Zhvillohet koncerti i parë me distancim social: A është kjo e ardhmja?

313
Sigal

Pandemia e koronavirusit i ka dhënë një goditje të madhe industrisë së muzikës dhe hotelerisë. Koncertet në të gjithë botën u anuluan menjëherë sapo nisën masat e izolimit dhe njerëzit nuk dilnin nga shtëpia në muajt e parë të vitit 2020.

Por edhe pas hapjes së vendeve, kufizimet për frenimin e përhapjes së koronavirusit bënë që organizatorët e koncerteve të nisnin të mendonin sesi të vijonin aktivitetet, por duke respektuar rregullat e distancimit social.

Një provë sesi mund të duken koncertet e të ardhmes, në kohë pandemie, e bënë organizatorët e koncertit të muzikantit Sam Fender në Njukasëll, Angli. Rreth 2500 fansa të tij u mblodhën në një fushë të hapur, në atë që u konsiderua koncerti i parë me distancim social në Mbretërinë e Bashkuar.

Distancimi social u zbatua që në mbërritje në parkun Gosforth. Në parkim, makinat qëndronin në 2 metra distancë nga njëra-tjetra. Njerëzit u vendosën në disa platforma metalike në grupe me nga 5 vetë, ndërsa pijet porositen përmes një aplikacioni dhe u dërgohen njerëzve në platformat e tyre.

Një skemë që duket se funksionoi pasi edhe disa këngëtarë dhe komedianë kanë thënë se do ta zbatojnë për të organizuar shfaqjet e tyre në të ardhmen.