Adriatik Kallulli, Dr. Xhelal Martini, Bejkush Birçe, Skënderbegas me karrierë të suksesshme

3355
Maksim Fejzulla, Kujtim Boriçi, Shkolla jopublike “Skënderbej”, ringjallja e një emri dhe e një tradite
(Vijon nga numri i kaluar)
Profesor Adriatik Kallulli, mësimdhënësi i njohur i skënderbegasve
Adriatik Kallulli kritik i njohur i artit dhe letrave shqipe. Profesor Adriatik Kallulli lindi më 28 Gusht 1938 në Bari të Italisë. U diplomua në Fakultetin Histori – Filologji në vitin 1962 dhe në vijim të punës së tij shkencore në fushën e kritikës letrare dhe artistike mori titullin “Doktor i Shkencave Letrare” në vitin 1980, titullin “Docent” në vitin 1985, dhe titullin Profesor në vitin 1995. Një pjesë e aktivitetit të tij profesional është mësimdhënia në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, ku ai ka lënë gjurmë e kujtohet ndër breza. Prof. Dr. Adriatik Kallulli është një ndër themeluesit e Akademisë së Arteve. Ka qenë pedagog titullar në këtë Akademi prej vitit 1972 e në vazhdim. Gjatë gjithë këtyre viteve pa asnjë shkëputje, ka mbajtur leksione dhe ligjërata në një varg lëndësh themelore të formimit të përgjithshëm teorik, si Letërsi Shqiptare dhe Histori e Teatrit Shqiptar, Letërsi Botërore dhe Histori e Teatrit Botëror, Teori Drame dhe Njohuri për kritikën artistike, Estetikë dhe Histori e Qytetërimit si dhe ka drejtuar për më shumë se 15 vjet postin e Shefit të Katedrës së lëndëve teorike. Për tre mandate radhazi ka qenë anëtar i Senatit të Akademisë së Arteve dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit të Fakultetit të Artit Skenik. Përveç mësimdhënies cilësore, ndihmës së vazhdueshme në hartimin e planeve dhe programeve mësimore, si dhe kontributin e tij të veçantë në udhëheqjen e diplomave dhe dizertacioneve të doktoraturës, ai ka qenë vazhdimisht i angazhuar me përgatitjen e teksteve të Akademisë si: Historia e Teatrit Shqiptar, Historia e Teatrit Botëror, Elemente të Mjeshtërisë së Aktorit etj. Kritiku dhe studiuesi i njohur i letërsisë dhe arteve Prof. Dr. Adriatik Kallulli ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve që nga viti 1967. Në të gjitha shkrimet kritike dhe studimet letrare për letërsinë dhe artet, ai ka mbështetur me entuziazëm të gjitha prirjet cilësore e novatore në letërsi e në arte. Veprat e tij përmbajnë studime dhe analiza të çmuara për letërsinë shqiptare, për artin dramatik, për estetikën, si dhe për pikturën e skulpturën. Ka ndërruar jetë më 28 dhjetor 2011 në Tiranë.
Dr. Xhelal Martini, kontribut shkencor të spikatur në fushën e zbulimit.
Xhelal Rrahim Martini u lind në Kukës, më 25.12.1948 dhe banon në Tiranë. Në vitet 1957-1961 ka kryer shkollën 7-vjeçare “Bajram Curri” në Tiranë, ndërsa në vitet 1967-1969, ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, specialiteti Zbulim. Gjithashtu, Dr Martini, ka kryer dhe dy vite të tjera kualifikim akademik (1975-1977) pranë Akademisë së Mbrojtjes në Tiranë; kualifikime të tjera pasuniversitare në fushën e mbrojtjes e kontrollit etj. Pas titullimit oficer aktiv (zbulues) më 28.12.1967, u emërua specialist i taktikës dhe zbulimit në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm; në vitet 1977-1985 shef zbulimi në Korpusin e Burrelit; në vitet 1985 1993 pedagog dhe shef sektori në Akademinë e Mbrojtjes; në vitet 1993-2002 Shef i Planizimit dhe përgjegjës për kualifikimin shkencor po në këtë institucion. Përfiton gradën shkencore “Doktor” me temën “Veprimet e reparteve dhe nënreparteve të Ushtrisë Jugosllave në llojet kryesore të luftimit dhe si i kundërvihet UALP”, më 22.11.1991. Në 30 dhjetor të vitit 2002, del në lirim. Ka botuar këto libra dhe materiale shkencore:
-Libri: “Veprimet luftarake të nënreparteve e reparteve të ushtrive të huaja në terren malor dhe kundërvënia jonë sipas Artit Ushtarak Popullor” (bashkautor), viti 1990;
-“Veprimet luftarake të këmbësorisë së Ushtrisë Jugosllave” (skuadërbatalion);
viti 1992;
-“Disa probleme të përdorimit luftarak të desantit ajror (DA) të ushtrive të huaja, ulur me helikopter dhe masat që duhen marrë”, viti 1989;
-“Lufta me intensitet të ulët sipas amerikanëve dhe problemet që dalin prej tyre”, viti 1990;
-“Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Ushtrive të Huaja, problemet dhe përfundimet”, viti 1988;
-“Qëndrimet aktuale të Udhëheqjes Ushtarake Jugosllave ndaj situatave të krijuara në jugosllavi, roli i ushtrisë dhe si duhet ti kundërvihemi me sukses”, viti 1988;
-“Disa probleme të trupave zbuluese-diversioniste jugosllave dhe kundërvënia jonë me sukses”, viti 1998,
-“Mbi 40 kumtesa e studime shkencore specifike lidhur me ushtritë e huaja, zbulimin dhe mënyrat e përballimit”.
