Bashkia e Tiranës drejt përfundimit të rikualifikimit urban të bllokut te “Vëllezërit Huta”

512
Një tjetër lagje në kryeqytet ka tashmë rrugë, trotuare, lulishte dhe hapësira çlodhëse e argëtuese për fëmijë. Bashkia e Tiranës ka përfunduar fazën e parë të rikualifikimit urban të bllokut të banimit që shtrihet përgjatë rrugës “Vllazën Huta” dhe “Beqir Luga” pranë Ministrisë së Jashtme, duke i dhënë fund kështu pritjes disa vjeçare të banorëve të kësaj zone për ndërhyrje në infrastrukturën urbane. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po vijojnë në të gjithë lagjen, që përfshijnë bllokun 40, 41 dhe 42 në Njësinë Administrative Nr. 2 dhe u shpreh se kjo do jetë shumë shpejt një tjetër zonë që ofron kushte dhe standarde të mira urbane.

“Zona pas Ministrisë së Jashtme ka qenë një ndër zonat më problematike, tejet e banuar, me shumë ndërtime informale, legalizime e hipotekime të ndodhura ndër vite, çka e bëjnë infrastrukturën jashtëzakonisht problematike. Ne jemi ende në proces të disa shpronësimeve. Ju e dini fare mirë që procedurat marrin kohë, megjithatë kemi bërë maksimumin dhe vera na kapi me një investim kapilar në të gjithë zonën”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Ai u shpreh se ashtu si edhe në të gjitha investimet e tjera që ka bërë Bashkia e Tiranës, edhe në këtë lagje ky ndryshim do të sjellë rritje të vlerës së pronës si një përfitim direkt për qytetarët. “Falenderoj të gjithë ata që kanë bashkëpunuar, sepse kam kuptuar që tërheqja 1 metë ose 2 metër për të lejuar një trotuar, përveçse ka dobi për zonën, mbi të gjitha ka rritur vlerën e shtëpisë së tyre. Një shtëpi me trotuar, me asfalt, me ndriçim, me gjelbërim, është një shtëpi që ka më shumë vlerë sesa një shtëpi, e cila refuzon të bashkëveprojë me rregullat e kryeqytetit dhe pas legalizimit, bëhet totalisht radikale kur vjen puna për të toleruar ndaj disa ndryshimeve”, tha Veliaj.

Ai shtoi se Njësia 2 është një nga përfitueset më të mëdha të investimeve të Bashkisë së Tiranës, pasi aktualisht është duke u punuar në disa blloqe të mëdha njëkohësisht. “Në këto dy vjet në Njësinë 2 kemi investuar më shumë se në dy dekada të marra bashkë. Përveç investimeve madhore, kemi ndërhyrë në nivel kapilar, si Te blloku mbas ATSH-së, te blloku pas Ambasadës Amerikane, blloku tjetër në Sauk etj. Pra, nga 50 blloqe ku po punojmë në Tiranë, 6-7 prej tyre janë vetëm në Njësinë 2. Ndaj dua t’i bëj thirrje të gjithë qytetarëve t’i mirëmbajnë, që pastaj të inkurajohemi e të punojmë më shumë”, tha Veliaj, i cili kërkoi edhe mirëkuptimin e qytetarëve për problemet që mund të sjellin punët publike që Bashkia e Tiranës do të bëj gjatë gjithë verës.

Ai ka theksuar se që investimet të kenë jetëgjatësi është e domosdoshme që qytetarët të bashkëpunojnë dhe të mbrojnë pronën e përbashkët. “Dua të ftoj të gjithë banorët, tani që kemi këtë investim, tani që do caktojmë pikat e reja të grumbullimit të mbeturinave, që të respektojnë rregullat e qytetit. Teksa shkojnë gjërat në vendin e vet, është shumë e rëndësishme që të sillemi si qytetarë, është e pajustifikueshme që pasi bëjmë investime të tilla, kemi ende banorë që për forcë të zakonit, ende hedhin plehrat e tyre në pemët dhe në murin e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Shqipërisë, ku është prezantimi ynë kryesor me botën. Kjo nuk shkon. Është shumë e rëndësishme që gjithë popullata të investohet në kulturë. Kur infrastruktura e kultura shkojnë bashkë, atëherë jemi realisht në kryeqytet. Ne nuk mund të jemi kryeqytet vetëm me asfalt, ndriçim, sinjalistikë e gjelbërim dhe pastaj të sillemi si në një vend të prapambetur, kur vjen puna tek kultura qytetare, që duhet të zbatojmë”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë evidentoi nevojën për bashkëpunimin e qytetarëve edhe për të zgjedhur administratorët e pallateve në mënyrë që të kenë mundësi për të përfituar nga fondi i komuniteteve që Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion për rikonstruksionin e pallateve. “Ftoj banorët të zgjedhin administratorin, me të zgjedhur administratorin të vijnë e të aplikojnë, që këto investime që bëjmë në sheshe dhe në rrugë, të vijojnë të bëhen po ashtu në fasadat e pallateve, duke pasur një administrator që i aplikon dhe Bashkinë që jep 50% të shumës, për të realizuar këtë investim”, u shpreh kryebashkiaku.

Përveç punimeve në trupin e rrugës dhe trotuare, janë kryer punime në rrjetin e ujërave të bardha dhe të zeza dhe të sinjalistikës rrugore horizontale dhe vertikale. Gjithashtu janë kryer punime edhe për ndriçimin rrugor dhe linjat rezervë. Projekti ka realizuar ndërtimin e rrjetit të ri të ndriçimit rrugor në të gjithë segmentet dhe sheshet ku janë bërë ndërhyrje.
Sigal