Adem KORMAKU/ Rrahman Hanku, drejtuesi që bëri emër në fushën e ndërtimit

3031
Në plejadën e ndërtuesve të gjysmëshekullit të kaluar e deri në vitin 2006, kur u nda nga jeta, Rrahman Hanku, inxhinieri dhe për dekada ministër i Ndërtimit, zë një vend të rëndësishëm. Janë me dhjetëra vepra të rëndësishme, objekte kapitale e hidrocentrale e hekurudha që mbajnë idenë, projektimin apo drejtimin direkt nga ana e tij. Pra, një shembull i denjë i gjeneratës së ndërtuesve të gjysmës së shekullit të kaluar, në veprat ku ai punoi e drejtoi, duke lënë njëkohësisht mbresa e kujtime të pa harruara tek njerëzit e thjeshtë, tek personeli inxhiniero-teknik dhe administrativ, që punuan me ‘të’ është Rrahman Hanku, drejtuesi më i suksesshëm dhe njeriu me vizion të gjerë ne këtë fushë, njeriu me zemër të madhe… 
Njohja me Rrahmanin
E kam njohur nga afër dhe kam punuar gjatë me këtë njeri. Ai dinte të afronte, të ndihmonte me sa mundësi kishte. Vetëm një fjalë të thoshte Rrahman Hanku, bëhej urdhër e të gjithë i shtroheshin punës për realizimin e vënien në jetë të saj. Nga Rrahman Hanku, kanë përfituar të gjithë drejtuesit e armatës së madhe të ndërtimtarisë. Kontributi i këtij personaliteti fillon që nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, në të cilën ai ishte pjesëmarrës deri në çlirimin e plotë të vendit. Madhështia e tij çmohet dhe admirohet. Me mbarimin e luftës, Rrahmani iu përkushtua luftës për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta dhe të mbetur në harresë për vite e dekada të shkuara. 
Nga Ndërmarrja e Bonifikimit në Lanabregas
Figura e tij, si specialist e si drejtues spikati që në angazhimet e para për rindërtimin e vendit, si teknik në Ndërmarrjen e Bonifikimit të Durrës. Kjo ndërmarrje ishte ngarkuar atëherë për gjithë bonifikimin dhe ndërtimin e urave të Shqipërisë. Po ashtu, kishte në administrim dhe ndërtimin e hidrocentralit të Selitës dhe në hekurudha. Në vitin 1947, Rrahman Hanku u ngarkua me detyrën e përgjegjësit të sektorit për rikonstruksionin dhe rritjen e kapacitetit të ngarkim-shkarkimeve në portin e Durrësit. Me ndërlikimin dhe ngadalësimin e punimeve në hidrocentralin e Selitës, nga mezi i vitit 1948, Rrahman Hanku transferohet këtu në detyrën e drejtorit të kantierit të hidrocentralit me qendër administrative në Lnabregas. Për drejtimin e punimeve që kishin mbetur prapa, që nga vepra e marrjes së ujit tek burimet e Selitës së Madhe (Shëngjergj) e deri në Lanabregas, po ashtu dhe për nënstacionin elektrik të Tiranës, që ende nuk kishin filluar, as dhe ai i Lanabregasit, pa llogaritur linjat e tensionit (të lartë, të ulët e të mesëm) kërkohej një punë e madhe titanike, e cila iu besua Rrahman Hankut. 
Ndërmarrja e Ndërtimit të Hidrocentraleve 
E ndodhur përballë kësaj situate, qeveria, me vendim të veçantë krijoi Ndërmarrjen e Ndërtimit të Hidrocentraleve (Hidro Elektrike), për ndërtimin dhe vënien në… Në ceremoninë e përfundimit të punimeve të këtij tuneli, ishte dhe Enver Hoxha e udhëheqës të tjerë të shtetit të kohës, të cilët u futën e ecën në këmbë nga Lanabregasi e dolën në Qafë Mollë. Tuneli ka një kapacitet të madh rezerve uji, që në rast nevoje, për defekte në tubacionet e Qafë Mollës prapa Dajtit, ai furnizonte Tiranën me ujë për 48 orë. Inaugurimi i përfundimit të punimeve, vënia në shfrytëzim e hidrocentralit dhe furnizimi me ujë të pijshëm për Tiranën, u bë në 1 nëntor të vitit 1951. Kjo vepër gjigante e asaj kohe qëndron madhështore edhe sot, ndonëse kanë kaluar rreth 65 vite nga vënia në punë e saj. Rrahmani ka drejtuar dhe punimet për ndërtimin e Hidrocentralit të Ulzës. 
