Will Smith jep dorëheqjen nga Akademia: ‘Tradhtova besimin e tyre’

151
Sigal

Will Smith është dorëhequr nga Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit pas incidentit të ndodhur me komedianin Chris Rock gjatë eventit të çmimeve Oscar. Në njoftimin e dorëheqjes, Smith thotë se “ka tradhtuar besimin e Akademisë” dhe se “do të pranojë çdo pasojë tjetër që vjen më pas.”

Në një deklaratë të publikuar pasditen e së premtes, aktori e përshkroi gjestin e tij në edicionin e 94-ët të Academy Awards si “shokues, të dhimbshëm dhe të pafalshëm.”

“Unë tradhtova besimin e Akademisë. I privova të nominuarit dhe fituesit të tjerë nga mundësia e tyre për të festuar siç duhej punën e tyre të jashtëzakonshme. Prandaj, po jap dorëheqjen nga anëtarësimi në Akademinë e Shkencave të Filmit dhe do të pranoj çdo pasojë të mëtejshme që bordi konsideron të përshtatshëm.”

Dorëheqja e Smith parandalon kështu veprimet zyrtare disiplinore nga bordi i guvernatorëve të Akademisë, të cilët u mbodhën ditën e mërkurë për të nisur procedimet kundër aktorit. Duke u dorëhequr, Will Smith humb privilegjin për të votuar. Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit tha pak ditë më parë se Will Smith-it iu kërkua të largohej nga Oscars pasi goditi Chris Rock, por refuzoi.

Presidenti i Akademisë, David Rubin, tha se dorëheqja e Smith është pranuar, duke shtuar se masat disiplinore kundër sjelljes së tij do të vijojnë të merren.

Nuk është ende e qartë ç’lloj mase ndëshkuese e pret yllin e filmave, por takimi i radhës i bordit pritet të mbahet në 18 prill. Akademia është shprehur se masa disiplinore për aktorin mund të përfshijë pezullim, përjashtim ose sanksione të tjera.

Të dielën, gjatë ceremonisë së çmimeve Oscar, Will shokoi Hollywood-in pasi u ngjit në skenë dhe goditi komedianin Rock, sepse ky i fundit bëri një shaka me flokët e rënë të Jada Pinkett Smith.