Dr Xhelal Martini ka udhëhequr shumë tema e disertacione shkencore për grada të ndryshme shkencore të aplikantëve. Ka kryer disa eksperimente shkencore në terren me trupa dhe është autor i dhjetëra artikujve e publikimeve të tjera shkencore në revista e medie të kohës.
Në karrierën e tij si ushtarak karriere, për veprimtari shkencore, është dekoruar ndër vite me : “Urdhri i Trimërisë”, viti 1961; “Medalje Shërbimi”, viti 1972; “Urdhër Shërbimi i Klasit III, viti 1977 dhe viti 1988; “Medalje Shërbimi”, viti 1981 dhe 1985. Zotëron gjuhët
serbokroate dhe ruse.


Bejkush Birçe, sportisti shumëplanësh, mësuesi emblemë i skënderbegasve, trajneri dhe njeriu me zemër të madhe.
Bejkushi ka lindur në Bolenë të Vlorës, në 15 Dhjetor të vitit 1936, ku ka kaluar fëmijërinë dhe ka qëndruar aty deri në vitin 1944. Nga viti 1944 deri në 1951, ka qëndruar në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë, ku ka mbaruar shkollën 7 vjeçare. Pas mbarimit të shkollës 7 vjeçare 1951, shkoi në Teknikumin e Fizkulturës, falë aftësive të tija multisportive, ku dallohej për prirje në shumë specialitete të edukimit fizik. Bejkush Birçe, si rrallë kush ishte talenti i shumë sporteve dhe shkëlqente në futboll, volejboll, basketboll, boks, gjimnastikë, not dhe ka ushtruar veprimtarinë e tij edhe në shah, patinazh, ski dhe atletikë etj. Kjo gjithëpërfshirje flet për një emblemë të sportit shqiptar, që pa mëdyshje do ta quaja një enciklopedi sportive modeste. Me mbarimin e shkollës së mesme të fizkulturës u emërua pedagog në qytetin e Vlorës, ku punoi për një vit si mësues i edukimit fizik dhe pastaj në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, ku gjatë kësaj periudhe ka punuar me ndërprerje pasi është aktivizuar si trajner futbolli në shumë skuadra të vendit. Në vitin 1960, u dërgua për të ndjekur studimet e larta në Institutin e kulturës Fizike “Lezgaft” të Leningradit, ku i ndërpreu në vitin 1961, pasi ndodhi prishja e marrëdhënieve me ish Bashkimin Sovjetik. Vitet e mbetura i kreu në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike ”Vojo Kushi”, në Tiranë, në specialitetin e futbollit. Përgatitja dhe pajisja me kulture të gjerë sportive e bashkuar me aftësitë dhe talentin që ja kishte falur natyra, bënë të mundur që gjatë gjithë jetës së tij të shkëlqejë në fusha të sportit si debutues i suksesshëm dhe më vonë si trajner virtuoz, që u ngjit në majat më të larta të karrierës së tij sportive. Karriera e tij sportive ka filluar duke luajtur me ekipin përfaqësues të Tiranës, në vitin 1952, në kampionatin kombëtar të futbollit për të rinj. Rruga e gjatë sportive ka kaluar në kalvarin e shumë skuadrave të futbollit të ekipeve të “Tiranës”, të “Partizanit” dhe të “Flamurtarit” të Vlorës, që atëherë quhesh “Puna e Vlorës”. Gjatë periudhës që ka kryer shërbimin ushtarak te Klubi “Partizani”, është aktivizuar edhe si boksier dhe sporte të tjera të lojërave me dorë. Duke u inkuadruar në klubin “Partizani”, ka marrë pjesë në disa spartakiada të ushtrisë brenda dhe jashtë vendit, te ato që bëheshin në vendet ish socialiste, siç ishte rasti i spartakiadës në Lajpcig të Gjermanisë, që u zhvillua në vitin 1978. Ka marrë pjesë në kampionate kombëtare në sporte të ndryshme përfshirë këtu edhe si anëtar i ekipit përfaqësues kombëtar të boksit. Po