Vuçiç në SHBA premton drejtësi për vrasjen e 3 vëllezërve Bytyçi

476
Kryeministri serb Vuçiç tha se vrasja e tre vëllezërve me shtetësi amerikane që kishin luftuar për UÇK-në, ishte një krim i tmerrshëm. Në një konferencë të mbajtur të enjten në Uashington, zoti Vuçiç nuk e quajti këtë çështje një pengesë të madhe në marrëdhëniet me SHBA, por tha se Serbia do të bëjë detyrën e saj.
“Kjo do të ndodhë shumë shpejt dhe shumë më shpejt sesa mund të pritet. Mos u shqetësoni, ne do ta zgjidhim atë dhe mendoj se është detyra jonë për ta zgjidhur,” tha kryeministri i Serbisë.
Avokatë të familjes Bytyçi, e kanë akuzuar kryeministrin Vuçiç për pengesa në zbardhjen e këtij krimi. Nga ana e saj qendra për të drejtën humanitare në Beograd thotë se sipas dëshmive, vrasja e vëllezërve Bytyçi, është urdhëruar nga qarqe të larta duke përfshirë gjeneralin e policisë Goran Radosavlleviç, aktualisht anëtar i këshillit drejtues të partisë së Kryeministrit Vuçiç.
Daniel Serwer, ekspert i Institutit SAIS pranë Universitetit Johns Hopkins, i cili moderoi konferencën, tha se kjo është një çështje mjaft e komplikuar dhe e vështirë për zotin Vuçiç.
“Jam mjaft i sigurt se ai do të donte që çështja të zgjidhej para se ai të vinte në Uashington. Megjithatë, ai bëri një premtim të qartë për ta zgjidhur dhe kjo nënkupton nxjerrjen para drejtësisë jo thjesht dikë, por persona të rëndësishëm pjesmarrës në vrasjen e vëllezërve Bytyçi,” tha eksperti.
Duke folur për marrëdhëniet me Kosovën, zoti Vuçiç tha se qeveria e tij ka arritur shumë në procesin e dialogut. Ai iu përgjigj edhe pyetjes nëse njohja e Kosovës nga Serbia do të ishte kusht për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian:
“Ne flasim me njëri-tjetrin shumë shpesh. Mendoj se jam takuar të paktën 40 herë me zotin Isa Mustafa dhe zotin Hashim Thaçi dhe tani ne mund të diskutojmë për çdo çështje. Ne kemi shtuar lidhjet ekonomike mes Beogradit dhe Prishtinës, por po të më pyesni nëse do ta njohim pavarësinë e Kosovës, ne nuk e kemi patur një kërkesë të tillë (nga vendet anëtare të BE-së). Kjo nuk do të ishte realiste dhe nuk mund t’ju them se do ta bënim,” tha zoti Vuçiç.
I pyetur se si do t’i interpretonte këto komente, zoti Daniel Serwer tha se Kryeministri serb nuk premtoi njohje të Kosovës, por as nuk e përjashtoi atë:
“Nga pikëpamja serbe, tani nuk është koha e përshtatshme për t’u marrë me këtë çështje. Nga pikëpamja amerikane, tani është pikërisht koha e duhur. Mendoj se do të ishte më mirë që kjo të trajtohet herët në procesin e anëtarësimit në BE se sa më vonë. Mendoj se të 23 vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën, vështirë se do të ishin të gjitha dakord për pranimin e Serbisë para se ajo të njihte Kosovën,” tha zoti Serwer.
Zoti Vuçiç foli në konferencë edhe për marrëdhëniet me Rusinë dhe synimet e Beogradit drejt BE-së. Ai tha se “Serbia dëshiron të ruajë marrëdhënie të mira me rusët, ata janë miqtë tanë tradicionalë, por synimi ynë strategjik është të jemi pjesë e Bashkimit Evropian.”
“Kjo është shumë e qartë dhe nuk është politikë balancimi, me të cilën mund të shkosh një herë në njërën anë dhe një herë në anën tjetër. Ne jemi në rrugën tonë evropiane dhe nuk duam të jemi pjesë e ndonjë bashkimi euroaziatik,” tha zoti Vuçiç.
Duke folur për çështjen e ndalimit të eksporteve bujqësore drejt Rusisë për rolin e saj në Ukrainë, zoti Vuçiç tha: “Çfarë do të merrnim ne nga BE-ja nëqoftëse do të ndalnim eksportet bujqësore drejt Rusisë? Kush do të na kompensonte ne?”
Lidhur me NATO-n, ai tha se vendi i tij ka marrëdhënie shumë të mira me aleancën, por deri tani nuk ka aspirata për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, për arsye të ngjarjeve të vitit 1999. Ai nënkuptoi bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, për shkak të rolit të saj në fushatën kundër shqiptarëve në Kosovë. Por, zoti Vuçiç tha se nuk e dinte se ç’do të ndodhte në të ardhmen përsa i përket anëtarësimit.
Dje, zoti Vuçiç u prit në Kongresin amerikan nga senatori John McCain, i cili tha se SHBA mund të ndihmojnë nga pikëpamja ekonomike, diplomatike dhe me shumë mënyra të tjera procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.
I pyetur për vizitën e zotit Vuçiç në Uashington, eksperti i Komisionit amerikan të Helsinkit pranë Kongresit amerikan, Bob Hand, tha se kjo vizitë është një shenjë se Serbia kërkon të ketë marrëdhënie të mira me SHBA.
“Edhe SHBA e kanë bërë të qartë se duan marrëdhënie të mira me Beogradin, por ka disa çështje, sidomos ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, ku ekzistojnë shqetësime. Është e nevojshme të shihen veprime konkrete dhe jo vetëm premtime në hetimin dhe ndjekjen penale të çështjes së vrasjes së vëllezërve Bytyçi,” tha zoti Hand. / Marre nga VOA
Sigal