Arqile Veshi: Baza e furnizimit në Tiranë, rezervat e municioneve deri në 10 vjet, ushqimet dhe ilaçet deri në 5 vjet

1147
Sigal

Intervistë me  ish-drejtorin e prapavijës së ushtrisë në Ministrinë e Mbrojtjes, Arqile Veshin: Rezervat në municione ishin për deri në 10 vjet luftë, ndërsa ushqime, veshmbathje, karburante, medikamente, etj, deri në 5 vjet.

 

-Si përgatita një projekt për bazën e furnizimit në Tiranë, “Tepër sekret”, që do e vlerësonte Mehmet Shehu

 

-Ndenja net pa gjumë dhe përgatita raportin “Tepër sekret” rreth 500 – 600 faqe

– Në vitin 1992 ka pasur në gjendje në depo 48.730 kv miell

– Në fillimin e vitit 1992 ka pasur në gjendje benzol, benzinë, gazoil, vajguri TS-1, rreth 38.490 ton

– Rezerva e karburanteve deri në vitet ‘90 në shkallë ushtrie ka pasur një kapacitet prej 45-50  mijë ton, nga të cilat 25-30 mijë tonë kanë qenë në depo nëntokësore

– Kishte aq çadra të llojeve e madhësive të ndryshme sa mund të strehoheshin njëherazi deri në 350 mijë vetë.

Albert Z. ZHOLI

Arqile Mite Veshi, ka lindur më 11 Mars 1939, në Çorraj rrethi Vlorë, në një familje patriotike dhe atdhetare. Fëmijërinë e kaloi me vështirësitë e periudhës së luftës, por që e bënë më të vendosur për t’u përballur me vështirësitë e jetës. Kështu, gjatë periudhës Shtator 1946 – Shtator 1953, kreu shkollën fillore në vendlindje  dhe 7-vjeçare në Kuç të rrethit Vlorë, 12 km nga vendlindja, ndërsa Shtator 1953 – Shtator 1957, shkollën e mesme “Adem Sheme” në Sarandë. Pamundësia ekonomike e familjes nuk i dha mundësinë që të vazhdonte shkollën e lartë, prandaj për periudhën  Shtator 1957 – Shtator 1958,  punoi në vendlindje. Në Shtator 1958, i erdhi fletë-thirrja për ushtar dhe u paraqit në Degën Ushtarake në Vlorë, ku një oficer me gradë kapiteni e priti me shumë dashamirësi dhe pasi i bëri kompliment se ishte “alamet djali”, u largua dhe pasi bisedoi me eprorin e vet, doli dhe e pyeti nëse donte të bëhej oficer, gjë e cila e befasoi, por duke u treguar disi i ndrojtur, i tha “si t’a gjykoni ju”. Mbi këtë bazë ai për një kohë të shkurtër i dërgoi një zarf të mbyllur dhe i tha të shkonte në Tiranë, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve.

Çfarë do të veçosh nga shkolla ushtarake?

 

Viti i dytë dhe i tretë mësimor 1959 – 1960 dhe 1960 – 1961, kishte në program lëndët për specialitetin e Armatim-Municioneve, pasi për herë të parë përgatiteshin kuadro për këtë sektor në Shqipëri. Nisur nga qëllimi që kishte programi, në të përfshiheshin lëndë me karakter teknik siç ishin njohja, përdorimi dhe administrimi i të gjitha llojeve të armëve e pajisjeve që kishte në përdorim ushtria dhe llojet përkatëse të municioneve. Gjithashtu, kishte edhe lëndë më specifike si: vizatim teknik, elektroteknikë, teori mekanike, farktari, axhusteri dhe punë praktike në repartet e Uzinës së Artilerisë. Programi mësimor kompleks, niveli i lartë profesional i pedagogëve: Arif Dano, Rustem Pulaj, Et’hem Çela e sidomos asistent profesor Refit Haliti; bazës së mirëfilltë materiale në çdo kabinet për secilën lëndë si dhe punës time sistematike e këmbëngulëse, arrita që të përfundoja shkollën, duke marrë diplomën nr 796, datë 01.08.1961, me të cilën për më se 20 lëndët e zhvilluara sipas programit, u vlerësova me 20 nota shembullore. Jetën në shkollë e sidomos dy vitet e fundit që i bëra në ambientin e Uzinës së Artilerisë, ku ishim vetëm 18 vetë, i kujtoj me shumë nostalgji, për faktin se u bëmë si një familje me të gjithë shokët. Për t’u kujtuar ishte i paharruari  Shefqet Ruçi, i cili na mblidhte rreth vetes e buçiste kënga labe që ai ia merrte aq mirë. Domethënëse ishte ajo shoqëri edhe për faktin se me disa kemi mbajtur e mbajmë shoqëri për gati 50 -vjet e sidomos me Feizi Nebiaj, Hodo Hodaj dhe Anastas Dhimitrin.

