Abaz Fejzo, ushtarak i jashtëzakonshëm me karakter të pathyeshëm

1208
ARTUR KORRIKU
Bisedë me shkrimtarin Shpendi Topollaj rreth figurës së Gjeneral Abaz Fejzos
Shkrimtari i mirënjohur Shpendi Topollaj në këtë intervistë është shprehur mbi librin e tij “Luani i kafazit” që i kushtohet jetës, veprës dhe fatit tragjik të gjeneral Abaz Fejzos, njerit nga drejtuesit më të kulturuar dhe mjaft energjik të ushtrisë shqiptare të asaj kohe. Ai e cilëson Gjeneralin Abaz Fejzo si një ushtarak të jashtëzakonshëm.
Tashmë njihet si prodhimtaria juaj e bollshme dhe shumëplanëshe letrare, ashtu dhe trajtimi që i bën shumë prej figurave që u përndoqën, u dënuan, u burgosën dhe u pushkatuan nga diktatura, pa harruar edhe shkatërrimin e familjeve të tyre. Por unë desha të ndalem te romani juaj: “Luani i kafazit” që i kushtohet jetës, veprës dhe fatit tragjik të gjeneral Abaz Fejzos, njerit prej drejtuesve më të kulturuar dhe mjaft energjik të ushtrisë shqiptare të asaj kohe. Së pari, si ju lindi ideja për t`u marrë me këtë personazh sa interesant, aq edhe përfaqësues, të cilin e quan Luan?
Luan, nuk e kam quajtur unë, por është një rastësi që ky burrë dhe ushtarak i jashtëzakonshëm, krenar dhe me karakter të pathyeshëm, mbante atë emër, i cili në arabisht do të thotë luan dhe që mesa duket rrjedh nga shahu i Persisë Abasi i Madh që sundoi nga fundi i shekullit XVI dhe fillimi i shekullit pasues. Ka qenë pastaj edhe xhaxhai i Muhametit dhe një Abaz Ali, i cili pasi iku nga Olimpi, erdhi në Tomorin tonë ku qëndroi pesë ditë mes besimtarëve, ku në vitin 1620 u ngrit ajo tyrbja bektashiane dhe që festohet çdo vit nga data 20 – 25 gusht. Personalisht, vetëm një herë jam takuar me të, kur ai, si Drejtor i Mjeteve të Blinduara në Ministrinë e Mbrojtjes erdhi për inspektim në batalionin e Shënavlashit të Durrësit, ku unë isha komandant. Qëndroi me kënaqësi në drekën që ne oficerët kishim përgatitur dhe kuptova se zotëronte një kulturë të rrallë. Fliste për piktorë të mëdhenj, kompozitorë, shkrimtarë dhe çuditërisht i njihte veprat e tyre si të ishte kritik arti a letërsie. Edhe aq sa ndenjëm, me atë shqisën e padukshme që ka njeriu, krijuam një simpati reciproke, por që mbeti aty, pasi nisën ato plenumet neroniane të Enver Hoxhës, të cilat i dhanë një grusht, sa dërrmues, aq dhe absurd, drejtuesve kryesorë të ushtrisë, heronjve të popullit, komandantëve sypatrembur të formacioneve partizane. Abazi kishte vdekur në moshën 62 vjeçare në burgun emërkeq të Burrelit, ku kryente dënimin prej njëzet vjetësh, ndaj e ndieva si detyrë të thosha disa fjalë për të, kur ai u përkujtua në Tiranë, tani në demokraci. Gruaja e tij, Filloreta, e cila dikur ka qenë edhe drejtoreshë e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, si duket, që aty më kishte përzgjedhur si më të mundshmin për të shkruar një monografi për Abazin. Kuptohet se ngurrova shumë, pse aq qe dhe shkalla ime e njohjes për të dhe veprimtarinë e tij, por profesori im i Shkollës “Skënderbej”, i mrekullueshmi Ismet Bellova që ishte i pranishëm kur e shoqja më bëri propozimin, më bindi duke më thënë se, jo vetëm që Abazi e meritonte, por kështu nderoheshin edhe gjeneralët e tjerë, pasi ai ishte përfaqësuesi më dinjitoz i gjithë atyre që e pësuan nga Enver Hoxha, i cili nga ana e tij, kishte kopjuar fije për pe atë që kishte bërë Stalini me të ashtuquajturin komplot të M. N. Tukaçevskit që e pushkatuan kur ishte 44 vjeç. Për më tepër, prof. Bellova, i cili e njeh mirë krijimtarinë time, më sugjeroi ta shkruaja si roman. Ashtu bëra, duke pasur ndihmën e bashkëfshatarit të Abaz Fejzos, ish-oficerin e lartë Medi Ramohiton, pasi unë as atë fshat, për të cilin gjatë kalimit të tij në 1810, Lord Bajroni kishte thënë: “Këtë fshat e ka dashur shumë Perëndia… sa kujton se je në parajsë”, dhe që kishte tradita të shquara patriotike, që kishte shumë djem e vajza dëshmorë të Atdheut, dhe që gjatë Luftës qe bërë shkrumb e hi, nuk e kisha parë ndonjëherë. 

