Ukraina merr përgjegjësinë për sulmet në Krime

123
Sigal

Ukraina ka marrë përgjegjësinë për një seri të sulmeve ajrore në Gadishullin e Krimesë, një muaj pas paqartësive se kush ka qenë mbrapa tyre, raporton transmetuesi britanik, BBC.

Një prej sulmeve, që ka ndodhur në fillim të muajit gusht, ka shënjestruar bazën ushtarake ruse, Saky.

Si pasojë e këtij sulmi ka vdekur një person.

Ukraina ka refuzuar të pranojë rolin dhe madje pati fajësuar forcat ruse për sulmet.

Kjo deklaratë konfirmon një zgjerim të konfliktit të Ukrainës edhe në Krime, gadishullin ukrainas që e ka aneksuar Rusia më 2014.

Në një artikull për agjencinë kombëtare të lajmeve, Ukrinform, komandanti i Kievit, Valeriy Zaluzhnyi, ka thënë se raketat ukrainase kanë shënjestruar disa zona ushtarake në Krime, përfshirë bazën ajrore Saky, e cila është goditur disa herë më 9 gusht.

Ai ka pretenduar se sulmi – kundër bazës që e përdor Moska për të nisur sulme kundër Ukrainës – ka lënë “jashtë funksionit” 10 aeroplanë luftarakë rusë.

Përveç shkaktimit të dëmeve, Zaluzhnyi, ka thënë se sulmet kanë pasur qëllim të sfidojnë besimin e përgjithshëm ushtarak të Rusisë.

Baza ajrore Saky është afër një plazhi që vizitohet nga shumë turistë rusë.

Kjo është hera e parë që Ukraina ka sulmuar tokën e Krimesë, prej kur ka nisur lufta e Rusisë në Ukrainë në muajin shkurt.

Ky gadishull i kontrolluar nga Rusia, është bërë subjekt i shumë kërcënimeve ukrainase në javët e fundit.

“Parashikimet e motit thonë se do të jetë shumë nxehtë në Krime”, ka thënë ushtria ukrainase përmes një postimi në Twitter, të mërkurën, duke sugjeruar se forcat pushtuese të Moskës, mund të detyrohen të notojnë mbrapsht në Rusi përmes Detit të Zi.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.