Bashkim QELI: Skënderbegasit, studentë dinjitozë në akademitë e Europës

945
Me çlirimin vendit, një javë më vonë me 8 dhjetor 1944, KP i UNÇSH-së Enver Hoxha u dërgonte njësive një letër, ku thuhej: -“ që të bënin gati të gjithë partizanët 12–15 vjeçar për t’i dërguar në shkollë.”. Më 28 mars 1945, në Tiranë do të hapej “Shkolla e Pionierëve të Luftës”. Nxënësit e parë ishin 200 vetë, nga ish partizanët e vegjël, midis tyre edhe 5 vajza, të cilat në historinë 50 vjeçare të shkollës, kur ajo u mbyll, do të mbeteshin të vetmet. Shkolla e Pionierëve të Luftës ishte vazhdim i shkollës partizane, të kurseve kundër analfabetizmit. Nxënësit e parë, mësimin e filluan në ndërtesat gjysmë të rrënuara nga lufta. Në shkurt 1947, me urdhër të Komandantit Suprem të FA, Nr. A 1/85, datë 11 shkurt 1947, “Shkolla e Pionierëve të Luftës” ju dha emri Shkolla Ushtarake “Skënderbej”. Shkolla e nisi veprimtarinë në fillim në Laprakë, më pas te regjimenti i ndërlidhjes dhe se fundi në mjediset e SHLBO “Enver Hoxha”. Deri në 1953 skënderbegasit morën arsimin 7 vjeçar dhe disa klasë të mesme. Në vitin 1953 shkolla u pajis me laboratorë të fizikës dhe kimisë, po në këtë vit shkolla do të bëhej plotësisht Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”. Në këtë periudhë në program u vendosën plotësisht lëndët e arsimit të përgjithshëm si dhe lëndë të formimit ushtarak. Në tërë veprimtarinë e saj shkolla kishte një trupë pedagogjike e komanduese të nivelit të lartë. Ata, mësues dhe oficerë, ishin shumë të përgatitur, kërkues, këmbëngulës dhe të përkushtuar në kryerjen e detyrës. Shumica e tyre ishin të diplomuar jashtë shtetit në perëndim, Itali, Gjermani, Austri dhe më vonë në ish BS. Të pajisur me njohuri të gjëra shkencore, trupa pedagogjike bënte përpjekje të vazhdueshme, që dijet e fituara t’ua jepnin me devotshmëri e përkushtim çdo skënderbegasi. Mësuesit dhe kuadrot ushtarake, i gjeje pranë skënderbegasve që nga mëngjesi deri në mbrëmje. Ata tregonin një kujdes të veçantë për të sapoardhurit, që kishin lënë familjet tyre. Sepse ata vinin nga qytete e fshatra të ndryshme, tamam si ata zogjtë shtegtarë, që u janë rritur krahët në vendlindjen e tyre ( vendet e nxehta) dhe kërkojnë të shtegtojnë në vende më pak të nxehta, që për ne ishte shkolla jonë e dashur Skënderbej. Të gjithë ne që sapo mbaruam arsimin 7 vjeçar, lamë familjet tona, lamë përkujdesjet dhe ledhatimet prindërore dhe erdhëm tek kjo shkollë dhe gjetëm përkujdesje e ambient tjetër familjar dhe “prindër” të tjerë. Në këtë mjedis secili nga ne gjeti një strehëz të re të panjohur, por që në momentet e para, kjo strehëze e re, që në fillim na u duk ftohtë, e huaj me fytyra të reja të panjohura më parë, dalë nga dalë, filloi të na duket e ngrohtë. Kjo strehëz e re na u duk e ngrohtë sepse, në radhë të parë, ishte merita e trupit pedagogjik dhe i kuadrit ushtarak, të cilët na pritën me krahë hapur dhe na krijuan një mjedis të ngrohtë familjar dhe së dyti ishte përshtatshmëria e madhe e moshës fëminore adoleshente në kushtet e strehëzes së re, shkollës tonë të dashur. Të gjithë ne sot, e sidomos brezi ynë në përgjithësi, e kemi parasysh thënien e shkrimtarit Edmonte de Amicis që ka thënë :-“ Shqiptoje me nderim dhe respekt emrin “MËSUES”, që pas emrit të prindërit është më bujari dhe më i ëmbli me të cilin mund të quajmë një tjetër”. Ata, për skënderbegasit, ishin shembull frymëzimi, njerëz, “prindër”me zemër të madhe, me ndjenja të thella qytetare, që