në atë kohë ishin të një lloji të pastër atdhetar, për sa i përket veprimeve luftarake kundër italianëve, por siç dihet me pjesëmarrjen më të madhe në numër e kishin ato me përbërje nacionaliste, por qysh prej fillimit ato quheshin “Çeta Atdhetare”. Në këtë mënyrë analiza e detajuar historike, na çon në përfundimin se pavarësisht përmbajtjes e madhësisë së tyre, në një kohë kur operojnë mbi të njëjtin objektiv, ndaj të njëjtit armik, aq më tepër kur nuk është kristalizuar përfundimisht dominimi në udhëheqje të këtyre formacioneve luftarake, ato përbëjnë në çdo rast, luftëtarë atdhetarë. Në këtë kuadër mendoj se përpjekja për të “pronësuar” betejën e Ruzhdies, nga betejat e para më të përgjakshme e më të mëdha shqiptare, nga secila palë, nuk do të kishte vlerë historike, pavarësisht raportit të forcave në to edhe për arsyet e cituara më lart. Italianët nuk i besuan kurrë krerët vendas dhe duke nuhatur e analizuar arsyet e përpjekjeve negociuese të tyre, por edhe fal informacionit që nuk u mungonte, përgatitën një operacion të gjerë ushtarak, për asgjësimin e forcave të para të rezistencës, të cilat duke qenë në fillimet e tyre, do të asgjësoheshin lehtë. “Kundra më shumë se 1000 italianëve, morën pjesë në këtë luftë çetat e Ballit Kombëtar të Vlorës nën komandën e Hysni Lepenicës, çetat e Mallakastrës nën drejtimin e Kadri Cakranit, Besim Belishovës, Eqrem Peshkëpisë, Rauf Fratarit, Idriz Dano Drzarit, Jashar Cakranit, të gjitha nën kontrollin e Tefik Sfirit. E vetmja çetë partizane që u ndodh në këtë luftë, ka qenë ajo e Xhelal Staraveckës dhe Rahman Uruci te cilat pas 5(pesë) minuta pushkë (dhe jo më tepër) u tërhoq nga lufta tamam, alla partizançe, në drejtim të paditur, pa lajmëruar njeri, duke rrezikuar gjithë frontin dhe duke shkaktuar vrasjen e Jashar Cakranit, sepse kur ky sulmoi trimërisht, ishte gjithnjë i bindur se krahu i majtë qe i mbrojtur nga çetat e Xhelal Staravecka dhe Rahman Urucit. Beteja e Rruzhdies ishte e ashper. Ajo cila zgjati për tre ditë. Pushtuesit Italianë pësuan humbje të mëdha njerëzore dhe materiale .Nga çeta e komanduar prej Kadri Cakranit, ra heroikisht Jashar Cakrani, i cili u be edhe dëshmori i parë i rezistencës në Mallakaster.
Ja si e qante populli i Mallakastrës trimin Jashar Cakrani:
“Jashar Cakrani Luani
Zuri Mitralioz nga gryka
Trim i ri porsi Asllani
Që s’dinte se ç’ ishte frika”
Natyrisht, pas vitit 1945, kjo betejë u “pronësua” nga fitimtarët, u deformua deri aty sa edhe dëshmorin e parë të rezistencës, Jashar Cakrani e bënë Komunist, gjë që i ka habitur të gjithë Mallakastriotët, për faktin se, ai i kishte shfaqur bindshëm idetë e tij prej nacionalisti, dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe pasi i përkiste familjes Cakrani, që nuk kishte asgjë të përbashkët me idetë komuniste.
Sot pas 72 vitesh beteja e Ruzhdies, nuk përmendet më nga pseudo historianët. Arsyet dihen kush janë?
Këtë betejë të parë të rezistencës e organizuan nacionalistët, dhe si e tillë nuk duhet të përmendet pasi kështu del e vërteta që po u mbahet e fshehur Shqiptarëve prej 70 vitesh.
Jo zotëri historian! E keni gabim, betejat e nacionalistëve nuk mund të fshihen nga historia e luftës së këtij vendi, sepse ato janë beteja ku luftuan burra të cilët mbanin mbi ballë simbolin e shqiponjës, në këta beteja luftuan ata burra që mbi Atdheun nuk vendosën asgjë! Kështu që edhe beteja e Rruzhdies bashkë me nacionalistët dhe dëshmorët e saj do të kujtohen në breza si legjenda. “Koha këtyre Nacionalistëve ju dha të Drejtë” 
Sigal