I dërguari amerikan për Korenë e Veriut i bëri edhe një herë thirrje Phenianit të dielën të angazhohet në bisedime për çarmartimin bërthamor të gadishullit korean.
Përfaqësuesi Special Sung Kim e quajti provën e fundit me raketa balistike të Koresë së Veriut shqetësuese, duke shtuar se ato kanë prodhuar efektin e kundërt ndaj paqes e qëndrueshmërisë së gadishullit.
Kjo provë është një nga disa të kryera nga Pheniani në javët e fundit, duke shkelur sanksionet e Kombeve të Bashkuara.
Përfaqësuesi Special amerikan Sung Kim përsëriti se Uashingtoni nuk ka asnjë qëllim armiqësor ndaj Koresë së Veriut.
I dërguari i Koresë së Jugut për Çështje Bërthamore Noh Kyu-duk tha se kishte biseduar me homologun e tij amerikan rreth një propozimi serioz të Seulit siç e quajti ai, për ta shpallur luftën koreane zyrtarisht të përfunduar.
Lufta koreane e viteve 1950-1953 përfundoi me një armëpushim dhe jo me një traktat paqeje.
Zyrtarët e Koresë së Jugut e shohin propozimin e tyre si një gjest të vullnetit të mirë për të nisur bisedimet.