Vaksina anti covid / 90% e popullsisë së vendeve të varfra rrezikojnë të mos përfitojnë asgjë në 2021

226
Sigal

Nëntë nga 10 persona në 70 vende me të ardhura të ulëta nuk ka gjasa të vaksinohen kundër Covid-19 vitin e ardhshëm sepse shumica e vaksinave premtuese që pritet të miratohen janë blerë nga perëndimi.

Teksa në Mbretërinë e Bashkuar kanë nisur vaksinimet e para, Aleanca e Vaksinave të Popullit po paralajmëron se marrëveshjet e bëra nga qeveritë e vendeve të pasura do t’i lënë të varfrit në mëshirën e pandemisë. Vendet e pasura me 14% të popullsisë së botës kanë siguruar 53% të vaksinave më premtuese.

Kanadaja ka blerë më shumë në raport me popullsinë se çdo vend tjetër – sa për të vaksinuar çdo kanadez pesë herë, tha aleanca, e cila përfshin ‘Amnesty International’, ‘Frontline AIDS’, ‘Global Justice Now’ dhe ‘Oxfam’.

96% e dozave të vaksinës Pfizer / BioNTech janë blerë nga perëndimi. Vaksina Moderna që përdor një teknologji të ngjashme, po ashtu me efikasitet 95%, po shkon ekskluzivisht në vendet e pasura.

Çmimet e të dy vaksinave janë të larta dhe aksesi për vendet me të ardhura të ulëta do të vështirësohet nga temperaturat shume të ulta në të cilat ato duhet të ruhen.

Në të kundërt, vaksina e Universitetit të Oksfordit dhe AstraZeneca, e cila ka 70% efikasitet, është e qëndrueshme në temperaturat normale të frigoriferit dhe çmimi është vendosur i ulët që të mund të shpërndahet globalisht.

Prodhuesit kanë thënë se 64% e dozave do t’u shkojnë njerëzve në vendet në zhvillim. Aktivistët e përshëndesin këtë angazhim, por thanë se një kompani e vetme nuk mund të furnizojë të gjithë botën.

Më së shumti Oxford / AstraZeneca mund të arrijë 18% të popullsisë së botës vitin e ardhshëm. Sipas të dhënave të përpunuara nga Aleanca, 67 vende me të ardhura të ulëta rrezikojnë të lihen prapa në rrugën drejt sigurimit të vaksinës.

Aktivistët duan që prodhuesit e vaksinave Covid të ndajnë teknologjinë dhe pronën e tyre intelektuale përmes instrumentave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kjo do të lejojë që miliarda doza të tjera të bëhen me çmime të ulëta për vendet e varfra.

AstraZeneca / Oxford, Moderna dhe Pfizer / BioNTech kanë marrë më shumë se 5 miliardë dollarë financim publik për të zhvilluar vaksinat e tyre, thanë ata, që do të thotë se ata kanë përgjegjësi të veprojnë në interesin publik botëror.

Vendet e pasura kanë doza të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë popullsinë gati tre herë, ndërsa vendet e varfra nuk kanë as sa për punonjësit shëndetësorë dhe shtresat e rrezikuara,” tha Dr Mohga Kamal Yanni, nga Aleanca e Vaksinave të Popullit.