Ali Demi “Hero i Popullit”, dëshmori antifashist nga Çamëria dhe harresa e padëshiruar

2010
Sigal

Nga Hyqmet Zane

Në fëmijërinë time, kur kisha nisur të kuptoja se kush isha dhe nga ishte prejardhja ime, krenohesha me gjithçka që lidhej me Çamërinë dhe me Filatin, origjinën e prindërve, gjyshërve e stërgjyshërve të mi. Çdo emër që ishte nga Çamëria, më ngjallte kënaqësi dhe më jepte te drejtën të ndjehesha shumë mirë si në rastin e Ali Demit që e cilësoja si një njeri të madh dhe që kishte merituar një titull vlerësimi për shkak të kontributeve që ai kishte dhënë në Luftën Antifashiste .

Vitet kaluan dhe unë veçoja çdo gjë për ata që kishin luftuar kundër nazifashizmit, aq më tepër që im atë Nuri Zane kishte qene i internuar në kampet e përqendrimit në Gjermani. Edhe babai dhe, sidomos, nëna më fliste për prindërit e Ali Demit dhe se si kishte vajtuar e ëma që mezi e kish rritur mes shumë halleve, se ishim komshinj në Filat. Çdo foto apo shkrim të këtij Heroi, e shkëpusja dhe e mbaja veç deri më sot. Kanë qenë këto arsyet që të hulumtoja dhe të vinte një ditë që të bëja një projekt ide për të përkujtuar 100-vjetorin e lindjes së tij dhe 75-vjetorin e rënies së tij. Por u zhgënjeva, u zhgënjeva nga përfaqësuesit e Shoqatës “Çamëria” dhe të PDIU, kryetarët e të cilave ishin vënë në dijeni për një seri aktivitetesh që mendoja se duheshin bërë nga ata, aq më tepër në këtë periudhë kur mashtruesit grekë vazhdojnë të na akuzojnë si bashkëpunëtorë me nazifashistët. Se sa bashkëpunëtorë ishim ne, këtë e tregojnë dokumentet e kohës që flasin për lidhjet e kryeministrave grekë si Metaksai që, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, i dërgoi telegram urimi Duçes që e hodhi poshtë pavarësinë e Shqipërisë si një mundësi greke për të marrë tokat e Vorio-Epirit. Por përkujtimi i Ali Demi “Hero Kombëtar” fillimisht, i pari që iu dha një personaliteti të Luftës dhe më pas “Hero i Popullit” i bën të pavlefshme akuzat greke.

Ali Demi lindi në Filat, më 18 janar të vitit 1918. Atje përfundoi edhe shkollën fillore. Në vitin 1927, nëpërmjet një burse studimi vazhdoi studimet në konviktin “Çamëria” të Sarandës, ku kishte filluar të frekuentohej nga fëmijë çamë, të cilët mësonin në gjuhën amtare. Më pas, ai ndoqi për katër vjet gjimnazin në Gjirokastër, ku organizoi edhe shoqatën “Skënderbeu” dhe “Qepa”. Pas ngjarjeve të kryengritjes antizogiste të Fierit, një vit më vonë, bashkë me shokët e tij Themo Vasi dhe Njazi Demi, Ali Demi organizoi revoltën e nxënësve për kushtet e këqija të jetesës, por Ministria e Arsimit i përjashtoi të tre nga shkolla. Pas kësaj ngjarjeje, u regjistrua në gjimnazin e Tiranës ku njihet me Qemal Stafën dhe Vasil Shanton dhe anëtarësohet në Grupin Komunist të Shkodrës. Me përfundimin e studimeve, u bë punonjës provizor në Post-Telegrafën e Tiranës. Në fillim të luftës italo-greke, Ali Demi u angazhua në batalionin shqiptar “Tomorri” dhe shkoi në front, por qëllimi i tij ishte organizimi i sabotimit të kësaj lufte. Ai ishte një nga organizatorët e manifestimit të madh antifashist në Tiranë. Më 7 prill të vitit 1942 bie në sy të spiunëve të kuesturës, të cilët e arrestuan dhe torturuan. U dënua me 23 vjet burg. Në shtator të vitit 1942 u organizua demonstrata e madhe e grave dhe e popullit të Tiranës para burgut, ku u vra edhe Mine Peza. Atje ai organizoi hapjen e kanalit nga të burgosurit politikë dhe, më 29 prill të vitit 1943, në tentativën e dytë për arratisje Ali Demi ia arriti qëllimit. Më tej, për të filloi një jetë e re si komisar i batalionit “Çermenika” ku mori pjesë në disa aksione. Pas një udhëtimi të gjatë në malet e Çermenikës, në vitin 1943, Ali Demi arriti në Vlorë në kohën e vështirë të Luftës, ku u caktua sekretar organizativ dhe më pas sekretar politik i Komitetit të Partisë së Qarkut të Vlorës, një nga qarqet më të mëdha të Luftës së Frontit Nacional-Çlirimtar. Në 19 dhjetor të vitit 1943, në një bazë të Kaninës së Vlorës, u rrethua dhe u qëllua për vdekje. Ali Demi vdiq në vitin 1943, në moshën 25-vjeçare.
Në 5 korrik të vitit 1945 u shpall “Hero Kombëtar” nga Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar, me motivacionin “Udhëheqës dhe punëtor i palodhur, shembull heroizmi dhe obligacioni të pashoq gjatë Luftës Lacional-Çlirimtare. Ishte dhe mbetet një nga figurat më të shquara të brezave të sotëm dhe të së ardhmes së popullit shqiptar”. Më tej, u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekoratat: “Urdhri i Flamurit”, “Medalja e Çlirimit”, “Medalja e Trimërisë”, “Medalja e Kujtimit”. Emrin e Ali Demit e mbajnë shkolla të ndryshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe në Vlorë, si edhe në institucione të ndryshme kombëtare. Në përkujtimin e veprës së tij janë ngritur disa buste.

