Takimi i liderëve të PS-PD/ Rama: Pres ftesën e Bashës. Dash Shehi: Një marrëveshje tjetër Rama-Basha është turp i madh

317
Sigal

 

Kryeministri Rama: Në reformën zgjedhore, rregullat e lojës i vendosim ne!

Kryeministri Edi Rama, i pyetur dje për një takim Rama-Basha, kryeministri u shpreh se kjo do të ishte normale për vendin, ndërkohë që shtoi se nuk ka hije që ambasadorët të hyjnë dhe të dalin nga selitë e partive, duke pohuar se rregullat e Reformës Zgjedhore i vendos mazhoranca. Kryeministri Rama: “Ne e kemi mbaruar punën tonë dhe besojmë që produkti është aty dhe mos më bëni të komentoj, se nuk më ka ardhur radha të komentoj unë, pasi janë përfshirë të tjerë në këtë proces, e për t’i respektuar ata deri në fund, do të ma falni një shtyrje me disa apo 24 orë të zotimit për të folur sot. Për sa i takon takimit, në Shqipërinë e vitit 2020, nuk është e hijshme për ne, që për çështje të brendshme, ku palët janë dy apo më shumë skuadra që do zhvillojnë finale, ulen e bien dakord, ca quhet faull e ca penallti, të bëhet me ambasadorë që hyjnë e dalin nëpër dyer, por është për të thënë faleminderit, se ka palë që nuk e bëjnë dot vetë dhe duhet ndihmë. Ju e dini historinë, gjynah se lodhim njerëzit, humbasim kohë e energji. Do të ishte normale të uleshim të merremi vesh, nuk merremi vesh, është temë tjetër”.

Dashamir Shehi: Një tjetër marrëveshje me Ramën do të ishte turpi më i madh i Lulzim Bashës

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, e konsideron të papranueshme një marrëveshje qeverisëse PS-PD. I pyetur për një mundësi të tillë ish deputeti i opozitës Dashamir Shehi, tha se një marrëveshje e tillë do të ishte një turp i madh për kreun e partisë më të madhe të opozitës dhe një fatkeqësi për vendin. Dashamir Shehi: “ Do të ishte turpi më i madh për PD-në dhe zotin Basha, do të ishte tmerri më i madh për Shqipërinë. Kjo do të thotë që ata që kanë vjedhur e grabitur të mos dënohen kurrë, që Shqipëria të mos ketë kurrë një alternativë. Unë jam absolutisht kundër. Shqipëria  nuk ka nevojë për qeveri të përbashkët deri kur të krijojë konceptet demokratike. Ka nevojë për rivalitet. Kush do ta denoncojë korrupsionin ditën që do të jenë dy parti bashkë? Pse duhet të jenë bashkë? Për të ndarë paratë me oligarkët bashkë. Kush do t’i thotë Veliajt që ke shkelur ligjet dhe rregullat? D.m.th. të jemi të gjithë hajdutë, kriminelë dhe të korruptuar”.  Sipas Shehit, hipotezën e një marrëveshjeje të tillë e ka hedhur vetë kryeministri Rama për të dëmtuar opozitën dhe për t’i kujtuar gabimin e frikshëm të vitit 2017.