Sa të ndihmoi fakti që duke qenë vetë oficer, i ke përjetuar ato ngjarje, sot të pabesueshme, dhe e ke pësuar edhe vetë, madje familjarisht nga çmenduria e asaj kohe?
Pa tjetër shumë. Por le të mos flasim për këtë përvojë timen, pasi sot biseda, jo vetëm po përqendrohet te një personazh me vlera dhe kontribute të mëdha, por edhe pse unë peripecitë që kam kaluar, i kam përshkruar hollësisht te romani kushtuar tim eti, si “Zhgënjimi i partizanit të Gramozit”, për të cilin është folur e shkruar shumë. Romanin për Abaz Fejzon nuk e kam ndërtuar si një requiem për të, por sipas porosisë së Ciceronit që thosh se “Nuk duhet vajtuar vdekja që pavdekësia e ndjek pas.” Se fundja, nuk thoshin kot romakët e vjetër “Pësimet – mësime.”

Ashtu është. Ti vetë thua në parathënie se “Kronosi, nuk e mbante kot kosën në duar. Por edhe ne që ishim shpesh aktorë të këtyre ngjarjeve, duhet të dëshmojmë. Ky është edhe qëllimi i shkrimit të këtij libri.” Tani a mund të paraqesim me pak fjalë jetën, si u lidh Abazi gati fëmijë, me Luftën për liri?
Djalë i thjeshtë që vinte nga një familje e varfër fshatare ishte Abazi, kur u lidh me Lëvizjen Nacional – Çlirimtare. Fillimisht në Korçë ku studionte dhe ku u njoh e ndikua nga Jakov Xoxe e Vaskë Gjino me të cilin do t`i bashkonte jeta dhe burgu etj. Merr pjesë në Demonstratën e Bukës dhe pranohet në Parti. E dërgojnë në vendlindje dhe menjëherë përfshihet në çetën e parë me komandant Vangjon (Neki Imerin) dhe komisar Divin (Qazim Çakërrin) që dihet si e pësuan më pas. Në Tragjas, janë zhvilluar shumë luftime dhe është vrarë koloneli italian Klementi. I ri ishte Abazi, por situatat i kuptonte fare mirë. Jo vetëm nuk i pëlqente goditjet e shokëve pas shpine, si ata të “Fraksionit të Vlorës”, por ashtu siç pohon në kujtimet e tij gjenerali tjetër tragjasiot, Halim Ramohito, ai njëherë i kishte thënë se, nuk mund të ishte dakord që serbi Dushan Mugosha të fusë hundët në punët e partisë tonë. Kur u krijua Brigada e parë, dhjetë luftëtarë të çetës “Hodo Zeqiri”, mes tyre dhe Abazi, u dërguan në Brigadën e Parë S. që po krijohej ku dhe u caktua komandant kompanie. Merr pjesë dhe dallohet në të gjitha luftimet deri në çlirimin e Tiranës, ku qenë vendosur nja 3.000 gjermanë, si pjesë e Divizionit 297.

