Zaev: Në fillim të javës Maqedonia duhet të ketë Qeveri të re

492
Kryetari i LSDM-së dhe mandatar për përbërjen e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, mbrëmë nga Brukseli paralajmëroi se në zhvillim të plotë janë edhe negociatat për përbërjen e Qeverisë së re, e cila sipas tij do të duhet të zgjidhet në fillim të javës së ardhshme. I pyetur deri ku janë negociatat për formimin e Qeverisë, Zaev pas takimit me kryeministrat e pesë shteteve ballkanike dhe me Federika Mogerini, theksoi se me partnerët e tjerë pothuajse është dakorduar gjithçka, përveç me lëvizjen BESA, por paralajmëroi se pret mbyllje të listës së ministrave deri në fund të kësaj jave.

“Mund të them se me partitë e tjera jemi shumë më afër edhe në pjesën e asaj që do të thotë sistemim i dikastereve edhe në pjesën e aspektit të nevojës për gjetjen e kuadrove cilësore. Me lëvizjen BESA ende nuk kemi arritur të bisedojmë për kuadro. Ende po bisedojmë për dikasterët, numrin e përgjithshëm sa, për proporcionet, përgjegjësinë etj. Besoj se shumë shpejtë do të vijmë dhe për të biseduar për emrat. Aspirata ime dhe në përgjithësi edhe të gjithë liderët konkluduam që të tentojmë deri në fund të javës të dorëzojmë propozim deri te parlamenti i Maqedonisë. Ne premtuam disa dhjetëra ditë, ndërsa të dielën skadojnë dhjetë ditë duke e pasur parasysh atë që kanë kaluar gjashtë-shtatë ditë. Njerëzit presin rezultate, përmirësim të jetës ekonomike, fillim të reformave, thjesht dëshirojnë të shohin si funksionon parlamenti. Opozita po e kryen punën e saj, ndërsa shumica qeveritare punën e saj. E gjithë kjo do të thotë natyrisht edhe afrim drejt Bashkimit Evropian, por më së shumti edhe përmirësim i jetesë së qytetarëve”, deklaroi Zaev.

I pyetur që konkretisht të tregojë kur Maqedonia ndoshta do të bëhet me Qeveri të re, njeriu i parë i social-demokratëve të Maqedonisë me përgjigje konkrete se kjo duhet të ndodhë në fillim të javës së ardhshme.

“Shpresoj se nëse arrijmë atë që e kemi dhënë si detyrë që deri në fund të kësaj jave të dorëzojmë Qeveri në Parlament, në pajtim me rregulloren e parlamentit të Republikës së Maqedonisë, debati zgjat 48 orë, gjegjësisht dy ditë. Kjo do të thotë se në fillim të javës së ardhshme, Maqedonia duhet të ketë Qeveri të re”, i drejtpërdrejtë ishte mandatari Zoran Zaev.
Sigal