-Kush ka qenë momenti më i vështirë juaji në ushtri në hartimin e planeve luftarake?

Ministria e Mbrojtjes me shkresë nr 20, datë 07.10.1986, më ngarkoi të përgatisja temën e disertacionit: “Disa probleme të përgatitjes materialo-ekonomike të vendit për luftë, domosdoshmëri objektive për arritjen e fitores”.

Në funksion të temës dhe procesit mësimor, kam kryer veprimtari shkencore e publicistike, duke qenë autor për 4 tekste, bashkautor për 7 tekste, autor për 5 referate e 3 kumtesa shkencore, 7 leksione, 5 metodika për procesin mësimor në Akademi si dhe kam udhëhequr 4 tema. Gjithashtu kam shkruar e botuar disa shkrime në shtypin ushtarak e civil të cilat i kam përmbledhur në materialin bashkëlidhur me temë: “Publicistika a Arqile Veshit për periudhën 1980 -2005”.

Për periudhën 2006 – 2010 kam shkruar e botuar 10 -15 shkrime me problematika të ndryshme me karakter shoqëror e ushtarak. Duke qenë i angazhuar si aktivist shoqëror nga viti 2006 e në vazhdim pranë Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ-it dhe i zgjedhur si anëtar i tij, kam përgatitur për botim librin me titull:“Gjenocidi nazifashist dhe kolaboracionist kundër popullit shqiptar 7 Prill 1939 – 9 Maj 1945”, kushtuar rreth 6.000 antifashistëve shqiptarë nga veriu në jug, që nazifashistët gjatë periudhës 1939 – 1940 i arrestuan dhe i internuan në kampet e përqëndrimit në Shqipëri dhe në disa shtete të Europës.

Për punën teoriko-shkencore dhe përgatitjen e disertacionit nga ana ime, me propozim të Këshillit Shkencor të Akademisë Ushtarake “Mehmet Shehu”, Komisioni i Lartë i Atestimit, me vendim nr. 719, datë 17.03.1990 më akordoi gradën shkencore “Kandidat i Shkencave”, e cila me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 351, datë 30.06.1993, është konvertuar në gradën “Doktor i Shkencave”.

Bazuar në formimin teorik si student, pedagog dhe Shef Katedre në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”, si dhe në përvojën e punës 10-15-vjeçare në njësitë e repartet e ushtrisë nga Tropoja në veri dhe Gjirokastra në jug, u pa e arsyeshme nga Ministri i Mbrojtjes, dhe në Maj 1974 më emëroi Zëvendësdrejtor dhe Shef i Shtabit të Drejtorisë së Përgjithshme të Prapavijës në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo drejtori në atë kohë kishte në përbërje: Shtabin e Drejtorisë, Sekretarinë Sekrete, Drejtorinë e Prapavijës, të Shëndetësisë, të Financës, të Kontroll-revizionit, të Planit dhe të Furnizimit. Në përshtatje me këtë strukturë ishin edhe sektorët analogë në të gjitha njësitë e repartet e ushtrisë. Në vartësi të drejtpërdrejtë, drejtoria kishte edhe bazat e furnizimit të ushtrisë me qendër në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Tepelenë, Rrëshen si dhe ndërmarrjet e prodhimit e shërbimit si: Ndërmarrja e Veshmbathjes së Ushtrisë, Ndërmarrja e Ndërtimeve Ushtarake, Ndërmarrja e Riparim-shërbimeve Komunale, Ndërmarrja e Ushqimit Social, shtëpitë e ushtarakëve si dhe shtëpitë e pushimit të ushtarakëve, etj.

