Vritet terroristi i Barcelonës

582
Junes Abujakub, autori i masakrës së Barcelonës që shkaktoi 15 viktima dhe mbi 100 të plagosur, u eliminua nga policia spanjolle. 22-vjeçari maroken u vra në komunën Subitras, në dalje të Barcelonës. Mediat spanjolle shkruajnë se Abujakub mbante veshur një jelek eksploziv, ndërsa në momentin që u qëllua nga agjentët e policisë ai mësohet të ketë thërritur “Allahu Ekber”.
Pasi u konfirmua nga autoritetet katalanase se Junes Abujakub ishte shoferi i furgonit që shkaktoi masakrën, për kapjen e terroristit nisi një operacion masiv kërkimi. Policia shpërndau foto dhe të dhëna rreth tij edhe te shërbimet e vendeve partnere. Operacionet e kërkimeve u shtrinë edhe në zonat malore të Pirenejeve dhe në qytezën Ripoll, aty ku kishte lindur celula terroriste e marokenëve.
Sipas shefit të policisë së Barcelonës, terroristët kishin 6 muaj që planifikonin në detaj sulmin. Baza e tyre ishte banesa në një fermë në Tarragona, e kthyer në një ndërmarrje lëndësh eksplozive, ku policia zbuloi materiale të shumta.
Ndërkohë ministria e brendshme spanjolle njoftoi se bilanci zyrtar ka shkuar në 15 viktima.
E përditshmja katalanase “El Mundo”, raporton se Said Alla, njëri prej terroristëve u kishte lënë një letër prindërve, përmes së cilës u kërkonte falje. Të afërmit e tij thanë për gazetën se ditën e sulmit, Said kishte marrë një telefonatë dhe ishte larguar nga shtëpia për të mos u kthyer më.
Perveç autorit te sulmit në Las Ramblas, në kërkim janë edhe 2 xhihadistë të tjerë. Të dielën policia katalanese njoftoi se celula terroriste e përbërë nga 12 persona, konsiderohet e shkatërruar.
Sigal