Ziadin Çela:Më 7 prill vuloset që Struga përjetësisht të jetë shqiptare

688
Sigal

Bisedë me Ziadin Selën, kandidat shqiptar për Kryetar të Komunës së Strugës

Kanë ngelë vetëm edhe 2 ditë deri në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Strugës. Në një bisedë të zhvilluar, kandidati shqiptar për kreun e Komunës së Strugës, Ziadin Sela, shpalosi pjesë nga programi i tij zgjedhor katërvjeçar, duke përfshirë shumë segmente të jetës së përgjithshme të qytetarëve të Strugës, duke mos lënë anash edhe mërgimtarët tanë në botën e jashtme, me synim të krijimit të mundësive të kthimit të tyre me kapitalin dhe eksperiencat perëndimore në vendlindje. Ai shpalosi pjesë të programit të tij nga fusha e urbanizmit, ekonomisë, turizmit, arsimit, shëndetësisë,  kulturës, sportit, higjienës së qytetit, sigurisë së qytetarëve dhe përcolli mesazhin për datën 7 prill.

 Kush është Ziadin Sela?

 Dr.Ziadin Sela, ka lindur më 01.11.1972, në fshatin Livadhi të Strugës. Rrjedh nga një familje e formuar me taban kombëtar dhe arsimdashëse. Shkollimin fillor e ka kryer në vendlindje, për të vazhduar shkollën e mesme në shkollën e mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë, në drejtimin matematiko-natyror.  Pas përfundimit të shollës së mesme, vazhdon studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës (1992-1998).

Gjatë krizës-luftës së Kosovës, më 1999, është angazhuar me ekipet e Kryqit të Kuq ndërkombëtar dhe më pas, në vitin 2000-2004, punon, ushtron profesionin e mjekut në Poliklinikën në Veleshtë.

Në periudhën e ardhshme dy vjeçare, 2004-2006, punon në Qendrën medicinale- Ndihmën e shpejtë (Urgjencën) në Strugë.

Nga viti 2006-2008, emërohet drejtor i Inspektoratit Sanitar, në kuadër të Ministrisë së shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë. Dr. Ziadin Sela, së shpejti do të përfundojë edhe specializimin në mjekësinë interne.

Në vitin 2009, zgjidhet kryetar i Degës së Partisë Demokratike Shqiptare në Strugë, detyrë që e ushtron deri në vitin 2011, kur si bartës i listës së deputetëve të PDSH-së, zgjidhet deputet në Parlamentin e Maqedonisë, funksion, të cilin e ka ushtruar deri më tani, ku është shquar për mbrojtjen e interesave të përgjithshme shqiptare, duke qenë një nga luftëtarët e denjë të mbrojtjes së dinjitetit, çështjes kombëtare në të gjitha aspektet.

  Struga është në këtë gjendje që është, me një kaos të përgjithshëm urbanistik, cilat zgjidhje u ofroni qytetarëve?

Vlerësimi im për gjendjen momentale është njëlloj si i të gjithë qytetarëve që përditë përballen me këto probleme, por edhe unë jam qytetar i Strugës dhe vazhdoj të jem edhe më tej qytetar i Strugës. Gjithkund ka probleme të infrastrukturës rrugore si në qytet ashtu edhe nëpër vendbanimet rurale. Me ekipin me të cilin do të drejtoj Strugën dhe me administratën e tanishme, do të vendosim një princip të ri dhe do të intervenojmë menjëherë aty ku është nevoja për t’u intervenuar. Do të ketë menaxhim të mirëfilltë të fondeve në këtë drejtim.

 Ekonomia dhe zhvillimi?

 Krijimi i mundësive për tërheqjen dhe thithjen e  investimeve dhe investitorëve të huaj, që mundëson edhe hapja e vendeve të reja të punës, për të përmirësuar papunësinë dhe gjendjen e përgjithshme sociale. Po ashtu do të stimulohen edhe bizneset e të gjitha kategorive, të vogla, të mesme dhe ato të mëdha. Për këtë, unë si kryetar i komunës,  do të formoj dy sektorë të rinj; një sektor që do të merret me thithjen e IPA fondeve nga Bashkimi Europian, të cilët do të jenë një stimul plus për bizneset në Strugë dhe nëpërmjet komunës do të thithen këto fonde. Një tjetër sektor shumë i rëndësishëm do të jetë sektori për tërheqjen dhe thithjen e investitorëve të huaj, duke krijuar lehtësira administrative dhe procedurale, për thjeshtësimin e procedurës që sa më parë të fillojë investimi dhe puna, duke anashkaluar burokracinë e instaluar.  Ndërtimi i një zone ekonomike në Strugë do të jetë poashtu një nga preokupimet tona. Këtu janë edhe bujqësia etj., etj., që stimulohen nga IPA fondet.

 Turizmi, si degë më fitimprurëse e ekonomisë?

