Monopoli “Beqja”, biznes privat me 9.6 milionë analiza mjekësore në vit

286
Sot, po vazhdojmë publikimin e skandalit të dhënies me koncesion të laboratorëve të mjekësisë shqiptare, të cilët që prej datës 28 janar 2015 me VKM nr. 80, datë 28 janar 2015 dhe që prej 1 shtatorit 2015, ato do të jenë aktivitet privat, ku shqiptarët dhe kushdo që do të shkojë për analiza mjekësore nëpër laboratorët që do të jenë si aktivitet koncesionar, do të paguajnë tarifa që i vendosin privatët, paçka se pacienti do të jetë ose jo me sigurime shëndetësore. 

Në shtator 2015, laboratorët nisin aktivitetin monopol me tarifa sipas interesit të firmës

Ky shërbim, që prej 1 shtatorit 2015, i ligjëruar shtetërisht me kontratë koncesionare të miratuar me VKM nr. 80, datë 28 janar 2015, do të futet në “kthetrat” e një monopoli të ri, prej të cilit shqiptarët do të zhvaten me analiza mjekësore me çmime të larta të vendosura nga monopolisti nëpër ambulanca, klinika, spitale e qendra shëndetësore shtetërore. Monopoli do të veprojë me tarifa që i vendos vetë, mbasi VKM dhe skema e ministrit “tenderxhi” Ilir Beqja i ka lënë hapësirë të plotë monopolit për të vendosur çmime analizash që i interesojnë. fakti është ky: prej 5 muajsh laboratorët i janë falur një firme të huaj private e cila nuk ka asnjë lidhje me sektorin e shëndetësisë, që fshihet pas një adresë serbe, por që në fakt ka logon e një kompanie eksperte financiare amerikane “IFC”. Me VKM nr. 80, datë 28 Janar 2015, analizat mjekësore në gjithë qendrat shëndetësore e klinikore shqiptare duhet të bëhen vetëm në shërbimin monopol të firmës amerikano-serbo-ruso-bullgare me logon “IFC”. Duke iu referuar argumenteve të specialistëve të laboratorëve në mjekësinë shqiptare, rezulton se skandali parashikon dhe detyron këtë formulë: Laboratorët mjekësorw në spitale, poliklinika, qendra diagnostikuese e kudo ku ndodhen, që prej shtatorit 2015, nuk do të jenë më pronë shtetërore si strukturë e shërbimit mjekësor, por do të tjetërsohen në shërbim privat, monopol. Kjo skemë monopoli është diskutuar në 16 korrik 2014, në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, ku ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, ka bërë presion mbi komisionin “Braçe”, madje edhe duke folur në emër të kryeministrit Rama dhe duke e paraqitur atë si “palë interesi privat”, me qëllim që shërbimi i laboratorëve mjekësorë, të kalojë në shërbim me koncesion. Madje ka dhënë si referencë edhe emrin e personit (V.Ll), i cili sipas ministrit Beqja, do të jetë monopolisti koncesionar i laboratorëve të sistemit mjekësor në Shqipëri. Komisioni parlamentar, ka pranuar dhe ka miratuar “idenë” e ministrit Beqja, duke i hapur rrugë projektit të kalimit të laboratorëve me koncesion. Ja skema monopoliste “Beqja” për laboratorët. Burime nga Ministria e Shëndetësisë, informuan për gazetën “Telegraf”, detaje lidhur me skemën e privatizimit të laboratorëve. Sipas kësaj skeme, pas marrjes së licencës koncesionare prej një klienti të paracaktuar (V.Ll), do të kalohet në dhënien falas të ndërtesave të laboratorëve, të klinikave laboratorike e të pjesëve të krejt klinikave dhe ambulancave të qyteteve e zonave, ku ka të tillë. 

Shteti vetëm 5% fitime, në 10 vite 50% e fitimit gjoja do të jetë “investime” nga firma

Shteti do të përfitojë vetëm 5% të koncesionit, privati do të përfitojë 45% të fitimeve, ndërsa pjesa tjetër prej 50% e fitimit, sipas marrëveshjes, prej 10 vitesh, gjoja do të përdoret për investime në objekte e pajisje modernizimi të laboratorëve, me të drejtë përsëritje në çdo 10 vite vetëm nga koncesionari, privilegj që e përcakton VKM nr. 80, datë 28 janar 2015! Sipas skemës “Beqja”, përflitet se edhe ai do të jetë një nga aksionerët e këtij koncesioni në masën 10%, asnjë spital publik nuk do të pranojë analiza nga asnjë laborator tjetër privat, përveç analizave të bëra prej laboratorëve të këtij koncesioni. Kjo përbën një goditje për biznesin privat. 

Monopoli “gëlltit” 9.6 milionë analiza mjekësore në vit dhe zhvat vlerën e rimbursimit