Si vijoi karriera e mëtejshme e tij?
Në vitin 1945 emërohet Komisar i kësaj Brigade të lavdishme dhe si kuadër me mjaft perspektivë dërgohet me studime në Akademinë “Frunze” në Moskë, të cilën nuk e përfundon, pasi e kërkonte detyra, ngaqë grekët kishin nisur provokacionet e Gushtit. Kishte qenë trim në Luftë dhe tani në kohë paqeje, duke parë aftësitë dhe zgjuarsinë e tij dhe faktin se zotëronte katër gjuhë të huaja, e emërojnë me detyrë në ambasadën tonë në Romë. I çuditi të gjithë diplomatët dhe politikanët që takonte, duke u folur për historinë, artin dhe mitologjinë e atij vendi. Fliste për Danten, Petrarkën, Leonardon, Mikelanxhelon, Rafaelon, Borominin, Xhan Lorenco Berninin, Mediçët, Kazanovën, Xhovani Françesko Albanin, Papa i 244-të e ku di unë, sikur t`i kishte studiuar me rrënjë e degë. Kur kthehet në atdhe, shkon përsëri në Korçë e pastaj në Burrel, si Komandant i Brigadës, ku as që mund ta shkonte ndërmend se ai vend do bëhej më pas varri i tij. Sërish çohet në ish-B.S. ku i përfundon me rezultate të shkëlqyera studimet. Në diplomën e tij, të firmosur nga gjeneral armate Galickij etj, të cilën unë e kam botuar, është shkruar “Otliçijem” pra “E shkëlqyer”. Emri i tij edhe sot e kësaj dite ndodhet në pllakën e artë të kësaj Akademie. Pasi shërben për ca kohë në Vlorë, e caktojnë Komandant Brigade në Durrës, Njësi me një shtrirje të madhe dhe ku ai u gradua dhe gjeneral. Edhe pas kaq viteve ai kujtohet me shumë respekt, për taktin e tij, burrërinë dhe kulturën e gjerë. Ishte aq autoritar, sa edhe kur e kërkonte në takim në telefon sekretari i parë i rrethit, i thoshte “Ti që ke punë, mund të vish këtu.” Pastaj e caktojnë Komandant të Brigadës së tankeve, pa qenë fare tankist, por që me vullnet e këmbëngulje të pashembullt ua kaloi edhe atyre. 

Dhe këtu e quajtën Guderiani shqiptar, që ishte organizatori themelues i forcave tankiste të Rajhut të Tretë? 
Dhe që ka shkruar ata tre librat e famshëm “Kini mendjen, tanket”, “Tanket përpara” dhe në mos gaboj, “Kujtimet e ushtarit”. Por se ku ia vunë atë epitet Abazit, s`di ta them. Se atëherë s`ishte e lehtë ta përmendje Heinc Guderianin, komandantin e Armatës së Parë tankiste të Hitlerit. Ajo që dihet është se për rezultate të larta, së fundi Abaz Fejzos i besohet detyra shumë e rëndësishme e Drejtorit të Mjeteve të Blinduara të të gjithë ushtrisë. Për atë që bëri, duke u përpjekur dhe bërë realitet, që ajo ushtri të kishte mbi njëmijë e njëqind tanke, ndofta nën zë e quajtën Guderian.

Para se të vemi te ato plenumet që ti me të drejtë i quajte nerotike, duke pasur parasysh Claudius Neron që vrau nënën e tij Agripinën dhe gruan Oktavien, e pastaj s`i kurseu qytetarët e shquar dhe të krishterët, gjersa e detyruan të vriste veten, a mund të më thuash diçka për familjen e Abazit?
Përgjigje: Po. Siç ta thashë, grua kishte Filloretën, vajzë nga Grapshi i Devollit, e cila që trembëdhjetë vjeçe qe bashkuar me forcat partizane dhe me të cilën pati tri vajza. Njëra më e bukur se tjera dhe njëra më e mirë se tjetra. Eliza është mjeke në Tiranë, Pranvera ndodhet në Amerikë, kurse Tamara ndërroi jetë fare e re, duke shkaktuar një hidhërim të pariparueshëm te të gjithë. Kuptohet që ato ndoqën fatin e keq të Abazit dhe vuajtën për vite të tëra pasojat e internimit në Gramsh dhe burgosjes së tij nga 23 shtatori i vitit 1982. 