Duke qenë Zëvendësdrejtor e Shef  Shtabi, në mënyrë të drejtpërdrejtë mbuloja problemet operative dhe të stërvitjes si dhe Sekretarinë Sekrete. Gjithashtu, bëja koordinimin e bashkërendimit e punëve midis drejtorive në vartësi dhe me drejtoritë e komandat e aparatit të Ministrisë. Detyra kishte gamë të gjerë veprimi e si e tillë kërkonte horizont të gjerë njohurish e nivel të lartë profesional dhe aftësi komunikuese me kuadro të nivelit relativisht të lartë. Kuptimi i drejtë për vlerësimin që më bënë  në ngarkimin e kësaj detyre kaq të madhe dhe shumë të vështirë, por jo e papërballueshme, më bënë që t’i përvishesha punës për aftësimin teoriko-profesional, duke shfletuar e konspektuar aktet ligjore e nënligjore të fushave që mbulonte drejtoria si dhe literaturat speciale sipas shërbimeve bazë, e në të njëjtën kohë vazhdoja të likuidoja provimet në Fakultetin Ekonomik të Universitetit shtetëror, pa shkëputje nga puna të cilin e përfundova në vitin 1977. Përsa i përket përgatitjes taktiko-operative, zotëroja njohuri më të plota, pasi në këtë detyrë erdha nga Akademia Ushtarake ku kisha punuar si punonjës shkencor, detyrë e cila të jep njohuri të mira në fushën operativo-strategjike e megjithatë unë herë pas here jepja mësim në shkollat ushtarake, sidomos për tema si: “Organizimi i prapavijës për furnizimin materialo-teknik e shëndetësor veterinar të njësive taktiko-operative në veprimet mësymëse e kundërmësymëse”. Duke qenë se me detyrën e Shefit të Shtabit të Drejtorisë së Përgjithshme të Prapavijës, punoja dhe përgatisja në bashkëpunim me Drejtorinë Operative pjesën për prapavijën e planeve operative të Korpuseve e Brigadave dhe Bazave të Furnizimit të Ushtrisë. Puna në këtë fushë, aq sa më lodhi aq edhe më ngriti profesionalisht e moralisht, pasi ishte një punë që la gjurmë dhe vlerësohej nga kuadrot drejtuese të asaj periudhe që drejtonin Ministrinë e Mbrojtjes.

Si mund ta ilustroni këtë me një shembull?

Të gjitha njësitë e repartet kishin urdhra dhe detyra luftarake, ndërsa bazat e furnizimit të ushtrisë nuk kishin detyra luftarake dhe dokument që t’ua konkretizonte atë sipas njësive që do furnizonin ashtu edhe rezervat që do të krijonin e skaliononin sipas drejtimeve operativo-strategjike, prandaj mora iniciativën dhe përgatita një projekt për bazën e furnizimit në Tiranë me rreth 60 faqe të shtypur me shkallë sekreti: “Tepër sekret”. Ishte punë me përgjegjësi të jashtëzakonshme pasi do kalonte në duart e Mehmet Shehut. Nëqoftëse ai nuk do ta pëlqente….Gjatë përgatitjes isha në një ankth të madh. Pra pasi e mbarova, këtë material, nëpërmjet Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Zotit Veli Llakaj, ia kaluam për mendim ish Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes në atë periudhë, Zotit. Mehmet Shehu, i cili pasi e kishte studiuar me shumë kujdes, ditën e nesërme na thirri, na përgëzoi për punën e bërë dhe na vuri detyrë që të përgatitnim sa më shpejt urdhrat reale për çdo bazë furnizimi të cilat i firmosi. Në këtë mënyrë, Bazat e Furnizimit të Ushtrisë  u pajisën me një dokument të rëndësishëm, mbi bazën e të cilit programuam punën për krijimin dhe skalionimin e të gjitha rezervave materiale si “shtylla” të qëndrueshmërisë të mbrojtjes së vendit. Në Tetor 1982, me vendim të Sekretariatit të KQ-së të Partisë, emërohem“Drejtori i Drejtorisë së Prapavijës së Ushtrisë”, detyrë sa e rëndësishme aq edhe e vështirë për ta kryer me sukses. Por falë eksperiencës dhe ngritjes shkallë-shkallë në detyrë, vullnetit dhe vendosmërisë për të bërë punën dhe detyrën e ngarkuar, nivelit të kualifikimit arsimor e profesional si dhe aftësia komunikuese me eprorët, kolegët e sidomos me vartësit, pasi këta të fundit i kryenin ose jo detyrat, bënë që këtë detyrë ta kryeja për 10 – 12 vjet dhe me rezultate të qëndrueshme për kohën, pasi për atë periudhë nuk pati ndonjë ngjarje të jashtëzakonshme në ushtri për mungesë të punës së prapavijës. U administrua pasuria në përdorim me profesionalizëm dhe ajo që vlen të theksohet se kuadrot dhe punonjësit e këtij sektori nuk u implikuan në afera korruptive që të ndëshkoheshin nga ligjet e kohës.