Në Hidrocentralin e Ulzës
Pra, Ulza, që nga viti 1953 e deri në vitin 1957, nuk ishte vetëm një qendër pune me 4000-4500 punonjës, por edhe një qytezë me rreth 7000 banorë. Një ngjarje e veçantë Në kulmin e zhvillimit të punimeve në Hidrocentralin e Ulzës kishte ardhur koha për të filluar montimin e agregateve e makinerive të hidrocentralit. Por doli një problem, ai i kalimit të tyre mbi urë, pasi ato lëvizeshin me mjete shumë të mëdha dhe pesha e tyre ishte shumë e rëndë. Për këtë, u ngrit një komision specialistësh inxhiniero-teknik për të kontrolluar urat ku do të kalonin automjetet me ngarkesën e madhe që do të lëviznin. Komisioni i ktheu përgjigje Rrahmanit se urat nuk kanë garanci për kryerjen e këtij procesi. Ishte kështu një shqetësim shumë serioz. Për këtë, Rrahmani, bashkë me përbërësit e ekipit verifikues, shkuan dhe një herë bashkë për të parë gjendjen në terren. Por thërrasin dhe mjeshtrit e njohur të urave. Rrahmani, i drejtohet Kamber Shevrosë: “Si thua ti xha Kamber”? Kamberi mendohet një herë dhe i përgjigjet: “T’i shoh një herë shoku Rrahman”. Kamberi merr një shkallë dhe futet poshtë urës për të parë trarët e saj të drurit një nga një. U binte me sqepar duke dëgjuar tingullin që nxirrte trari i thatë që ndryshonte nga tingulli që jep trari i kalbur. Kur u sigurua që trarët e urës ishin në gjendje të mirë, doli mbi urë si fitimtar dhe i tha: “Shoku Rrahman! Nën përgjegjësinë time të kalojnë makineritë. Ura nuk ka asnjë rrezik”! Rrahmani, ndërkohë, në gjendje gëzimi, iu drejtohet inxhinierëve dhe teknikëve të pranishëm dhe u thotë: “Ja, ky është inxhinier i urave dhe mjeshtër i zoti”! 
Detyra të tjera të rëndësishme
Për rezultatet e arritura në rikonstruksionin e Portit të Durrësit, në Hidrocentralin e Selitës së Madhe, në “Rrugën e Dritës” dhe në vepra e suksese të tjera, Rrahmani emërohet zëvendësministër i Ndërtimit. Por, nuk qëndroi shumë kohë, pasi u rikthye përsëri në Ulzë si drejtor. Me përfundimin e punimeve dhe vënien në shfrytëzim të Hidrocentralit të Ulzës, Rrahmani transferohet në Fier me detyrën e Drejtorit të Ndërmarrjes së Ndërtimit të TEC-it, Uzinës së Plehrave Kimike, Uzinës Mekanike të Fierit e të tjera objekteve të tjera që do të ndërtoheshin në këtë rreth. Pas përfundimit të këtyre objekteve, emërohet Zëvendësministër dhe më pas Ministër i Ndërtimit. Ai, deri në daljen në pension, e drejtoi këtë institucion të rëndësishëm me profesionalizëm e aftësi të rrallë. Rrahmani, gjithmonë shprehej me mirënjohje ndaj njerëzve të punës, duke i admiruar e falënderuar me shprehjen “…këta të zbardhin faqen”. Gjithmonë ai merrte si shembull Kamber Shevronë, Petro Zorbën, Ilo Venetin, Trajçe Maznikun, Gani Tuçepin, Taqo Mihon, Jonuz Muçën e shumë të tjerë. Shembujt dashamirës, që përmendte ky personalitet dhe qëndrimi ndaj njerëzve të punës, janë të pafundme. Ai ishte dhe mbetet legjendë në mendjet dhe zemrat e bashkudhëtarëve të armatës së ndërtuesve….
Sigal