Zgjedhjet në SHBA/ Nesër përballja e tretë Trump – Clinton

481
Sigal

Demokratja Hillary Clinton dhe republikani Donald Trump
do të përballen nesër në Las Vegas në debatin e tretë dhe të fundit
presidencial. Zonja Clinton vazhdon të kryesojë në anketa, prandaj ky debat
shihet si shansi i fundit i zotit Trump për të ndryshuar balancën e forcave në
këto zgjedhje.

Debati i fundit konsiderohet si
një moment vendimtar për Donald Trumpin, i cili renditet rreth 6 pikë pas
rivales demokrate në anketat e fundit.

Kandidati republikan vazhdon të
paralajmërojë përkrahësit se po luftojnë kundër aparatit politik të Clintonëve
dhe kundër një shtypi të politizuar.

“Është një sistem i manipuluar,
por ne nuk do ta lejojmë të vazhdojë”.

Pretendimet e zotit Trump janë
kundërshtar edhe nga disa republikanë. Kandidati republikan është hedhur në
kundërsulm pas akuzave të disa grave për sjellje të tij të papërshtatshme me
tone seksuale në të kaluarën.

“Këto janë gënjeshtra që i përhap
media dhe fushata Clinton në përpjekje për të mbajtur nën kontroll këtë vend.
Të gjitha janë të rreme. Janë shpikje, trillime, 100% fabrikime”.

Zonja Clinton po përgatitet prej
ditësh për debatin. Megjithë polemikat për emailet e saj, ajo është përpjekur
ta përqëndrojë fushatën tek propozimet politike:

“Së pari, duhet që ekonomia t’i
shërbejë mirëqënies së të gjithëve, jo vetëm më të pasurve. Mund ta arrijmë
këtë”.

Zonja Clinton ka gjetur
mbështetje edhe nga Presidenti Obama dhe Zonja e Parë Michelle Obama, e cila ka
dalë në fushatë duke përmendur komentet vulgare të Donald Trumpit, të bëra
publike kohët e fundit:

“Një njeri me potencë, duke folur
pa rezerva për sjelljen agresive seksuale”.

Kandidati republikan ka humbur
mbështetje pas publikimit të regjistrimit dhe akuzave nga disa gra, thotë
analisti Tom DeFrank:

“Kjo sjellje nuk do e ndihmojë
për të marrë mbështetjen e grave të bardha, të arsimuara që i duhen në këto
zgjedhje”.

Dy kandidatët do të sjellin stile
të ndryshme në debatin e fundit, thotë analisti republikan John Feehery:

“Mendoj se Hillary do të tregohet
e kujdesshme, pasi nuk do të humbasë epërsinë që ka. Ndërsa Trumpi, mendoj unë,
do të përdorë çdo mjet pasi beson se ky është shansi i fundit për të mbyllur
hendekun. Ai do të hidhet në sulm kundër zonjës Clinton”.

Në javët e fundit të fushatës, dy
kandidatët do të përqëndrohen në një numër shtetesh të pavendosura që do të
jenë vendimtare në rezultatin e zgjedhjeve