Përveç detyrës shtetërore si Drejtor i Drejtorisë të një drejtorie të rëndësishme që për shkak të saj, karakterit dhe figurës si kuadër e anëtar partie, isha ngarkuar e kryeja detyra të tjera me karakter shtetëror e shoqëror si: Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Anëtar i Kolegjiumit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Anëtar i Komitetit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes. Për realizimin e detyrave të ngarkuara, kisha ndjenjë të lartë përgjegjësie, prandaj edhe gjeja kohë dhe forcë për t’i kryer relativisht mirë e në lartësinë e kohës, duke mos bërë dallim midis detyrave shtetërore dhe atyre me karakter shtetëror-shoqëror. E për t’a bërë këtë, programoja dhe harxhoja kohë disa herë më shumë se ajo e orarit zyrtar, pasi e kisha bëra metodë pune që kudo dhe në çdo hallkë që merrja pjesë, nuk i lejoja vetes që të shkoja i papërgatitur me shkrim për problemin që do të diskutohej apo analizohej. Fatkeqësisht, ne nuk disponojmë asnjë material pasi si diskutimet, edhe blloqet e punës në ata periudhë, protokolloheshin dhe kur dorëzoje detyrat ishe i detyruar t’i dorëzoje në sekretari.

Në këtë kontribut relativisht të madh në punë dhe në shoqëri, ka vlerë të pamohueshme edhe bashkëshortja ose më mirë shoqja e punës dhe jetës, Varvara Milo Veshi, që më ka ndihmuar e mbështetur në çdo hallkë të jetës e punës time, pasi më ka krijuar ngrohtësi familjare, ka përballuar më shumë detyra për rritjen e shkollimin e dy fëmijëve dhe mbajtjen në nivel të lartë të nivelit familjar. Kjo bëri që të rrisnin e të arsimonim me arsim të lartë djalin dhe vajzën: Dhimitër Veshin dhe Alketa Veshin, të cilët i kemi martuar me dinjitet dhe na kanë gëzuar me nga dy fëmijë secili. Të gjitha detyrimet tona familjare i kemi përballuar me të ardhurat tona.

Po kur u ristrukturua ushtria çfarë plani hartove?

Për kohën që punova në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes, dua të nënvizoj se atje vinin kryesisht ato kuadro që kishin punuar për shumë vjet në njësi e repartet e ushtrisë, kishin patur rezultate në punë, sjellje të mira shoqërore, nivel të lartë profesional, pjekuri e gjykim në zgjidhje e problemeve sipas radhës e rëndësisë së nevojave të njësive e reparteve. Kjo e lehtësonte edhe bashkëpunimin për zgjidhjen sa më racionale dhe efektive të problemeve që dilnin për çdo armë e shërbim, duke zbatuar rigorozisht kërkesat e akteve ligjore e nënligjore. Gjithashtu, vlen për t’u përmendur, se në aparatin e Ministrisë së Mbrojtjes, kishte disiplinë rigoroze në ruajtjen e sekretit, nisur nga motoja që secili të dijë atë që i takon sipas vendit të punës e funksionit që kryen. Këtë do e ilustroj me faktin që në fund të vitit 1983 doli urdhri i Komandantit të Përgjithshëm që në ushtri nuk do të ketë riorganizim nga struktura me korpuse në strukturë me divizione, ndërsa në mbrëmjen e asaj dite në zyrën e Ministrit të Mbrojtjes, u thirr grupi i punës për të kryer studimin e riorganizimit të ushtrisë me sistem divizioni.