të pretendosh t’i bësh biografinë sportive Bejkush Birçes, do të ngatërrohesh në labirintet e veprimtarisë së tij, që sa del nga një portë e sportit hyn në portën tjetër. Por gjatë, ai do të mbahet mend si një trajner i suksesshëm dhe kurajoz, që në çdo ekip ku ka vajtur për ta rimëkëmbur, ka bërë reforma të guximshme për kohën dhe kudo që ka nisur një punë të re ja ka dalë me sukses. Të gjithë e kujtojnë si trajner futbolli në ekipet e Tiranës, Partizanit, Dinamos, Flamurtarit të Vlorës, Naftëtarit të Kuçovës, Lokomotivës dhe më vonë Teutës së Durrësit, që i ka marrë në perëndim dhe i ka ngritur në piedestal të sportit shqiptar. Me këto ekipe ka marrë tituj Kampion i Vendit në kampionate e kupa të Republikës si dhe në Superkupën e Republikës. Por, pak kush do ta besojë se jo më pak i suksesshëm ka qenë edhe si trajner i basketbollit dhe volejbollit i ekipit të Punës së Vlorës, sot Flamurtari, ku është përfaqësuar në disa kampionate të kategorisë së parë. Nuk ka munguar që detyrën e trajnerit ta ushtrojë dhe me ekipin e gjimnastikës te skuadrat ushtarake si Shkolla e “Bashkuar” dhe Shkolla “Skënderbej”, sot Akademia “Skënderbej”. Krahas detyrës së trajnerit ka qenë dhe drejtues teknik në disa klube superiore të vendit duke filluar nga Skuadra e Dinamos, Partizanit, Lushnjës etj. Me skuadrat që ka drejtuar dhe trajnuar ka marrë pjesë në disa kupa Ballkanike dhe të Europës. Për meritat e tij si trajner është zgjedhur zëvendës President i Federatës Shqiptare të Futbollit nga viti 1997-2001. Në karrierën e tij të gjatë, ai me dhuntitë e tija korrekte dhe këmbëngulëse, kujtohet si një trajner i Ekipit Kombëtar, që i ka dhënë emër e prestigj futbollit shqiptar duke u përfaqësuar denjësisht në kupat eliminatore të kampionatit Europian dhe atij Botëror. Bagazhi i tij sportiv e ka bërë Bejkushin një emblemë të sportit Shqiptar. Për meritat e tij të shumta e të gjithanshme, është nderuar me shumë medalje e tituj nderi. Ato janë të shumta, por duke i grupuar do mundohem ti evidentoj sipas profilit të llojit të sportit. Bejkushi është dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri të klasit III, me Urdhrin Ylli i Kuq klasi II, me Medaljen e Artë, nga Komisioni Kombëtar i Sportit të nivelit të Lartë, Nderi i Sportit Shqiptar, si dhe Simbol i Vlerave Humane, nga Instituti Kombëtar i Integrimit të Jetimëve në Shqipëri. Njëkohësisht është nderuar me Titullin “Personalitet i Shquar i qarkut të Vlorës” dhe Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, akorduar nga Presidenti i Republikës, Profesor Bamir Topi. Por, nderimi më i lartë për Bejkush Birçen, është opinion i korifenjve të sportit shqiptar, bashkëkohës të tij. Mjafton të citojmë dy prej tyre në morinë e opinioneve që kanë dhënë në takime simbolike sportive, në median e shkruar dhe atë elektronike dhe pse jo edhe në takime e biseda të lira mes miqsh dhe shokësh. Kolegët e tij flasin me shumë admirim për karakterin e tij stoik e të pa epur para çdo trysnie të kohës, për ndershmërinë brilante pa asnjë kompromis e joshje koniunkturale, për modestinë dhe talentin e veçantë, që i ka dhënë krahë sportit Shqiptar. Emri dhe vepra e Bejkush Birçes, është dhe do mbetet një medaljon krenarie në gjoksin e sportit shqiptar, në të gjitha kohërat.

(Vijon në numrin e ardhshëm)
Sigal