Xhaferri hyn në zyrën e tij në Parlament

473
Kryetari i ri i parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi  hyri sot në zyrën e tij, një ditë pasi deputetët e partisë VMRO-DPMNE të shoqëruar nga kryetari i saj, Nikolla Gruevski dhe ish-kreu i parlamentit Trajko Velanovski e kishin zaptuar atë. Zoti Xhaferi, ka pritur mysafirin e parë në kabinetin e tij, ambasadorin e Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.
VMRO-ja vazhdon të mos e njohë legjitimitetin e kreut të ri të parlamentit, pasi ligjvënësit e partisë e mbajtën për më tepër se një muaj të bllokuar procesin e zgjedhjes së Xhaferit në krye të institucionit më të lartë ligjvënës.
Tërheqja e deputetëve të VMRO-së nga kabineti i krye-parlamentarit, së bashku me thirrjen e presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov drejtuar Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar në zhbllokimin e procesit rreth formimit të qeverisë, shikohen si zbutje të qëndrimeve kokëforta të tyre.
Zhvillimet e reja pasuan dhunën e përgjakshme në parlament më 27 prill, ku disa ligjvënës të Lidhjes Social Demokrate, përfshirë kryetarin e partisë, Zoran Zaev dhe drejtuesi i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela morën lëndime nga bandat e sulmuesve.
Sipas hetimeve të deritanishme, ndonëse jozyrtarisht, rezulton se sulmet të kenë qenë të dirigjuara nga struktura të vetë shërbimit të sigurimit apo të autoriteteve të rendit. Sipas regjistrimeve të kamerave televizive dhe atyre të sigurisë së parlamentit, të paktën dy deputetë të VMRO-DPMNE-së u kanë hapur dyert sulmuesve dhe i kanë drejtuar ata për në ambientet ku ndodheshin deputetët e LSDM-së dhe të partive shqiptare.
Sigal