Vuçiç: Me dronin na provokuan qëllimisht, por unë do iki në Tiranë

447
Në një intervistë për Euronews, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, këmbëngul se ishin shqiptarët ata që provokuan Serbinë tetorin e kaluar, me fluturimin e dronit në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, çka provokoi emocionet dhe ndjenjat e serbëve, por kjo nuk do të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve mes dy shteteve që kanë si synim të përbashkët integrimin europian. Gjatë intervistës ai rikonfirmoi edhe faktin se do të vizitojë së shpejti Tiranën.
“Ishte një provokim i tmerrshëm kundër nesh dhe ata e bënë me qëllim. Por mendoj se reaguam mjaft mirë. I mbrojtëm lojtarët shqiptarë dhe tifozët shqiptarë. Asnjë prej tyre nuk u lëndua. Dikush donte të na provokonte. Por gjithashtu treguam se ishim shumë të qetë dhe aspak agresivë……Dhe pas asaj, pas 70 vitesh, për herë të parë Edi Rama erdhi në Beograd dhe unë e prita. Gjithashtu unë e prita sërish për herë të dytë. Ndërsa pas pak ditësh unë do të shkoj në Tiranë”.
Në sinkron me kryeministrin shqiptar Rama, Vuçiç pranon se serbët presin më tepër nga Bashkimi Europian në përfshirjen e vendit brenda unionit.
“Nëse atje ka lodhje nga zgjerimi, në këtë vend ka lodhje nga durimi… Ne kemi punuar shumë dhe kemi investuar shumë në normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët e Kosovës, ndërsa në fund nuk kemi marrë atë që duhet të merrnim normalisht”.
Megjithatë, kur vjen puna te detajet, si vizita e anulluar e Hashim Thaçit në Beograd, ish-Ministri i Informacionit në kabinetin e Sllobodan Millosheviçit, e ka gati justifikimin.
Ne kemi dialog të nivelit të lartë disa herë në muaj, por ai e dinte që do të arresohej sepse ka një vendim gjykate që prej vitit 1999. Më duket se e kam takuar 32 herë Thaçin dhe jam i gatshëm që ta takoj kudo dhe kurdo, përveçse këtu. Mos prisni që unë të shfuqizoja një vendim gjykate? Nuk mendoj që kjo do të ishte vlerë demokratike për t’u mburrur!”
Vuçiç theksoi gjithashtu që edhe pse vendi e ka të qartë rrugën drejt integrimit në BE, nuk ka ndërmend të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe gjithmonë do të ruajë marrëdhënie miqësore me të. 
Sigal