U rrëzua me 198 persona në bord, gjenden pjesë të avionit

459
Sigal

Zyrtarët indonezianë besojnë se kanë gjetur një pjesë të avionit Lion Air, që u rrëzua të hënën me 198 persona në bord.

Fluturimi JT 610, një Boeing 737, u rrëzua pak pas ngritjes nga Xhakarta. Asnjë i mbijetuar nuk është gjetur.

Dhjetëra zhytës janë në kërkim të rrënojave të avionit dhe trupave të njerëzve, së bashku me anije dhe helikopterë, në ujërat e detit Java rreth 30-40m thellësi.

Ndërkohë Lion Air ka shkarkuar drejtorin e tij teknik.

Kompania tha se shkarkimi i Muhammad Asif kishte ardhur me urdhër të Ministrisë së Transportit.

Zyrtarët nga Boeing do takohen me autoritetet indoneziane të mërkurën, si pjesë e hetimit.

Nuk dihet ende asnjë shkak që çoi në rrëzimin e avionit vetem 13 minuta pasi u nis në fluturim edhe pse BBC raportoi se ai kishte pasur probleme teknike gjatë fluturimit nga Bali në Xhakarta një ditë më parë.

Ekipet e kërkimit po përdorin një dron nënujor për të marrë sinjale sonare nga regjistruesit e kabinës.

Pjesë të trupit të aeroplanit, copëza dhe sende personale tashmë janë mbledhur nga uji dhe trupa të njerëzve po dërgohen në Xhakarta për identifikim.

Ndërsa zyrtarët thanë të mërkurën (31 tetor) se mund të kenë gjetur avionin dhe po përpiqen të konfirmojnë origjinën e një sinjali  “ping” të marrë ditën e kaluar.

Një zyrtar i marinës raportoi për mediat lokale se ishte gjetur një objekt i gjatë 22 metra dhe ishin përdorur sonarë për ta identifikuar atë.

“Ne besojmë fuqimisht se kemi përcaktuar koordinatat e trupit të JT 610,”-tha shefi i forcave të armatosura Hadi Tjahjanto.

Rezultatet e kërkimit të fundit do të shpallen së shpejti.