Detyra ishte shumë e rëndësishme dhe voluminoze, por që kishte një kusht shumë specifik, se do të punohej vetëm dhe në bashkëpunim vetëm me anëtarët e grupit të punës dhe nuk kishe të drejtë të konsultoheshe as me personelin e drejtorisë dhe as me komandantin. Kjo kushtëzoi që edhe puna të bëhej kryesisht natën dhe në zyra të mbyllura, gjë e cila për mua që isha i vetmi drejtor që punoja për pjesën e dokumenteve të sektorëve ekonomiko-financiar, armatim-municionin dhe teknikën luftarake etj, mu desh që për 2 – 3 muaj të konceptoja e hidhja në letër në blloqe “Tepër sekrete” rreth 500 – 600 faqe, duke mos komunikuar me njeri në mënyrë të drejtpërdrejtë për detyrën e vënë. E gjithë kjo punën e mirëfilltë studimore-shkencore, pasi jo vetëm u shkrua, u diskutua dhe u miratua nga hallkat përkatëse të shtetit, por edhe u zbatua, pasi e tërë Ushtria Shqiptare kaloi në strukturën me divizione dhe komanda sipas detyrave luftarake morën drejtimin e njësive dhe reparteve vartëse.

 

Cilat ishin rezervat e ushtrisë shqiptare para fillimit të reformave në vitin 1992?

Rezerva të mëdha. E evidentuar me përgjegjësi. Rezervë do të thotë, sasi ushqimesh, mallrash, lëndësh ose mjetesh, që vihen mënjanë për t’i përdorur kur të dalë nevoja. Mund të them se ishin krijuar dhe skalionuar rezerva materiale, duke filluar nga municionet e deri tek hartat topografike, për një periudhë të gjatë kohore, sidomos në municione që varionte për deri në 10 vjet luftë, ndërsa ushqime, veshmbathje, karburante, medikamente si dhe materiale të tjera të domosdoshme për të kryer detyrat luftarake, deri në 5 vjet. Gjendja në 1 janar 1992 është marrë nga evidenca operative që në atë periudhë është mbajtur çdo artikull e njësi në Drejtorinë Operative në shkallë ushtrie. Kjo gjë është zbatuar me korrektësi deri në vitin 1992.  Pas vitit ’92, dokumentacioni në qendër por dhe në njësi e reparte la shumë për të dëshiruar. Me përjashtim të bazave të furnizimit të ushtrisë në Tiranë, Berat, dhe Elbasan e në Brigadën e Shijakut, në njësitë e tjera të ushtrisë nuk u gjet asnjë lloj dokumentacioni,  megjithëse për këtë qëllim ka pasur dhe një urdhër me Nr.34, datë 17.02.1984 për mbajtjen e librave të veçantë të këtyre lloj materialeve. Në rast se në vitin 1992 ka pasur në gjendje 48.730 kv miell, me urdhra rezulton për të kaluar në përdorim dhe shitur 35 mijë kv, ndërsa për 13.730 kv të tjerë është vepruar me iniciativën e njësive e reparteve, e për pasojë nuk u gjet as drejtimi i përdorimit të tij. Kjo u rezultua gjatë revizionimit që u bë në vitin 1997. Në fakt më shqetësues mbeti i karburanteve që të marra së bashku të të gjithë zërave në shkallë ushtrie në fillimin e vitit 1992 ka pasur në gjendje benzol, benzinë, gazoil, vajguri TS-1,  rreth 38.490 ton. Disponohen urdhra për të kaluar në përdorim për 13.167 ton, ndërsa për 25.323 ton nuk disponohen urdhra dhe gjendje në depo në vitit 1997 nuk kishte. Rezerva e karburanteve deri në vitet ‘90 në shkallë ushtrie  ka  pasur një kapacitet prej 45-50 mijë ton, nga të cilat 25-30 mijë tonë kanë qenë në depo nëntokësore që siguronin magazinim e ruajtje normale të lëndëve djegëse. Duke iu referuar evidencave të vitit 1992  rezulton se përveç sasisë së çadrave që kishin repartet e njësitë në përbërje të tyre, vetëm në rezerva të paprekshme kishte aq çadra të llojeve e madhësive të ndryshme  sa mund  të strehoheshin  njëherazi deri në 350 mijë vetë. Pra ushtria ka pasur teknikë luftarake dhe materiale të ndryshme sipas armëve të shërbimit për një kohë të caktuar. Por fatkeqësisht kjo pasuri nga keqadministrimi, keqpërdorimi e shkatërrimi që u bë në vitin 1997, nuk ekziston më. Askush nuk ka mbajtur evidencë ku kanë shkuar. Një tragjedi e vërtetë…