A mund ta thuash me pak fjalë se çfarë i ndodhi gjeneral Abazit, pas atyre pleniumeve për ushtrinë që u pasuan nga e pamëshirshmja “Fshesë e hekurt”? 
Asgjë më shumë se ajo që u ndodhi thuajse të gjithë gjeneralëve, tani pa grada, të ushtrisë shqiptare. Komunizmi, siç e ka përcaktuar W. Çërçilli është çnjerëzor. Me gjak e nisi e me gjak e mbylli sundimin e tij. Nuk do t`ia dijë as për kundërshtarë dhe as për ata që i besuan dhe e ndoqën me besnikëri, falë idealeve të ndershme e përparimtare. Po citoj një pasazh nga libri im, teksa Abazi është mbyllur në qelinë hetimore dhe mendon: “A nuk kishte thënë vetë Enveri në Plenumin VI, se historia e njerëzimit, që në kohët më të lashta e deri më sot… nuk ka njohur një gjyq tradhtarësh si ky që po u bëhet këtyre puçistëve. Drejt e kishte: asnjë tragjiku grek nuk do të mund t`ia rrokte fantazia, këtë që po bënte ky, me shokët e tij. Ishte fat i keq që Shekspiri nuk jetonte sot. Do ishte mirë që ai të jetonte nja 500 vjet. Ose, ose, çdo kohë të kishte Shekspirin e vet.” Fillimisht e liruan nga ushtria dhe e kthyen në kandidat partie. E çuan majë një karrocerie kamioni rrangallë, me ato pak plaçka, në Gramsh, si punëtor në ofiçinën e SMT – së. Mirëpo, dikush ka thënë se “Fati i përbashkët i të gjithë makiavelistëve është ky: “I bëjnë planet e tyre kaq hollë, sa thyhen vetë nga hollësia e tyre.” Hierarkët komunistë, pavarësisht zellit të tepruar për të ndëshkuar të tjerët, u bë vetë viktima. Kështu, kur kryeministri vrau veten me dy plumba, ose siç shprehet Kadareja, kur e vetëvranë, u kujtuan se kuadrot e Brigadës së Parë, i paskej shpëtuar ai nga burgu, prandaj “O burra, edhe këta rrufjanë t`i këllasëm brëna!” I bënë kontroll në shtëpi Abaz Fejzos ata të sigurimit dhe u xhindosën, kur ai nga buza e plasur kishte shkruar një poezi, ku ndër të tjera shkruante: 

“Dyshimet e Zeusit, ambiciet pa fund 
Aq shum` e tërbojnë, sa sofrën e shkund 
Dhe pse Zot mbi Zotat, në mendjen e vet 
Nuk rrika pa bërë, veç luft` për pushtet.”

Duke e thënë hapur e paturpësisht se te ne, në krye të punëve, kudo ishte partia, vendimi merrej po atje. Pastaj kryetari i Gjykatës së Lartë ishte dhe anëtar i Komitetit Qendror. Ai e dinte se verdiktin e kishin dhënë ca leshko e servilë dhe natyrisht që nuk ishte aq budalla. A s`kishte vepruar po kështu edhe kryetari i gjykatës me komplotin e Shtaufenbergut të 20 Korrikut 1944 në Gjermani, duke i varur mbështetësit e tij në tela pianoje? Po a e dini se ç`drama shpirtërore pësuan ata që nuk u pushkatuan si Balluku, Dumja e Çakua? Një miku im mjaft i nderuar, doktor i shkencave Lutfi Isufi më ka treguar, se kur kishte shkuar me shërbim për dezinfektimin e burgut në Burrel, qe llahtarisur nga britmat e Vaskë Gjinos (që kishte qenë Shef Operativ i Forcave të Traktatit të Varshavës e këtu komandant Korpusi), ngaqë i kishin prerë mishin me gërshërë dhe i kishin hedhur kripë. Dhe aty vdiq ky gjeneral i mrekullueshëm, shok Lufte i babait tim. Atë që kanë hequr ata njerëz atje, në atë ferr dantesk, e di vetëm shpirti i tyre.

Meqenëse erdhi fjala te shpirti, a mund të na thuash sesi e trajtoni ju në romanin tuaj Abazin si njeri, pra shpirtin e Abazit, herë të fortë e herë të butë, si të një artisti?
Përgjigje: Ashtu është; ai ishte siç e thashë edhe i pamposhtur edhe shumë delikat, sipas rastit. Herë – herë dukej i ashpër me vartësit në detyrë, por sapo e kuptonte nuk mënonte të të kërkonte ndjesë. Ka një ndodhi me Pjetër Gacin, kompozitori që e kishin shpënë për të kryer ushtrinë dhe komandant Abazi pa e njohur, e pa të zbërthyer në bulevard. E transferoi në një bateri bregdetare andej nga Ishmi. Por kur vajti atje për kontroll dhe dëgjoi ca tinguj violine nga krijimtaria e Antonio Vivaldit, pyeti se kush po i binte asaj vegle. Kur i thanë se është ushtari që e kishte sjellë ai për ndëshkim, e thirri Pjetrin dhe kur mësoi se ai vinte nga “Çajkovski” dhe se gruan e kishte ruse dhe të vetme në Tiranë, menjëherë e anuloi vendimin e marrë dhe e solli pranë të shoqes. Dhe ata tingujt madhështorë të opusit 3,4, dhe 8 që kishte krijuar gjenia e atij priftit nga Venecia, nuk i ndaheshin atje në qelinë e burgut, teksa kujtonte Filloretën e tij. 