Ali Demi “Hero i Populli” është njeri nga antifashistët e Çamërisë që na nderon si komunitet çam dhe, së bashku edhe me antifashistët e tjerë janë pjesë e krenarisë kombëtare. Përkujtimi i tyre është një vlerësim për luftën dhe sakrificat e tyre për lirinë e atdheut si dhe një mesazh për kohërat që vijnë.

Viti 2018 – viti i përkujtimit të Ali Demit nga Çamëria

Mbështetur edhe në ditëlindjen e tij më 18 janar 1918, 100 vjet më parë dhe vrasjen e tij më 19 dhjetor 1943, 75 vjet më parë, përbënin një arsye më shumë për të proklamuar që viti 2018 të cilësohet “Viti i Ali Demi “Hero i Populli” dhe i antifashistëve të Çamërisë”. Si pjesë e komunitetit çam që kam angazhimet e mia që nga 10 janari 1991 dhe si intelektual e pashë të arsyeshme që të mendoja dhe të përgatisja një projekt – ide aktivitetesh për këtë vit që po mbyllet. “Shoqata Çamëria” të organizonte aktivitete të ndryshme me shtrirje gjithëvjetore duke menduar për: Një përkujtim për ditëlindjen duke e shpallur nismën e këtij viti, edhe pse data kishte kaluar. Po ashtu të bëhej një takim i përgjithshëm me komunitetin çam me Komitetin e Veteranëve të LANÇ, pjesë e së cilës janë edhe Ali Demi dhe familja e tij. Më 5 Maj të bëhej nderim në varrezat e dëshmorëve të kombit me portretin e Ali Demit dhe dëshmorëve të tjerë, po ashtu edhe një takim me rastin e 9 Majit, Ditës së fitores mbi nazifashizmin dhe propozimin që Ali Demi të shpallet “Nder i Kombit”. Edhe më 27 qershor të motivohej edhe me emrin e Ali Demit që kundërshtojnë masakrat greke në emër të të ashtuquajturit “bashkëpunim me nazistët”. Do ishte e udhës që t’i propozohej Presidentit apo Qeverisë për transferimin nga Vlora të eshtrave të Ali Demit në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. Gjithashtu të bëhej nderim për festën e Pavarësisë dhe të Çlirimit me motivimin si «Viti i Ali Demit» dhe inicimin për një monument të Ali Demit që të vendoset në vendin ku është shkruar emri i tij në Tiranë.

19 dhjetor (dita e vrasjes së Ali Demit), duhej të përmbyllte aktivitetet e këtij viti që shkoi me simpozium kombëtar për Ali Demin, jetën dhe veprimtarinë e tij duke promovuar ribotimin e plotësuar të librit “Ali Demi” nga Luan Rama (nipi i Ali Demit) dhe takime të autorit në shkollat që mbajnë emrin e Ali Demit.

Epilog

Fakti që emrin “Ali Demi” e mbajnë disa institucione si Lagjia “Ali Demi”, Rruga “Ali Demi”, Shkolla 8 vjeçare “Ali Demi”, Kinema “Ali Demi”, që fatkeqësisht u shemb si kinema dhe një bust i Ali Demit për ‘tu bërë parking (?!), Fusha sportit “Ali Demi” që njihen nga gjithë, të gjitha këto janë një motiv më shumë për të ngacmuar ata që janë drejtues të Shoqatës “Çamëria” dhe PDIU që pretendojnë për zgjidhjen e çështjes çame. Nuk do të doja të thosha se sa e kanë pasur apo jo dëshirën për këtë aktivitet për Ali Demin, por një gjë është e qartë – Po mungon orientimi drejt aktiviteteve që sjellin vëmendje, jo vetëm të komunitetit çam, por të të gjithë opinionit qytetar shqiptar për figura që na bëjnë nder dhe që na japin shansin të krenohemi dhe të jemi dëshmi e rëndësishme për akuzat e gënjeshtrat greke. Nuk i kemi të shumtë heronjtë dhe dëshmorët, por ata që i kemi, ne brezave na takon t’i nderojmë, se jo vetëm janë krenari për ne, por janë edhe dëshmi të pakontestueshme për t’ua përplasur në fytyrë shovinistëve grekë dhe atyre filogrekëve që asnjëherë nuk kanë arritur të besojnë, se komuniteti çam ka qenë gjithnjë pjesë e kombit dhe e antifashizmit. Çdo harresë për t’i nderuar këta bij të Çamërisë nuk është as dinjitoze dhe as e drejtë. Këtë duhet ta kuptojnë ata që pretendojnë se kanë më shumë merita për këtë çështje.