rrezatonin mirësi për ne, të civilizuar e korrekt, duke ju përshtatur gjithmonë psikologjisë së moshës sonë. Ishte brezi juaj i mrekullueshëm mësuesish dhe edukatorësh që na ushqyet, brumosët me idetë më madhore të kohës, të cilat na formuan ne, si kuadro të ardhshëm të ushtrisë popullore, që jetuam dhe punuam në të katër anët e atdheut, me ndjenjë të lartë përgjegjësie, me përkushtim e devotshmëri të madhe ndaj popullit dhe atdheut. Ju me punën tuaj fisnike, kishit si moto porosinë e Koto Hoxhit që thotë:-“ Ne ( Mësuesit BQ), nuk mbjellim kripë, që s’mbin, ne mbjellim farë dhe duhet t’a dini se kjo farë do të mbijë.” Ata mbollën farë që mbiu, mbuloi e lulëzoi në të gjitha fushat, malet e kodrat e atdheut tonë të dashur. Prandaj ata do të jenë gjithmonë midis nesh në çdo përvjetor të veprimtarive tona, duke përfaqësuar atë brez arsimtarësh të asaj kohe të përkushtuar, të palodhur ndaj detyrës fisnike te edukimit e arsimimit të brezit të ri.
Ja si shkruan një poet :-
“Erdhëm të pikur, për ç’kishim lënë
Ti na u bërë babë dhe nënë,
Nën atë strehë pranë një pragu,
U bëmë vëllezër të një gjaku..”
Shkolla e Mesme e Përgjithshme “Skëndërbej” në jetën e saj ka pësuar ndryshime të mëdha. Në fillimet e saj maturantët pasi mbaronin shkollën shkonin për studime jashtë shtetit, kryesisht në BS dhe ish vendet e demokracive popullore, kjo praktikë deri në vitet 60, me prishjen me BS. Më pas skënderbegasit i vazhduan studimet e larta në Shkollën e Bashkuar të oficerëve. Në vitet 1966 shkolla hodhi hapin e parë të një infrastrukture bashkëkohore, u krijua mundësia që mësimi të zhvillohej në klasa të veçanta, jo në klasat që bëhej studimi. Në këtë fazë u përmirësuan laboratorët e kimisë dhe fizikës ku zhvilloheshin punët praktike sipas programit. Në këtë fazë u hoq dorë nga laboratorët dhe u kalua në kabinet-laborator, ku zhvilloheshin jo vetëm punë praktike por u kalua edhe në eksperimente që bënin mësuesit edhe nxënësit. Në nja fazë tjetër, shkolla kaloi në sistem kabinetesh, ku çdo mësues kishte kabinetin e tij, me një ngarkesë mësimore 24 orë në javë. Në këtë mënyrë nuk shkonte mësuesi në çdo klasë mësimore, por nxënësit shkonin nga një kabinet në tjetrin sipas programit mësimor që kishin çdo ditë të javës. Kjo infrastrukturë e shkollës u bazua, në radhë të parë nga përvoja e shkollës sonë brenda vendit ndër vite si dhe e sistemeve arsimore të përparuara jashtë vendit. Në mjediset e shkollës, kurdo herë tregohej një kujdes i veçantë që skënderbegasve t’u krijoheshin të gjitha kushte e mundshme për studim e stërvitje. Të bashkuar si një trup i vetëm, mësues, kuadro, punonjës të shërbimit dhe skënderbegas mësonin dhe punonin për një qëllim, për t’i dhënë nder e dinjitet shkollës dhe popullaritet e personalitet para popullit. Pas viteve ’60, shkolla Skënderbej u bë burimi kryesor i furnizimit të shkollave ushtarake në vend. Ajo kishte si objekt që t’i përgatiste nxënësit me kulturë të përgjithshme ushtarake, duke vënë në themel të programit mësimor lëndët kryesore të arsimit të përgjithshëm, për t’u hapur dyert jo vetëm për shkollat ushtarake por edhe për universitetin shtetëror. Si shkollë e mesme e përgjithshme, nga stafi drejtues tregohej një kujdes i veçantë për pajisjen e skënderbegasve me një kulturë të përgjithshme qytetare dhe ushtarake, kjo dukej në programin mësimor, ku krahas lëndëve të formimit të përgjithshëm arsimor si gjuhë shqipe, letërsi, histori, gjeografi, gjeometri, trigonometri, algjebër, analizë