A mund ta kujtoni atë historinë e toger Mahmutit, atij bashkëfshatarit injorant të Abazit?
Përgjigje: Nuk ishte aq injorant ai, sa ishte i poshtër. Ose më drejt, i indoktrinuar, tamam si një mostër e atij sistemi. Aeroplani anglez që po sillte ndihma për partizanët shqiptarë, u godit diku nga deti dhe pasi mori flakë, u përplas në malin e Bidoshit përballë Tragjasit. Nëntë vetë me gjithë pilotin, gjetën vdekjen. Fshati i varrosi me nderime të mëdha, siç e donte zakoni, por pas disa ditësh, Mahmuti, një çoban shkon e i hap varret për të vjedhur ç`të mundte. Ndërkohë, këshilltari anglez që po vinte për të vendosur një tufë me lule para se të largohej nga Shqipëria, e sheh këtë skenë dhe nxjerr pistoletën. Mahmuti i trembur dhe i turpëruar, ia mbath dhe bashkohet me partizanët. Ata s`dinin se ç`kishte ndodhur dhe e pranojnë në radhët e tyre. Pas çlirimit Mahmuti bëhet toger, por më vonë u lirua si i pa shkollë që ishte. Kur Abazi ishte në Gramsh, i vdes e ëma Rabija, ndaj ai shkon në fshat. Në dhomën ku qenë mbledhur burrat, ish-toger Mahmuti i hidhte thumba se partia jonë do t`i groposte ata që ia kishin me hile. Abazi duke e njohur, por edhe duke ditur hallin që e kishte zënë, nuk e pa të udhës që t`i përgjigjej. Le që ishte dhe në pozitë politike të vështirë, si i përjashtuar nga partia dhe ushtria. Por ish-toger Mahmuti prap në të tijën: “Armiqtë, në varr të gjallë do t`i fusim.” Atëherë, nuk duroi më Abazi dhe ia ktheu se “Ka edhe më keq, se duke i futur në varr, duhet të jenë të kënaqur, se del ndonjë lugat dhe i nxjerr nga varri. Se kanë ngjarë edhe këto, o Mahmut. Dhe mbeten fare pa varr pastaj.” 

Në roman, ju e përshkruani dhimbshëm vdekjen e Abazit. Por akoma më e trishtuar është skena e zhvarrosjes, nga Filloreta, vajza dhe bashkëvuajtësit e tij, heroi i Popullit Rrahman Parllaku dhe miku yt i ndjerë Gjergji Titani. Duket se sistemi dhe ai që e projektoi ikën me turp, po Abaz Fejzos dhe të tjerëve si ai, a ju vu nderi në vend?
Kjo është një pyetje e drejtë, por që nuk di ç`të thuash. Nga ana tjetër, ti edhe vetë thua “duket” se ikën me turp. Po a kanë ikur vërtet? A nuk e vë re se ende ka trumykur që viktimat e atij sistemi diktatorial i shohin si armiq? A ke parë vallë, që t`i vihet një rruge emri i një ish-gjenerali. Për Nexhip Vinçanin që ka qenë në Durrës Komandant i Brigadës para Abaz Fejzos, gjeneral Aci thotë se do ta kishte për nder çdo ushtri e Evropës po ta kishte në gjirin e saj. Por askush nuk ka marrë mundimin ta kujtojë. Po kështu Xhemal Zenelin etj. Pra edhe për Abaz Fejzon, për Luanin që u mbyll në hekura pa asnjë faj, dhe që ia identifikuan eshtrat ngaqë i mungonte një kockë në shpatull, sepse ishte plagosur në Luftë, heshtet. Por heshtja peshon shumë dhe flet shumë. Njerëzit ende nuk e kanë të qartë pozicionin e këtyre burrave që u shkrinë për Atdhe. Nuk janë ata fajtorë për atë që ngjau në Shqipëri për 45 vjet rresht. Ata sipas radhës e pësuan edhe vetë nga sistemi të cilit i besuan. Nuk mund t`i rëndojmë ata me përgjegjësinë e atij që unë e quaj “…personifikim i së keqes, (që) ashtu si Zeusi mitologjik, dukej se kishte nisur rreth botës dy shqiponja në drejtime të ndryshme dhe ato u takuan jo tek Omfali, ai guri i shenjtë në Delf, por këtu në Shqipërinë tonë që u katandis në një leckë socialiste e asgjë më shumë.”
Sigal