Tjetër plan monopolizimi, do të jetë fakti, që asnjë qendër shëndetësore, spital, klinikë, poliklinikë e shërbim tjetër mjekësor shtetëror, nuk do të ketë laboratorë, por do të kalojnë me koncesion dhe çdo shërbim që ka qytetari në këto qendra, më parë duhet të bëjë analizat vetëm në laboratorët e monopolit koncesionar. Tjetër goditje, që do të japë koncesioni monopol është fakti, se 6 muaj pas marrjes së licencës me gjithë “fuqinë punëtore” brenda (laborantët), koncesionari ka parashikuar të largojë nga puna afro 520 laborantë dhe 210 punonjës ndihmës, që punojnë aktualisht aty e që pas licencimit, kalojnë si punonjës të koncesionarit, duke u shkëputur nga struktura shtetërore e punësimit. Sipas skemës së centralizimit të analizave, me burim vetëm koncesionarin, dalin jashtë loje 320 laboratorë të licencuar privat, që shërbejnë në gjithë vendin, 85% e të cilëve, sipas shoqatës së laborantëve, kanë marrë kredi për të blerë objekte, pajisje e lëndë të para shërbimi. Kujtojmë, që 210 laboratorë janë të mbyllur që prej vitit 1992 e në vazhdim për shkak të braktisjes së shërbimit mjekësor në zona. Po kështu, në Shqipëri ushtrojnë aktivitet 27 laboratorë pa licencë. Laboratorët aktual, qëllimisht janë lënë në degradim prej ministrisë së shëndetësisë duke u tjetërsuar në qendra të cilat nuk bëjnë dot gjithë ekzaminimet që kërkojnë depistimet, diagnostikimit dhe mjekimet e pacientëve. Qytetari, sipas monopolit është i detyruar me adresë laboratori dhe me çmim, që të bëj analizat atje ku e dikton monopoli, ndryshe nuk pranohet për trajtim në spitale, klinika e ambulanca pa paraqitur “fletën” e analizave të bëra tek laboratori monopol. Ka një tregues i cili pasuron pa asnjë pagesë blerje të këtij shërbimi dhe pa asnjë investim: Monopoli analizave “gëlltit” 9.6 milionë analiza mjekësore në vit dhe vlerën e rimbursimit. Sipas VKM nr. 80, datë 28 janar 2015, monopoli i analizave mjekësore në laboratorët shtetëror të falur për firmën e huaj, shteti heq edhe të drejtën e njohjes ligjore të rimbursimit financiar të shërbimit të analizave. Monopoli rrit çmimet 

Ja 4 nga 10 dëmet që shkakton monopoli në shërbimin laboratorik

1. Shkatërron sistemin laboratorik me eksperiencë 70 vjeçare.
2. Shkatërron dhe nxjerr jashtë përdorimit pasurinë laboratorike ekzistuese i pajisjeve dhe arkivës së pacientëve. 
3. Hedh në rrugë 590 specialistët dhe 1760 punonjësit e laboratorëve, të cilët sipas monopolit që zotëron si pronë dhe shërbim, ka të drejtë të largojë nga puna, të ul pagat, të kërcënoj e madje t’í detyroj ata, për të kryer edhe shërbim laboratorik sipas interesave të tij, në raste krimesh njerëzore, mjedisore e ushqimore.
4. Vendos tarifa financiare analizash monopol, duke mos pasur asnjë kontroll nga shteti.
————————————

Ja 6 nga aferat ministria “Beqja” ka bërë me shërbimin laboratorik monopol

1. Klienti (Ministria e Shëndetësisë), ka ngarkuar IFC-në dhe IFC ka pranuar të këtë detyrë si këshilltar kryesor ekskluziv për ta ndihmuar në fazat e ndryshme të rishikimit, strukturimit dhe zbatimit të Projektit, sipas kushteve të përcaktuara në këtë Marrëveshje, për prezantimin e pjesëmarrjes së sektorit privat në ofrimin e shërbimeve laboratorike publike që do të financojë, rehabilitojë dhe operoj një rrjet të laboratorëve publikë në rajonin e Tiranës dhe/ose Durrësit, sipas rastit.
2. Klienti bën të gjitha përpjekjet e nevojshme, që t’i japë mundësi IFC-së, stafit të saj dhe Konsulentëve të Kontraktuar të IFC, që të kryejnë Shërbimet sipas kësaj Marrëveshjeje dhe në veçanti, pa kufizim e pa kushte, do t’i sigurojë IFC-së të gjithë informacionin për Klientin (Ministria e Shëndetësisë) dhe Projektin që IFC mund të konsiderojë të nevojshëm. 
3. Do të lejojë ose ndihmojë për marrjen e lejes për përfaqësuesit e IFC-së, përfshirë stafin IFC dhe Konsulentët e Kontraktuar nga IFC-ja, të vizitojnë dhe inspektojnë vend-ndodhjen e projektit dhe çdo ambient tjetër, përfshirë objektet mjekësore. dhe të ketë akses tek pasqyrat dhe regjistrat financiare dhe te kenë mundësi, për të kontaktuar punonjësit, menaxherët, auditi dhe agjentët e tyre. 
4. T’i siguroj IFC-së, stafit të saj dhe Konsulentëve të kontraktuar nga IFC- ja (pa kosto) hapësirë për zyrë tek të gjitha vend-ndodhjet përkatëse ku ndodhen objektet, së bashku me shërbime sekretarie, logjistike dhe shërbime mbështetëse
5. Të zg|edh një ose më shumë objekte për projektin, ose në bazë të objekteve mjekësore ekzistuese, ose në vende me akses dhe infrastrukturë të nevojshme (transport, energji dhe ujë), ku klienti (Ministria e Shëndetësisë) ndërmerr alokimin e pronësisë së.tokës nga autoritetet lokale, pa ia vënë në ngarkim pagesën koncesionarit privat (IFC), nëse është e nevojshme dhe nëse kërkohet një studim fizibiliteti, të marrë miratimin rregullator të këtij studimi fizibiliteti me shpenzimet e Klientit (Ministria e Shëndetësisë). 
6. T’i përcjellë IFC-së menjëherë, ato informacione të tjera që 1FC kërkon here pas here rreth klientit (Ministria e Shëndetësisë) aseteve te tij, objekteve dhe Projektit.