matematike, astronomi, biologji, kimi, fizikë, gjuhë e huaj si anglisht rusisht, punë mekanike, një kujdes të madh i kushtohej lëndëve ushtarake edhe përgatitjes fizike si lëndë që shërbente për të përballuar më mirë vështirësitë që kishte profesioni i ushtarakut. Që në 1961-in, në shkollën Skënderbej erdhën dy grupe mësimore, një për mjekësi dhe për kulturë, mjekësia u mbyll ndërsa kultura i vazhdoi studimet tek qyteti i nxënësve. Ndërsa në 1963 për nevojat e ushtrisë pranë shkollës u krijua një kompani që studiuan në shkollat profesionale si Politeknikumi “7 nëntori”, në Shkollën e Mesme Ekonomike, në Politeknikumin Mjekësor dhe në Shkollën të Kulturës. Nga viti 1968 e në vazhdim, maturantët që mbaronin me rezultate të larta në mësime, ndiqnin studimet në Universitetin e Tiranës. Shumë skënderbegas dolën në jetë pedagogë, inxhinierë, mjekë, ekonomistë, gazetar, kineastë operatorë, historianë, gazetarë, fizikanë, redaktor letrar, artist, trajner, që më pas punuan e drejtuan sektorë të ndryshëm të ushtrisë por edhe në jetën civil në sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Dhe koha tregoi se kuadrot që dolën nga kjo shkollë e kanë justifikuar plotësisht veten në shërbim të detyrës së mbrojtjes së vendit. Ndër vite nga bankat e saj kanë dalë ushtarakë madhorë dhe me rivënien e gradave u bënë gjeneralë, profesorë shkencëtar, pedagogë, deputetë, politikan, ambasador, aviatorë, komandantë njësish e repartesh, poetë, shkrimtarë, biznesmenë etj. Ne, ish skënderbegasit kemi të drejtë të themi se kjo shkollë krijoi një traditë të shkëlqyer në përgatitjen e kuadrove për vendin, e cila ka lënë gjurmë në ushtrinë tonë. Ajo me programin e saj mundësoi përgatitjen e oficerit të edukuar, të disiplinuar, të aftë dhe me botëkuptim atdhetar, në shërbim të atdheut e popullit. Kjo u duk qartë në vitet 90, në kohën e transformimeve të thella të ndryshmit të sistemit shoqëror, ku gjatë këtij procesi spikati figura e oficerit qytetar, korrekt, besnik ndaj popullit dhe vendit, përkrahu proceset demokratike në vend. Mbyllja e shkollës më 1992 ishte një goditje për sistemin arsimor të ushtrisë shqiptare, sepse studentët që vazhdojnë studimet e larta ushtarake, nuk kanë nevojë vetëm për dijet që duhet të kenë, por edhe për edukatën profesionale, përgatitjen psikologjike e fizike të cilat merren në shkollën e mesme. Këtë e tregoi më së miri edhe koha kur funksionoi shkolla. Nuk ka ndërtesë pa themele, s’ka ushtri pa tradita të brumosura në moshën para universitare. Me mbylljen e kësaj shkolle sistemi arsimor në ushtri ka mbetur pa themel. Kjo është e vërteta e realiteti i shkollës Skënderbej. Çdo insinuatë denigruese ndaj kësaj shkolle mbi baza partiake është e dëmshme dhe antikombëtare, kur dihet se ushtria është një ndër pasuritë më të vyera të një vendi, në mbrojtje të lirisë e pavarësisë së atdheut, që u përket të gjitha partive e grupeve shoqërore të vendit. Politika e mbrapshtë e vitit 1992, e mbylli atë sepse nuk i shërbeu asaj, por popullit dhe atdheut, për të cilin ata ishin betuar. Ka 23 vjet që nuk ka më Shkollë Ushtarake “Skënderbej”. Nuk ka më skënderbegas, imazhi i adoleshentëve me uniformë, i përket së kaluarës. Si çdo fund marsi, do të mblidhemi për të festuar sivjet 70 vjetorin e krijimit të kësaj shkolle të lavdishme e cila u mbyll padrejtësisht nga politika anti-kombëtare e viteve 1990. Gëzuar 70 vjetorin e shkollës sonë të lavdishme, që mban emrin e Heroit Kombëtar, Skënderbeut.
Sigal