 Turizmi është shumë kompleks. Secili turist që vjen, është një reklamë shëtitëse që vëren kaosin urbanistik, uzurpimin e hapësirave publike dhe probleme të tjera që janë shumë evidente. Kjo gjendje, ky kaos i krijuar, po humbet dita- ditës turistët nga Struga. Ne kemi paraparë që pos lulëzimit të turizmit veror që ka Struga, -sepse tani në këtë gjendje që është Struga nuk na vijnë turistë, por na vijnë vetëm kurbetçinj, – kemi paraparë disa projekte tjera që Strugën ta shndërrojmë në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit, për të jetësuar edhe idenë e turizmit dimëror, me investimet në Belicë të sipërme e mbase edhe në Llabunishtë, që do ta bënte turizmin më jetëgjatë në Strugë. Po në këtë kuadër planifikojmë edhe ngjarje kulturore për begatimin e turizmit, duke realizuar javën kulturore të të gjitha komuniteteve në Strugë, kështu që Struga gjatë tërë vitit do të jetë përplot manifestime kulturore dhe aktivitete turistike, që do të vë në lëvizje gjithë potencialin turistik. Diversitetet etnike, do të bëhen tërheqës për turistët në Strugë si ata nga vendi e pse jo edhe nga jashtë. Panairet turistike poashtu do të bëhen pjesë e aktiviteteve turistike, bashkë me agjentëve turistik që janë bashkatdhetarët tanë në botën e jashtme, që do të shndërrohen në ambasador të vërtetë të turizmit.

 Shëndetësia në Strugë me probleme, shërbimet ofrohen në Strugë, mjetet buxhetore për rreth 20 mijë banorë të komunës shkojnë në Vevçan?

 Natyrisht se, ky është një problem që del nga standardet e dyfishta që implementohen edhe pas 22 viteve demokraci në Maqedoni janë evidente. Si kryetar i komunës do të angazhohem për shtrirjen e rrjetit shëndetësor në tërë komunën që qytetarët të kryejnë shërbimet në institucionet shëndetësore të Strugës. Shtëpia e shëndetit në Vevçan nuk ka mundësi të ofrojë shërbime banorëve të Llabunishtit, Podrorcës, Veleshtës, etj., ndaj do të angazhohemi që të hapim një shtëpi shëndeti në Llabunishtë, për shërbimet mjekësore atje. Këtu vlen të theksohet se, nuk është bërë decentralizimi i shëndetësisë dhe Qeveria këtë e ndalon, edhe pse kompetencat e mjekësisë primare duhet të merren nga komunat, ashtu siç është për arsimin dhe kulturën. Isha një kohë edhe drejtor i inspektoratit shëndetësor dhe bëra një punë, por ajo përsëri është kthyer aty ku ishte. Pacientët edhe sot detyrohen të blejnë terapi dhe ilaçe me paratë e tyre, gjendje që nuk është e kënaqshme.

Struga në zgjedhjet lokale 2013

 Në zgjedhjet lokale në Strugë kanë garuar tre kandidatë: ai i Partisë Demokratike Shqiptare, Ziadin Sela, i cili do të garojë në raundin e dytë-në balotazh me kandidatin e koalicionit të bllokut maqedonas Vlladimir Koçoski, si dhe kandidatin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Arben Labënishti, i cili u eliminua në raundin e parë të zgjedhjeve.

Struga ka  56.341 votues të regjistruar, të shpërndarë në 78 vendvotime, ndërsa në raundin e parë kanë dalë në votime 35.545 votues, ose 63.09% të elektoratit. Në raundin e parë janë evidentuar 35.265 fletëvotime të vlefshme, ndërsa 280 fletëvotime janë shpallë të pavlefshme. Kandidati i BDI-së, Arben Labënishti, ka marrë 9.354 vota, ose 26.52%,  kandidati i PDSH-së, Ziadin Sela, ka marrë 11.414 vota, ose 32.37%, ndërsa kandidati i koalicionit të bllokut maqedonas, Vlladimir Koçoski, në këto zgjedhje ka marrë 14.497 vota, ose 41.11%. Në bazë të këtyre rezultateve, kandidati i PDSH-së, Ziadin Sela dhe ai i koalicionit të bllokut maqedonas, Vlladimir Koçoski, do të garojnë në raundin e dytë- në balotazh  më 7 prill, për të marrë drejtimin e komunës së Strugës.

 Vlen të theksohet se, mbështetje në raundin e dytë të zgjedhjeve, më 7 prill  është premtuar nga vetë kandidati i BDI-së, Arben Labënishti, si dhe nga vetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, që Struga të mbetet shqiptare-të drejtohet nga kandidati shqiptar, duke i siguruar fitore në raundin e dytë.

Për sa i përket garës për Këshillin e komunës së Strugës, ku kanë garuar katër lista të këshilltarëve- pas tërheqjes së listës së grupit të qytetarëve, listë e kryesuar nga Skënder Bekteshi-në favor të mospërçarjes së votës shqiptare-, rezulton se nga 56.341 votues të regjistruar, kanë votuar 35.543 votues, ose 63.09%, të shpërndarë në 78 vendvotime. Janë evidentuar 34.837 fletëvotime të vlefshme, ndërsa 706 fletëvotime janë shpallur të pavlefshme.