Ka përfunduar pasditen e sotme në Patra ekspertiza mjeko-ligjore e trupave të Armando dhe Maria Klocit dhe fëmijëve të tyre një e dy vjeç, të cilët u vranë të mërkurën në shtëpinë e tyre në Andravidë.
Mjekja mjekoligjore Angeliki Tsiola , e cila kreu ekspertizën mjeko-ligjore, bëri të ditur se fëmijët kanë vdekur duke u mbytur, pasi autori duket se u ka mbyllur hundën dhe gojën, ndërsa prindërit janë qëlluar me armë zjarri.
Nëna ka marrë një plumb, ndërsa babai është qëlluar dy herë në kokë me pistoletë.
Gjithashtu, duket se prindërit janë vrarë në dhomën e gjumit, të cilët nga dera e brendshme janë tërhequr zvarrë në depo të shtëpisë, ndërsa koha e krimit është përcaktuar rreth orës 5 të pasdites.
Ndërkohë , policia vijon hetimet për kapjen e një burri, 57 vjeçar, banues në Andravidë, i cili konsiderohet si personi “kyç” për hetimin e rastit dhe gjurmët e tij janë zhdukur që prej mbrëmjes së të mërkurës së kaluar.




















