72- vjetori i çlirimit të Kurveleshit

1385
Sigal

Mustafa Matohiti mbajti një fjalim tepër emocionues dhe revolucionar

Çlirimi i Gusmarit, qendrës së nënprefekturës, që do të thotë çlirimi i plotë i Kurveleshit të sipërm, ishte kurorëzimi me sukses i realizimit te planit për etapën e pare të Luftës NÇl në Kurvelesh të sipërm.  Në  këtë etapë që mbyllej në Nëntor të vitit 1948, Lufta NÇL kishte hedhur rrënjë të thella në Kurvelesh. Në këtë kohë ishin krijuar organizatat e Partisë të Kurveleshit, ishin ngritur këshillat NÇL në të gjitha katundet e krahinës për vetëqeverisjen e vendit dhe për të mobilizuar masat popullore në luftë kun­dër fashizmit dhe tradhtarëve. Ishin krijuar njësitë guerile pothuajse në çdo fshat të Kurveleshit, të cilët kishin krijuar bazën për organizimin e njësive më të mëdha, ashtu siç u përmend. Ishte krijuar njësiti i parë i partizanëve vullnetarë që vepronte në ilegalitet, që drejtohej nga Mustafa Matohiti dhe Bexhet Mema. Në këto kushte Kurveleshi duhej të ishte medoemos një zonë e lirët ku lëvizja NCL të vepronte lirisht  që më 28 Nëntor, ditën e pavarësisë të valonte flamuri i kuq me shkabën dykrenore në mes, flamuri i lirisë, sepse kjo do të kish, ashtu siç pati, një ndikim të madh nga pikëpamja politike. Për këtë Organizata e Partisë, duke patur dhe mbështetjen e përkrahjen e popullit të vendo­si që më 28 Nëntor të sulmohej Gusmari, ku qeveritarët  kishin 150 forca të armatosura.  Për ta konkretizuar këtë, në shkollën e Lekdushit u bë një mbledhje posaçme, pastaj mbasi njësiti u mor për darkë nga Geg Hejnaj, të nesërmen më 27 Nëntor 1942 në Lekdush u dha alarmi i zakonshëm më pesë të shtënash pushkësh dhe një bombë. Mbas disa orësh u mblodhën vullnetarisht në breg të Shëmëhillit mbi tridhjetë burra të armatosur, me një kohë shumë të keqe. Këtu u komunikua qëllimi dhe detyrat që do të kryheshin. Lajmi për çlirimin e Gusmarit u prit me kënaqësi nga të gjithë. Sipas kujtimeve të disa luftëtarëve, për çlirimin e Gusmarit nga Lekdushi kanë marrë pjesë 25 vetë, ndër të cilët Xhelo Iljazi, i cili u caktua dhe komandant, Çune Tota, Xhemal Zeneli, Demo Basho, Gegë Hajnaj, Abas Hysaj, Xhevdet Serjani, Muço Iljazi, Maliq Hajnaj, Kadri Matohiti, Islam Tota, Resul Serjani, Skënder Kërpi, Omer Hajnaj, Çelo Barxhe, Reis Begaj, Sinen Kërpi, Guçe Hajnej, Murat Isufaj, etj.. Në një mot shumë të keq, duke u gdhirë 28 Nëntori, Gusmari u rrethua plotësisht. Planin e rrethimit e bëri Mustafa Matohiti, Bexhet Mema e Ago Çeli. Rrethimi vazhdoi disa orë. Mbas një paralajmërimi se në qoftë se nuk do të dorëzoheshin , do të hapej zjarr forcat qeveritare u dorëzuan. Mbas dorëzimit të armëve u rreshtuan të gjithë aty afër në një shesh ku ndodheshin edhe pjesëmarrësit luftëtarë të çlirimit të Gusmarit nga Lekdushi, Rexhini, Gusmari etj.. Është e vështirë të përshkruhet ajo ditë gëzimi, ai entuziazëm, ku njerëzit në njërën anë shikonin armikun të mundur dhe në anën tjetër shikonin flamurin e Skënderbeut që valëvitej i lirë. Më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë, ditën e çlirimit të Kurveleshit, Mustafa Matohiti mbajti një fjalim tepër emocionues dhe revolucionar. Pa pasur asnjë shënim, si orator i madh që ishte, ai foli mbi të kaluarën heroike të popullit shqiptar, për luftën e tij shekuj me radhë për lirinë, foli për ngritjen e flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali, për ditën e shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, për luftën e Vlorës më 1920, për situatën ndërkombëtare, për rrezikun e fashizmit në botë, për luftën heroike të popullit sovjetik. Shumë prekës ishte fjalimi kur ai foli për luftën nacional-çlirimtare, për fitoren e asaj dite, për çlirimin e plotë të Atdheut. Përgëzoi pjesëmarrësit për çlirimin e Gusmarit, dhe ju bëri thirrje atyre që ishin në shërbim të fashizmit, që si të gënjyer nga armiku, të merrnin armët dhe të luftonin kundër okupatorit. Ajo ditë ishte ditë feste.

Gezdar Serjani